Rrëzimi i Thaçit, detyrë atdhetare

Opinione

Rrëzimi i Thaçit, detyrë atdhetare

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 30 mars 2018 Në ora: 12:32
Hashim Thaçi

Kosova paska një Agjenci të Inteligjencës kombëtare, merreni me mend, hiç më pak se të inteligjencës kombëtare!

Siç dini, tre komandantët e sotshëm të Kosovës, shprehën keqardhje dhe se nuk kishin qenë të njoftuar për një shkelje dhe rrënim të shtetit ligjor dhe rendit komandues, kushtetues. Këta tre nuk kanë mundur kurrë ta heqin uniformën nga shpirti, aureolën e luftës, prandaj edhe sot mendojnë se ne gjendemi në luftë dhe se kundërshtaret e tyre, nuk janë asgjë tjetër, pos lukuni dhe ushtri e Millosheviqit. Sipas tyre vetëm ata janë atdhetarë, të tjerët, që kundërshtojnë injorancën e tyre, janë tradhtarë. Kjo është arsyeja pse ata vjedhin Kosovën, shkarraviten nëpër zyre dhe zhvatin arkën e shtetit pa mëshirë, sepse sipas tyre, ata nuk vjedhin popullin dhe ekonominë e tij, por vjedhin mbetjet e Millosheviqit.

Ata po mbahen në pushtet me ndihmën e Serbisë! Gënjeshtra e parë, pas trysnisë publike, doli se ata qytetarë paskan qenë të financuar nga Serbia. Për një financim ilegal, ngrihet akuzë në Kosovë dhe nuk deportohet njeri! Ata do të sjellin edhe versione tjera. Do të bëjnë çmos për ta nxjerrë Thaçin edhe një herë të pastër si kristali.

Pas atyre deklaratave Agjencia turke Anadollu, bën të ditur se Erdogani ka telefonuar me Thaçin dhe Vuçiqin dhe paskan biseduar për ruajtjen e procesit dialogues. Meqenëse Thaçi edhe kur thotë mirëdita, duhet shikuar orën (kështu shprehen gjermanët për gënjeshtarin kronik), atëherë ajo telefonatë nuk ka pasur asgjë të bëjë me ngjarjen e Mitrovicës, me aq vonesë, por Erdogani ka telefonuar për të falënderuar Thaçin për zbatimin e urdhrit, që i ka dhënë ai më herët. Thaçi iqe përkulur me temena para tij dhe i pat premtuar sulltanit, se kush është terrorist në Turqi, i tillë do të konsiderohet edhe në Vilajetin e Kosovës.

Pse mund të thuhet se Thaçi qëndron pas? Sepse edhe gati 24 orë pas dëbimit nuk ka një protokoll zyrtar, i cili flet me detaje, me orë dhe datë se si është organizuar kidnapimi, si u është pamundësuar kërkesa për azil dhe si janë dërguar me një aeroplan privat në Turqi. Jo vetëm Thaçi, por meqenëse edhe Haradinaj, edhe Veseli mohuan të kenë pasur njohuri, atëherë ata dinë mirë, por duhet të mbrojnë Thaçin, ose kanë qenë të informuar.

Republika e më shumë se një milion refugjatëve dhe me një elitë politike me ish refugjatë, deporton gjashtë veta pa u dhënë mundësi të bëjnë kërkesë për azil. Shtypi gjerman bën të ditur se Shërbimi Sekret turk, arrestoi gjashtë ithtarë të Gylenit. Pra shërbimi sekret turk vepron në Kosovë, arreston dhe deporton. Thaçi ka degraduar shtetin e Kosovës në një komunë të Erdogani. Nuk është më as vilajet!

Me Thaçin në krye, Kosova ka humbur imazhin jashtë. Shihet si vend i kriminelëve, arrivistëve dhe të korruptuarve. Me Thaçin në krye, nuk ndërtohet kurrë shtet ligjor, sepse ai ka marrë në mënyrë kundër kushtetuese të gjitha kompetencat e Qeverisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Punëve të Brendshme dhe asgjë nuk vendoset pa dijen e tij. Thaçi po kopjon Putinin, po kopjon Erdoganin dhe masa injorante, po e mbështet.

Thaçi darkon dhe bën projekte me Vuçiqin. Vuçiqit i konvenon Thaçi kryetar. Ai ka nënshkruar çdo kërkesë të tij dhe rehabilitoi Serbinë, duke mos përmendur kurrë Luginën, duke mos vënë asnjë kusht për pranim, por i i dhuroi edhe autonomi.  Qeveria e Haradinajt dhe i konvenon Serbisë. Sikur të mos ishte kështu, atëherë do ta kishte rrëzuar menjëherë.

Thaçi firmosi vijën kufitare dhe ia humbi Kosovës tri vjet. Me Thaçin në krye, Kosovën pret problemi më i madh se ai i kufirit. Lista Serbe deklaron se nuk pranon Asociacion tjetër, por vetëm atë që është nënshkruar para pesë viteve nga Thaçi. Atë e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, sepse në 22 parime, nga 23, shkelej Kushtetuta e Kosovës. Këmbëngulja e serbeve për ta shpërfillur vendimin e gjykatës, domethënë, rrëzimin e saj si institucion.

Thaçit i shkon për shtatit të destabilizojë vendin, sepse pengon kështu arrestimin e tij. E ndihmon edhe Serbia, e ndihmojnë edhe zvarranikët shqiptarë. Rrëzimi i Thaçit është detyrë atdhetare. Me Thaçin në krye, Kosova do të fundoset në kaos! Ose Kosova, ose Thaçi, së bashku nuk ecet përpara!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat