Në pritje të pushtetit të ri vendor në Ulqin - Bota Sot
Në pritje të pushtetit të ri vendor në Ulqin

Opinione

E hënë, 18 qershor 2018

Në pritje të pushtetit të ri vendor në Ulqin

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 8 mars 2018 Në ora: 14:08
Gjekë Gjonaj

Komunikimet  e para zyrtare  për formimin e pushtetit të ri vendor në Ulqin ende nuk kanë filluar.  Të gjitha forcat politike që kanë fituar të drejtën e përfaqësimit në parlamentin lokal  në zgjedhjet e 4 shkurtit  paraqiten të rezervuara në  shfaqjet e tyre publike  për  koalicionet e mundshme paszgjedhore. Ato, fitohet përshtypja se,  nuk e  kanë të lehtë formimin   qeverisë së  re , edhe  pse  kjo,    pas shpalljes  përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve  të Komisionit Zgjedhor Komunal,  dukej  jo edhe aq  e vështirë.

Rezultati i zgjedhjeve  vendore në Ulqin  është në favor të partive shqiptare, për të mos thënë i kënaqshëm, , pasi që ato edhe pse garuan në tri kolona zgjedhore  kanë fituar  numër të mjaftueshëm vendesh (  18 këshilltarë) për të marrë timonin gjatë katër viteve të fundit në këtë  qytet.  Sikur të ekzistonte vullneti i sinqertë  politik  në mes të  Forcës së Re Demokratike - Forca ( 8 mandate) , Koalicioni “ Zgjohu Ulqin” në përbërje Partia Demokratike, Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Iniciativa Qytetare “ Perspektiva ( 7 mandate) dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve ( 3 mandate) pushteti i ri vendor në Ulqin do të formohej shumë shpejt. Por, a është real dhe i mundshëm  në rrethana aktuale një skenar i tillë ?   Edhe pse   liderët shqiptarë të subjekteve   të përmendura politike  në deklaratat  e fundit publike   në parim nuk e kundërshtojnë  një mundësi të tillë , bashkëqeverisja vetëm e tyre   duket jo e afërt , madje edhe vështirë e arritshme nëse kihen parasysh  kundërthëniet në mes tyre gjatë ushtrimit  të pushtetit këto dy vitet e fundit bashkë me  Partinë Demokratike të Socialistëve ( 8 mandate). Por edhe më përpara kur subjektet politike shqiptare  e  ushtronin  pushtetin  pa PDS-në . Edhe në rastin e parë, edhe në të dytin  kanë qenë të theksuara mosmarrëveshjet, pakënaqësitë,  konfrontimet dhe përplasjet  brenda llojit të vet ( mes partive shqiptare)  sa që kanë rezultuar edhe me  rënie të  pushtetit vendor. Nga kjo që thamë  na imponohen  pyetjet:    A mund të qeveriset me sukses një  komunë, kur njëri mban timonin dhe tjetri frenat? A mund të qeveriset  mirë një komunë, kur njëri partner i koalicionit merr një vendim dhe tjetri e kundërshton? A është e këshillueshme që shqiptarët të vazhdojnë dhe të kenë besim te koalicionet politike, që në të kaluarën i kanë bërë akuza nga më të rënda njëri-tjetrit?

Në këtë situatë  më reale duket  mundësia  që Partia Demokratike e Socialistëve, e cila siç thamë ka në përbërjen e re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit numër  të njëjtë mandatesh, do   të jetë çelësi  kryesor i  formimit të shumicës parlamentare në Ulqin. Siç ka ndodhur   rasti në Tuz, ku fjalën kryesore  në  parlamentin vendor të Tuzit e ka Partia Demokratike e Socialistëve, e cila përveç shumicës parlamentare  ka edhe kryetarin e Komunës Urbane  në kuadër të  Komunës së Podgoricës, deri në zgjedhjet e radhës   të planifikuara në fund të këtij  viti.

Mbetet për t’u parë se a do të përsëritet përvoja e  dy viteteve të shkuara që partitë politike shqiptare përsëri të bashkëqeverisin me Partinë Demokratike  të  Socialistëve në Ulqin , e cila  kësaj herë  me këmbëngulje  pretendon edhe   postin  e kryetarit të ardhshëm të Ulqinit, apo    ndonjëra nga  ato do të mbetet   në opozitë. Pavarësisht kësaj  votuesit shqiptarë, që u kanë dhënë votëbesimin  subjekteve të tyre nacionale  që të udhëheqin  me këtë qytet në katër vitet e ardhshme, presin nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që ata të ushtrojnë pushtetin.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test