Familja Jashari dhe kujtimi i një epopeje

Opinione

Familja Jashari dhe kujtimi i një epopeje

Nga: Gani Qarri Më: 6 mars 2018 Në ora: 12:12
Gani Qarri

Sado që edhe festat kombëtare,me kohë sikur kanë nisë të zbehen dhe humbin shenjtërinë e dikurshme, ato tanimë shihen më ndryshe nga populli dhe marrin hije më të rëndë në sytë e qytetarëve të vuajtur, përderisa në ballë të tyre, ende qëndrojnë politikanët e inkriminuar dhe vetëm kur bëhet fjalë për familjen Jashari, nga shqiptarët edhe më tej kapërdihet çdo gjë.

Për një moment, qoftë edhe përkohësisht, sikur të gjitha falen dhe harrohen, vetëm për hir të kësaj Familje famëmadhe dhe epike, si rrënjë e burimit shpirtëror të atdhetarizmit vet-flijues kombëtar, e cila me bëmat e sajë mbinjerëzore dhe kolektive familjare, ia ktheu nderin e nëpërkëmbur Kosovës dhe popullit tonë kudo.

Ajo, dëshmoi lavdinë e pakapshme, me heroizma të përmasave historike, mu në çastet më vendimtare për Kosovën, duke i bërë ballë heroikisht sulmit të një armate të tërë pushtuese me qëndresën e sajë heroike dhe të pa epur deri në vdekje, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë,për liri dhe bashkim kombëtar.

Me sakrificën e pashembullt aq sublime të shenjtë dhe të papërsëritshme, të vetëflijimit kolektiv, Jasharët; Shabani, Hamza, Ademi dhe e gjithë Familja si tërësi, me aktin e dëshmuar, kaluan përmasat e një flijimi të rëndomtë, të pa-njohur deri në ditët tona, nga e kaluara e afërt dhe e largët, jo vetëm në historinë e kombit, por edhe tek popujt tjerë, në rajon e me gjerë, duke u shndërruar në Mit për të gjitha kohët dhe në krejt hapësirën kombëtare shqiptare.

Në Kosovë shihen dhe dallohen qartë gjurmët e luftës edhe pas 20 viteve të rënies heroike të Familjes Jashari, jo vetëm në shtëpitë e tyre tanimë muzeale, ku muret, dritaret e thyera dhe çatitë e rrënuara, si dhe shumë gjëra tjera përreth, sikur flasin vet, ruajnë të freskëta goditjet e predhave të të gjitha llojeve dhe të djegieve gjithandej, njëjtë si eshtrat e të vrarëve dhe veshjet e tyre të copëtuara nga plumbat e armikut, pamja e të cilave ende vret, njëjtë siç vrau të flijuarit atëherë dhe zemrat e nënave dhe baballarëve të të pagjeturve deri më sot,për moskthimin politik dhe tendenciozë të mijëra shqiptarëve të vrarë dhe të kidnapuar nga Serbia, 19 vite më parë.

Çështja e Kombit, duhet ta bashkoj politikën shqiptare sot më tepër se kurrë, e cila para çështjeve madhore nuk guxon të jetë e përçarë ngase shqiptarët me gjithë Shqipërinë shtet të lirë dhe Kosovën e pavarur, vazhdojnë të mos jenë unik, faktorë vendimtar as vendimmarrës në Ballkan, e aq më pak në Evropë.

Adem Jashari me shokë nuk luftuan vetëm për pavarësinë e Kosovës, por për lirinë e të gjitha trojeve tona, realizimin e të cilave nuk e arriti, edhe pse s’u ndal gjithë jetën e tij, së luftuari për çlirimin dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, Shqipërinë.

Kosova e pavarur, nuk ishte ëndërr vetëm e shqiptarëve të Kosovës, por e të gjithë shqiptarëve kudo janë, dhe, megjithëse një pjesë e Dardanisë së vjetër arriti të bëhet shtet i pavarur, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur përfundimisht, përderisa nuk janë çliruar të gjitha trojet shqiptare, për të cilat luftonte Baca.

Për fat të mirë, me gjithë flijimet e përmasave asgjësuese që armiku kishte planifikuar shumë kohë më parë ndaj saj, Familja Jashari u ringjall përsëri dhe ngrit si feniksi nga hiri i heroizmave të veta për liri, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Kosovën, e cila fatkeqësisht përkundër të gjitha sakrificave dhe rënies së shumë dëshmorëve nga të gjitha trojet shqiptare për çlirimin e vendit edhe 20 vjet nga kjo ngjarje e jashtëzakonshme në historinë më të re shqiptare e evropiane, dhe tetë vjet të kaluara nga shpallja e pavarësisë së saj, mjerisht ende nuk mund të konsiderohet plotësisht e lirë dhe në tërësi sovrane,madje jo vetëm që 30% e territorit të saj,akoma sundohet nga bandat kriminale dhe policia sekrete serbe, por kohët e fundit flitet edhe për marrëveshje të fshehta për ndarjen e saj, përderisa edhe sot mungojnë mëse 1700 të zhdukur e të kidnapuar nga forcat pushtuese policore-ushtarake të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat