Pafundësia e historisë - Bota Sot
Pafundësia e historisë

Opinione

E mërkurë, 20 qershor 2018

Pafundësia e historisë

Nga: Fadil Lepaja Më: 7 mars 2018 Në ora: 10:04
Fadil Lepaja

Jo, ajo nuk ka vdekur! Ajo është e gjallë! Ajo dikton jetën tonë, sot, e dikton edhe të ardhmen për aq sa duket e ardhmja nga mjegulla dhe tymi i (para) politikës.  Ishte rren, llafi se historia ka fund! Jo në Ballkan! Jo ndër ne! Mirë mëngjes histori! Rrëqethuni  fëmijë nëpër bankat e shkollës. Mos shihni kanalet horror, shihni  kanalet historike! Mos i ngatërroni, fjalët, se fjala histerike, ka kuptim tjetër dhe kjo nuk ka të bëjë me ne.

Te ne gjithçka është histori, është epope. Kjo është industria e vetme. Fund e krye viti, dekadat, jeta,  na shkon me epope. Edhe vet jemi epope, legjenda të gjalla që ecim këmbë nëpër histori. Me një fjalë, ne jemi këmbësoria ndërkohë që politika nuk ecin këmbë, ata janë kalorësia.

Mos të dyshoj askush, ne jemi mitik, njëjtë, edhe kur ndezim zjarre  në Prekaz, edhe kur ndezim zjarre, para ambasadave, për të u ngrohur derisa presim në radhë për viza.  Edhe pran kazanëve me fletushkat e marketingut,  që nuk i shfleton askush, qytetarët tregojnë historitë e tyre të lavdishme, gjithë dashurinë e pafund për këtë vend, të cilin mezi po presin të e lënë. Veç një vizë u duhet. Për historinë e lavdishme, mund të këndojmë edhe flasin, edhe nga kontejnerët  e refugjatëve nëpër Evropë. Ne do të jemi këtu, përmes profileve tona në rrjetet sociale.

Ishim mitik kur na përzunë, mbi një milion, më 1999, ishim mitik edhe kur ikëm vet, pas lufte, me autobus për në Evropë, duke ikur kështu nga parajsa, se dashuria jonë për Evropën është mitike. Besnikëria jonë ndaj politikës, po ashtu është mitike. Ajo nuk ka gabuar kurrë. Ne nuk i meritojmë!

Por, historia jonë thotë, se  gjërat e mëdha, festat kryesore ndodhin në mars. Ato të shkurtit, festa e dashurisë dhe pavarësisë janë vetëm hyrje, në botën e miteve, në botën e kënaqësisë dhe zjarreve.

E kur vjen marsi, ja qet flakën. Pak a shumë katastrofë ekologjike e emocionale. Mos e keqkuptoni fjalën katastrofë. Ajo ndër ne ka kuptim tjetër. Të mirë. Kënaq jemi, katastrofë, krejt!

 Pra,  marsi vjen, ndër ne, çdo vit, që nga paslufta. Fillon me  tre mars, e vazhdon me shtatë edhe tetë, për të u përmbyllur me 11 mars ditën kur dikush do të na flasë se si u rrokullisën pjatat me pasul, në mensën e studentëve në Prishtinë, dhe pastaj se si filloi gjithçka që sot fëmijët tonë e mësojnë nëpër shkolla. Edhe mirë bëjnë që e mësojnë! Rren qoftë, se historia nuk ka vdekur, Fukujama. Atë e gjen në mesin tonë  më të gjallë se kurrë. Ne jemi historia vet, vet miti që ecë, sepse shumë nga ne kanë ndenjur këmbëkryq me mitet,  përmendoret, e dikush më me fat, edhe fotografi ka bërë.

Dorën në zemër, marsi vinte edhe para lufte, sepse edhe atëherë shkurti zgjaste shkurt. Por ikte shpejt disi, pahetueshëm për publikun, dhe ishte shumë intim, sa përmbyllej  vetëm me ca lule të freskëta që ua jepnim nënave në mëngjes, në dorë, me një përqafim rasti. Eh, sa miliarda përqafime ka humbur kultura jonë,  nga ajo kohë kur nuk kishim  teknologji të mençur, dhe krejt ajo  dashuri, as që mund të krahasohet me miliona fotografi që do të postohen sot nëpër profile, duke filluar nga nata e zjarreve , pastaj në ditën e mësuesve, ditën e nënave, thjesht, kem me u kënaq!

Asokohe marsi ishte nën hije të prillit e sidomos majit, kur klasa punëtore kujtonte se ka ardhur festa e sajë, dhe shkaktonte katastrofë ekologjike duke djegur goma veturash, kamionësh e autobusësh. Në prill, vetëm një prilli festohej, ilegalisht, si dita e politikës. Rrente politika, rrente populli, të gjithë  gënjenim me një prill, se ishte legale. Nejse, edhe tash kur jemi te gënjeshtrat,  vargut të festave, mund të u shtohet lirisht edhe një prilli, si dita e politikës. Me e institucionalizua  gjithçka.

Në rregull, de, pajtohem se duhet me e mësua historinë,  sepse mësuesit tonë të zgjuar, me rezultate të lodhëta nga testet e PISA,  vazhdimisht na e kujtojnë se nëse nuk e mësojmë, historinë, do na e përsërisin. Historinë tonë gjithnjë na  kanë krijuar dhe shkruar, të tjerët. Ne e kemi mësuar, tonën përmes  legjendave dhe miteve. Sido që të ndodhë, populli po lutet, që nëse është e domosdoshme, të na përsëritet, historia, epopetë të na ndodhin në verë, sepse do të kënaqeshim duke festuar, nëpër diskoteka e restorante, përgjatë bregdetit të bukur. Në vend të politikës, do të përfitonte , turizmi!

Nejse, ideologjia zyrtare, për epopetë, thotë se ajo duhet të ndodhin veç në mars,  sepse festat janë bërë për të parakaluar politika, qoftë trojka drejtuese, qoftë karvani i pafund i ministrave, zëvendësministrave, politikës, de! Pastaj, edhe Iliri, ka pas thënë: “Sërish vjen marsi...”

Marsi është  muaji kryesor kur klasa politike mobilizohet plotësisht.   Është muaji i ynë i festave, kur festojnë burrat, gratë, studentët, mësuesit, pak a shumë gjithkush i rëndësishëm , për politikën dhe në politikë. Se politika mitet i ka produkt vendorë. Ndërto një përmendore, mundësisht sa më të madhe, dhe fshihu pas saj! Kjo është loja të cilën e luan politika jonë, por nuk është veç e jona. Kështu vepron secila oligarki, nacionale,në Ballkan. Me e ri ndezë  dhe me e mbajt ndezë, zjarrin e urrejtjes, dhe me u ngroh në të, populli,  ndërkohë që politika krejt biznesin e ndërton mbi këtë  kujtesë historike e cila prodhon vazhdimisht ushtarë të rinj, duke i veshur qytetarët në uniforma partish, klanesh,  lagjesh politike.

Iku dimri, ikën edhe dallëndyshet evropiane, pa na treguar se kurë vjen pranvera. Varet nga politika juaj, na thanë. E politika ka ndezë zjarre, me buxhet të shtetit! Kush është me të, mund të ngrohet. Kush afrohet shumë digjet, kush rri larg mërdhinë. Ka  shumë të tjerë që ndezin zjarre, pranë ambasadave, duke pritur në radhë, për viza, për të ikur nga miti, për me ecë këmbë nëpër Evropë...!

Rren qoftë, Fukujama! Ajo është e gjallë!

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test