Kush po na e bën “ferr“ Shqipërinë?

Opinione

Kush po na e bën “ferr“ Shqipërinë?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 20 prill 2018 Në ora: 09:02
Xhevat Mustafa

...Në të vërtetë Shqipëria jonë “e bekuar“ dhe “e mallkuar“ ka ndryshuar ndjeshëm. Por, ishin të gjitha resurset dhe mundësitë për të ndryshuar shumë më tepër e për shumë më mirë, për t’iu afruar më shumë Zvicrës, Suedisë, Danimarkës... se sa Italisë, Kolumbisë, Meksikës...

Nuk përbën risi dhe diçka të pashpjegueshme që e majta, komunisto-socialiste është akoma  masivisht e mbështetshme dhe e votueshme në Shqipëri. Kjo nuk mund të shpjegohet si meritë eskluzive e lidershipit aktual të PS-së apo “Rilindjes“. Në mënyrë figurative mund të cilësohet edhe një prodhim “Made in Albania“ e “Made in Katovica“. Pse jo, edhe “Made in Soros“. Paradoksalisht kjo ndodh edhe në këto vite kur e majta klasike apo historike, përgjithësisht ka pësuar humbje të rënda në betejat zgjedhore, si psh në SHBA, Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani, Holandë, Danimarkë, Norvegji, Itali, Zvicër, Austri, Luksemburg, Spanjë, Portugali, Poloni, Hungari, Bullgari, Çeki, Kroaci, ...Një hartë, mediat, rrjetet sociale... ndihmojnë të konstatohet  se tifozllëku ndaj të majtës vazhdon të jetë më i lartë në gjithnjë e më pak vende, në Shqipëri, Serbi, Rusi, Kinë, Korenë e Veriut, Kubë, Venezuelë....

Falë partishmërisë gjenetike apo të trashëguar, angazhimit aktiv të kontigjenteve partiake, ushtarake, policore, të ish sigurimit, etj... PS-ja vazhdon të ketë mbështetje masive edhe jashtë vendit, në diasporë dhe emigracion. Kuptohet se mbështetja për të majtën nga rreth 765 mijë votues nga 2.876.591 banorë më 1 janar 2017 ose afro 25% e popullsisë, pa llogaritur sa është në të vërtetë përqindja e votave të vjedhura e të blera, krahas trashëgimisë, idealizmit apo nostalgjisë, diktohet jo pak edhe nga pragmatizmi apo interesat jetike, profesionale, të karrierës, përfitimeve...Ndërsa për ata që kanë ikur herët apo më vonë si emigrantë dhe janë integruar në vendet ku janë vendosur mund të përjashtohen interesat e ngushta individuale e familjare. Kështu që për kontigjentin e të majtëve në këtë komunitet  mbeten përcaktues trashëgimia, idealizmi, nostalgjia, pra lidhjet shumëformëshe me të shkuarën komuniste...Shumica e këtyre i fshehin këto si me gjethe fiku duke u kapur tek alergjia apo urrejtja patologjike që kanë ndaj të djathtës tradicionale apo historike në përgjithësi si dhe PD-së dhe Sali Berishës, në mënyrë të veçantë. ..

Sidomos në kohë zgjedhjesh dëgjon jo pak të majtë që shprehen, pa ua vënë në diskutim sinqeritetin “E shikojmë, e kuptojmë dhe e pranojmë se “Rilindja“ dhe Edi Rama nuk po qeverisin mirë dhe na kanë zhgënjyer, por përsëri për PS-në do të votojmë, sepse nuk na hyjnë kurrë në zemër PD-ja dhe Sali Berisha...Sa të jetë gjallë Saliu ne do të votojmë vetëm të majtën“. Por, nëse do të bëhet thellë dhe objektivisht analiza nuk është e vështirë  të arrihet, të paktën  në dy përfundime. I pari, kështu ata viktimizojnë gjatë  edhe vetveten, sepse nuk lejojnë rrotacionin politik, nga i cili mund të vinte një qeverisje e re, qoftë edhe 10% më e mirë se ekzistuesja. I dyti, nëqoftëse do ta analizojnë me ftohtësi rolin dhe veprimtarinë e Sali Berishës mund të dalë se ai, me ato që ka bërë dhe nuk ka bërë gjatë 27 vjetëve, jo padashje e nga mungesa e përvojës, por për skenarin e Katovicës,  i ka shërbyer më shumë të majtës se sa të djathtës.   

Mbështetja vullnetare e qeverisë, edhe kur nuk ka të drejtë e po gabon,  u vu re edhe disa ditë më parë, në kundërvënien e qindra qytetarëve të Kukësit për taksën në Rrugën e Kombit. Nga brenda dhe jashtë vendit nuk qenë të paktë zërat, që u kapën fort tek djegia e disa barakave për vjeljen e një takse arbitrare, antihumane, antisociale dhe i përmbytën kuksianët me akuzat për “dhunë të patolerueshme e të dënueshme, për vandalizma...“. Këta “avoketër vullnetarë“ të qeverisë “harruan“  se edhe vendimi qeveritar shpreh pastër e qartë arrogancë, autoritarizëm, prepotencë, pashpirtësi njerëzore dhe sociale, dhunë psikologjike, financiare, fizike...

Mjafton të llogaritet se, për të pasuruar edhe më shumë ortakët dhe veteveten, do t’u merreshin 10 euro në ditë qytetarëve kuksianë, më të varfërit në vend, me rreth 50 - 60 euro apo dollarë në muaj mbështetje sociale, me rreth 100-150 euro apo dollarë në muaj pensione, me rreth 200-300 dollarë apo euro paga mesatare, me të cilat, më së shumti,  mbijetojnë familje me 4-6 anëtarë. „Harruan“ se  kjo përbën një faturë të rëndë edhe për shumicën e qytetarëve të Kosovës, afërsisht me të njejtin nivel të ardhurash me shumicën e qytetarëve të Shqipërisë...“Harruan“ gjithashtu se protesta me dhunë ka organizuar jo rrallë edhe PS-ja, duke u dhënë të drejtë kundërshtarëvë të tyre të mendojnë se për socialistët dhe tifozët e tyre “dhuna dhe revolucioni janë e drejtë, liri, traditë dhe eskluzivitet vetëm i të majtës, kur është në opozitë“. Edhe qeveria, edhe avoketërit e saj “harruan“ edhe përvojën e një vendi fqinj, të Maqedonisë, ku taksa për autostradë është rreth 50 denarë apo rreth 1 euro. “Harruan“ edhe faktin se në vendet ku vilen taksa për udhëtime nëpër autostrada, krahas tyre, janë në gjendje shumë të mirë dhe jo të pakta rrugët dytësore apo alternative, që numërohen me gishtrinjt e njërës dorë tek ne dhe janë në gjendje të mjerueshme. Këto vërtetë mund të jenë pak më të gjata e jo aq komode, por gjithsesi janë të leverdisshme financiarisht...“Harruan“ edhe se jo shumë larg nesh, gjeografikisht dhe në kohë, demonstrata dhe protesta të dhunshme ka pasur edhe në kryeqytetet e demokracisë botërore, në Athinë, Romë, Paris, Bruksel...

Shpreh më shumë se partishmëri, pragmatizëm apo njëanshmëri, t‘u  kërkosh mbi 2 milionë shqiptarëve, që nuk kanë votuar fare apo kanë votuar kundër Edi Ramës më 25 qershor 2017 dhe që kanë 1001 vërejtje dhe kritika ndaj tij, që t’i durojnë të gjitha veprimet e tij antisociale dhe arbitrare. Në të kundërt, ata që nuk e duan dhe nuk e mbështesin, nënkuptohet se mbeten të jenë antidemokratë, antiintegrim, antishqiptarë?!!! Apo flaken nga partia si Ben Blushi dhe Mimoza Hamizi, pa u merakos fare se janë intelektualë elitarë dhe me kontribute të ndjeshme për PS-në. Por, mund t’u vihen edhe prangat, si djemve të Kukësit. Sipas logjikës së korit të rilindasve në vend dhe në diasporë, të hapur, të fshehtë apo të mbuluar me qethe fiku, mund të nënkuptohet edhe thirja apo mesazhi: duajeni, durojeni dhe mbajeni sa më gjatë mbi kokë Edi Ramën me shokë e shoqe,  me gjithë zullumet që po bëjnë, vetëm që të mos rikthehen në pushtet PD-ja dhe Sali Berisha! ! Mund të nënkuptohet edhe thirrja:“ lerini sa më gjatë në pushtet “rilindasit“, sepse ata i do miliarderi Soros, presidenti Erdogan, disa komunisto-socialistë në Bruksel e Strasburg...Apo sepse i do Ornela Vorpsi dhe disa adhurues të tjerë të tij shqiptarë nëpër botë. Për reciprocitet apo provokim edhe të djathtëve u lind e drejta t‘u kërkojnë të pamundurën dhe qesharaken këtij kori dhe të gjithë të majtëve: duajeni Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, sepse i duam ne dhe sepse Edi Ramën nuk e duam ne, nuk e do edhe Donald Trump...!

Do t’i ftoja  tifozët e “Rilindjes“ dhe personalisht të Edi Ramës, që jetojnë jashtë, të vijnë të  jetojnë të paktën 1 muaj në Shqipëri, duke iu uruar sinqerisht të mos kenë fatin e keq të shtrohen qoftë edhe një ditë në spitale, ku me shumë gjasa mund të lemerisen. Me siguri, shumica e tyre do të shikojnë dhe  kuptojnë se sa janë shtuar korrupsioni, kriminaliteti, të papunët, të falimentuarit, të varfërit, lypsat, rrëmihësit e përditshëm nëpër kazanët e plehrave, të depresuarit, të divorcuarit, të droguarit, të çmendurit, të pashpresët, të vetëvrarët, njerëzit që flasim me vete rrugëve, hajdutët e xhepave, të shtëpive, prostitutat....Do të gjejnë plot  të gatshëm për të ikur ku të mundin nëpër botë, të bindur se Shqipëria e sotme për nga mjerimi i ngjan jo pak asaj të viteve 1989 -1992...Natyrisht do të shikojnë dhe kuptojnë lehtë e shpejt edhe se disa ortakë të qeverive janë pasuruar marramendshëm, edhe më shpejt e më lehte se Trumpi dhe Sorosi. Kur të vijnë, do të bënin mirë të mos shikonin vetëm sheshet, fasadat, betonet, kullat, Sheshin Skenderbej, Parkun e Liqenit, pedonalet në qytetet bregdetare, por të shkojnë përtej tyre, në laqjet e periferisë, në qytetet e vegjël, në zonat e thella, ku mbretëron mjerimi. Gjithashtu, do t’u sugjeroja apo këshilloja që të mos shikojnë vetëm ekspozitat e Ornela Vorpsëve në hollin e kryeministrisë, e shndërruar disa herë në galeri për ekspozita pikturash ekstravagande...në kohë krize e mjerimi apo „kolere“,  por realitetin e përditshëm, ekspozitën gjigande e të pakufi të varfërisë! Nëqoftëse do ta shikojnë realitetin me sytë e tyre dhe jo të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, nuk do ta kenë të vështirë për të  kuptuar se klasa politika dhe qeverisëse në Shqipëri ka punuar shumë më tepër për veten, familjet, ortakët se sa për Shqipëri dhe shqiptarë.  Kjo do t’i ndihmojë edhe për të kuptuar se cilit skenar i kanë shërbyer shumica e tyre, duke bërë masiv tek shumica e shqiptarëve opinionin dhe deklarimin se “këtu nuk jetohet“, se “ky vend është i mallkuar e nuk bëhet“, se “këtu nuk krijohet shtet i vërtetë“... Së fundmi, kjo do t‘i ndihmojë edhe të kuptojnë se Shqipëria po qelb botën jo nga “kazani mediatik“, por nga “haleja“ politike dhe qeverisëse“.

Ishte e pritshme që Shqipëria do të katandisej në këtë ditë, për deri sa në kohë krize na u vetëzgjodh si kryeministër një piktor dhe ish basketbollist, dhe si ministër i financave ai gjeti me qiri dhe emëroi një mësues anglishtjeje... Sipas vizionit, skenarit apo interesave të Edi Ramës grupi parlamentar i PS-së, sidomos në mandatin e parë, u mbush me burgaxhinj e të inkriminuar me shumë emra dhe pseudonime dhe qeveritë e "Rilindjes" u mbushën me partiake dhe partiakë të bindur dhe jo me personalitete me karrierë dhe përvojë të pasur, çka nuk e gjen në asnjë vend tjetër të Evropës. Ata që jetojnë në Amerikë duhet ta dinë se mosha mesatare e qeverisë së Presidentit Trump, që po tregohet e suksesshme, sidomos në fushën e ekonomisë, është afro 20 vjet më e lartë se e qeverive Rama 1 dhe 2. Mund t’u kujtoj të gjithëve edhe se kancelarja gjermane Angela Merkel e mbajti për shumë vjet Ëolfgang Schäublen si ministër të financave, edhe duke lëvizur me karrike, sepse ai ishte një nga specialistët më të mirë në botë në fushën e financave...dhe jo thjeshtë si një militant partiak...Prandaj, për deri sa tallemi dhe bëjmë eksperimente fatale me vetveten, duke bërë kryeministra doktorë e piktorë apo çuna 30 vjecarë, Shqipëria do të katandiset kështu si është, për t'i qarë hallin dhe për t‘iu larguar një ditë e me parë, me çdo rrugë dhe faturë. Së fundmi, për të shmangur pesimizmin apo skepticizmin, deri në lemeri nga jeta apo realiteti në Shqipërinë e sotme, dëshiroj të theksoj se nuk është as e vërtetë dhe as e drejtë përralla që përhapin kafeneve, rrugëve dhe trotuareve disa “komisarë“ të vjetër e të rinj se “dikur ishim më mirë“. Në të vërtetë Shqipëria jonë “e bekuar“ dhe “e mallkuar“ ka ndryshuar ndjeshëm. Por, ishin të gjitha resurset dhe mundësitë për të ndryshuar shumë më tepër e për shumë më mirë, për t’iu afruar më shumë Zvicrës, Suedisë, Danimarkës... se sa Italisë, Kolumbisë, Meksikës... Kuptohet, nëqoftëse nuk do të ekzistonte “Katovica“...si skenar dhe jo si qytet... Ndoshta kjo ka ndodhur edhe për kënaqësinë e fqinjëve, të Sorosit, etj. se dhjetra milionat e dollarëve të investuar prej tyre kanë dhënë frytet e planifikuara, duke e bërë Shqipërinë siç është e jo siç duhej të ishte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat