Johannes Hahn kërkon ta zgjidhë Çështjen Çame, Edi Rama ta vrasë

Opinione

Johannes Hahn kërkon ta zgjidhë Çështjen Çame, Edi Rama ta vrasë

Nga: Arben Llalla Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 18:56
Arben Llalla

Në Samitin e KE dhe BE që u mbajt në Sofje të Bullgarisë nga 15-16 shkurti, ku qe i pranishëm komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn u shpreh shqetësimi që nazionalizmi i tepruar grek është duke u kthyer në një kërcënim për Europën. Këtë e bën me dije Princi i Litejshtejnit Mikael.

Qeveria greke ka nxitur gjithashtu mosmarrëveshje me Shqipërinë mbi depozitat e naftës e gazit në detin Jon, por edhe për kthimin e komunitetit çam, një minoritet etnik shqiptar, të cilin e detyruan me forcë të shpërngulej nga trojet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas këtij raportimi, stabiliteti i rajonit për vendet e Ballkanit Perëndimor është në rrezik, për shkak të veprimeve të fundit të Greqisë. Kjo është hera e dytë brenda pak kohëve që Çështja Çame rrëfehet si një problem që duhet zgjidhur në prani të komisionerit Johannes Hahn.

Por, në të njëjtën kohë qeveria e Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati janë të gatshëm ta varrosin Çështjen Çame duke pranuar urdhërat e Greqisë së Tsipras dhe Kotzias. Nikos Kotzias ka urdhëruar Bushatin që brenda qershorit fjala “Çamëri” dhe “çam” duhet të hiqet nga librat shkollorë të Republikës së Shqipërisë. Greqia ka propozuar se është e gatshme që tekset e mësimit të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë t’i përgatisë dhe t’i shtypë Athina.

Komisioneri Hahn nuk është zëri i vetëm në Bashkimin Europian që ngre problemin e Çështjes Çame, që kërkon një zgjidhje midis Greqisë dhe Shqipërisë. Një vit më parë ishte eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, i cili deklaroi se Çështjet historike duhet të diskutohen mes dy vendeve për të shkuar drejt zgjidhjes. Ai pati thënë: “Jam shumë dakord me atë çfarë tha komisioneri Johannes Hahn, që Çështja Çame i përket dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë si pjesë e bisedimeve mes dy qeverive të tyre.”

Pikërisht, tani që Çështja Çame është në majat e saj, qeveria e Edi Ramës bashkë me ministrat e tij Bushati, greken Drilos, kërkon ta zhdukë atë nga faqja e dheut, mundësisht ta kthejë në pikën e turpit. Të zhdukësh emrin “Çamëri” që të të njohë greku patentat, është të mbulosh diellin me shoshë.

Të njohësh minoritetin grek në Himarë, kur nuk ta lejoi kurrën e kurrës askush që nga Zogu e deri tek mësuesi i idealeve, Enver Hoxha, është të falësh tokë dhe të ushqesh idenë e Vorio Epirit. Heqja e emrit “Çamëri”, marrëveshja e detit, ndërtimi i mijëra varreve bosh dhe shpallja me status e minoritetit grek në Himarë, ku nuk ka këmbë greku askund, do të thotë të plotësosh aspiratën shoviniste greke të Epirit të Veriut dhe Magalo Idesë, gjë që mbetet veç formalitet të shpallet në tokën shqiptare. Madje, Edi Rama dhe Ditmir Bushati duhet të marrin pjesë në ceremoninë e shpalljes së Vorio Epirit, sepse atë që nuk e bënë nazistët e Agimit të Artë, po e bëjnë komunistët internacionalistë të Tiranës.

Por, Çështja Çame dhe Çamëria nuk janë jetime apo në duart e vasalëve të Athinës, gjithnjë në momente të rëndësishme shqiptarët kanë ditur t’i dalin zot çështjeve kombëtare, prandaj sot duhet të përkrahim Çështjen Çame nga Kosova, Maqedonia e diaspora që historia mos të na gozhdojë në shtyllën e turpit si vasalë e tradhtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat