Mikut tim, shqiptar i pavendosur në Kosovën e Ahtisarit

Opinione

Mikut tim, shqiptar i pavendosur në Kosovën e Ahtisarit

Nga: Afrim Fanda Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 20:58
Afrim Fanda

Miku im i dashur X. Vendosa të të drejtohem pa emër e mbiemër sepse per fat të keq nuk je i vetëm, dhe nuk dua te te ngarkoj vetem ty me dëmin qe shkaktojnë çështjes shqiptare më shumë te tillë si puna jote, miq të mi shqiptare te pavendosur në Kosovën e Ahtisarit. Dhe duke t’u drejtuar ty, u drejtohem te gjithe këtyre miqve të mi, që me, apo pa vetëdije dëmtojnë të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës në veçanti, dhe gjthë shqiptarëve në përgjithësi.

Mora shkas per të t’u drejtuar, nga reagimi yt i ditëve të fundit, me rastin e heqjes së flamurit kombëtar dhe zëvendësimit te tij me atë leckën e Ahtisarit te sheshi Idriz Seferi, rrethrrotullimi në hyrje te Prishtines.

Ne, miku im, njihemi prej shumë kohësh, që nga koha kur si studentë shqiptare të të gjitha qyteteve shqiptare, dolëm bashkë në demonstratat e përgjakshme në Prishtinë me kërkesen e kohes, për avancimin e statusit të Kosovës në Republikë, ne ate kohe Krahine Autonome e R. Serbise ne Jugosllavine e atehershme. Por gjithmonë, në mendje dhe zemër kishim ëndrën dhe synimin për bashkim kombëtar.

Bashke me shokë të tjerë, krijuam organizata ilegale që mbulonin te gjitha trojet shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme, për të luftuar kunder pushtimit serbosllav, përsëri me ëndrën dhe vendosmërinë e palëkundur për t’u bashkuar në një shtet Shqiptar.

Bashkë me shokët tjerë, në lulen e rinisë, mbushem burgjet e Jugosllavisë. Bashkë ndame buken e gojes ne burg dhe duruam torturat e xhelatëve sllavë. Mbajtëm kokën lartë dhe nuk u dorëzuam kurrë. Ndërkohë, këshilltarët e këtyrë që voton ti sot, bënin karrierë në shërbim të sllavëve.

Bashkë pajtuam gjaqet neper gjithë fshatrat e Kosoves dhe shumë qyteteve tjera shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme. Edhe atëherë te dy kishim bindjet dhe synimet e palëkundura të bashkimin kombëtar, për të cilin ishim gati edhe të luftonim.

Dhe erdhi edhe ajo ditë. Bashkë luftuam në Kosovë, Preshevë e Bujanovc, dhe ne fund në IRJM. Shumë shokë tanë dhanë jetën për ëndrën e bashkimit kombëtar e jo për Republikën e Ahtisarit dhe i varrosëm të mbështjellur me flamurin kuq e zi, para të cilit dhe u betuam.

Dhe në fund, kur bashkë me ndihmën e aleatëve tanë shporrëm kolonizatoret dhe vrasësit serb nga pjesa më e madhe e Kosovës, dhe kur të huajt na imponuan atë shtet te pavarur nga Shqiperia por jo nga Serbia, pa te drejte referendumi, pa te drejte bashkimi me Shqiperine, me ate flamur dhe himn poshtërues dhe tallës, ti the se kjo eshte vetem kalimtare, dhe se synimi yt dhe imi i vertete mbetej bashkimi kombëtar.

Por, me kohe, fillove ta arsyetosh atë pavarësi nga Shqipëria dhe atë leckë të Ahtisarit, si flamur të shtetit te Kosovës, dhe fillove të ndihesh krenar per ndërtimin e shtetit multietnik të Ahtisarit, duke e quajtur shteti i dytë shqiptar.

Fillove t’i besosh ato argumente idiote të fabrikuara nga jugokosovarët, këshilltarë të komandatëve injorante, vegla te Serbisë, se eshte me mire te kemi me shume shtete, sepse me këtë mund të kemi më shumë vota ne OKB. Edhe gjatë kësaj kohe akoma nuk hiqje dore nga flamuri kombetar dhe synimi per bashkim. Së paku kështu deklaroheshe vazhdimisht.

Me kalimin e kohës, dalngadalë fillove me zell të angazhohesh në ndërtimin e institucioneve, shoqatave dhe kombëtares “kosovare”. Fute në punë familjarët e tu në institucione, në polici, në kufijt që na ndanin, gjithmonë në shkëmbim të votes që jepje ca komandantëve injorantë, të kriminalizuar skajshmërisht, gjithmonë me arsyetimin e ndëritimit të shtetit të pavarur te Kosoves.

Dhe gjatë gjithë kohës heshte para vjedhjes se pasurive kombëtare dhe varfërimit të popullit tend nga “komandatët”, te cilëve ti u’a jepje rregullisht voten. 

Heshte para zbrazjes së qyteteve shqiptare të Kosovës “së pavarur” të Ahtisarit, në ndërkohë që nga enklavat serbe nuk ikte njeri.

Heshte para vrasjeve, marrjeve peng te afaristëve nga ana e këtyre “komandantëve” të ciët ti vazhdoje t’i admiroje.

Heshte edhe kur ata, të cilëve ua jepje votën filluan të bëjnë lëshime Serbisë në mënyre që të lihen të qetë në veprimtarinë e tyre kriminale.

Heshte para dhurimit te territorit Malit te Zi, pa ç’ka se shtyje nga te duash dhe sa te duash atë kufi, perseri mes shqiptareve do te ishte.

Heshte edhe kur kriminelët dhe injorantët në pushtet shitën Serbisë teritore në zemër te Kosoves, duke ndërtuar shtete serbe në mes të teritorit te Kosovës. 

Ti vazhdoje t’u jepje votën kriminelëve dhe injorantëve, duke quajtur radikalë ata të Vetvendosjes, të vetmit që reagonin per te gjitha keto, dhe kenaqeshe kur këta të parët ndërsenin policinë kundër tyre, i burgosnin, e edhe i vrisnin në burgje.

Ndëkohë, këta qe ti votoje vazhdonin të të jepnin vende pune per ty dhe familjaret e tu, e nderkohe ata po beheshin gjithnje e me te pasur dhe me te pushtetshem.

Përkrahe dhe votove komandantët injorantë të kriminalizuar kur ata vune liberalizimin e vizave para cdo gjeje tjeter, edhe në vendimin për të dhuruar territore, e pothuajse edhe kushtin e ribashkimit me Serbine. Harrove luftën, masakrat, kuformat e pakthyera, historinë, dëshmorët …

Me kalimin e kohës pothuajse pranove identitetin e “kosovarit” gjithmonë me arsyetimin e ndërtitmit të shtetit multietnik të pavarur të Kosoves, edhepse serbi me të cilin ti doje ta ndërtosh këtë nuk e pranoi kurrë.

Dhe kur keta kriminele ne pushtet, duke parë pavendosmerine dhe oportunizmin tend, ngriten policine, dhe ta hoqen e grisen flamurin me te cilin të parët e tu dhe të mi luftuan, varosën dëshmoret, festonin festat, merrnin nuset, … ti u preke, besoj sinqerisht. Reagove për heqjen e flamurit kombetar, por përsëri kërkove që të qëndronin bashkë me atë leckën te cilin vazhdoje ta quaje flamurin e shtetit te Kosovës.

Dole me rastin e maskaradës se festimit të “pavarësisë” në sheshin Skenderbe, me të cilën u tallen gjithë popujt e Ballkanit, dhe poshtërove flamurin kombëtar duke e lidhur me atë leckën që as serbët nuk denjuan ta pranojnë. T’u mbushën sytë me lot, kur kryeministri komandant i’a dha dhuratë leckën e Ahtisarit Rita Ores që në koncertin me rastin e maskaradës së “pavarësisë” performoi me pjesët intime të mbuluar kuq e zi, dhe ty kjo nuk të la përshtypje.

Dhe, i vetedijshem apo jo, ti me lendove mua me të gjitha këto, vellaunt tend shqiptar miku im. Sepse ma bere te ditur se për ty nuk eshte i mjaftueshem flamuri yne kombetar, qe na bashkon neve të dyve, por deshe edhe nje flamur tjeter, ate leceken, qe te bashkon ty me serbin qe na vrau mua dhe ty. Dhe aq më tepër, po ai serb tregoi më shumë dinjitet se ti, dhe nuk e pranoi kurre ate leckë.

Me lëndove, sepse ma kujtove atë inspektorin e sigurimit shtetëror te Jugosllavisë së atëhershme që pas torturave fizike, vazhdonte me toruturat psiqike: “Ju, shqiptaret ketu ne Maqedoni, nuk keni asgjë të përbashkët me ata të tjerët. “Oni u Kosovu su kosovari, u Albaniji su albanci, a vi u Makedonij ste shiptari” (ata ne Kosove jane kosovare, ne Shqiperi jane shqiptare, ndesa ju ne Maqedoni jeni shiptari). Më lëndove dhe dëshpërove sepse nga goja jote degjova strategjine e Sigurimt Shteteror Serb, qe ne atë kohë me dukej një ëndër e tyre e parealizueshme, me të cilën në atë kohe qeshja me vetbesim.

Më lëndove sepse më braktise në momentet më të vështira ne fatin tim si shqiptar, ne meshiren e injoranteve, vrasesve dhe krimineleve, të njëjtë me ata që voton ti. Me le në baltë që t’më burgosin, vrasin dhe të tjerët të vendosin te jetoj ne shtetin e quajtur vetem me emer sllav.

Por unë kurrë nuk humba shpresat. Sepse per dallim nga ty jane shum shqiptarë të tjere, qe nuk bënë, dhe vazhdojnë të mos bëjnë kompromisin moral qe bere ti. Ata vertet vuajtën dhe vazhdojne te vuajne nga kriminelet ne pushtet, të cilët ti i ndihmon me votën tënde për t’i rrahur, burgosur, e edhe për t’i vrarë, ne nderkohe qe ti vezhgon nga dritarja e vendit te punes qe ta dhane këta kriminele që voton ti. Por këta shokë të mi, e dikur edhe të tu, jane shum te vendosur. Nuk mashtrohen kollaj dhe nuk heqin dorre kurrë nga ëndra jone, dikur edhe ëndra jote.

E besoj se edhe ti nje dite do t’i therasesh mendjes. Sepse ti, nuk je si ata që me oportunizmin tend i voton.

Në ditë do ta kuptosh se pikërisht ti, dhe te tjeret si ti mbani përgjegësin më të madhe. Sepse me këtë qëndrim “as mish as peshk” ju maskoni dhe jepni dekorin “patriotik” qëllimeve të errëta të jugokosovarëve në shërbim të shërbimeve të fshehta të serbise, sot këshilltarë të komandatëve kriminelë në pushtet..

Nje dite do te te brreje ndergjegjja dhe do te kthehesh i skuqur nga turpi tek shokët e tu, shqiptare të vendosur, sepse jam i bindur se ti nuk shkon aq larg sa keta kriminele ne pushtet.

E neqoftese kjo nuk do te ndodhi, athere ketu miku im rruget tona do të ndahen pergjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat