Ambasadore Vlahutin, na shpëtoni nga grabitjet e qeverive

Opinione

Ambasadore Vlahutin, na shpëtoni nga grabitjet e qeverive

Nga: Rexhep Shahu Më: 17 mars 2018 Në ora: 23:38
Rexhep Shahu

Një shqiptar nga fshatrat e Mirditës, në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, shpëtoi një oficer francez që udhëtonte nga Korça për në Shkodër. Oficeri u sëmur në rrugë, një shqiptar rasti aty në fshatin ku u ndodhën e mori dhe e mbajti disa muaj në shtëpi dhe e shëroi. Pasi francezi u shërua, malsori shqiptar e coi në konsullatën franceze në Shkodër. Çfarë don si shpërblim, i thanë aty shqiptarit. Asgjë ua ktheu shqiptari. Ata bënë gati një çek. Nuk e dua, tha shqiptari se unë nuk e shes mikpritjen e besën me para, nuk e kam bërë këtë gjë për para. I bënë gati një dekoratë shqiptarit. Nuk e dua, tha ai, s’kam ku ta çoj, nuk më hyn në punë. Po ne duam të ta shpërblejmë në një mënyrë që e shpëtove oficerin e Francës, i thanë shqiptarit.

Atëhere shqiptari ua ktheu: I thoni mbretit tuaj të na shpëtojë nga Serbia…

Ambasadorja e Bashkimit Europopian Romana Vlahutin i thoshte me 16 mars 2018 kryebashkiakut të Kukësit, Bashkim Shehu se, turistët do të vijnë patjetër në rajonin e Kukësit që është rajon i virgjër, me resurse të mrekullueshme në këtë trekëndësh mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. 

Ambasadorja Vlahutin kishte vizituar Shishtavecin ku po bëhën investime me fonde të BE dhe e mrekulluar nga bukuritë që kishte parë atje, ishte trishtuar me varfërinë që duket si mallkim ndaj kuksianëve. Varfëria e shpikur nga qeveritë ndaj banorëve të Kukësit, që jetojnë mes pasurive më të rëndësishme të vendit, varfëri e shpikur si mallkim e dënim që nga viti 1945, vazhdon ta ndëshkojë këtë popull e synon mbase ta tjetërsojë, ose ta dëbojë, siç ka dëbuar kaq shumë rini këto 4 vitet e fundit.

Me fonde të BE po bëhet rruga për Shishtavec. Ndoshta vonon por vëmendja do të vijë një ditë për ata që do mbeten gjallë në këtë vend, që do të kenë trimërinë të qëndrojnë pa ikur e pa vdekur.

Parullat në muret e godinave të dikurshme të Shishtavecit për partinë dhe Enverin tani shkaktojnë të qeshura, por edhe trishtim, siç i shkaktuan edhe ambasadores Vlahutin dhe ambasadorit austriak Z. Johann Sattler. Besoj se rrënjët e fatkeqësisë tonë atje janë, te ato parulla…

Kujtoj vitin 2005 kur një kg patate kushtonte sa një çemçakiz. Kështu shkruaja reportazh nga Shishtaveci atëhere se kështu ishte në fakt. Atëhere ishim atje me deputetin Jemin Gjana dhe ishte shumë e vështirë rruga për Shishatavec e për shkak të rrugës së vështirë banorëve vendas u ngelte patatja në gropë pa shitë dhe detyroheshin ta shisnin një kg patate sa një çemcakez 3 lekë, ose 3 kg me 10 lekë, ose që ta kuptojnë ata që s’besojnë, 33 kg patate kushtonin në vend 100 lekë të reja.

Aq shumë e lavdëroi ambasadorja Vlahutin Kukësin, klimën, natyrën dhe pozicionin e Kukësit sa ne vendasve na dukej se po fliste për një vend a rajon tjetër. Turistët do të vijnë patjetër një ditë në këtë rajon, pohoi ambasadorja e BE.

Ndërsa ajo fliste mu kujtua përfaqësuesi i Ambasadës amerikane në Tiranë Çarls Uollsh që erdhi në Kukës me 1996 dhe në një intervistë e lavdëronte shumë Kukësin e të ardhmen e tij. Thoshte se Kukësi, i rrethuar nga tri anët me liqen, rrëzë malit gjigand të Gjalicës, i kujtonte Salt Llajk Sitin, qytetin e Liqenit të Kripur në Amerikë. Dhe siguronte që atëhere se Kukësi do të ketë të ardhme të shkëlqyer.

Fillova ta mendoj lidhjen e domosdosdoshme të bashkisë Kukës me turistët. E besoj se një ditë Kukësi do të bëhet adresë e rëndësishme. Dhe do të vijnë ndoshta turistët… Besoj se nuk do të gjejnë vend të shkretë e pa njerëz…

Para ka, tha Vlahutin, nuk kanë munguar as nuk mungojnë paratë, por nuk ka projekte, kanë munguar projektet, aplikimet... Kukësi ka patur aftësi të paraqesë projekte.
Kjo është sëmundje e vjetër e shqiptarëve. Administrata shtetërore për shkak të paaftësisë tradicionale, sepse ajo ka qëlluar pothuaj gjithmonë të jetë partizane, nuk është marrë me projekte. OJF-të e vendit si organizata partie a reparte ushtarake të qeverisë janë mjaftuar me llokma qeverie e donatorësh të rekomanduar nga qeveria.

Po derisa të vijnë turistët…?

Kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, përmes një ekspozeje prekëse, bëri që ambasadorja Vlahutin të qëndrojë tri herë më gjatë në takim duke pohuar interesin e vertetë të saj.

Ambasadorët e çmojnë si zonë shumë të virgjër e më atraktive se simotrat e saj ku shkohet psh. për ski në rajon, e çmojnë si zonë me shumë prespektivë turistike. Edhe pse njerzit si për inat të qeverisë e të ambasadorëve i hedhin plehrat e bërllokin e shtëpive të tyre te dyert e tyre dhe i bëjnë kapicë aty në pritje të pastruesve të bashkisë ose të pastruesve që mund të sjellë BE-ja...

Ambasadorja Vlahutin, besoj si rrallë herë në vitet e saj në Shqipëri, arriti të kuptojë ndoshta thelbin e problemit të varfërisë dhe të përbuzjes së shpikur ndaj banorëve të Kukësit. Dua ta besoj se ajo arriti ta kuptojë se pse është i varfër banori kuksian që jeton në rajonin më të pasur të Shqipërisë. Dhe vertetë a është i varfër banori i Kukësit. Pse është i varfër…

Kryebashkiaku Bashkim Shehu, i tha ambasadores se Bashkia Kukës me 15 njësi bashkiake, me mbi 60 mijë banorë, me 983 kilometër katrorë, me 43 përqind të popullsisë me ndihmë ekonomike, me 23 hidrocentrale lokalë, me Liqenin e Hidrocentralit të Fierzës më të madhin në rajon që mban më të madhin hidrocentral në vend atë të Fierzës, me një ndër doganat më të mëdha të vendit në Morin, me Udhën e Kombit që i bie mes për mes në një gjatësi të konsiderueshme, pra me gjithë këto resurse, kjo bashki arrin të mbledhe 700 - 800 mijë euro të ardhura në një vit. Me këto të ardhura duhet të përballojë gjithë nevojat e veta, të mbajë edhe rreth 6500 familje në ndihmë ekonomike. Ndërkohë që vetëm një hidrocentral nga 23 hidrocentralet që janë në bashkinë Kukës, arrin të fitojë në vit deri 50 milionë euro dhe nuk paguan për bashkinë Kukës asnjë cent. Askush nuk paguan në Bashkinë Kukës, asnjë biznes, asnjë cent as hidrocentrali i Fierzës, as dogana...

Kështu ka ndodhur që pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe u shpall kuksiani i varfër, zona verilindore e varfër, skëterrë, e prapambetur, që duhet ndihmuar, që duhet shkuar atje për ta nxjerrë nga prapambetja, që i duhen çuar lopë asaj zone dhe duhet kënduar kënga “ Dhamë, dhamë, dhamë, lope , lope, lope…”, duhet treguar me gisht se ku është e keqja e Shqipërisë-Kukësi, Verilindja.

… Dhe fatkeqësia trashëgohet dhe vendi përbuzet. Dhe përbuzja kthehet në sistem, në mënyrë të menduari. Të gjithë u edukuan që nga 1945 se Kukësi është i varfër. Gati gati të thonin se kuksianët janë me bisht, por shyqyr që bishti ishte parë dikund tjetër.

Të rinjtë e sotëm kujtojnë dhe besojnë se ky rajon është i mallkuar të ketë kaq shumë pasuri e resusre e njerzit e tij të jenë kaq shumë të varfër. Absurde është kjo situatë për një njeri që arrin ta kuptojë këtë masakër që bëhet nga shteti ndaj banorëve të Kukësit që është rajoni më i pasur i vendit.

Ja psh si statistikë, nëse dikush din ta lexojë. Në kohën e dikaturës, në rrethin e Kukësit punonin në industri mbi 16 mijë punëtorë me rrogë shteti. Për numrin e popullsisë askush në Shqipëri nuk kishte ndërmarrje shtetërore e punëtorë industrie sa Kukësi. Jo mbjellës e rritës domatesh, qepësh apo specash. Për rreth 30 vite në kohën e komunizmit Kukësi i jepte shtetit shqiptar rreth 60 përqind të prodhimit kombëtar të bakrit. U përmbytën tokat e Kukësit, kur u bë hidrocentrai i Fierzës, banesat, ca u dëmshpërblyen në atë kohë me masën e kohës, por energjia që prodhohet për gjithë Shqipërinë, për banorët e rajonit ku prodhohet kjo energji, ajo kthehet ne terr jo në dritë.

Kuksianëve sikur u është thënë se jeni qeragjinj në trojet tuaja dhe duhet të paguani qeranë në shtëpinë tuaj. Shteti zhvatës me politika gllabëruese, që pas Luftës së Dytë Botërore ia ka marrë pasuritë Veriut. Me pasuritë e veriut është bërë Shqipëria. Mirë duhet bërë Tirana dhe krejt shteti. Po një cent a duhet ta përfitojnë verioret nga pasuritë e tyre. Po 10 përqind të fitimeve të tyre a duhet dhe a mundet që ta paguajnë në bashki hidrocentralet lokale. Kukësi është më i vjedhuri, më i grabituri, më i plaçkituri dhe më i përbuzuri nga shteti nga gjithë qeveritë që nga 1945. Është më i shpërfilluri, duke qenë më i pasuri.
Duhet të jetojë gjithkush me domatet e veta.

Aeroporti i Kukësit është dhuratë për banorët e Kukësit jo për qeverinë shqiptare. Po a llogaritet që 1 përqind nga fitimet e neserme të këtij aeroporti ti marrë bashkia Kukës.
Po jepet Rruga e Kombit me koncension, rruga që e bëri Kukësin larg nga Tirana aq sa është Fieri larg nga Tirana. Heshtin të tërë, ndonëse ajo rrugë është bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Për atë rruge paguan takse çdo mjet që qarkullon në Shqipëri, paguajmë taksë në karburant. Tani duhet të paguajmë ekstra 5 euro për kalim për koncensionarin privat dhe të vazhdojmë nga ana tjetër të paguajme për shtetin në taksat që paguajmë në karburat, Le të paguajnë takse nga 5 euro a me shume te huajt por jo shqiptaret qe paguajne takse udhe.

Dyfish i ndëshkuar qytetari se është dyfish i pambrojtur qytetari sepse koncensionari duket se është më pushtetar se çdo pushtetar i këtij vendi dhe blen edhe zogjtë e qiellit e jo më zyrtarët e shtetit që jetojnë e punojnë me mendjen e pushtuesit, merr ç’të mundesh sa je në pushtet dhe ik në harrim.

Të gjitha shiten nga ky shtet, gjithçka shitet nga pasuria e kuksianëve dhe vetem kuksianët vazhdojnë të varfërohen dhe të vidhen dhe të gllabërohen dhe të fyhen dhe të tallen.

Ambasadorja e BE thotë se nuk mund të zhvillosh vetëm qendrën e vendit dhe nuk zhvillohet dot qendra kur periferitë janë keq. BE synon që bashkitë të bëhën të pavarura financiarisht. Po mendohet për një masterplan, vijon ajo dhe jo për ndërhyrje të parcelizuara.
Përsëri mendoj për hidrocentralet që më duket sikur prodhojnë jo dritë por terr, jo energji elektrike por varfëri, skamje mjerim. Dhe përbuzje. Si përbuzje pushtuesish. Vijnë nga ana e anës kompani, bëjnë hirocentrale dhe nuk përfillin asgjë e askënd nga vendasit që janë pronarë të vendit. Për faj të sistemit, për faj të shtetit që nuk mendoi asnjëherë për pronarët e resusrseve të Kukësit. 

3145 familje janë me ndihmë ekononike që varion deri në 40 dollarë. 3630 familje janë në varfëri por i ka skualifikuar qeveria, duke i quajtur të varfëra por për procedurë se mungon një firmë, nuk fitojnë ndihmën ekonomike….

Nga të skualifikuarat apo që nuk i quan familje në nevojë janë edhe 150 familje që kanë invalidë në shtëpi por nuk kanë deklaruar se kanë veturë në shtëpi, veturë që i shërben invalidit. Pasi një familje që ka invalid nuk lejohet të ketë veturë të invalidit në shtëpi pasi është krim shtetëror dhe dënohesëh me heqje të ndihmës ekonomike nëse je invalid dhe ke veturë në emrin tënd. Ani pse ligji ta jep, qeveria ta heq se në këtë vend urdhëri i ministrit apo VKM e kryeministrit është mbi ligjin. 

Në vende ku nuk ka pasuri e resurse, zakonisht me leje pa zë të qeverisë është mbjelle droga. Kukësi për fat nuk ka mbjellë drogë pasi ka pasuri që tejkalojnë fitimet me drogën.
Por pasuria i vidhet legaliasht me ligje të shtetit që nga 1945. Dhe kuksianët ende nuk kanë reaguar, ende nuk janë bërë digë qëndrese për veten e tyre, pasi sa herë kanë tentuar, shteti i ka mashtruar. Apeli i kryetarit të Kukësit dhe lutja e banorëve të tij për BE dhe ambasadorët është, u thoni hajdutëve legalë e ilegalë, që t'ia lënë një kockë edhe banorëve të Kukësit nga pasuritë e tij të mëdha. 

Si shqiptari që tha në konsullatën franceze, që i thoni mbretit tuaj të na shpëtojë nga Serbia, çdo banor i Kukësit i thotë ambasadores së Europës Vlahutin: Na shpëtoni nga qeveria. Na shpëtoni nga grabitjet e qeverive zonja Ambasadore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat