Na besoni miq, gjëja që na ka vrarë, plagosur, plandosur e hidhëruar më shumë gjatë jetës sonë kanë qenë shkrimet, në vend që të na qetësojnë ato na shqetësojnë. Sa keq për ata që shkruajnë, sa vuajtje, pikëllime e tortura psikofizike, shpirtërore, materiale e familjare. Shkrimet janë ujë të njelmosura trurore e shpirtërore, sa më shumë të shkruani aq më shumë etja e të shkruarit të kaplon. Nuk është lehtë të jeshë përherë i etur e i etur për të shkruar, qortuar, kritikuar pushtetarë, intelektualë, artistë, hoxhallarë priftërinj, qytetarë, tuxharë, spiunë, hipokritë, hajdutë, kurvarë, t'ua nxjerrësh fshehtësitë e liga nga shpirti e t'ua plasosh hapur në opinion.
Shpesh i themi vehtes, a më mirë të heshtim e t'i vëmë pikë të shkruarit e të jemi të shoqëruar e të nënçmuar para elitës së prishur, t'i durojmë padrejtësitë hilet, gënjeshtrat e politikanëve, intelektualëve të pafytyrë e të pamoralshëm, patriotët e trilluar që pa flijuar aspak mbahen shqiptarë të fuqishëm? T'i vëmë pikë shkrimit, e t'i lëmë të na dalin para poetët e artistët që pa farë energjie të mbrendshme shpirtërore mundohen të bëhen të njohur e të famshëm?
T'i lëmë rehat pushtetarët për të luajtur me ne si të duan ata?, Të heshtim me pikë për shkak shkrimeve të papëlqyeshme? Çështë më mirë: të shoqërohemi e të jemi të nënçmuar apo të urrejtur e të jemi të vetmuar para shpirtprishurve?
Pra, a mund të jenë e të kenë shpirt të qetë ata që shkruajnë e dashurojnë?, a mund të jenë të gëzuar e të lumtur ata që shkruajnë e dashurojnë? A i do dikush ata që shkruajnë e dashurojnë? A mund të gënjejnë ata që shkruajnë e dashurojnë? A mund të jenë të pasur ata që shkruajnë e dashurojnë?
Çështë më mirë kultura e pikës së heshtjes, apo kultura e të shprehurit me shkrim?, pika apo shkronja, cila prej cilës ka dalë, pika më e parë e më e mbarë apo shkronjat? Po cila ka lindur më parë: pika apo shkronjat?