Mungesa e Prosperitetit si zbehëse e vlerave të Lirisë ndër Shqiptar!

Opinione

Mungesa e Prosperitetit si zbehëse e vlerave të Lirisë ndër Shqiptar!

Nga: Arben Çukaj Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 16:28
Arben Çukaj

Gazeta prestigjioze New York Times ka botuar nje artikull javen e kaluar, në përktujtim të Dhjetë Vjetorit te Pavarsisë së Kosoves. Ajo ç’ka binte në sy në këtë artikull, dhe autori i artikullit ishte një njohës i mirë i Kosoves para, gjatë dhe pas luftës, ishte pesimizmi, zhgënjimi dhe dëshpërimi ndër njerëz, i prosperitetit te munguar në keto dhjetë vjet. Dëshpërimi dhe mungesa e prosperitetit dhe begatise jane faktor që i gjejme në të dy shtetet  shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë.

Shqiptarët për vetë natyrën e tyre dhe pozitat gjeografike, kane qenë te detyrum me luftu per Liri dhe Independencë gjatë gjithë historisë dhe ekzistencës si popull. Kjo rezistencë shekullore dhe dëshirë për liri, ashtë nje vlerë që ndoshta të pakët i kemi shokët ndër kombe. Megjithate, fatkeqësisht rrallëherë, dhe ndoshta asnjëhere, liria e fitume me gjak nuk ashtë shpërblyer ashtu siç duhet me begati dhe prosperitet. Për të ilustruar deklaraten e masipërme dua të ndalem në disa momente sinjifikative te historisë sonë si popull.

Mbas shpalljes së Pavarsisë në Vitin1912, deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, shqiptaret nuk ishin në gjendje te krijonin stabilitet shtetëror apo prosperitet si popull. Mbas nje periudhe okupimi Otoman rreth 500 vjecar, periudha mbi 30 vjecare e mbas independencës nuk solli asgja të mirë veçse dy luftra Ballkanike dhe dy te tjera Boterore, qe u shoqeruan  me copëtim territoresh, vrasje masive të popullatës së pafajshme nga shovinistet serbë, dhe mjerim te gjithanshëm. Për vetë rrethanat e trashëgume nga okupimi osman, agresiviteti i fqinjëve, apo mungesa e nje vizioni te qarte politik te lidërve të asaj kohe, populli shqiptar ishte i dënuar të luftonte për mbijetesë dhe vuante në mjerim.

Periudha e mbas luftës së dytë botërore do të ishte një moment i pershtatçëm, ku populli ynë do të kishte mundësine qe t’ju bashkohej popujve dhe qytetnimit përendimor, për të rrokur vlerat e lirisë dhe demokracisë, dhe si rrjdhojë edhe zhvillimit dhe prosperitet të këtij qytetnimi. Fatkeqësisht, ashtu siç të gjithë e dimë, politikanët dhe liderët miope,gjakpirës dhe te pa-edukuar shqiptarë, u frymezuan nga një ideologji ateiste dhe shkatërrimtare, duke sjellë edhe njëherë ndarje dhe dhurim territoresh, zhdukje dhe eliminim të inteligjencës, e cila si rrjedhim u shoqërua me një varfëri deri në skllavërim dhe shaktërrim të dinjitetit njerëzor. Edhe njëherë politika dhe liderët kombëtar e zhgënjyen popullin dhe nuk u treguan në lartësine e duhur.

Rënia e komunizmit e gjeti përsëri popullin e shumëvuajtur shqiptar te gatshëm dhe me shumë shpresë për t’ju bashkuar familjes dhe qytetnimit përendimor. Fraza ma e perdorur nga turmat e revoltuara në kerkim te lirise ishte “ E duam Shqipërin si gjithë Europa” Populli ishte i gatshëm t’i bashkohej Europës, por edhe këtë rradhë, edhe pse kane kaluar 30 vjet nga këto thirrje, populli ynë është shumë larg popujve dhe vlerave te qytetnimit Europian , përsëri i zhgenjyer dhe mashtruar nga politika dhe politikanët e tij.

I njejti skenar po përsëritet edhe në Kosovë, ku populli martir dhe i shumevaujtur Kosovar para nje dekade fitoi lirine. Shpresat ishin te medha, që me përkrahjen e partnerëve dhe miqve ndërkombëtar, populli shqiptar i kosovës do te shkonte drejt një prosperiteti dhe begatie natyrale.

Edhe aty mbas dhjetë vjetëve shpresat për prosperitet po veniten çdo ditë, dhe klasa e korruptuar politike po e çon vendin drejt një qorrsokaku që as edhe nje qytetar i lire s’do e aprovonte.

Një shprehje e famshme, se anmiku ma i madh i shqiptarve jane vetë shqiptarët, po provohet në mënyrë profetike. Koha kalon, historia persëritet e vuajtjet dhe përpjekjet shekullore të këtij populli martir nuk po përkthehen në prosperitet dhe begati. Kush na e ka fajin!? Shqiptarët nëpër botë po provojnë dita ditës se ato nuk jane inferior ndaj askujt. Shumë bashkëatdhetar, në 2-3 dekadat e fundit, kane arritur të na bëjnë te ndihemi krenar me arritjet e tyre në shumë fusha dhe vende të botës,

Populli shqiptar është i lodhur dhe rraskapitur, Ai nuk e din se për çfare dhe cilin anmik duhet te luftojë ma! Marrëzia kolektive arriti deri aty sa të merrte armët dhe krijonte nje anmik imagjinar, vetvehten, dhe kjo ndodhi ne 1997-n. Kush na e ka fajin për këtë? Liria ka ardhur por liria nuk u perkthenka domosdoshmerisht në begati. Që të ndërtohet begatia, u dashka ma tepër se një shpirt liridashes apo urrejtje  ndaj anmikut. Begatia kerkon vlera,  shpirt sakrifice, punë, vendosmëri, dhe mirësi per arritjet e tjetrit. Të ndërtohet begatia dhe prosperiteti individual dhe kolektiv, kerkohet predispoziteti i bijve ma të mirë të një kombi, kërkohet aplikim i vlerave dhe vityteve të atij qytetërimi që ne andërrojme t’i bashkohemi, dhe në shumë raste kjo do te thotë, besim, edukim dhe respektim i ligjit. 

Bijtë e rremë, si perfaqësuesit ma të pa denjë të këtij populli, po abuzojnë me sakrificat e parardhuesve të tyre, pangopësia, korrupsioni, dhe papergjgjshmeria e tyre, po i zbeh vlerat dita-ditës sakrificës, dhe luftrave shekullore për liri e dinjitet, të një populli të tërë.

Shpresojme qe me ndihmën e partnerëve dhe miqve ndërkombëtar popullit të shumëvuajtur Shqiptar, në të dyja anët, t’i kthehet shpresa, dhe filloje të ndërtoje një të ardhme të begatë për gjeneratat e ardhshme, se shume te tilla u sakrifikuan për liri, dhe nuk arritën të gëzojne në begati, frytet e sakrificave të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat