Puçi i Pinokit me lejen e Nastradinit

Opinione

Puçi i Pinokit me lejen e Nastradinit

Nga: Lirim Gashi Më: 11 mars 2018 Në ora: 21:24
Lirim Gashi

Nëse nisemi nga parimi i puçistëve: "Për ideale sakrifikojnë vetëm budallenjt", atëherë ata kanë plotësisht të drejtë kur mendojnë se për ta s'ka vend në Vetvendosje.  

Shtrohet pyetja ku e kanë vendin njerëzit që ushqehen nga ky parim? 

Përgjigjja është shumë e thjeshtë dhe e logjikshme : Në PDK , LDK, AAK, ALTERNATIVEN E MIMIT DHE ILIRIT e sidomos në AKR-në e Pacollve, Darkën e Masonëve dhe Jahtin e Devollëve. 

Pyetja tjetër e logjikshme që do medoemos përgjigje është : Si quhen njerëzit që s'kanë ideale politike që e favorizojnë mirëqenien shoqërore, por vetëm ideale egoiste që e favorizojnë mirëqenien personale? 

Ta parashtrojmë pyetjen pak më ndryshe: Si quhen njerëzit që përmes rritjes së mirëqenies personale synojnë ta rrisin mirëqenien e përgjithshme dhe a nuk duhet të realizohet ky synim anasjelltas, pra përmes rritjes së mirëqenies së përgjithshme të synohet rritja e mirëqenia personale ?

Përgjigjen po ua lë juve të dashur lexues. 

Një gjë është e sigurtë: Puçistët në Vetvendosje e inskenuan dhe kordinuan për mrekulli shfaqjen e tyre maratonike teatrale, mirëpo fatmirësisht ne ishim dëshmitarë të çdo akti të turpshëm të shfaqjes dhe ata jo vetëm që s'arriten të na bindin se janë njerëzit e duhur për Vetvendosjen, por as që janë njerëzit e duhur për Kosovën dhe politikën e sinqertë të ndryshimit, ngaqë u shërbyen me goditje aq të ulëta për t'i realizuar qëllimet e tyre egoiste, sa që tani nuk mund të jemi aspak të sigurtë se a dallojnë edhe një milimetër të vetëm nga kundërshtarët e dikurshëm politik që i kritikonin me zell të madh për mungesën e parimeve dhe idealeve në politikë.

Nëse synimi i tyre është që karrierën politike ta ndërtojnë jashtë Vetëvendoses që për hesapin tim është synim totalisht legjitim, atëherë do të ishte e ndershme që të japin dorëheqje nga të gjitha postet që i morën në emër të Vetvendosjes dhe jo vetëm nga postet që nuk sjellin përfitime materiale apo monedha. 

Gjithashtu është më tepër se evident fakti që protagonistët kryesorë të shfaqjes së inskenuar teatrale e kanë planifikuar detajisht edhe kohëzgjatjen e saj. Pse po e them këtë?

Ngaqë duke qëndruar simbolikisht apo formalisht në Vetëvendosje ata dëshirojnë që ti arrijnë njëkohësisht disa qëllime të pamoralshme e që janë:

A) Arsyetimi moral i posteve me pagesë që sigurojnë paga dhe mëditje të majme.

B) Stërzgjatja e shfaqjes teatrale për ta dobësuar përmes përçarjeve sa më shumë që është e mundur Lëvizjen nga brenda.

C) Lozja e rolit të viktimes në stilin e Aleksis Kolbit nga seria e famshme amerikane "DINASTIA" me qëllim të bindjes, vërbimit, përfitimit dhe manipulimit të sa më shumë aktivistëve, antarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes për qëllimet e tyre.

C) Blerja e kohës për realizimin e kalkulimeve politike dhe përmbushjen e zbrazëtisë përmbajtësore me tema dhe ide të reja të cilat do ta dallonin politikëbërjen e tyre teorike dhe praktike nga ajo e Vetëvendosjes, përndryshe rrezikojnë që të shëndrrohen në imitat të origjinalit.

D) Kalkulimi me epilogun e temave të rëndësishme për shtetin që u bënë të tilla për shkak të politikëbëries dhe vendimmarrjes diletante dhe antikombëtare të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, por edhe kalkulimi me zgjedhjet e parakohshme parlamentare për faktin që e kemi një Qeveri që mbahet në këmbë nga shtyllat e kalbura të Listës Serbe.

Nuk guxojmë ta harrojmë faktin që Klani Pronto e shfrytëzoi pikërisht obsesion e Ramush Haradinajt me karrierën politike për ta futur në lojën e saj të ndyrë me dinjitetin e kombit dhe sovranitetin e shtetit gjë që argumentohet lehtë nëse e analizojmë si duhet qëllimin parësor të Klanit Pronto për t'ia lënë Ramushit të vërbuar nga dashuria e zjarrtë për postin e Kryeministrit pataten e nxehtë në fyt.

Edhe pse në shikim të parë puçistët nuk kanë ndryshuar qëndrim për temat më të rëndësishme siç janë Demarkacioni, Asociacioni, çkapja e shtetit dhe Korrupsioni ata intimisht e dëshirojnë një epilog pozitiv për dy temat e para më shumë se sa vetë Hashim Thaçi. 

Kjo dëshmohet lehtë me konjukturen e lartë të pazareve politike në prapaskenë me Klanin Pronto dhe dinastitë e Devollëve dhe Pacollve.

E) Tentimi i zotit Molliqaj ( dorës së hekurt të Vetëvendosjes ) për ta degraduar dhe denigruar publikisht liderin e Levizjes Albin Kurtin në një diktator që s'lejon demokratizim të brendshëm dhe garë mendimesh, synimesh dhe idesh të ndryshme, sa është i rrejshëm dhe cinik po aq është edhe qesharak, sepse të gjithë ata që e njohin lëvizjen nga brenda e dijnë fortë mirë që Albin Kurti asnjë vendim të vetëm nuk e merr pa u konsultuar dhe kordinuar paraprakisht dhe shumëfish me Kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm dhe anëtarësinë e Lëvizjes, gjë që e dëshmon fakti se vetëm 20%  deri 30% të ideve programatike të Lëvizjes e mbajnë mbishkrimin e tij. 

Në anën tjetër sa është elokuent Albini në akceptimin e vendimeve konsensuale e dëshmon fakti që edhe kur aprovohen vendimet që nuk e mbajnë mbishkrimin e tij, ai për hir të unitetit të brendshëm dhe lojalitetit ndaj Lëvizjes dhe bashkëveprimtarëve të tij, jo vetëm që nuk e kursen asnjëherë vetveten nga ballafaqimi me konsekuencat pushtetare, por gjithmonë i paraprinë të gjitha veprimeve politike praktike që për qëllim e kanë parandalimin e aprovimit të të gjitha vendimeve të dëmshme në Kuvend që e rrezikojnë sovranitetin, sigurinë e shtetit dhe e pamundësojnë mirëqenien e kombit, me një vetmohim dhe sakrificë të pashoqë në historinë e re shqiptare, duke e shpërfillur çdo çmim të mundshëm për sigurinë personale dhe familjare.

Në ballafaqimin e tij verbal me Glauk Konjufcen në Rubikon, Dardan Molliqaj ( mos më shtift Zoti n'gjynah ) nuk dallonte aspak nga ai serbi i Fushëkosovës që u shkëput asokohe nga turma për t'iu ankuar Millosheviqit se si shqiptarët po i rrahin dhe dëbojnë serbet nga Kosova, ndërsa gratë po ua dhunojnë. Nuk vonoi shumë dhe e vërteta të cilën ne shqiptarët e kishim paguar me lëkurë, doli në shesh me ndihmën e mediave të ndërgjegjshme ndërkombëtare së bashku me 20 tonelata gurë që serbet i kishin mbledhur një javë para takimit me Millosheviqin për ta sulmuar policinë kosovare që asokohe përbëhej 80% prej shqiptarëve me qëllim që të provokohej kundërsulmi që do t'u shërbente atyre si alibi për ti dëshmuar shpifjet e sajuara në Akademinë e Arteve dhe Shkencave.

Së paku për nga mimika dhe gjestet fallco Dardani nuk dallohej fare nga ai serbi i Fushëkosovës e po ashtu edhe për nga varfëria morale dhe argumentative si dhe mungesa e ndërgjegjes për josinqeritetin e shprehur në mënyrë aq tendencioze, intrigante dhe të tejdukshme. Arsyetimi i tij për motivin e kampanjës mediale jashtë organeve vendimmarrëse të Lëvizjes Vetvendosje ishte aq cinik dhe steril sa që edhe kamerave televizive ju vinte turp.

Edhe pse Adriatik Kelmendi mundohej që ti krijonte kushte të volitshme hapsinore në debat pë t'a përfunduar garën verbale me Glaukun si ngadhënjyes, ai jo vetëm që u mposht dhe demaskua bindshëm dhe në çdo aspekt nga Glauku, por edhe u zhvesh verbalisht nga argumentet e tij të rrejshme sikur shtalbi i misrit nga kokrrat.

Kur kësaj shfaqjeje maratonike teatrale ia shtojmë faktin se ajo u inskenua në kohën kur Vetvendosja e kishte arritur me mund e sakrifica të jashtëzakonshme zenitin e saj politik dhe kur rrugëtimit të mundimshëm në errësirën e tunelit politik po i vinte fundi por edhe gjendjes së pashpresë të popullit dhe shtetit të Kosovës, atëherë s'do mend për ta kuptuar se si dhe prej kujt është përgatitur ky skenar i turpshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat