Sot ia urova vetes festës e pavarasisë

Opinione

Sot ia urova vetes festës e pavarasisë

Nga: Gëzim Muçolli Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 10:36
Gëzim Muçolli

Gjithë ditën me 17 shkurt shqiptarët shkëmbejnë urime.

Edhe sot u festua. Me dashuri për njëri tjetrin sikur për Bajram e Pashkë. Me respekt për sakrificën e dëshmorëve që u flijuan duke u bërë dritë për Kosovën. Me respekt të tepruar për udhëheqësit e "lavdishëm" të shtetit të Kosovës që shpallën pavarsinë para 10 vitesh.

Por sot ende u vazhdua me polemikën më të panevojshme rreth flamujve. Me shumë inate "patriotike" nuk lanë asnjë nga ditët e fundit pa u kapur për shtizën e flamurit duke u shtyrë se cili flamur duhet ta ketë vendin aty.

Nuk i kuptoj aspak ata që duke dashur të duken patriotë shkojnë deri aty sa e shajnë flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Ndoshta duan ta plotësojnë kornizën e tabllosë provinciale se patriotizmi duhet të mbrohet me arrogancë, me sharje, me rrahagjoks e akuza .

Botërisht dihet se ditën e dielle me 17 shkurt 2008, Parlamenti i Kosovës shpalli pavarsinë. Edhe me 1990 me 2 korrik ishte lexuar dhe nënshkruar Deklarata Kushtetuese para dyerve të të njëjtit parlament.

Pavarsinë e fundit na e njohu bota kurse atë të 2 korrikut nuk e patën njohur publikisht.

Pavarsia e fundit solli edhe një simbol identifikues, Flamurin shtetëror i cili u vendos si do të dukej duke u kujdesur për hatrin e disa ambasadorëve të fuqive të mëdha që na njohën menjëherë shtetin "sui generis"!.

Kemi një popull që flet shqip qysh nga lashtësia. Kemi dy realitete ku njëri gjithëmonë kishte rolin e Nënës që nuk iu ndalen hallet kurrë. Nuk janë realitete binjake pikërisht pse tjetri kishte funksionin e bijës së vuajtur.

Të mësuar me një flamur (kuqezi) tashmë flamuri që iu vu si binjak atij nuk u prit me dashurinë e duhur. Një politikan i partisë më opozitare në Kosovë dhe njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare para një viti më pati thënë se nuk e pranonte pikërisht pse nuk na kishte pyetur askush për dukjen e tij .

Besoj se askush nuk e mohon rëndësinë e vlefshmërisë së flamurit kuqezi deri në shenjtëri sepse jo rrallë është larë me gjakun e dëshmorëve dhe patriotëve të shquar.

Por edhe ky Flamuri tjetër ka diçka të shenjtë e cila duhej pranuar si kompromis nga ato ku zgjidhet e keqja më e vogël. Ajo që e dallon është vija e hartës së Republikës së Kosovës, ajo vijë që kufizon tokën e shenjtë shqiptare të ndarë padrejtësisht në Londër më 1913. Ajo tokë për lirinë e të cilës u derdh gjithë ai gjak sidomos në luftën e fundit për liri.

Dhe ky flamur bashkë me flamurin kombëtar u dogjën kushedi sa herë nga serbër që po pëlcisnin nga inati pse Kosovën nuk do të mund ta mbanin më si koloni të tyren.

Këto janë edhe motive për të mos dashur të dëgjojmë mospajtime dhe keqkuptime kur duhet respektuar protokolli i republikës. Republikën e deshëm dhe duhet ti zbatojmë ligjet e saj. Bile në emër të pragmatizmit politik dhe dëgjueshmërisë qytetare.

Pa harruar asnjëhere se projekti shpirtëtror i gjeneratave të tëra ishte përtej asaj vije që kufizon tokën e Republikës së sotme, të cilën vijë e kanë prishur në fillim shteti i Maqedonisë, sot shteti i Malit të zi e nesër kushedi se deri ku do ti futë gërshërët shteti serb.

E kjo tokë është dukshëm më e vogël se ëndërra e gjeneratës sonë të '81 që u përpoqëm për "Kosovën Republikë" e cila do ti përfshinte gjithë territoret e banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi.

Ky projekt nuk vdes derisa jemi gjallë ne të tetëdhjetenjëshit .

Duke dashur t'ia uroj Festën e Pavarsisë të gjithëve ia urova veq vetvetes , duke menduar se edhe politikanët e Kosovës më së miri ndihen kur mendojnë vetëm për veti.

Dhe duke dashur t'i harroj patriotët e rrejshëm që shajnë flamuj e nesër sikur të kërset dikund nuk dijnë se për ku të nisen më parë, për Kukës apo për Bllacë.

Urime 10 vjetorin e pavarsisë mua dhe atyre si unë që nuk e harrojmë kurrë punën e pakryer të vitit të kthesës, atij 1981.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat