Lidhja Demokratike zgjidh krizën politike në Kosovë!

Opinione

Lidhja Demokratike zgjidh krizën politike në Kosovë!

Nga: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Më: 27 mars 2018 Në ora: 17:25
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Lista e deputetëve serbë në parlamentin e Kosovës është deklaruar për daljen nga koalicioni i qeverisjes. Që me formimin e qeverisë kisha paralajmëruar se krijimi i çdo qeverie në Kosovë duke krijuar shumicë me deputetët serbë do të çonte në krizë politike. Madje një qeveri e tillë shoqërohet nga ethet e krizës që në krijimin e saj. Lista serbe e mori vendimin e saj në Beograd me mbështetjen e lidershipit politik të Serbisë. Me këtë akt ajo u përcaktua sërishmi kundër shtetësisë së Kosovës, ashtu siç u përpoq Marco Gjuriq dje që të sfidojë institucionet e Prishtinës. Beogradi dhe Lista Srpska u dakorduan edhe për krijimin e asosacionit të komunave serbe, një çeshtje e cila është diskutuar para pak ditësh midis zotit Thaçi dhe zotit Vuçiç. Një vendim i njëanshëm i deputetëve dhe kryetarëve të komunave serbe do të krijonte një konflikt të hapur midis palëve, sepse është kushtetuta e Kosovës ajo që përcakton sjelljen politike e qytetare në këtë vend. Ndërkaq me rastin e arrestimit të Gjuriq, Aleksandër Vuçiç e tradhëtoi veten e tij. Sapo pa forcën e zbatimit të ligjit në Kosovë ai u lidh me Vladimir Putin, duke i kërkuar ndihmë për kapërcimin e situatës së krijuar dhe duke kërcënuar Perendimin me vazhdimin e aleancës serbo-ruse.

Dhe mesa duket ai ia arriti qëllimit. E trembur nga kjo Frederica Mogherini fluturoi me shpejtësi në Beograd, për t’i kujtuar presidentit serb premtimet që ai i ka dhënë Brukselit, kësisoj edhe Berlinit e Parisit. Unë mund ta imagjinoj pse dhe si erdhën ngjarjet e djeshme në veriun e Mitrovicës dhe pse u shfaq aq bujshëm një akt normal për kthimin mbrapsht të një politikani serb të ardhur ilegalisht në Kosovë. Por nuk kam asnjë provë për të provuar nëse ky ishte një shou politik i planifikuar për interesa personale, apo ishte një aksion i domozdoshëm. Nëse ky aksion policor vijon me dëbimin e së paku 2000 serbëve të dërguar nga shërbimet e Beogradit në Kosovë dhe që qëndrojnë aty ilegalisht, atëherë do të thoja që aksioni i djeshëm ia ka vlejtë. Do e klasifikoja këtë aksion si paralajmërim për rikthimin e sovranitetit të instirucioneve të Prishtinës në të gjithë territorin e Kosovës. Por kuptoj se pas ditës së djeshme nuk do të ketë më statukuo. Një “zgjidhje” për konfliktin e ngrirë e të shkrirë disa herë midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë ndoshta më e shpejtë sesa e parashikonim.

Cila do të jetë kjo zgjidhje dhe sa do të mbrohen interesat e Kosovës, parasëgjithash sovraniteti territorial dhe karakteri unitar i saj si shtet i të gjithë qytetarëve, këtë do ta shohim. Megjithatë veprimi politik i përgjegjshëm është i domosdoshëm. Në kushtet e largimit nga qeveria të Listës Srpska LDK dha sot shenjat e mbështetjes së qeverisë Haradinaj. Shefi i Grupit Parlamentar të saj, Abdullah Hoti, deklaroi se “Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar. Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës. LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës”. Ky ishte një hap politik i përgjegjshëm i një force politike të sprovuar në lojën e aktorëve të Kosovës e më gjerë për të dëmtuar interesat e shtetit më të ri në Europë. Ky hap është për t’u përshëndetur dhe në kushtet e reja të krijuara duhet të jetë obligim i të gjitha subjekteve politike në Kosovë t’i japin mbështetje qeverisë aktuale, me qëllim që të jepet mesazhi se “shqiptarët janë e do të jenë të bashkuar” në qëllimet e veta për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe me orientim të qartë euroatlantik.

Përcaktimi pro qeverisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet parë si garanci për të sotmen e të ardhmen e shqiptarëve. Por kjo nuk mjafton. Besoj se është koha kur politika të largohet përfundimisht nga konflikti brendashqiptar dhe të bashkohet për interesat e Kosovës. Kjo do të thotë që të gjithë deputetët shqiptarë dhe minoriteteve të tjera, nëse duan edhe ata serbë, të mbështesin qeverinë Haradinaj. Në kushtet aktuale mbështetja e qeverisë është imperative dhe i doosdoshëm. Eshtë koha kur përcaktohet përfundimisht fati i Kosovës, fati i shtetësisë së saj, fati i qyetarëve të saj. Në këto kohë të vështira bashkimi ul koston, ndërkoë që rrit shpresat, vetëbesimin dhe shanset për një sukses politik e diplomatik të padiskutueshëm. Nëse subjektet politike shqiptare të Kosovës do të jenë të bashkuara, ulet mundësia e një vendmmarrjeje të gabuar për të ardhmen e vendit. Bashkimi i të gjitha forcave politike të përfaqësuara ose jo në parlamentin e Kosovës do të kishte sukses nëse do të arrihej përmes një platforme për parimet dhe përcaktimet bazë të qëndrimeve politike të parlamentit, qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit. Nëse Lista Srpska gjen mbështetjen e Beogradit në diversionin e saj antishtet në Kosovë, atëherë aktorët e tjerë politikë në Prishtinë kanë në dorë të hartojnë strategjinë e ndërtimit të shtetit dhe të fuqizojnë aleancën me NATO-n dhe Bashkiin Europian, me SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Austrinë dhe aktorë të tjerë të fuqishëm të kontinentit tonë. Aleanca serbo-ruse është thyer njëherë keqas në Kosovë (1999) dhe ajo do të duhet të dështojë përfundimisht me përpjekjet përbashkuese të politikës shqiptare dhe partnerëve tanë strategjikë perendimorë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat