Nga po shkon Kosova?

Opinione

Nga po shkon Kosova?

Nga: Ragip Guraziu Më: 20 prill 2018 Në ora: 11:05
Ragip Guraziu

Rreth 2 dekada më parë, Kosova ishte në luftë. Nga fillimi i vitit 1989, kur u suprimua Kushtetuta e Kosovës, të gjithë ishim të okupuar nga Serbia, por ishim shumë të lidhur njëri me tjetrin dhe na mbante shpresa se një ditë do të fitohet liria. Mu për këtë i tërë populli ishin të organizuar për të shpallur dhe për të nderuar shtetin e Kosovës. Pavarësisht se dukej e pamundur fitorja ndaj një okupatori të egër. Raportet në mes partive politike dhe popullit të Kosovës ishin shumë të mira, kështu që ishim të sigurt në fitoren ndaj armikut shekullor, Serbisë. Pavarësisht bindjeve politike, të gjitha partitë politike dhe i mbarë populli e adhuronte dhe i besonte në atë kohë presidentit Rugova, për ta udhëhequr vendin drejt fitores, pasi ishte një subjekt politik i asaj kohe që udhëhiqej nga Ibrahim Rugova. Edhe atëherë kishte zëra të vetmuar, që e kritikonin presidentin Rugova, për politikë të dështuar, siç e quanin ata. Por e vërteta ishte ndryshe, presidenti Rugova arriti të mobilizojë mbarë popullin kundër një pushteti totalitar, duke e shpallur shtetin e Kosovës me referendum, sipas vullnetit të mbi 95% të popullit të Kosovës. Gjithashtu arriti që me politikën e tij paqësore dhe vizionare, të krijojë miq në mbarë botën perëndimore, të cilët na mbështetën politikisht dhe më vonë edhe ushtarakisht, shkruanin gazetat kosovare të asaj kohe.

Ndarjet në luftë i kanë kushtuar shumë Kosovës

Populli i besonte presidentit Rugova, i cili në çdo konferencë u drejtohej faktorit, SHBA dhe BE që të ndërhynte për të shpëtuar popullin nga gjenocidi, gjë që edhe ndodhi me ndërhyrjen e NATOs, e cila përfundimisht e përzuri Serbinë nga Kosova në qershor 1999. Sigurisht që vend të veçantë zë lufta e armatosur e UÇK-së dhe djemtë e vajzat më të mira që dhanë jetën në frontet e luftës. Ka edhe të atillë që patën fatin të shpë- tojnë dhe sot të shijojnë lirinë së bashku me popullin e tyre. Deri në fillim të luftës nuk kishte ndasi, sepse të gjithë ishin të përkushtuar që në mënyra të ndryshme t'i kundërviheshim armikut. Me fillimin e luftës, filluan divergjencat në mes të atyre që dëshironin të përfitonin, duke u thirrur si komandantë të vetëshpallur dhe në vend që të krijonin unitet brenda ushtrisë, ata bënë ndarje në FARK dhe UÇK, gjë që Kosovës i ka kushtuar shumë. U desh që miqtë tanë: SHBA dhe BE të dërgojnë armatën më të fuqishme në botë, NATO-n të ndërhyjë për të çliruar vendin, duke na çliruar më 10 qershor 1999. Populli gjithmonë do të jetë mirënjohës ndaj miqve tanë perëndimorë dhe ushtarëve të NATO-s, që rrezikuan jetën e tyre për ne. Gjithashtu jemi krenarë me UÇK-në, e cila e nisi luftën me armikun për lirinë e popullit të vet. Mjerisht disa individë, të cilët më shumë kanë qenë larg fronteve të luftës, rrihnin gjoks duke thënë se merita është e tyre për çlirimin e vendit dhe në këtë mënyrë u treguan mos mirënjohës ndaj miqve tanë që na sollën lirinë. Kosova gjithashtu u pavarë- sua me ndihmën e miqve tanë perëndimorë. Me të drejtë populli pyet, çka jemi duke bërë ne për shtetin tonë të shumë vuajtur? Mjerisht disa politikanë janë orientuar në ruajtjen e pozitave , apo ardhjen në pushtet me çdo kusht dhe nuk po e shohin se në çfarë situate e kanë sjellë Kosovën. Dialogun me Serbinë e filluan të pa përgatitur dhe të pa interesuar se çfarë vërtet po dialogonin. Popullin e "siguruan" se nuk do të ketë negociata politike, por teknike. Nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë të bisedohet për çështje të brendshme që cenon rendin kushtetues. Tani po vërehet se negociatat ishin pikërisht politike dhe që prekin rendin kushtetues, bile duke ndërhyrë edhe në projektin Ahtisari dhe duke e shndërruar në Ahtisari plus. Bisedat me Serbinë, Kosovës nuk i kanë sjellë dobi, përkundrazi e kanë trazuar vendin, kur po e shohim opozitën se si po vepron. Sigurisht që Kosova duhet të ketë raporte fqinjësore edhe me Serbinë, por gjithnjë si dy shtete fqinje dhe pa ndërhyrje në punët e brendshme të njëra- tjetrës.

Marrëveshja e dëmshme

Marrëveshja e 19 prill 2013 e firmosur në mes të kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, ishte themeli i të gjitha bisedave që kanë pasuar, andaj opozita nuk ka të drejtë të fajësojë këtë qeveri të udhëhequr nga Isa Mustafa, bile as AAK-në dhe as Nisma-n nuk kanë të drejtë të thirren në kauzë, sepse shumica prej tyre kanë qenë përkrahëse e marrëveshjes së 19 prillit 2013, duke e votuar në Parlament. Vërtet në atë kohë kishte dilema sa i përket Asociacionit Serb, por këtë dilemë na e kishte hequr kryeministri i asaj kohe,Thaçi , duke na thënë se ky Asociacion nuk është asgjë tjetër veç një OJQ dhe se në asnjë mënyrë nuk do të preket rendi kushtetues. Tani pas marrëveshjes së 25 gushtit 2015 të firmosur në mes të kryeministrave Mustafa dhe Vuçiq, po shihet se nuk qenka bash OJQ, por një entitet me disa përgjegjësi në fusha të caktuara dhe që ndikon në kushtetutën e vendit. Atëherë çka duhet të bëjë opozita? Të paralizojë vendin, duke bllokuar jetën institucionale? Duke përdorur gaz lotsjellës kundër kolegëve të vetë deputet, të përdor sprej për të verbuar kryeministrin dhe ministrat? Jo zotëri kjo nuk është zgjidhje, ky veprim është i pa pranueshëm dhe shumë e dëmshme për vendin, e tha dikush këtë..... Kemi dëgjuar edhe vërejtjet tjera të opozitës, që bënte me demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Mali të Zi. Nëse është e vërtetë që komisioni ynë ka bërë gabime gjatë bisedave dhe ka përgatitur dokumentacionin me të cilin Kosova do t'i humb rreth 10 mijë hektarë të territorit të vet, atëherë, pse duarkryq rrinim ne që është dashur të kërkonim ndërrimin e komisionit duke zgjedhur ekspertë dhe të vërtetoni se ky komision ka bërë gabim, të kërkoni përgjegjësi ndaj tyre për dështimet në punën e bërë, gjë që mund të vërtetohet dhe nuk ka nevojë që të paralizohet jeta institucionale në vend. Me siguri tashmë po vërehet se populli është lodhur dhe kjo metodë e udhëheqësve tanë është e pa pranueshme, sidomos e atyre që po shtirren në emrin e patriotizmit, që më shumë deri sot na kanë sjellë dëme se rezultatet.... Pozitë dhe Opozitë, mos të harrojmë se pa përkrahjen e miqve tanë, SHBA dhe BE, Kosova e ka vështirë, për të mos thënë të pamundur, të mbijetojë, andaj nëse vërtet e keni për interes të vendit dhe jo ndonjë arsye tjetër, mos veproni në këtë mënyrë se jeni duke i shkaktuar dëme të pa riparueshme Republikës së Kosovës.

