Si e kam njohur gazetarin e Rojterit Kurt Shork

Opinione

Si e kam njohur gazetarin e Rojterit Kurt Shork

Nga: Rexhep Shahu Më: 23 mars 2018 Në ora: 19:38
Rexhep Shahu

Po afron 20 vjetori i fillimit te fundit te luftes per Kosoven, betejen finale te se ciles e beri Amerika me NATO-n, si lufta me speciale e ndodhur deri sot ne historine e luftrave, lufte ne ajer. 

Shqiptaret veç ndihmuan.

Me e para fjale qe me del eshte mirenjohja pa fund ndaj ushtareve te huaj, ndaj atyre piloteve amerikane, britanike, gjermane e nga gjithe vendet e NATO-s, qe fluturuan, bombarduan dhe e debuan Serbine prej Kosove.

Dhe e dyta fjale qe me del eshte t'i them vetes e gjithe shqiptareve, ndalni pak lodrat e dajret dhe mos rreni per hava, por edhe kur te rreni, rreni per toke. Mos shpikni trimeri qe na munguan, heroizma qe nuk i beme. Mos i beni te verteta ato gjera qe keni dashte ti beni dhe nuk i bete.
Mos mashtroni me shkrime e libra se ato mbeten dhe u nxjerrim shume ngaterresa historianeve.

Kam patur fatin te isha i perfshire okolla asaj lufte, por jo ne front me pushke ne dore. Kam patur shume fat, siç me thoshte gazetari i madh Kurt Shork, "qe je gazetar, ne kete kohe dhe ne kete vend".

Ende edhe sot ruaj 300 kaseta audio ose rreth 300 ore regjistrime, intervista, biseda, deshmi te me shume se njemije njerzve vendas e te huaj. Per gjate kufirit Shqiperi - Kosove dhe per ne thellesi te ketij kufiri, jam nje kronikan i ores se pare, nje deshmitar i dores se pare, raportuesi i pare i atyre ngjarjeve qe ndodhnin dhe lajmetar i atyre qe do te ndodhnin. Kam shkruar diçka ne dy libra "Misioni per Paqen" (2000) dhe "Marsi i Minave" (2006). Por kam shume e shume per te shkruar e per te zbardhur.

Ata qe dje, sot e neser do te shkruajne rrena per ato kohe, do te me nxisin te zbardh deshmite e te shkruaj deshmite e asaj kohe me shume se heroike. Doli si thirrje apo "kercenim" kjo fjalia e fundit por nuk e kisha ne kete drejtim se une nuk kam monopolin e te vertetave te asaj kohe, por kjo u drejtohet njerzve qe njoh dhe qe po lexoj se po pikojne e sterpikin rrena kah shkojne udheve, kafeve, gazetave, studiove.
Sot po percjell nje nga deshmite e punes time :

* * *
Pas ofensivës së parë serbe kundër UÇK - së në verën e vitit 1998, dyshime, dyzime e hamendje të shumta për seriozitetin dhe fatin e kësaj ushtrie ishin bërë objekt i shumëkujt. Në të vërtetë shumë djem, ose më saktë meshkuj, vinin nga fronte dhe rajone të ndryshme të Kosovës dhe sillnin në Kukës frymë disfate. Përkundër kësaj gjendje, unë shkruaja dhe flisja çdo ditë për riorganizim të UÇK-së, për seleksionim profesionistësh e qëndrestarësh në radhët e saj, për shtim të radhëve të saj.
Në morinë e njerëzve që donin të dinin të vërtetën për UÇK - në dhe për fatin e të ardhmën e saj, bënte pjesë edhe gazetari i Rojterit Kurt Shork.

Një ditë të ftohtë të funddhjetorit të 1998 - ës, Kurt Shork mbërrin në Kukës bashkë me korrespodentin e Rojterit për Shqipërinë Benet Koleka.

Kishte lënë Kurtin tek “Bar Amerika” dhe Beneti erdhi tek unë në Radio Kukësi. Më thotë se shoqëronte një gazetar të rëndësishëm. Në fakt edhe pa shpjegime të mëtejshme, kuptohej ajo që thoshte Beneti. Në Kukës vinin gazetarë të shumtë dhe përkthyesit i gjenin dosido. Ndersa për Kurtin përkthente Beneti. Rrugës për tek Bar Amerika ku priste Kurt Shorku, Beneti më thoshte se duhej ta ndihmoja Kurtin dhe duhej të tregohesha në lartësinë e duhur. Shkurt, u kuptua se Kurti nuk ishte gazetar radhe në Kukës.

Ndërsa po hanim drekë bashkë, ku me ne ishte edhe korespondenti i ATSH-së për Kukësin, Riza Hoxha, e vështroja atë trup të imtë, me ato sy të xixtë, që si pa vemendje përpinte çdo fjalë, çdo levizje. Gjatë gjithë kohës bllokun e shenimeve e mbante hapur në tavolinë.

Beneti më thotë se i kishte folur gjërë e gjatë për mua. Vendosa të jem i vëmendshëm dhe i kujdesshëm.
Meqë s'kisha lënë njeri të rëndësishëm, sipas meje, të më kalonte pa i marrë intervistë, para se të përgjigjesha për ato që pyeste Kurti, i kërkova të më jepte një interviste rreth impresioneve të tij për Kukësin, për UÇK - në, Shqipërinë e Kosovën. Jo, më tha. Nuk mundëm. Nuk dua të kem fatin e gazetarit amerikan Philip Smucker. Ai ju ka dhënë një intervistë juve, intervistë që e keni emetuar në Radio Kukësi. Dhe sapo ka mbërritur në Kosovë, ia kanë keqtrajtuar serbët shoferin dhe e kanë kërcenuar Filipin. U trishtova në atë moment, por më erdhi mirë që Radio Kukësi dëgjohej në Kosovë dhe i shqetësonte serbët. Kjo intervistë ishte botuar edhe në gazetën "Albania". Philip Smuckeri kishte sjellë deshmitë e para për median dhe shtypin në Shqipëri për masakrën serbe në Prekaz ndaj familjes së Adem Jasharit.

Mëqe Kurti s'pranoi të më jepte intervistë me zë, fillova të mbaj shenime. Kur më pa një copë letër në të cilën shënoja ndonjë fjalë, mi nguli sytë në copën e letrës. Çeli çantën e tij dhe pashë që kishte disa blloqe. Kishim më tepër se një orë që flisnim. Gjithmonë shënonte pak fjalë, në faqën ballore të bllokut të tij, dhe kalonte në faqe të re. Fola gjatë. Si papritur ai mu drejtua : Je me fat, që je gazetar, në këtë kohë dhe në këtë vend. U miklova. Çdo ditë, çdo muaj e çdo vit që kalon, më ngulitet edhe më thellë kjo fjalë e Kurt Shorkut.

Të të përkthente Benet Koleka ishte fat. Aq më tepër që ai ishte gazetar mjaft i informuar për UÇK - në dhe për çfarë ndodhte në Kukës dhe në gjithë rajonin verilindor. Mendonte shqip edhe pse shkruante e fliste anglisht. Kështuqë për mua ishte edhe më e lehtë. Prania e Benetit më jepte siguri dhe ma shtonte përgjegjësinë.

Kurt Shork, si rrallë gazetar tjetër që kisha takuar, u tregua shumë i saktë në atë që kërkonte. Ai kishte ardhë në Kukës për t'u dhënë përgjigje tri pyetjeve: A ka baza të UÇK - së në Kukës, Has dhe Tropojë, a po riorganizohet UÇK - ja, dhe, a ka bashkëpunim mes ushtrisë së Shqipërisë dhe UÇK - së. Kaq drejtpërdrejt s'më ishte drejtuar askush, asnjë i huaj apo shqiptar. Më dukej vështirë t'u përgjigjesha këtyre pyetjeve dhe t'i krijoja mundësi për t' i verifikuar vetë këto probleme. Ai dhe Beneti e lexuan pa veshtërsi hezitimin dhe ngurimin tim. Por ndërhyri Kurti. Për të gjitha sa do të thuash ti dhe çfarë do të verifikoj unë, do të shkruaj se më tha ambasadori i OSBE - së në Shqipëri Dan Everts. Pra, vijoi Kurti, do të them ...sipas ambasadorit të OSBE - së Dan Everts.... E pashë Benetin në sy. Dhe besova. Beneti më siguroi për këtë gjë.

E lamë që nesër të shkonim në Vlahën të Hasit. Mora përsipër çdo rrisk. E përcollëm Kurtin në hotel “Gjalica” dhe ndenjëm deri vonë me Benet Kolekën nëpër Kukës. Beneti e donte dhe e lavdëronte Kukësin.

Ndoshta si kurrë herë tjetër, atë natë i thoja vetës, ç'po bën. A duhej apo jo që Rojteri të pohonte se ka baza të UÇK - së në Kukës, Has e Tropojë. Jo se nuk kishte informacione apo insinuata për këto. Por a duhej që unë të pohoja e të ndihmoja për këtë. Shqipëria ishte mjaft e akuzuar prej serbëve. Politika zyrtare e Tiranës përpiqej të distancohej prej UÇK -së në atë kohë. Unë mendoja se kishte ardhë koha heroike për çdo shqiptar. Nuk doja që Kosova dhe UÇK - ja të ishin diçka tjetër e diku tjetër, por të ishin shqiptare e në Shqipëri. Doja që bota ta mësonte se çeshtja e Kosovës ishte problemi e çeshtja shqiptare e jo kosovare siç e paraqiste, dashtë zoti prej padijes e jo prej djallëzisë, medja shqiptare në përgjithësi, me pak përjashtime. Doja të besonte edhe bota si unë, se erdhi ora shqiptare. Se shqiptarët do të reagojnë si komb anise jetojnë të ndarë në katër shtete të ndryshme. Doja të bindja botën se shqiptarët po të zgjidhin çeshtjën e tyre Kosovë, nuk do të ketë më problem të pazgjidhshëm shqiptar. Pavarësisht se sa këllqe kishim si shtet e si komb, deshiroja që të luftonin të gjithë shqiptarët. Mendoja se nuk do të kishim më çast historik ne si shqiptarë. Kështuqë besoja se edhe ushtria e Shqipërisë do t'ua shkundte njëherë ndryshkun armëve të veta. Besoja se do të soset durimi i ushtarakëve të Shqipërisë. Çdo ditë kishte provokime nga serbët në kufirin Shqipëri - Kosovë. 1400 hektarë me mina "mbollën" serbët në teritorin e Shqipërisë administrative. Si u përfshi Shqipëria me armë në këtë luftë, si jo, ajo akuzohej prej serbëve dhe aleatëve të tyre. Në mos tjetër si bazë logjistike. Pretekste dhe shkaqe për të reaguar ushtarakisht Shqipëria kundër trupave serbe kishte plot. Postat ushtarake na i kishin shkatërruar. Ushtarakë dhe civilë na kishin vrarë mjaft dhe na kishin plagosur edhe më shumë. Nuk e di si do të reagonte një shtet tjetër po të ishte në pozicionin e Shqipërisë. Meqë UÇK - ja i kishte bindur njerzit se edhe serbët i vret plumbi, doja të bindja shqiptarët se nuk duhet të marrim rolin e viktimës gjersa kemi të drejtën në anën tonë. Doja që shqiptarët të merrnin rolin e heroit. Të ndjeheshim më krenarë në shekullin që po vinte. Kalova një nga netët më të vështira...

Të nesërmën në mëngjes, pasi i thashë pronarit të “Bar Amerikës” Musli Lleshit (që pati ndihmuar mjaft) ti çonte fjalë komandant Ahmet Alishanit në bazën ku kishte trupat në stërvitje, se mund ta "vizitoja" pasdite bashkë me një gazetar të duhur, (kështu mendova unë), u nisëm për në Has, me një furgon të Kukësit që Beneti e Kurti e kishin marrë në dispozicion që nga Tirana. Rrugës përpiqesha ta bindja Kurt Shorkun se ndarja e Kosovës nga Shqipëria në vitin 1913 ishte e barabartë me ndarjen e një oborri të një familje dhe ku pjesëtarët e familjes nuk lejohen të takojnë njëri - tjetrin. I tregoja për plot nuse që kishin mbetur pa shkuar tek burrat e tyre e për plot burra qe u kishin mbetur gratë në të dy anët e kufirit Shqipëri – Kosovë kur u mbyll kufiri në vitin 1948. I tregoja se ishin lidhjet e gjakut e të farefisnisë ato lidhje qe nuk shkëputën e nuk harrohën kurrë. (Falë edhe atyre lidhjeve Kukësi bëri në vitin 1999 - të atë që nuk e imagjinonte bota...).

Ndërsa po pinim nga një birrë në kafen e pallatit të kulturës "Pjetër Bogdani" në Krumë, në shesh përpara shoh tre policë civilë të policisë kriminale që po vështronin nga ne. Më ishin bërë ferrë sa herë shkoja në Has. Nuk e di çfarë dyshonin. Nuk e di pse dhe kë ndiqnin. Dhe s'e di a më ndiqnin mua apo ato që shoqëroja herë pas here në Has. Gjithësesi, ishin të trashë. Po t'ua hiqje hundët, mund të kullosnin bar. I detyrova Kurtin dhe Benetin, pa ju dhënë shpjegime, të ngriheshim pa i pirë birrat. Do të udhëtonim për në Vlahën. Por sapo kemi zbritur shkallët e pallatit, nga rruga përballë, as tridhjetë metra larg nesh, shoh të vijnë dy djem të gjatë, të veshur shik me rrobat e UÇK - së, të armatosur mirë, krejt të qetë, të parruar. Njërin e njihja si fytyrë, tjetrin jo. Kurti i vërejti për pak çaste dhe për çudi e shpejtoi hapin, jo në drejtim të tyre por në drejtim të tregut të qytetit. Mu duk se nuk deshi t'i takonte. Mbase i kishte njohur që në Kosovë. Nuk e mësova kurrë se pse iku ashtu Kurti me hap të nxituar. Në fakt doja që të fliste me to. Tek ecnim për tek klubi në dalje të Krumës, rrugës për Golaj, kthej kokën dhe shoh që tre policët hypën në një veturë. Kur hymë në klub, ashtu siç e deshiroja unë, shohim aty dhjetra ushtarë të UÇK - së që po ushqeheshin. U përshëndeta me dy që i njihja si ushtarë e më njihnin si gazetar. Por emrat nuk ua dija. Kurti nuk fliste. Vetëm vështronte. Pasi hëngrëm dhe Kurti foli me Benetin, dolëm nga lokali. Përsëri policët ishin përpara dhe vështronin gjoja fshehtas nga ne. Ndersa mendoja se a do të mund t'i kalojmë të gjitha postblloqet për të shkuar në Vlahën, Beneti më thotë se do të udhëtojmë për në Kukës. Pa më lënë kohë të pyes se pse, Beneti më tha se mjafton me kaq. Kurti pohoi me kokë. Më tepër se pesë km pasi jemi larguar nga Kruma, na shoqëruan me makinën e tyre policët që na vëzhgonin. Kur i pashë se u ndaluan, sikur mora frymë lehtë.

Në Kukës, fillimisht shkuam tek divizioni. Doja ta takoja Kurt Shorkun me komandantin e Divizionit të Kukësit gjeneral Kudusi Lamen. E kisha njoftuar natën mbrëmë se do ta takoja me një gazetar të rëndësishëm. Por ishte ora e papërshtatshme. Po afrohej vakti i iftarit. Gjenerali ishte duke argjëruar ramazanin. Me gjeneralin kisha biseduar hollësisht dhe ai ishte dakort që Kurt Shorku të bindej se ushtria e Shqipërisë bashkëpunonte me UÇK-në.

E lamë të takoheshim fill pas iftarit tek bar "Amerika". Ndërkohë, gjenerali kishte rënë dakort që aty në takim të ishte i pranishëm edhe ushtaraku i lartë i Kosovës Ahmet Alishani me një ose dy oficera të tjerë të Kosovës. Në fakt, gjenerali shkonte shumë mirë më oficerat e Kosovës. I kisha porositur të gjithë që të vinin me uniforma ushtarake. Ahmetit ia kishte çuar porosinë Musli Lleshi, pronari i “Bar Amerikës”.

Dhe ja, erdhi çasti, ndoshta më i rëndësishmi, më domethënësi. Por mbase edhe më i rrezikshmi. Unë para, Kurti pas meje dhe Beneti pas tij, futemi në kafe. Në atë moment çelet dera e dhomës ( ka një dhomë të veçantë Bar Amerika), nga ku po delte kamarieri. Hodha syte. Ç'të shihje. Në krye të tavolinës qëndronte i veshur shik me uniformë gjeneral Kudusi Lame. Anash asaj tavoline të gjatë qëndronin Ahmet Alishani dhe dy ushtarakë të tjerë të veshur edhe këta me uniformën e UÇK - së. Mbi tavolinë ishte shtrirë një hartë ushtarake dhe të gjithë ushtarakët e lartë po shihnin mbi hartë. Gjeneral Lame po tregonte me një shkop tregues. Më pa në derë. Më thirri në emër. Ja, erdha, iu përgjigja. Kur kthehem nga Kurti e Beneti që t'u tregoja se ja ku i kemi ato që duam të takojmë, Kurti doli jashtë nga lokali. Iu vumë pas. Gati - gati po bëhesha nervoz.

Mezi e kisha bindur gjeneralin të takohej me të, mezi e kisha realizuar këtë skenar dhe Kurt Shorku kris e ikën. Çfarë ka ? - i them Benetit. Folën bashkë por nuk i kuptoja. Mjafton me kaq, më thotë Beneti, ishte fantastike ajo skenë.

Kurt Shork kërkoi ta përcillnim në hotel. U hesht fare. Tha që më duhet të raportoj sonte. Darkë nuk donte të hante. Edhe unë u heshta. Më vinte zor prej gjeneralit. Do të më thoshte se pse s'pranoi ai gazetar ta takonte, kur dihej se ishte fat per gazetarët në atë kohë të takoheshin me gjeneral Kudusi Lamen. Beneti më tregoi se sa kisha parë unë, kishte parë edhe Kurti edhe Beneti. Më mirë se kaq s'bëhet, shtoi ai.

Pas dy ditëve në shtypin shqiptar u botuan, të marra prej Rojterit tre shkrime të Kurt Shorkut. Kudo thoshte ... sipas ambasadorit të OSBE - së në Shqipëri Dan Everts..., për ato që i kisha treguar unë. Kështu edhe u shpëtova vërejtjeve të ndonjë kolegu e të ndonjë patrioti rapsod të vonuar.

Kështu pra e kam njohur Kurt Shorkun e Rojterit në Kukës. Besoja dhe besoj se kishte simpati për shqiptarët, për UÇK-në.

Më vonë, me shumë guxim kishte shkuar në Koshare tek UÇK - ja bashkë me Benet Kolekën. Kurdoherë që të shkoni, i pata thënë Benetit, në Koshare kërkoje, gjeje dhe mbështetu tek Besnik Kada, që ishte miku im.
Kurt Shork u vra në Sierra Leone.

Për mua mbetet një gazetar i nderuar, një mjeshtër, një njeri i pa harruar.

(shkeputur nga libri im ne proces botimi "Lufta ime per Kosoven")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat