Koshare, ky emër shumë i lakuar

Opinione

Koshare, ky emër shumë i lakuar

Nga: Milazim Maraj Më: 18 prill 2018 Në ora: 07:23
Milazim Maraj

Shumë u lakua ky emër. Në shumë trajta. Në shumë gjuhë. Emër i mallkuar, emër për dhembje, emër që simbolizon vuajtje, rrezik me përmasa të ndryshme:  individuale,grupore,kombëtare,  shtetërore  e ndërkombëtare. Emër dreqi që del herë si kohë, herë kosh, herë si shar apo share. Emër i komplikuar edhe shkronjat nuk i numërohen apo nuk të del gjithnjë i njëjti rezultat. Në shqipe lexohen gjashtë shkronja. K-o-sh-a-r-e. Por, kur është fjala e shkronjës “S” numërohet herë si “S” e herë si Sh.,  që kur merr një apostrof(‘) pas vete mohon çdo gjë. Pra,  si po shihet Kosharja do të dalë  edhe më tutje si problem i pazgjidhur edhe në mes të shqiptarëve, në mes të luftërave  dhe serbëve,  pastaj edhe në nivele ndërkombëtare. Ky emër do të dalë herë si emër i urryer dhe herë si emër i çmueshëm për të cilin duhet ngulur këmbë edhe  të uzurpohet,  e pse jo,  më vonë, edhe  të privatizohet. Çka po ndodhë me ty Koshare?. Apo je një Kosh,që i zure brenda të gjithë dhe nuk dalin dot nga ti. Je tokë e nemur për të huajt dhe tani nuk po i njeh as njerëzit tuaj?. Apo ndoshta edhe këta të fundit të trajtojnë si të huajt, e sjellja jote është në përputhshmëri dhe vjen si reagim ose si përgjigje në veprim. Pas lufte, lufta e Koshares po mohohej nga një pjesë njerëzish, sa të paditur aq edhe të pa informuar dhe më shumë pa vizion, që nuk dinin çka po bënin. Nuk ka ndodhë fare Koshare thonin! Nuk ka pasur ndonjë luftë që vlen të diskutohet! Çka është Koshare?! Nuk keni bërë nam. Kishte edhe të atillë që e nënvlerësonin me batuta “Ta shtroj në kubëse  atë që e çliroj Brigada e Koshares”. Por,  kjo stuhi u ndal jo nga ne,  por nga serbët. Ata kishin nevojë para shtetit dhe para popullit të tyre që t’ i arsyetojnë humbjet e veta. Luftën e Koshares e vlerësuan ndryshe. Ishte beteja e dytë për Kosovën. Lufta e shqiptarëve ishte e organizuar profesionalisht. Taktika , zjarri, manovra, sulmi , mbrojtja e tyre ishte në nivelin e NATO-s . Fillimisht ata vlerësuan së kishin qenë vetë oficerët e NATO-s,  por më vonë vlerësimi i tyre pësojë një ndryshim. Nga oficerë  të NATO-s  në oficerë të ushtruar nga NATO-ja. Tani ndryshoi  edhe vlerësimi i brendshëm për Luftën e Koshares. Ata, që e mohonin, e pengonin dhe nuk e furnizonin këtë luftë. Ushtronin propagandë kundër saj. Pengonin mobilizimin e ushtarëve për në Koshare. Ta të cilët i trajtonin si të huaj ushtarët e saj,  etj, tani e quajnë krijesë të tyre. Kur Koshare kishte suksese dhe përparonte në terrn mallkohej nga serbët dhe nga kjo pjesë e mjerë e shqiptarëve. Ja çka shkruan në një letër të një ushtari serb,  i cili u vra në Koshare. Po e shkruaj në shqip ashtu si e kam mbajtur mend.” E dashur! Jam në Koshare. Ky është një vend shumë i mërzitshëmdhe i rrezikshëm. Këtu mjegulla nuk ditë hiqet. Ka pa ndërprerë shi. Në Rrasë të Koshares borën do ta zëgushti. Para nesh janë shqiptarët që presin të na hedhen si ujqër të uritur. Këtë letër që po ta shkruaj ndoshta do ta pranosh pasi të më shohësh mua të vdekur ose nuk ka për të rënë në dorë kurrë...”  Letra i përcillet familjes bashkë me kufomën e ushtarit të vrarë. Kosharja si problem që po del,  një luftë e suksesshme dhe që afër saj betejat e tjera do të duken të vogla,  e trajtonin miopët tonë. Suksesi i luftës së Koshares është sukses kombëtar. Por,  kur po del e suksesshme, dhe nuk po mund të mohohet, ndërron qëndrimi. Ndryshon strategjia për luftën në Koshare. Koshare ishte pjesë e projektit “Shigjeta” thonë përfituesit. Nuk pranohet së lufta në Koshare ishtemotiv për projektin e më vonshëm “Shigjeta”,  pasi që ky projekt ndodhi një muaj më vonë. Pse fëmijëve tonë duhet t’ u ofrojmë historinë tonë me të pa vërteta? Nuk kemi të drejtë. Brezi jonë i ardhshëm duhet t’ i mësojë  sukseset dhe pësimet tona ashtu siç janë, që të kultivohen sukseset dhe të mos përsëritëngabimet më kurrë. A Kishim përkrahjen e Shqipërisë? Kjo përkrahje është një kapitull i veçantë që duhet të trajtohet në disa pjesë. Kishim ndihmë, kishimpengesa, kishim ndalesa ( të mos sulmojmë nga kufiri) e pengesa të  tjera. A ishim FARK apo UÇK? Këto dallime nuk shiheshin në luftë,  por sa më shumë i largoheshe luftës në drejtim të Tiranës dallimet ishin të neveritshme. Kush fliste? Nga dy anët,  njërzit që nuk luftonin, përfitonin nga lufta. Simpatizantët e shkronjës “S”,  ata që nga të gjitha shkronjat KOSHARE kishin nxjerr vetëm këtë shkronjë. As njërës palë nuk i konvenonte qetësia,  madje në asnjë mënyrë dialogu i qetë. Sqarimi i gjerave më argumente. Të dy palët zgjodhën luftën pas lufte, me deklarata pompoze të vërteta, me gjysmë të vërteta deri edhe të pavërteta rrëqethëse. Të  pa vërtetat ishin për ecurinë,  por kryesisht për vrasjen e komandantëve:  Agim Ramadani, Sali Çekaj etj. FARK- u  si nocion dhe institucion u sulmua pa ndërprerë. Madje,  që edhe sot e kësaj dite miopët nuk janë çliruar nga mjegulla e tyre psikologjike, mjegulla e tyre ideologjike, që ka kapluar të pamurit. Ata as sot 17 vite pas çlirimit nuk janë të gatshëm për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës,  shkurt FARK. Por kërkojnë që të quhen Forca të Armatosura të Kosovës, që i bie FAK. Pra,  janë apo nuk janë këta ideologë për Republikën e Kosovës ? Lufta e Koshares ishte shembull unifikimi, i bashkëluftëtarëve. Një kësi lloj  shembulli tani i duhet Parlamentit të Kosovës. I duhet kësaj skene politike, që ka humbur rrugën në oborr. Ku ka komb a shtet stabil pa unitet kombëtar? Në luftë kishim apelin e Heroit të Kosovës Sali Çekaj “Kur është interesi i Kosovës duhet të dalim nga vetvetja”. Një kësi shembulli i bashkëpunimit dhe sakrificës së përbashkët sot i duhet Kosovës,  po aq sa na u dashtë edhe në luftë. Në luftë askush nuk pyeste nga je, në çfarë partie je, çfarë feje ke, etj. Pra, para ushtrisë serbe ishim njësoj. Luftonim bashkë për të njëjtin qëllim. Flinim dhe ushqeheshim bashkë, bashkë i duronim kushtet e luftës,  bashkë.. Një herë në gropa bore,  e pastaj në bunkerët që i ndërtuam së bashku. Mbroheshim nga helmet e luftës bashkë. Tani po i thithim helmet tona prej më të rrezikshmeve. Nga këto helme nuk na mbron Amerika dhe as Evropa, duhet të mbrohemi vetë dhe përsëri bashkë. Ushtarët në këtë luftë vinin nga viset e ndryshme, kishin besime të ndryshme fetare, ideologji të ndryshme, por në luftë ishin vëllezër. Ky është bashkimi dhe pajtimi në diversitete. Pas lufte luftëtarë e komandantë  të Koshares janë të shpërndarë në subjekte të ndryshme politike, por kombin , Kosovën dhe Kosharen edhe tani e kanë bashkë. Ju dhimbset dhe nuk sakrifikojnë Kosovën e institucionet e saj për pushtet apo interesa të ulëta. Në Koshare që 17 vite vijnë për homazhe e nderim personalitete të ndryshme politike dhe institucionale të Kosovës. Ditët e shqipes organizohen gjithmonë nën patronatin e institucionit presidencë apo qeveri. Këtë e bëjmë për të respektuar institucionet, për shtetin e Kosovës, ngase  për këtë kishim luftuar. Personalitetet tona që 17 vite premtojnë që Kompleksi Memorial i Koshares do të ndërtohet, por edhe këtë vit familjet kishin problem për t’ i gjetur varret e bijve të tyre. Çka mund të quhet kjo,  përveç jo korrektësi. Nuk pushuan të thëna të vërteta e të pa vërteta, të shara e fyerje për luftën dhe luftëtarët e Koshares. Disa eprorë të Koshares që pas lufte u sistemuan, tani janë ndërruar nga vendet me përgjegjësi. Para tyre janë servilët e partisë, kurse këta janë referentë të thjeshtë, që nuk pyetën. Këto janë pasojat kur nuk e pranon servilizmin para eprorit. Ministri i FSK-së  nuk e përshëndet Rrustem Berishën, komandantin e Brigadës ”Agim Ramadani”, komandantin e luftës së Koshares, tubimin e kryesuar nga ky komandant për nder të Heroit të Kosovës Agim Ramadani,  i cili kishte luftuar dhe pranuar këtë hierarki. Kjo po vazhdon që nga pas lufta,  kur eprorët e kësaj Brigade nuk u avancuan në gradime të merituara, madje as ata që ranë dëshmorë. Kjo nuk është kulturë kombëtare dhe as shtetërore. Shikuar nga ky aspekt lind pyetja: çka po kërkohet nga njerëzit që bënë luftën në Koshare? Të shndërrohet në një pjesë të” shigjetës”,  e cila lind si pjellë nga motivi i Betejës së Koshares,  apo të shndërrohet në një krijesë partiake më të cilën duhet të krenohet dikush nga pala tjetërapo të shërbejë si dekor partiak i partive të paafta për të kryer funksionin e tyre politik. Kredibilitetin e tyre politik të humbur tani e kërkojnë në Kosharen e sakrifikuar gjatë dhe pas lufte. Lufta jonë ishte e përbashkët dhe bashkë do të qajmë,bashkë do të krenohemi. A shtroj kush këtë pyetje? Pse duhet të paguajnë familjet e dëshmorëve,  invalidët e luftës dhe veteranët taksën e qëndrimit të tyre të drejtë  dhekombëtar? Kjo po ndodh dhe për këtë ka shumë argumente. A është kjo elita jonë e zgjedhur që përfaqëson interesin tonë?  A duhet përsëri të punojmë dhe luftojmë për të ndërruar këtë gjendje?.Kjo përsëri është një luftë. Ndryshojnë vetëm mjetet. Atëherë ishte për ta çliruar atdheun tani duhet të shpëtohet nga të korruptuarit, të pa përgjegjshmit, të pa ngopurit, servilet dhe të shiturit për një post, për një tender, për një favor të pa ligjshëm etj. Kjo nuk është e lehtë por jemi të sigurt në fitoren tonë. Kjo fitore është e sigurt. Të pa ndërgjegjshmit dhe të pa përgjegjshmit do të përgjigjën  para drejtësisë një ditë jo të largët. Në Kosovë më këta njerëz apo pa këta do të aplikohet filozofia e Restitucionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat