Ne dhe Evropa; në mes të iluzionit dhe realitetit

Opinione

Ne dhe Evropa; në mes të iluzionit dhe realitetit

Nga: Lirim Begzati Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 08:00
Lirim Begzati

Kërkesat që dalin nga kushtet e ripërtrira dhe të ashpërsuara për anëtarësim të Ballkanit perëndimor në Bashkësinë evropiane (BE), ndoshta janë indikatorë që tregojnë se intenziteti i entuziazmit dhe i shpresave për hyrje në familjen evropiane nuk do të kishte nevojë që të jetë tepër se sa duhet i idealizuar. Kjo analizë mund të interpretohet përmes një sërë faktorësh të cilët duket se kanë ndikim në dhënien e njëfarë prognoze për afatet dhe perspektivat e anëtarësimit.

Premtimet e njëpasnjëshme të dhëna përmes diskurseve politike të përgjegjësve-akterëve evropian të zgjerimit, më tepër iu përngjajnë mesazheve politike për nevojën e avansimit të reformave të shumta që i presin shtetet kandidate për anëtarësim, duke u përqëndruar, me një theks të veçantë, edhe në domosdoshmërinë e ngritjes së shkallës së bashkëpunimit dhe bashkëjetesës rajonale në Ballkanin perëndimor.

Diskurset e shprehura duket se mbajnë ngjyrën e thënieve të kopjuara nga e kaluara, e aq më tepër ata “pasurohen” me shprehje të reja kërkesash, me prezantime kushtesh akoma më të vështira, sidomos duke u bazuar në rezultatet e zbehura që tregohen në hapësirat ballkanike.

Jo aq e besueshme formula e shpalosur në disa qarqe, sipas së cilës shpresohet që së pari të ndodhë anëtarësimi në BE dhe pastaj të pritet, si pasojë e kësaj, një stabilizim apo konsolidim marrëdhëniesh në Ballkanin perëndimor. Kjo ngërthen në vehte vetëm një pjesë të së vërtetës, e asgjë më tepër! Në fakt, porosia që vjenë nga Evropa, n’a thotë diçka tjetër “rregulloni së pari disa punë në vendin tuaj, merreni mirë veshë me njëri-tjetrin, e kurse pastaj do të shohim për ate se si do të jetësohet pranimi juaj definitiv në Evropë!”.

Një listë e gjërë faktorësh shoqërojnë refektimet lidhur me këtë temë. Së pari, pranimi padiskutim i ngutshëm i Bullgarisë dhe i Rumanisë (por edhe i disa shteteve të tjera) në gjirin e BE, i ka dhënë saj një shtytje të re, duke e çuar deri në imponimin e një qasje tepër rigoroze dhe në një rishqyrtim të kushteve të anëtarësimit që duhet aplikuar për kandidatët e tanishëm, për shtetet e Ballkanit perëndimor.

Përveç kësaj, shkohet shumë më largë, bile deri në atë masë saqë, në mesin e kushteve për anëtarësim që sot Evropa i kërkon nga këto shtete, ka me siguri prej tyre që nuk janë të pëfillura apo të plotësuara edhe në disa nga shtetet që veç janë anëtare të BE. Kërkohet nga Ballkani perëndimor shumë më tepër se sa është kërkuar në të kaluarën nga dikush tjetër! Një “penalizim” ky sadopak i padrejtë që bartet përmes pasojave të të tjerëve!

Qëndrimet e disa shteteve të ish-bllokut komunist, duket se i kanë “ftohur” disa shtete tjera historikisht dhe tradicionalisht besnike ndaj vlerave të përbashkëta evropiane. Në fakt, duket se një pjesë e shteteve të anëtarësuara gjatë këtyre dekadave të fundit (Hungaria, Polonia, Rumania, etj.) japin përshtypjen se e vërejnë ndonjëherë BE si një adresë parasegjithash “përfitimi” e jo edhe si një vend ku duhet kultivuar bashkërisht parimet e solidaritetit, të demokracisë dhe kontributit të ndërsjellë.

Sa për ilustrim, cekim shembullin e reformave të fundit politike dhe gjyqësore në Poloni, i cili tregon “besnikërinë” ndaj të kaluarës të ca elementeve hegjemoniste politike të vendit, duke harruar kështu vlerat evropiane të shtetit të së drejtës. Edhe shembulli i politikës së azilit në Hungari dhe në disa shtete të tjera, tregon se në politikën e tyre vërehet mungesa e shijes ndaj obligimeve që dalin nga nevojat e solidaritetit evropian.

Largimi i Britanisë së Madhe nga BE paraqetë me siguri një simbol zbehjeje të parimeve dhe vlerave të promovuara në hapësirat e BE. Por jo vetëm kaqë, pasi që edhe në disa shtete të tjera, hasim tendenca të ngjajshme me aspirata largimi nga familja evropiane, posaçërisht tek ata që nuk ballafaqohen me telashe madhore të zhvillimit të vendit apo që nuk identifikohen në mënyrë të mjaftueshme me vlerat aktuale dhe perspektivat e BE.

Konsolidimi dhe ripërtrija e rradhëve në vetë brendësinë e BE është me siguri një proces sfidash permanente, i cili ka me marrë një kohë të gjatë dhe vështirë të definuar. Por, u kuptuam se edhe zhvillimi i shumë proceseve në Ballkanin perëndimor ka me marrë shumë kohë. Një dinamikë kjo e proceseve paralele (në BE dhe Ballkanin perëndimor), që sot për sot, vështirë me e ditur ate se kur do të arrijnë që të bashkohen njëra me tjetrën, që të futen në binare të përbashkëta zhvillimi, që të bashkohen në kuadër të synimeve për me i takuar të njejtës familje evropiane.

Para integrimit në BE, duhet detyrimisht dhe paraprakisht të kalohet përmes integrimit rajonal, brenda vetë Ballkanit. E nevojshme të ritheksohet kjo pasi që strategjitë dhe premtimet teorike të veprimit, pritet që të materializohen përmes akteve konkrete. Që do të nënkuptonte, në mes tjerash, jo vetëm thellimin e bashkëpunimt në sfera të ndryshme, por edhe mënjaninim e rivaliteteve historike dhe shprehjen e tepruar të ndjenjës së epërsisë të njërit ndaj tjetrit. Luhatjet e disave në mes të BE dhe Rusisë nuk e lehtësojnë problematikën në këtë drejtim!

Po pra, nëse përkatësia në BE perceptohet sot si një adresë për dalje nga kriza, për gjetjen e një alternative më të besueshme për perspektivat (sidomos politiko-ekonomike) të shteteve të Ballkanit perëndimor, e gjithë kjo do të dukej e ç’veshur nga pragmatizmi! Kërkohet diçka tjetër apo edhe e kundërta në krahasim nga ajo që mendojmë disa herë, kërkohen reforma të mirëfillta, dhe se depërtimi në familjen evropiane, dihet se do t’iu nënshtrohet etapave dhe sfidave të mëtutjeshme që nuk dihet deri kur do të zgjasin !

Fundja, që nga momenti kur ndonjë shtet i Ballkanit perëndimor do t’i plotësonte hipotetikisht kushtet e kërkuara për anëtarësim në BE, nuk përjashtohet mundësia që të flitet pastaj pak më tepër për vlerat e përbashkëta që i promovojmë në Ballkanin tonë, se sa për ate që e vërejmë në Evropën e bashkuar.

Apo pyetja mund të parashtrohet pak më ndryshe; nëse Ballkani perëndimor avanson me një dinamikë të shpejtë me reformat e filluara, nëse do t’i përmbushte shumicën nga kushtet tejet të ashpra që i kërkon BE (standarde të një ekonomie të zhvilluar, shtet të qëndrueshëm të së drejtës, etj), atëherë a do të ishim të sigurt se entuziazmi i integrimit në BE do t’a kishte të njejtin intenzitet, ashtu siç e ka sot?

Ndoshta po, në kuptimin e simbolikës për me qenë anëtar i familjes së madhe evropiane. Mirëpo, nuk besohet se do t’a vërenim Evropën si një oportunitet për me dalë nga kriza jonë, qoftë nga ajo individuale qoftë kolektive! Aq logjike kjo, pasi që largimi nga kriza që i prekë sferat e ndryshme të jetës sonë, do të nënkuptonte paralelisht edhe plotësim i një sërë kushtesh për anëtarësim në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat