Papa Françesku dhe Nëna Tereze, për mendimin dhe vlerësimin tim, janë si dy “binek” shpirtëror, sepse parimet dhe qëndrimet e tyre janë thellë ungjillore: thjeshtësia, përvujtëria, varfëria, mbi të gjitha feja dhe dashuria.
Këtë “ngjashmëri” e ka dëshmuar Papa Françesku në shumë raste duke e përmendur dhe paraqitur Nënën Tereze si “model” të jetës dhe dashurisë së krishterë për çdo njeri, sidomos për të vegjël, të nëpërkëmbur, të pambrojtur dhe të braktisur.
Këtë e ka shprehur Papa Françesku edhe në Letrën Enciklike “DRITA E FESË”, kua ai thekson shumë qartë: Pa fe s’ka as shpresë, si dhe pa fe dhe shpresë, nuk ka dashuri, që është përfundimi i logjikshëm i Papës.
Feja fisnikëron, tejkalon dhe bujaron arsyen, mendjen, njohurinë, njeriun. Dashuria tejkalon edhe arsyen dhe e bënë të pavdekshme fenë, njeriun, dhe kështu na drejton ka e Vërteta dhe Jeta – Jezu Krishti.
Vuajtja me fe dhe dashuri është krejt ndryshe nga pësimi, dhembja, mërzia, lodhja, deri edhe dëshpërimi. Dy ndërmjetës të dritës së fesë, sipas Papër Françeku, janë Shën Françesku i Asizit dhe Nëna Tereze e Kalkutës, sepse feja nuk e harron vuajtjen e botës, por është në shërbim konkret të drejtësisë dhe të paqes. “Për shumë burra e gra fetarë te vuajturit kanë qenë ndërmjetës drite. Për shembull për Shën Françskun e Asizit i gërbuluri, apo për të Lumen Nënë Terezë e Kalkutës të varfrit e saj. Ata e kanë kuptuar misterin që gjendet në ta” (LF 57).
Nëna Tereze thoshte: “Fatkeqësia më e madhe e Indisë është mosnjohja e Jezusit”, në harmoni të plotë me atë që thotë gjithnjë Papa Françesku për botën e sotme.
Shpallja publike e Dekretit mbi kanonizimin e së Lumes Nënës Tereze në përvjetorin e ditëlindjes së Papës Françeskut, është edhe një dëshmi i mirë i Papës, si nderim dhe urim për Kishën Katolike, e cila në Vitin Shenjt të Mëshirës Hyjnore, do ta ketë “ikonën” e Mëshirës dhe të Dashurisë së krishterë për mbarë njerëzimin. Nëna Tereze thotë: “Jeta ime është një dhuratë për të tjerët”.
Papa Françesku më 6 mars 2016 pas uratës Engjëlli i Tenzot për vrasjen e katër motrave “Misionare të Dashurisë” në Jemen tha: “Janë martiret e sotme! E këto nuk janë në krye të gazetave, nuk janë lajme! Këto dhurojnë gjakun për Kishën. Prandaj janë viktima të sulmit të atyre, që i vranë, por edhe të indiferencës, të globalizimit të kësaj indiference, të cilës nuk i bëhet fare vonë për asgjë… Nënë Tereza i shoqëroftë në Parajsë këto bija martire të bamirësisë e ndërmjetësoftë për paqen dhe respektin e shenjtë të jetës njerëzore”.
Papa Françesku më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit, para një morisë së madhe te besimtarëve nga mbarë bota, pa dallim feje, kombi, gjuhe, race, kaste, e shpalli Shenjte Nënën Tereze. Ai ndër të tjera tha: “Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që i takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve që vuajnë. Do të hapim kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim”.