Mungesë programore

Pozicionimi i partive politike në raport me çështje të caktuara, është tregues i zhvillimeve jo vetëm aktuale, por edhe atyre që do të pasojnë, kurse kjo është një karakteristikë për çdo shtet normal në botë. Por, një përcaktim i tillë ka parakushtet e tij, duke u nisur nga vetë programet e subjekteve politike që janë në fakt parakushti thelbësor i cili i mundëson një subjekti shpalosjen e vizioneve për shtetin e në veçanti për jetën e qytetarit. Një situatë ku partitë politike kanë programet e tyre thjeshtë sa për t'i pasur, përveçqë tregon stadin e zhvillimit të mendimit politik që mbretëron brenda partive, flet edhe për shumë mangësi të tjera me të cilat partitë ballafaqohen, por edhe tregojnë për një shqetësim që do të duhet të ishte shumë më alarmues, e kjo është një popullatë, e cila duke heshtur defektet e partive, të cilat i voton, sikurse është pajtuar me fatin që ka. Pozicionimi politik i partive në Kosovë, me disa përjashtime të vogla, asnjëherë nuk ka qenë i qartë dhe assesi jo transparent, kurse në ato raste kur ka qenë transparent apo më mirë të thuhet kur ka pas brumë të mjaftueshëm që diçka të prezantohet, ka qenë i shoqëruar vetëm me karakter deklarativ, por jo edhe me angazhime të vërteta. Mungesa programore apo edhe mungesa e sinqeritetit për t'iu përkushtuar së paku zotimeve elektorale, po krijon në Kosovë një situatë, e cila po lëviz në drejtim negativ, kurse në përditshmërinë e qytetarit të zakonshëm reflekton gradualisht me atë që në Kosovë me plot të drejtë po quhet humbja e shpresës. Kosova e pasluftës me halle të mëdha për shumicën e qytetarëve të saj për të siguruar kafshatën e gojës. Kosova e pasluftës me politikanët me të kompromentuar në historinë e saj, me pakë përjashtime. Kosova me pasanikë që u bënë të pasur sa çel e mbyll sytë gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës me punë të pista. Kosova me akademi dhe pa akademi, me intelektualë dhe me shumë pseudointelektualë, por askush nga ''paria'' e vendit nuk po i bënë ''hesap'' për asgjë, edhe pse pseudointelektualët shtirën se janë të rëndësishëm shumë, ngaqë padronët e tyre ua kanë dhënë ca kolltukë sa për dekor politik dhe për asgjë tjetër. Kosova me shumë ''gazeta'' dhe pa gazeta, me shumë ''gazetarë'' dhe me pak gazetarë, Kosova me shumë kanale televizive dhe me shumë burime të informimit, por shumë pak prej tyre merren me të vërtetën, me hallet e vërteta të qytetarëve, shumë pak merren me kurthet dhe humnerat që po ia përgatisin Kosovës dhe qytetarëve të saj të ''sertit'', të ''merituarit'', mafiozët, ata të cilët e ndanë Kosovën në sfera të interesit, për ta kullotur, sikur të ishte livadh që ua kanë lënë trashëgim prindërit.

Ligjet e xhunglës

Kosova me shumë policë dhe pa policë, Kosova me shumë prokurorë dhe pa prokurorë, Kosova me ''sistem gjyqësor'' dhe pa sistem gjyqësor, Kosova me ''drejtësi '' e pa drejtësi, Kosova me ''pushtet'' e me pa pushtet, Kosova me një Qeveri dhe me shumë Qeveri ! Kosova me kontraste dhe dallime të mëdha. Kosova e zhytur në varfëri. Kosova me kriminelë të llojllojshëm, kriminelë urdhërues dhe kriminelë dorasë. Kosova me kriminelë serbë, me kriminelë shqiptarë dhe me kriminel rumunë. Kosova me kriminelë të privilegjuar, por më të privilegjuarit prej të gjithëve po shihet se janë kriminelët ''patriotë''. Ata që u vunë nën urdhëratë e partiakëve të ''shtirë'' , xhahilë dhe të ''sertë''. Ata që për hatër të partisë dhe ''pogllavicës'' bën krime në pikë të ditës të maskuar me maska por të shumtën e rasteve edhe pa maska, duke pushkatuar veprimtarë të dalluar të Kosovës, për të vetmin shkak se ata kishin autoritet ku jetonin dhe ku punonin, se ishin veprimtarë të dalluar, pra i donte populli. Sa çudi, çfarë kohe kemi mbërri, për këta burra të fortë të kombit që u vranë vetëm pse e donin Kosovën më tepër se jetën e tyre, nuk interesohet askush nga kompetentët, së paku për t'i zbuluar kriminelët për t'ua dhënë dënimin e merituar që ua shuan jetën. Po këta kriminelë, të zgjedhur nga mafia për ''trimëri'', shëtisin të lirë kah ua donë zemra, syri dhe këmba, për të bërë ahengje nëpër vende turistike, sepse kanë bërë pasuri, kanë zënë pozita, kanë bërë ''emër'', besa edhe i kanë ''pastruar'' biografitë e pista me ''nishane'' në kraharor, apo me ''tituj'' të lartë shkencorë, që ua siguroi funksioni. Kosova me kriminelë të ''Cërrna rukes serbe'' të cilët vranë, dhunuan dhe masakruan qytetarë të pafajshëm të Kosovës, por as drejtësia e vendit as ajo ndërkombëtare, nuk po kanë kohë të merren me ta, se ashtu po e do ''politika'' dhe ''siguria '' e vendit !? Kosova e lodhur nga skamja dhe mjerimi, por e shastisur nga gënjeshtrat dhe premtimet e kota të xhambazëve politikë, dhe ''bijve të zgjedhur'' të malësisë e të rrafshit, të xhunglës dhe moçalit, të partive ''nënë'' dhe partive ''njerkë''. Kosova ndodhet në kryqin e rrugëve qe sa kohë nuk po luan nga vendi. A thua cilën rrugë do ta marrë?! Ka mbetur shumë punë për ta kryer dhe shumë mund për ta bërë njerëzit e devotshëm të Kosovës martire, që ajo ta marrë rrugën e shpëtimit, rrugën e drejtësisë dhe të vërtetës, Rrugën e të Madhit Zot. Atë rrugë që do të sjellë ndryshime të mëdha në Kosovë, ku qytetarët e saj do ta ndërrojnë vetveten, duke mos qenë më rob. Pra, Kosova do të marrë rrugën e suksesit dhe përparimit, rrugën e faqes së bardhë, vetëm atëherë kur në Kosovë dhe në gjithë hapësirën tonë kombëtare të forcohen forcat e së vërtetës, forcat që ia duan të mirën vendit, besimtarët e sinqertë që i besojnë një Zoti. Vetëm atëherë kur Kosova të gjejë forca për t'ua dhënë dënimin e merituar forcave të territ, forcave të faqeve të zeza, forcave të krimit, forcave të manipulimeve të llojllojshme, bashkësia ndërkombëtare do të detyrohet( miqtë dhe armiqtë tanë) ta pranojnë pavarësinë e plotë të Kosovës. Pra, vetëm atëherë kur shqiptarët tregojnë zotësi për të krijuar shtet ligjor, do të çmohen dhe do të konsiderohen aleatë të denjë të qendrave të vendosjes ndërkombëtare. Pra, vetëm atëherë duhet shpresuar se gjaku i derdhur i bijve më të mirë të kombit, gjaku i dëshmorëve nuk do të shkojë huq. Vetëm atëherë duhet shpresuar se Kosova do ta gëzojë dhe do ta fitojë pavarësinë e plotë dhe të merituar, pavarësinë për të cilën shumë gjenerata dhe burra të fortë nuk kursyen asgjë nga jeta e tyre. Jeta në Kosovë është bërë e rëndë dhe e paperspektivë. Populli është i hutuar me situatën politike nëpër të cilën po kalon vendi ynë. Nuk është e qartë kush vërtet është "patriot" dhe kush është " tradhtar".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat