Rinia e sotme dhe Sokrati

Opinione

Rinia e sotme dhe Sokrati

Nga: Lis Bukuroca Më: 7 mars 2018 Në ora: 20:04
Lis Bukuroca

Në një ditë dimri të acartë, prisja trenin në stacion në një sallë të stërmbushur me njerëz. Në hyrje u krijua një tollovi e madhe dhe shtyrje, prandaj gati askush vuri re  shtyrjen e një gruaje plakë nga një djalosh i pakujdesshëm. Sikur unë të mos i hidhesha nën krahët zonjës, ajo do të rrëzohej përtokë.

Zonja u ul përballë meje në vagon dhe shquhej mirënjohja e saj. Aty filluam bisedën dhe e pyeta përsëri se a ndjehej mirë. “Rinia e sotme thjesht nuk është ajo që ishte dikur”, kështu përfundova unë mendimin tim.

Kur kontrollori erdhi të kontrollojë biletat, zonja kuptoi e trishtuar se kuletën i kishin vjedhur! Asaj i rrodhën lotët nëpër faqe dhe derisa i dridheshin buzëz, tregoi se sapo kishte tërhequr nga banka pensionin e vet, të cilin tanimë nuk e posedonte. Aty vagonin pllakosi një heshtje e madhe dhe dukej se të gjithë udhëtarët bashkëndjenin fatkeqësinë e saj.

Disa çaste më vonë një djalë filloi të bëjë muzikë argëtuese me një harmonikë të vogël para buzëve! Unë  i indinjuar,  gati se po ngrihesha ta kap për fyti. Aty thash vet me vete, sa e  pak takt dhe e pa ndjeshmëri është rinia e sotshme, madje edhe në këtë gjendje të mjerë, sillet në mënyrë hareshme.

Jo vetëm muzika, por vazhdoi edhe më  keq! Pas melodisë, djaloshi u ngrit, hoqi kapelën nga koka dhe eci nëpër vagon për të mbledhur para. Dukej se me të vërtetë të gjithë udhëtarët i jepnin, madje disa edhe kartëmonedha i hidhnin brenda. Krejt në fund, u ndalë edhe para meje. Jo, unë nuk doja të ndihmoja një lypës, që kishte dy duar të shëndosha për të punuar! Mu kjo ishte arsyeja pse mbylla sytë dhe u shtira se po flija  dhe për fat të mirë, ai nuk më foli fare.

Disa sekonda më vonë, ndodhi diçka që më tronditi thellë. Muzikanti i harmonikës shkoi te zonja së cilës i qe vjedhur kuleta dhe derdhi të gjitha paratë e mbledhura në prehrin e saj! Ai i buzëqeshi asaj duke i thënë se të gjithë pasagjerët e vagonit,  i kishin dhuruar asaj disa lekë nga zemra.

I turpëruar kuptova gabimin tim dhe kur më ra ndërmend të nxirrja portofolin, vura re se ishte tepër vonë. Plaka kishte zbritur tashmë nga treni. E vështrova atë me sy të përlotur gjersa ajo ecte ngadalë pranë xhamit të vagonit tonë.  Zonja ngriti dorën në ajër dhe falënderoi edhe njëherë udhëtarët zemërmirë! 

Nga gjermanishtja Lis Bukuroca

Po morali nga kjo ndodhi?

Paragjykimi! Rrallë dikush që nuk është i dëmtuar nga paragjykimet. Ato shtrembërojnë perceptimin e drejtë. Ne kemi jo vetëm të tilla ndaj banorëve të një lagjeje, qyteti, por edhe ndaj kombeve të tëra. Paragjykimet pengojnë kërkimin dhe gjetjen e së vërtetës, madje as nuk lodhemi për të menduar se çdo njeri dhe çdo ndodhi, mund të jetë ndryshe nga tjetra dhe ne nuk mund të posedojmë për çdo gjë, për çdo njeri dhe për çdo vepër dije dije në një sirtar. Ne, nga përtacia pranojmë stereotipa dhe ato i përdorim për ngjarje apo njerëz pa i shqyrtuar, por vetëm duke i besuar vet. Paragjykimi shndërrohet në bindje fikse dhe dëmton poseduesin. Qëndrimi i tillë në psikologji njihet si shtrembërimi apo devijim kognitiv, kur në bazë të premisave të rrejshme, sillen përfundime të gabueshme.

Platoni në dialogët e tij, te vepra “Shteti” tregon për metodën sokratike. Sokrati ishte filozof i njohur në lashtësi, i cili dinte se nuk dinte asgjë, prandaj ai edhe rrugës pyeste njerëzit se a ishte dija e tyre vërtetë apo e rrejshme. Një ditë i drejtohet Kefalosit. Kefalos, çfarë është e drejtë (drejtësia). E drejtë është të thuhet e vërteta dhe të kthehet borxhi, përgjigjet ai.

Sokrati mirëpo nuk ndalet aty dhe vazhdon. Dakord, thotë ai, po nëse ti ke marrë një shpatë një njeriu, a duhet t’ia kthesh. Po, thotë, Kefalos. Po nëse ai njeri ndërkohë është çmendur dhe me atë shpatën ka ndërmend të vrasë dikë. Aty Kefalos kundërshton veten dhe kupton se ajo që kishte menduar se ishte e drejtë, nuk vlente gjithmonë. Kështu Sokrati konstaton se gjithë atë që dinim ishte e gabueshme. Pra, metoda sokratike, lufton bindjen fikse, iluzionin e dijes dhe kërkohet e vërteta deri në fund.

Ja disa shembuj nga një seminar i psikologjisë mbi “artin e të bindurit dhe prezantimit”: Psikologjia tha se në kohën romake, njerëzit jetonin mesatarisht 30 vite, kurse sot, gati 80.  Ciceroni ka jetuar mbi 60 vjet, i thash. Horaci mbi 50! Çfarë domethënë kjo?, pyeti ajo.

Kjo domethënë se është metodë e gabuar. Nuk mund të thuhet se njerëzit kanë jetuar 30 vite, sepse ai konstatim nuk i rezistonin asnjë shqyrtimi serioz. Gabimi qëndron në metodikë: Nuk mund të merret një foshnje, që ka jetuar një javë dhe një njeri që ka jetuar 60 vite dhe të nxirret një mesatare prej 30 viteve.

Në këtë rast, foshnjës i dhurohet 30 vite, që nuk i ka jetuar, që nuk mund t’i pranojë dhe i hiqen tjetrit 30, që i ka jetuar, që nuk mund t’i anulohen. Ai i ka jetuar! As të parit nuk mund t’i shtohet, as të dytin t’i hiqen. Kështu ai konstatim shembet si kështjellë rëre! Në këtë rast duhet folur për mesataren e vdekshmërisë te foshnjat, por jo të bashkohet i vdekuri me disa ditë jetë, me të gjallin me disa dekada. Ajo tha se duhet të vazhdojmë, por nuk shtoi asgjë, e as nuk e kundërshtoi mendimin. Më shpërfilli!

Pas diku tri orëve ligjërata nisi të flasë për gjuhën trupore, gjuhën e trupit, gjermanisht “Körpersprache.” Para se të bënim pushim, tha se mund të shtronim pyetje. I thash se togfjalëshi “gjuhë trupore” është i gabueshëm shekncërisht dhe nuk qëndron. Ju tërë kohët folët për mimikën, për gjestet e fytyrës apo lëvizjet e trupit. Këto i quajtët gjuhë trupore. Këtu qëndron gabimi: Gjuha ka një fonetikë, ka një sintaksë, një morfologji, një semantikë dhe po t’i hiqen ato, mund të shndërrohet në lehje, ose mjaullimë.

Pra, mimika dhe gjestet nuk mund të emërtohet gjuhë e trupit! Arsyeja është e thjeshtë. Gjuha është shumë komplekse, mimika ka ekzistuar para gjuhës, ato janë gjeste, lëvizje, por jo gjuhë! Më shpërfilli edhe këtu!

Tha se duhej të dilnim dhe përsëri nuk shtoi asgjë, edhe pse në fillim të ligjëratës na foli se në të gjitha anët, në të gjitha fushat, ne manipulohemi dhe se detyra saj si psikologe, ishte të na mbronte neve nga rënia në viktimizim. Ajo kishte të drejtë, ne manipulohemi, por në fakt, po na manipulonte edhe ajo, sepse mbronte profesionin e saj për të na bindur se pa të nuk mund të perceptojmë botën reale!

Pas dite tregoi se Gjermania edhe pse është e pasur, (citoi një studim) ku çdo qytetar gjerman trashëgonte mbi 300.000 euro dhe se pasuria e tërësishme, ishte 3.2 bilion. Edhe këtu e ndërpreva. Ishim mbi 30 veta brenda. Jam kureshtar i thash të di se veta prej të pranishmëve trashëgojmë këtë shumë. Ajo u ndal dhe më vështroi. Iu drejtova të pranishme. Disa tundën kokat se jo, disa e mohuan me fjalë. Edhe këtu është metoda e gabuar i thash: Si Horacit që i merreshin vitet, ashtu edhe paratë e të pasurit, teorikisht i ndahen të varfëritë, por praktikisht i mban i pasuri! Ajo, për të dalë nga kriza e tretë tha se dëshironte me këtë shembull vetëm të nënvizonte se gjermanët janë kampion në të ankuar, edhe pse jetojnë mirë.

Aty i shtova se evolucioni i ka imponuar njeriut moskënaqësinë, përndryshe nuk do të përparonim kurrë. Dhe, ankesat ndikojnë në rritjen e kontakteve sociale dhe bisedave se kështu përlaheshin vazhdimisht edhe në Athinë, por prodhuan filozofi të cilën sot e studiojmë, e bën edhe gjermanët dhe prandaj keni nxjerrë filozofin më të madh të botës, Immanuel Kantin! Popujt që nuk ankohen dhe nuk bëjnë gjë për ta ndryshuar gjendjen, ata në aspektin psikologjik, janë të vdekur, thash në fund.

Seminari ishte i shkëlqyeshëm. Zonja ishte shumë kompetente, por shumë bindje në jetë, i ngjajnë atyre të Kefalos, edhe pse ndonjëherë thuhen nga dijetarë të njohur.

Ashtu edhe në tregim, zotëria duke qenë i bindur se dinte, se djaloshi që bënte muzikë ishte i pafytyrë, me paragjykimin e vet, mbetet i turpëruar në vagon. Fundi i fundit, si edhe Kefalos me bindjen e vet... Sokrati natyrisht se vazhdonte me njerëzit tjerë, edhe duhet të vazhdojmë  me shqyrtimin e njohurive që mendojmë se janë dije, por janë thjeshtë mashtrime! Si edhe mesatarja e pagave në Shqipëri dhe Kosovë!

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni romanin: Ngjyrat e dashurisë ose përmbledhjen me poezi: Hiedritat e jetës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat