Dy policë serb, e rrethojnë fshatin “M”

Opinione

Dy policë serb, e rrethojnë fshatin “M”

Nga: Fadil Lepaja Më: 11 prill 2018 Në ora: 19:21
Fadil Lepaja

Legjenda, serbe, dikur thoshte se çdo shqiptarë e ka një pushkë, për ta dorëzuar. Skenari, I dorëzimit, shkonte, pak a shumë sipas një skeme , të njëjtë.

Pra, dy –ose tre polic serb, dikur e rrethonin fshatin me 500 shtëpi. Jo vetëm që e rrethonin, por qysh raportonin mediat tona, atë e mbanin në një rrethim të hekurt, me orë të tëra. Pasi rrahnin gjysmën e fshatit, në fund, nga mediat zyrtare, raportohej se u gjet arsenal i tërë me armatim, të cilin me që ra fjala, ata  e mbanin në stacionin e policisë, për këso raste, pra për t’ua huazuar fshatarëve, kur këta nuk kishin çfarë të dorëzonin. Thënë më saktë, të njëjtat armë, me qindra herë  ua stërshisnin fshatarëve përmes “shpëtimtarëve”, të cilët sipas një rastësie të çuditshme, gjendeshin aty, posa largohej “shtetrrethimi”. Po pra, edhe okupimi ishte biznes.

Kështu, falë “shpëtimtarëve”,  edhe ata fshatarë që nuk kishin armë, u jepej mundësia  të dorëzojnë pushkën e tyre, në polici ...! Pastaj, kjo ishte edhe çështje nderi! 

Kjo ishte pak a shumë retorika e paraluftës, kur mediat tona njoftonin për rrethime fshatrash me nga dy polic, dhe kur nga mediat e shtetit armik, flitej për arsenale të tëra armësh, që po dorëzoheshin ose kapeshin nga policia, ndërkohë që bëhej fjalë për armët e destinuara për tu “kapur”. Skenar për drama, që luheshin “live”, drejtpërdrejtë para publikut, dhe që pasqyrohej aq bindshëm në mediat tona dhe të atyre. Populli, i cili e dinte gjendjen,  megjithatë, shastisej kur e dëgjonte në lajme.

Kjo propagandë e dyanshme, e kishte shastisur popullin, aq sa, me të u dukur vetura e kaltër e policisë serbe, apo “NIVA” e famshme, e terrenit,  në hyrje të fshatit, burrat dilnin në malin e afërt. Atje, zakonisht  rrinin nën fllad, dridhnin cigare të serta, dhe flisnin për çështjen kombëtare dhe demokratike, derisa policia kryenin kontrollin rutinë nëpër shtëpitë e tyre dhe u  linin letrën për kryefamiljarin të paraqitej në polici, ku duhej të dorëzonte pushkën e gjatë apo një revole. Pastaj lëshoheshin teposhtë malit. Këtu fillonte stresi. Me shkue, qysh me shkue, mos me shkue, qysh mos me shkue?!

Por, kësaj radhe, 20 vite pas lufte, ishte ndryshe! Gati shpërtheu lufta,  sërish. Para pak ditësh, ndoshta jo saktësisht dy, por  gjithësesi disa polic, serb,  rrethuan fshatin “M”, i cili gjindet vetëm tre km larg kryeqytetit. Gjithçka dukej sikur po fillonte sërish,lufta, aq  sa shumë njerëz, sipas rutinës së dikurshme,  mund të kenë menduar të evakuohen në mal, por kësaj radhe policia serbe, e kishte zënë malin.

Pra, krejt u bë e besueshme falë edhe  deklaratave luftënxitë t; ministrit serb të mbrojtjes, dhe menjëherë pas kësaj,  edhe përgjigjja luftarake e presidentit tonë, të cilat për dreq, rastisën në të njëjtën kohë,. Për ata që nuk e dinë, këto ditë, një  patrullë e policisë serbe, për befasinë  e forcave vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë kishte hyrë thellë në territorin e Kosovës,  dhe ishte parë nga qytetarët , në fshatin “M”, ku sipas një dëshmitari okularë, po rrinin pa e prishur fare terezinë, madje e  paskan ngritur edhe flamurin e Serbisë, aty.

Në rregull, tash  dëshmitari, nuk thoshte se ata e kishin rrethuar fshatin, sikur dikur, por gjithsesi përshkruante një marrëdhënie të çuditshme, të policëve serb dhe policëve kosovarë. Dëshmitari,  nuk është kushdo, por  është një njohës i mirë i gjeografisë dhe pjesë e ekipit shtetëror për përcaktimin e kufijve të Kosovës.

 Postimi n e tij në facebook, shpejt e morën portalet, tona të famshme,  duke raportuar se kishte parë jo vetëm një patrullë  të policisë serbe, të futur thellë në teritorin sovran të Kosovës, por edhe dy patrulla të policisë së Kosovës,  teksa po qëndronin  në një distancë të respektueshme nga patrulla serbe. Krejt këtë e kishte ilustruar me një pamje nga sateliti, të vendit të ngjarjes. Hutia e ekspertit ishte maksimale, sikurse edhe e lexuesve të shumtë të portaleve tona.

Kësaj radhe, fatlumnisht, gjendja reale, krahasuar me retorikën  luftënxitëse, nga kreu serb dhe kosovarë,  doli të mos ishte aq dramatike, sa për të marrë malin. Qysh e dini, edhe vet, profilet tona në rrjete sociale, janë  shndërruar në media personale,  te ne. Në portale, afër fare, jepen deklarata serioze të yjeve të estradës, apo veç  yjeve që shkëlqejnë për, çfardoqoftë, mjafton  që e bëjnë me qeshë publikun, dhe politikanëve tonë, joserioz, që stresojnë  qytetarët, me kriza të paqena.

 Askush nuk e kishte rrethuar Prishtinës, si përfundim. As, ministri serb, nuk e ka seriozisht, kur flet për luftë, e as presidenti Thaçi kur ua kujton atyre pushkën, e tij të lavdishme. Krejt kjo, sipas raportit të policisë, së Kosovës  ishte veçse një skenë nga një film, për luftën,  që po xhirohej në fshatin “M”. Polic;t ishin aktorë, dhe … po e dini!

Edhe pas sqarimit të policisë mbeti ende e paqartë, një çështje lidhur me “incidentin”, pra, nëse deklaratat luftënxitëse të ministrit serb dhe përgjigjja, edhe më luftarake e presidentit kosovar,  ishin pjesë e skenarit, apo ata vetëm për nevoja të politikave ditore po aktronin.

Tash, dy- tre polic serb, gjithsesi nuk e rrethojnë dot fshatin, e lëre më kryeqitetin.  Hyrjet e tyre të herë pas hershme shërbejnë më tepër për të frikësuar serbët local, që të mos marrin guxim, të njohin shtetin e Kosovës. E tuta, e qytetarëve tjerë, nuk është më, falë pranisë së NATO-s, kështu që  retorika luftënxitëse e ministrit serb dhe presidentit kosovar,  nuk po merret seriozisht, as nga qytetarët. Nuk po krijohet dot më retorika e dikurshme e frikës. Në mal, po dilet vec për rekreacion!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat