Futboll vertikal!

Opinione

Futboll vertikal!

Nga: Artan Fuga Më: 14 mars 2018 Në ora: 19:42
Artan Fuga

Dy skuadrat dolën në fushë. Ishte finalja e kupës së republikës.

Tifozët ishin ulur në shkallët e stadiumit.

Arbitrat kishin si mbështetje dhjetra kamera për ta ndjekur lojën nga afër. Asnjë faull mos shpëtonte pa u ndëshkuar.

Porta e skuadrës vendase ishte dera kryesore e kullës. Kurse miqtë e kishin portën te dera e daljes lart në tarracën e kullës.

Lojtarët nuk dihet se përse ishin kaq të eksituar në planin psikologjik.

Topi u vendos në mesfushë aty te holli i katit të tetë. Lojtarët vendas e zotëruan atë. Njeri prej tyre e goditi dhe e zbriti disa kate më poshtë, ku mbrojtësit e skuadrës së tij ishin të pambuluar. Nisën të bëjnë pasime me njeri tjetrin në hyrjet e katit të tretë.

Tifozat miq nisën të fishkëllenjnë.

Dikush prej lojtarëve vendas as e bëri fare qefin qeder, e ktheu edhe më poshtë te portjeri që po qendronte në portë te dera hyrëse.

Ky i fundit pasi ndjeu se disa sulmues të skuadrës mike po zbrisnin me furi nëpër shkallë, për ta rrezikuar, mori hov dhe i dha një shqelmim topit i cili u ngrit lart si balonë në hapësirat vertikale mes shkallareve.

Ndaloi aty te kati i dymbëdhjetë. Një dylyftim i fortë atje mes sulmuesve vendas dhe mbrojtjes mike.

Arbitri vëshelleu.

Diku te WC e katit të dymbëdhjetë sulmuesi i majtë vendas kishte bërë një faull ndaj mbrojtësit të djathtë mik.

Goditja e lirë u dha prej këtij të fundit. Ai pasoi djathtas te shoku i tij i krahut që ndodhej në aneksin e kuzhinës të apartamentin përballë. Aty dribloi një lojtar kundërshtar te depua e druve dhe eci me furi drejt hyrjes së apartamentit. Atje pësoi një stërkëmbësh dhe u plas mbi pllakat e mermerit.

Topi kërceu dy a tri herë dhe doli jashtë vijave anësore. Kishte dalë nga dritarja e dhomës së gjumit.

Tifozët bërtitën nga shkallët. Kërkonin karton të verdhë.

Nejse. Arbitri nuk e pa të udhës. Morrën një top të ri. U bë rivënia në lojë. Skuadra mike u hodh në sulm. Disa sulmues rrëshqisnin nëpër parvazet e shkallëve. Të tjerë kapërcenin shkallët nga katra a pesë. Zbrisnin me furi poshtë, drejt derës hyrëse.

Topi zbriste poshtë me furi.

Por, ndërhyri qendërmbrojtësi vendas. E spastroi zonën e rreptësisë. Topi diku kishte fluturuar.

22 lojtarë nisën ta kërkojnë nëpër wc-ra, dhoma gjumi, studio. Pas derës së hyrjes, në depot e druve, brenda dollapeve në mur.

Gjithçka kishte mbetur pezull. Heshtje.

Paprimtas tifozët shpërthyen në një urra të fortë.

Sulmuesi i majtë vendas ishte treguar kopil. Ai e kishte marrë topin. Me disa pasime në mur kishte arritur të futej në ashensorin e katit të dytë bashkë me topin, pa u vënë re nga askush. Me ashensor ishte ngjitur në katin e pesëmbëdhjetë duke u ndodhur krejt i pambuluar.

Ballëpërballë me portjerin mik, shuuut, topi çan portën tej e tej.

Gol.

Miqtë kundërshtojnë.

"Me ashensor ishte pozicion jashtë loje" - thonë.

Arbitrat mblidhen kokë më kokë.

Njeri nga trajnerët bërtet : "Kemi ngatërruar stadium. Nuk është këtu. Duhej futur te dera tjetër. Atje te fusha. Futbolli luhet horizontalisht jo vertikalisht."

Nuk quhet!

Nuk quhet!

Qenan K. u zgjua i tromaksur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat