Tahiri në luks, pabukësit e Kukësit në qeli

Opinione

Tahiri në luks, pabukësit e Kukësit në qeli

Nga: Azem Parllaku Më: 19 prill 2018 Në ora: 15:40
Azem Parllaku

Kur, Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, Saimir Tahiri nuk habit aspak, rishfaqet për të treguar se ai është modeli i politikanit, që do të na çojë drejt Europës me fjalorin e tij të zgjedhur. Ndërkohë që, kuksianët kishin dalë sërish në protesta për të kërkuar lirimin e 11 bashkëqytetarëve të tyre, të cilët u arrestuan pas protestës në Rrugën e Kombit, Saimir Tahiri doli nga salla e Kuvendit duke deklaruar se; "Nuk ka bir nëne e kurve që të pengojë të bëjë drejtësi". Njeriu potent i punëve të brendshme i shndërruar në "të paprekshëm", ish-ministri i Edi Ramës, i akuzuar për lidhjet me Habilajt dhe trafik droge, po përpiqet që të shpëtojë mandatin e deputetit, duke u paraqitur në Kuvend, gjoja si deputet i pavarur.

Edhe pse e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, Tahiri nuk i ka humbur të gjithë miqtë e tij. Prapa çdo biri nëne dhe biri kurve qëndron çdo nënë shqiptare e fyer rëndë nga palaçot si Saimir Tahiri, për të cilin Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ajo e Arsimit, Lindita Nikolla, ishin më të përmalluara, por nuk kishte si të mungonte edhe një përqafim mes dy ish-ministrave të Edi Ramës, Tahiri dhe Kodheli, e cila është përfolur për lidhje me trafikun e drogës. 11 bijtë e nënave kuksiane Prokuroria ngulë këmbë t'i mbajë në qeli, nga ana tjetër, tre muaj pasi mori kohë shtesë për hetimet ndaj dosjes "Habilaj-Tahiri", ngre sërish kartonin, duke kërkuar zgjatje të afatit hetimor edhe për 90 ditë të tjera. Shtyrja e hetimeve është firmosur deri në datën 18 qershor. Ky "veprim hetimor" vjen në një kohë kur ish-ministri i Brendshëm sipas ligjit antimafia është edhe nën hetim pasuror përderisa, ish-zyrtari i lartë aktualisht deputet i pavarur, dyshohet për trafik e korrupsion.

Hetimet për Tahirin, gjenden në vendqëndro, ndërsa për pabukësit Kukësit, policia dhe prokuroria vazhdojnë të çudisin me aktet dhe veprimet e tyre të urdhëruara politikisht. Vijimi i protestës së kuksianëve në mbështetje të të arrestuarve në shkelje të plotë morale, ligjore e Kushtetuese, nuk mund të jetë dhe nuk është një zhvillim nepotik. Megjithëse duket sikur protestuesit janë duke kërkuar që "vëllezërit dhe baballarët e tyre të lirohen", arsyet e vërteta janë komunitare deri në kombëtare. Protestuesit po mbështesin një pjesë të tyre që është rrëmbyer nga oligarkët politik e ekonomik, si një kampion i të gjithës për të frikësuar e nënshtruar të gjithë qytetarinë që proteston. Jo më larg se fundi i vitit të kaluar, një grup qytetarësh, të vetëshpallur si mbështetës të ish-Ministrit Saimir Tahiri, u grumbulluan përpara shtëpisë së tij dhe më pas përpara selisë së Kuvendit të Shqipërisë, duke bllokuar për shumë orë e ditë rrugën, me kërkesën për të mos arrestuar deputetin Saimir Tahiri.

Asnjë veprim nuk u ndërmorë nga Policia dhe Prokuroria, jo vetëm për t’i proceduar ato penalisht për tubim të paligjshëm, por as për të liruar rrugën. Liria e tubimit paqësor dhe pa armë, si dhe pjesëmarrja në to garantohet nga Kushtetuta. Tubimet në vende të hapura për publikun mbahen edhe pa njoftimin paraprak të policisë, në çdo kohë dhe pa kërkuar kurrëfarë leje. Këtë thotë ligji! Mirëpo, mesazhi është shumë i qartë: Kushdo që proteston kundër veprimeve arbitrare të Qeverisë dhe në mbështetje të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duhet arrestuar, ndërsa kush proteston që të mos arrestohet deputeti Saimir Tahiri, i akuzuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal që bënte trafik ndërkombëtar narkotikësh, nuk duhet shqetësuar.

Thirrjet "Lironi vëllezërit tanë" u dëgjuan të mërkurën në stadiumin "Zeqir Ymeri" në ndeshjen Kukësi-Laçi, për gjysmëfinalet e Kupës së Republikës. I gjithë stadiumi është dëgjuar të thërrasë në kor dhe të kërkojë lirimin nga burgu të kuksianëve që janë arrestuar pas protestës në Tunelin e Kalimashit për tarifën e vendosur në Rrugën e Kombit, çuditërisht këto thirrje nuk ishin lajm për median e blerë dhe të kapur. Të premten në Gjykatën e Apelit të Shkodrës do të zhvillohet seanca për masën e sigurisë të 11 kuksianëve te ndaluar pas protestës në Rrugën e Kombit. Avokatët e tyre, që apeluan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, kërkojnë lirimin e 11 protestuesve.  Ndërkohë Prokuroria i qëndron asaj mase sigurie që u vendos në Gjykatën e Shkallës se Parë arrest me burg. Policia dhe prokuroria vazhdojnë të çudisin me aktet dhe veprimet e tyre të urdhëruara politikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat