Tragjedia e dy kalamajve dhe e mjekes Dritë

Opinione

Tragjedia e dy kalamajve dhe e mjekes Dritë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 22 prill 2018 Në ora: 07:45
Gani Mehmetaj

He, - po mjekja. Nuk më kujtohet kur e përmenda mjeken Dritë për herë të parë. Ia kërkova që ta ndihmonte, që të mos e dëbonin. Më shikoi gjatë, dikur më tha:

- Shih punët tuaja, grua! Ato janë punë të shtetit!

E mbylla gojën. Me mjeken Dritë punuam bashkë në spital. Ajo ma shpëtoi djalin nga vdekja. Nuk do t'ia harroj kurrë, doja t'ia ktheja, por nuk e ndihmoja dot. Thanë se e kanë dëbuar, apo e mori i shoqi me vete, nuk dihej me siguri.     

Rrija e shikoja tej dritares nga mëngjesi në mbrëmje, duke e kujtuar arsyen pse erdhëm këtu dhe si t’ia mbathnim. Toka e premtuar na mallkonte. Nuk e di pse. Rrallë dilja në qytet. Ç’të shihje? Policë, paramilitarë, rezervistë. Në fillim më krijonin siguri, e ndieja veten mirë, më vonë më bezdiste prania e tyre. Ishin të pagdhendur, të pistë e gojështhurur. Si të shikonin, të dukej sikur të zhvishnin me sy. Nuk u bëhej vonë çfarë moshe ishe.

Rreshtat për bukë më tmerronin. Si në Bashkimin Sovjetik dikur. Flitej se edhe në furnizime kishte privilegje. Rrugët e zbrazëta më hanin. Frikësohesha nga ndonjë terrorist që do të më hidhej në qafë, megjithëse policë kishte gjithandej. Por nuk i dihej. Gati i ndërpremë vajtje-ardhjet te njëri-tjetri. Me të rrallë dëgjoheshim në telefon. Djemtë i thërrisja çdo ditë, derisa u ndërprenë linjat, ose ata më thërrisnin, më pyesnin për babanë, sepse me të rrallë dëgjoheshim. Frikësoheshin për ne, në Serbi përhapeshin tregime rrëqethëse për terrorin e shqiptarëve...     

Me fillimin e bombardimeve vrapoja në strehimore: një bodrum i përbashkët, i errët që ta zinte frymën. Çdoherë i thosha vetes: "Më nuk do të zbres në strehimore", nuk mësohesha me kalamajtë që qanin. Disa herë u dridh strehimorja jonë. T’i shihje se si po ata fëmijë befas shushateshim, ngjiteshin pas nënave. Me të pushuar alarmi dilnim të gjithë me nxitim, pa e pritur njëri-tjetrin. Nata ishte e frikshme. Më tmerronin klithmat që shpërthenin kohë pas kohe nga lagje të ndryshme të qytetit. Nuk e di të kujt ishin? Por më rrëqethnin. Me shqiptarët nuk rrija asnjëherë, nuk janë më në qytet. Dikur patëm miqësi me mjeken Dritë, por edhe ajo kohë kaloi.

Çfarë të flisja për tanët? Nuk i kuptoja njerëzit. Ndryshuan, u bënë më të babëzitur, më të egër. Endeshin patrullat e paramilitarëve, ca koka të rruara, për të cilat thuhej se i lëshuan nga burgu. Thonë se tërë kohën janë të dehur, kanë fjalor të pistë, shpesh kapin nacionalistë shqiptarë. Se nga mbijnë këta nacionalistë? Një herë u tha se i vranë të gjithë, herën tjetër na tregonin për kapjen e numrit të madh të armatosur. I nxirrnin para kamerave. Sa shumë i urreja.

Në udhëkryqin tonë kishte lëvizje. Gjithnjë dikush ikte, tjetrit sulmonte, vraponte pas dikujt. Djelmoshat bjerrakohës rrinin prapa shitores, pinin tërë ditën birra e raki. Ku i gjenin, nuk e kuptoja. Ndonjëherë i ndalonin njerëzit. Flitej që ua bënin gjyqin aty për aty. Nuk më dukej në rregull kjo gjë, prandaj ia thashë burrit.

- Pse nuk i dërgojnë në stacionin e policisë?

-Mbylle gojën! -më tha ai, -nuk është punë për ty! - Heshta.

Kur nisën t’i dëbojnë shqiptarët prapë i thashë: -Pse nuk e mbrojmë familjen e Dritës, mjekes? Një herë na e shpëtoi Zoranin nga ngufatja. Si sot e kam parasysh kur djalit tonë i mbeti diçka në grykë, zgurdulloi sytë. Djali i gjorë, gati vdiq. Erdhi mjekja Dritë dhe e shpëtoi. Kurrë nuk do t’ia harroj. Edhe në spital derisa punonte të gjithë e donin, por e dëbuan nga puna, sepse nuk e pranonte shtetin tonë.    

Ku e pashë për herë të fundit doktoreshën?

Nuk ua them dot, nuk më kujtohet. Edhe në rrugë i shmangeshim njëra-tjetrës. Më vinte turp për sjelljen time, por burri ma tha në mënyrë të prerë: -Asnjë fjalë me shqiptarët! -  Fqinjët shihnin nga dritarja, do të më gjykonin.

Burri prapë ma tërhoqi vërejtjen një ditë para se të nisnin bombardimet: -Mos u merr me të, ajo është shqiptare, kaq të mjafton besoj!

Nuk ia ktheva fjalën. Burri pinte mu si paramilitarët tek udhëkryqi. Ai ishte i stresuar si të gjithë ne. Bombat e lufta e nxorën nga binarët.  

Mbase do të ishte më mirë sikur unë të shkoja me djemtë në Serbi, burrin ta lija këtu. Sa më shumë vazhdonte lufta përtej maleve, më pak kuptoja çfarë po ndodhte. Thashethemnaja bëhej edhe më e turbullt. Nisën të përhapen fjalë për skena të lemerishme. Thuhej se grupe të armatosura të shqiptarëve i zinin në befasi rezervistët tanë dhe i prisnin në fyt. Kokat ua merrnin trofe lufte. Burri im ishte rezervist. Ndonjëherë nuk kthehej disa ditë. Kjo gjë ma dërmonte vullnetin për jetë, më bënte t’ia mbathja. Disa nisën të pëshpëritnin se tanët po dobësoheshin, se do t’ua dorëzonin vendin të huajve. Të tjerët flisnin me tmerr sikur së shpejti do të futeshin ushtarët shqiptarë. Priteshin hakmarrje të lemerishme: ata do të kërkonin njerëzit e tyre, që nuk ishin më, do të kërkonin shpagim...

Po ne që s’kishim bërë asgjë. Ç’na priste? Ku do ta merrnin vesh shqiptarët kush vrau e kush jo? 

Kohëve të fundit shkonim te njëri-tjetri gjithnjë e më dendur, bisedonim, hamendësonim, ndiqnim televizorin, përpinim deklaratat e politikanëve tanë. Ata vazhdonin të na shisnin përralla, s’na thoshin asgjë konkrete. Shanim mbarë e mbrapshtë. Diçka po ndryshonte, e ndieja se shteti po e merrte tatëpjetën. Në mbrëmje televizori jepte herë fjalët e politikanëve që përsëriteshin ditën, herë filma partizanë. Sikur të ishte jeta si në filmat partizanë. Çdo mbrëmje pasi iknin aeroplanët bombardues që më fusnin tmerrin, ndezja dritat, shtypja butonin e telepilotit dhe e gjeja kanalin ku jepej gati çdo natë nga një film lufte. Tanët gjithnjë triumfonin mbi armikun. Kënaqesha. Në filma gjithherë fitonim, në luftën e tashme nuk isha e sigurt ku ishim, të luftoje kundër botës nuk më dukej punë me mend. Asnjëri prej nesh nuk ia pranonte tjetrit se po bëjmë luftë së koti, që do ta humbim, nuk guxoja as të bisedoja me burrin tim, nuk ia thashë asnjëherë dyshimet, sepse ai do të nxehej keq, gjithnjë shpresonte se një ditë do t'ia behnin rusët e do të na shpëtonin nga agresorët imperialistë, apo sikurse thoshte ai me një përfundim edhe më fatlum: " Rusët do t'u thoshin amerikanëve: "Mjaft më, e tepruat!"

Besonte se me këta që e kanë ngritur kokën do ta kemi shumë më lehtë, "vetëm të mos përzihen amerikanët, pale do ta shihnin se si do të bëheshin qengja". Më pëlqente besimi i tij, doja ta besoja edhe unë, por s'kisha se si, megjithëse edhe në ato biseda të rralla që i bënin kur mblidheshim bashkërisht me ndonjë shok të burrit e me gratë e tyre, gjithnjë i jepnin zemër njëri-tjetrit, por sikur e kapja që i brente dyshimi.

Prisja kot burrin, as sonte nuk do të vinte para se të gdhihej. Edhe pasi përfundonte programi televiziv rrija zgjuar, ndonjëherë pasi e fikja ekranin në errësirë shikoja tej dritares. Qetësia se si më bënte ta ndieja veten të vetmuar e të braktisur, të braktisur nga zoti e nga robi, të lënë vetëm nga burri që mezi e sillte mëngjesi. Nuk e dija kur vinte saktësisht. Herë-herë si në ëndërr e ndieja zhurmën e tij kur zhvishej, apo më ushtonte në vesh edhe një kohë pasi e zinte gjumi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat