Adem Jashari nuk është i askujt individualisht, ai është i të gjithëve kolektivisht

Opinione

Adem Jashari nuk është i askujt individualisht, ai është i të gjithëve kolektivisht

Shefik Sadiku Nga Shefik Sadiku Më 7 mars 2018 Në ora: 11:57
Adem Jashari

Nuk kaloi as ky përvjetor i 20-ti i madhështisë së Komandantit tashmë legjendë e kohës moderne ,Adem Jashari, pa tentime  të  atykëtushme për ta përvetësuar madhështinë e tij si më shumë  të këtij individi apo formacioni politik.

Nëse historia njeh ndonjë figurë që më së paku ka vepruar duke qenë i rreshtuar pas kësaj apo asaj partie, pa mëdyshje, ky është Adem Jashari. Prandaj ëhtë koha që më në fund të pushojnë të gjitha përpjekjet qyqare , të cilat përpiqen që këtë figurë sa historike aq edhe mitike ta rreshtojnë, padrejtësisht, sa andej e sa këndej, varësisht nga qëllimet e ulta e ogurzeza të atyre qarqeve. Adem Jashari, bëmat e tij, akti i tij, heroizmi i tij dhe madhështia e tij nuk lejon që askush në emër të tij të përfitojë e aq më pak që në  emër të tij të krekoset ky indivit apo ai personalitet, kjo ideologji apo ajo parti. Adem Jashari nuk ishte dhe nuk është  i partive, ai ishte mbi partitë, ai ishte dhe është vetëm i Kosovës dhe i kombit shqiptar.

Adem Jashari ishte dhe është i Kosovës dhe i kombit shqiptar jo pse u brumos nga ndonjë ideologji partiake, por, thjesht ishte dhe është i tillë sepse e deshi lirinë e Kosovës dhe u bë themel i asaj lirie kaherë të gjakuar të shqiptarëve . Deshi dikush apo nuk deshi, do apo nuk do dikush,  e vërteta e paluhatshme , e vërteta e matshme, e vërteta e pakontestueshme dhe, më në fund, e vërteta  pa antipodin e saj, është se Adem Jashari është tani më figura historike më e madhe jo vetëm e shqiptarëve të Kosovës, por figurë në mesin e figuravë më të mëdha të kombit shqiptar. Ai nuk pati parti, ai nuk pati ideologji. Ai parti pati kombin shqiptar, ideologji pati lirinë e kombit të vet. Prandaj rreshtni ju, të mjerë, që tentoni që në emrin e tij të dukeni të mëdhenj, por mos harroni se madhështia e tij nuk lejon karshillëkun tuaj, prandaj kushdo që përpiqet që me emrin e tij të duket i madh, historia do ta dënojë me vogëlsinë e vet, andaj të kota dhe të dënuara do të përfundojnë ambiciet e individëve dhe të partive për ta përvetësuar atë që historia ia ka dhuruar këtij gjigandi të papërsëritshëm në përmasa universale.

Adem Jashari nuk është vetëm hero kombëtar, ai është institucion nga i cili kombi duhet dhe do të mësojë se liria e kombeve të robëruara nuk ka qenë dhe as nuk  do të jetë dhuratë e dikujt për dikë, por është sakrificë, përpjekje ,vetëmohim dhe synim i atyre që e duan lirinë. Institucioni Adem Jashari qartë na bind se e natyrshmja patjetër duhet të bëhet e ligjshme, por për të ndodhur kjo individi dhe kombi duhet t’i tejkalojë ambiciet dhe synimet individuale dhe ideologjike.

Kushdo dhe secili duhet ta çmojë dhe vlerësojë veprën e Adem Jasharit, por askujt nuk i ljohet dhe as nuk do të mund ta përvetësojë madhështinë e tij qoftë për interesa individuale apo partiake.

Adem Jashari dhe UÇK-ja  nuk janë as më pak e as më shumë të këtij individi apo të atij, të kësaj partie apo të asaj. Adem Jasharin dhe UÇK-në kanë të drejtë dhe obligim moral dhe kombëtar ta çmojnë dhe vlerësojnë edhe ky individ edhe ai, edhe kjo parti edhe ajo. Prandaj Adem Jashari nuk është i askujt individualisht, por i të gjithëve kolektivisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat