“Për shpetimin e Vatres” sipas Prof. Arshi Pipës

Opinione

“Për shpetimin e Vatres” sipas Prof. Arshi Pipës

Nga: Leonora Laçi Më: 17 mars 2018 Në ora: 18:55
Leonora Laçi

Vazhdimisht miku i kol.Xhemal Laçit, studiuesi dhe Sekretari i Lidhjes së III Shqiptare të Prizrenit në SHBA Tomë Mrijaj i cili është dhe bashkëthemelues i Shoqatës “Trojet e Arbrit”, gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencat Shkencore të Shoqatës më ka dhuruar shumë revista e botime të mërgatës shqiptare, të cilave nuk u humbë vlera asnjëherë siç janë: “Lajmëtari i t’merguemit”, “Revista Jeta Katholike”, “Albanica”, “Shejzat” etj. Një ndër ta janë dhe ca numra të revistës “Koha e Jonë” e përkohshme politike –kulturore- shoqërore, botuara në Paris-Francë nga Lec  Shllaku.

Nga kjo revistë do sjelli një fragment të shkrimit të botuar në numrin Janar-Mars 1987 të profesor Arshi Pipës i cili i ka kushtuar një shkrim gjithëpërfshirës veprimtarisë së Federatës Pan Shqiptare Vatra.

Shkrimi fillon me kronologjinë historike të saj që nga themelimi, veprimtarët kryesor e deri në kohën kur profesor Pipa kontribuoi dhe vet në të, ku ishte dhe kryetar i saj për një periudhë kohore në fillim të ‘90,  ky  shkrimi është botuar në 1987.

Shkrimi titullohet “Për shpëtimin e Vatres”  ndahet në disa çështje kryesore por do të ndalem vetem tek çështja që dhe sot vazhdon të jetë pika kyçe rreth së cilës duhet të veproi Vatra, rreshtat e mëposhtme janë të shkëputura tekstualisht dhe janë të rëndësishme për  kumtin i tij që duhet të merret parasysh nga Vatranët veteranë e ato më të rinjt që emri Vatres të ngritet në nivelin që i takon.  

Gjendja e sotme e Vatres sipas prof.Pipes: “ Vatra në periudhën e vet të parë, pa qenë me emën nji parti politike, veproi si e tillë. Ajo veproi si parti politike sepse n’atë kohë shqiptarët e Amerikës nuk kishin parti politike. Problemi atëherë ishte pamvarësia e atdheut, krijimi i shtetit Shqiptar. Dhe për këtë qëllim gjithë shqiptarët ishin të nji zani. Porsa Shqipnia fitoi pamvarsinë, plasi lufta e parë botnore, qeveria e përkohëshme u çthur lindën prirje centrifugale për coptimin e atdheut ndër principata e krahina vasale. Vatra mprojti me vendosuni integritetin tokësor të Shqipnisë. Mbas Kongresit të Lushnjes, ajo dërgoi Fan Nolin si përfaqsues të vetin në Parlamentin shqiptar. Noli përfaqësoi Shqipnin në Lidhjen e Kombevet, tue bindë atë për pranimin e shtetit shqiptar n’atë organizatë ndërkombëtare (dhetor 1920). Këto suksese Vatra i arriti tue veprue si përfaqsuese e gjithë kombit shqiptar, pa dallim feje e krahine, klase shoqnore o partie, me pristigjin e nji organizate pan-shqiptare jo-partiake. Vatra u përça  në periudhën e dytë tue u ba partiake, nji pjesë e saj për monarkinë, pjesa tjetër për nji Republikë demokratike. Kjo qe periudha në të cilen Vatra u çthur, tue rrezikue të zhdukej.

Vatra pati një farë gjallnimi me pranimin n’organizatë të refugjatëve shqiptar mbas luftes së dytë botnore. Por mbasi këta refugjatë ishin ose antarë të partivet nacionaliste në mërgim, ose elemente pa parti por antikomunistë si edhe të parët, organizata u ba edhe ma heterogjene. Shtesa e numrit t’anëtarëvet dobësoi strukturen e saj organizative. N’anën e vet, dobësimi i strukturës ndikoi në zvoglimin e peshës politike t’organizatës. Vatra u ba nji strehë për refugjatë, në të cilën çdo shqiptar mund të futej, mjafton të paguente kuoten e anëtarësisë, dhe të pranonte Kushtetutën, e cila përjashtonte politiken nga veprimtaria e organizatës. Të përjashtosh politikën nga veprimtaria e Vatres do të thotë t’i heqish asaj palcin e kurrizit, ta katandisësh në nji trup që s’mund të lëvizë veçse mbi nji fron me rrota. Natyrisht, ky parim nuk u zbatue, dhe nuk mund të zbatohej.  Politikë Vatra ka vazhdue të bajë, por kjo ka qenë nji politikë pa program të caktuem, politikë e rastit pa vazhdimsi, politikë konjukturale pa prespektivë.

Mungesa e nji platforme  politike të qartë dhe të preme ka ndikue negativisht edhe në veprimet kulturore. Mësimi i shqipes ka vazhdue të bahet në qendra fetare, me përjashtim të nji periudhe se shkurtë  kur Vatra e mori përsipër këtë punë. Botimet e Vatres, përveç Diellit, numërohen në maje të gishtavet, e gjithashtu seminarët dhe konferencat e saja. Në nji periudhë afër dyzetvjeçare nuk asht ba as gjysma e asaj që bani Vatra në dhjetëvjeçarin e parë të jetës së vet.

Në kohnat e fundme Vatra asht gjetë në nji gjendje t’atillë sa me  rrezikue edhe pezullimin e Diellit.  Shumë vetë kanë ba pyetjen se mos vall asht ma mirë të lehet Vatra me dhanë shpirt me nder se sa t’i bahen injeksione sa për ta mbajtë gjallë. Vatra, simbas këtij opinion,  e ka mbarue misionin  e vet, dhe prandej nuk ka kuptim të vazhdojë me u ngrehë rrëshqanë. Arsyet e prume janë këto: si organizatë politike, Vatra asht tejkalue nga partitë politike të mërgimit; si organizatë kulturore, nuk ka potencialin e duhun; si organizatë shoqnore, d.m.th si nji klub ku shkohet me shndërrue dy fjalë ose me u dukë nji mbramje përkujtimore, Vatra asht e tepërme, mbasi kto gjana mund të bahen- e janë ba- prej partivet politike dhe organizatavet fetare.

Le t’i shqyrtojmë këto pika nji nga nji, tue u nisë prej pikës së tretë. Të mos harrojmë se ata prej vatranëvet të cilët e shikojnë Vatren si nji vend takimi e mbledhjeje janë disa nga ma besnikët e saj. Ka prej tyne edhe vatranë në moshë të shtyme, vatranë veteranë, që, kur qe puna me ndihmue organizatën jepshin për te ndonjiherë edhe ma shumë se ç’u dërgojshin familjeve të veta n’atdhe. Për këta njerëz Vatra ishte familja e tyne, ishte Vatra që i mblidhte ata e i bashkonte, ishte Vatra simbolin e së cilës ata e shifshin në vetë vulen e organizatës: Vatra, the Hearth. Këta vatranë veteranë duhet të pyeten e ma të parët në se Vatra duhet a jo të zhduket, ata kanë të drejtën e parësisë. Dhe fill mbas tyne duhet të pyeten anëtarët e rregullt të Vatres, nji pjesë e mirë e të cilëvet janë njerëz të thjeshtë, disa syresh pa këndim e shkrim, por që kanë zgjedhë Vatren si organizatën e tyne pse ajo, me anë të Diellit, ua ka qa hallet, i ka urue e ngushllue nder dasma e mortje, tue u pru gjithashtu lajme për atdheun e lanë.  Çashtja e zhgrehjes së Vatres dhe e mbylljes së Diellit nuk mund të vendoset nga Kuvendi i Vatres pa nji referendum paraprak.

Përgjegja pikës së dytë asht ma e ndërlikueme. Vatra heroike zhvilloi nji veprimtari kulturore të radhës së parë. Pse Vatra e sotme asht shumë mbrapa nga kjo anë? Çashtja e buxhetit asht, natyrisht, kryesore. Por kjo nuk asht gjithë çashtja. Lë të nisemi me pyetjen: Pse buxheti i Vatrës asht i mjerueshëm? Përgjegja ime do të duket paradoksale: Sepse kuota e vetë e anëtarsisë asht e mjerueshme: 30 dollarë asht nji hundë burrnot, si thonë shkodranët, aq kushton sot nji darkë. Vatra ç’vlerëson veten me këtë kuotë të mjerueshme anëtarsie. Kuota duhet të pakten të dyfishohet. Të dyfishohet, kur anëtarët nuk paguejnë as atë që asht për t’u pague? –do të thotë dikush. Do ta paguejnë, po të kenë interesë. Çashtja asht të kenë interesë. Dhe interesa krijohet nga nevoja. Nuk asht këtu fjala për nevoja artificiale të krijueme me reklama, si, p.sh, me ble nji automobile për me u mburrë se ke dy atuomobila, ose me ble nji frigorifer kur ai që ke e ban punën fare mirë. Asht fjala për nevojë të vërtetë, për atë për të cilën ne shqiptarët kemi nevojë ma shumë se të gjitha grupet ethnike historike. Asht fjala për nevojen e kulturës. Kemi plot nji shekull në këtë vend. Dhe çka kemi prodhue në fushën e kulturës? Dy tri pika uji në nji det. Ku janë librat dhe revistat shkollare, çpikjet dhe zbulimet, çmimet dhe fitoret me të cilat t’i bahemi të njohun botës? Ku janë njerëzit tanë me pozita Kyçe n’administratë, ndër partitë politike, në themelimet shkencore, n’universitete, në ndërmarrje industriale, ndër shoqni tregtare, ndër bankat, ndër sindikatat? Ku janë personalitetet tona në fushat e shkencës dhe t’artevet, të letërsisë dhe të muzikës, të theatrit e të kinemasë? Gjatë nji shekulli nuk kemi qenë të zotët të nxjerrim, bahen a s’bahen nja dhjetë të dokturuem me PhD. Nuk kemi ende nji revistë shkollare. Vazhdojmë të mburremi me emnat e Nolit e të Konicës. Nuk jemi ende të zotët të nxjerrim nji përfaqsues tonin në lamën politike, dhe duhet t’i vardisemi njenit e tjetrit, të cilit  çashtja shqiptare i levertisë vetëm me ba karrierë. Dhe kur ndonjiherë qëllon e na del emni në shtyp ose në radio, nuk asht për lavd, por për turp, për veprimtari mafioze o për vëllavrasje.

Kjo asht, mjerisht, gjendja, dhe kjo gjendje duhet ndryshue nga themeli në qoftë se duem të na njihet emni për të mirë. Dhe kjo nuk asht e mundun në se nuk jemi të zotët me përballue me guxim problemin tonë kryesor. Në kohnat e para Vatra ka qenë nji vatër patriotizmi e kulture dhe këtë qëllim e ka krye me nder e lavdi. Sot patriotizmi e kultura qëndron në zotësinë e saj me u ba nji vatër kulture, ky asht misioni i saj, kjo arsyeja e qenjes së saj. Vatra duhet të bahet organizuesja e kulturës shqiptare n’Amerikë, madje në çdo vend tjetër jashta atdheut. Tradita e saj, prestigji i saj, e auktorizojnë atë për këtë punë”- kështu përfundon fragmenti i shkrimit të prof.Arshi Pipës, një nga personalitetet më të shquar të diasporës shqiptare në ShBA, dhe këto rreshta janë diagnoza për shërimin e Vatres dhe shpëtimin e saj. Vatra në rrethana të reja, duhet të kaloi në plane afatgjate e që komuniteti të udhëhiqet nga ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat