Edhe një herë për veteranët

Opinione

Edhe një herë për veteranët

Nga: Gani Qarri Më: 22 prill 2018 Në ora: 15:17
Gani Qarri

Më 14 maj të vitit 1948, David Ben Gurion dhe 36 bashkëpunëtorët e tij, nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë së Izraelit. Sipas kalendarit hebraik, të enjten më 19 prill 2018,u festua 70 vjetori i Pavarësisë. Ata ishin njerëzit që u përbetuan të krijonin shtetin izraelit me çdo çmim. 

Për ndryshim nga hebrenjtë, në Kosovë, sikur është kuptuar çdo gjë ndryshe. Madje edhe përbetimi sikur nuk është bërë për të krijuar dhe ndërtuar shtet, por për të zhvatur dhe përfituar çdo gjë për vete në kurriz të qytetarëve dhe shtetit tonë të brishtë.

Kjo vlen edhe sa u takon veteranëve. Çdo gjë qysh në fillim ka nisur mbrapsht. Pikësëpari nga statusi i veteranit, do duhej përjashtuar me vendim të prerë, të gjithë ata të cilët nga qershori deri në fund-shtator të vitit 1998 i dorëzuan armët e UÇK -s, policisë pushtuese serbe.

Për këtë ngjarje të pazakontë të ndodhur mu në vlugun e luftës së vitit 1998,duke filluar nga Deçani e shtrirë deri në Has, kanë folur edhe ushtarë e politikanë të ndryshëm, përfshi edhe vet Adem Demaçin, njeriu i parë politik i UÇK-s, me seli në Prishtinë.

Dorëzimi masiv i armëve tek forcat policore serbe, dëshmohet edhe nga procesverbalet e gjetura me listat e armëve të dorëzuara, si ai i datës 29.09.1998,në dosjet e Sigurimit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, i cili nga organet pushtuese serbe ishte emërtuar si “pranim-dorëzim” i armëve, municionit dhe lëndëve të tjera shpërthyese, të dorëzuara nga ana e qytetarëve të fshatrave me përkatësi shqiptare.

E meqenëse qysh atëherë nisën dallaveret dhe blerja që nga uniformat larmane e deri te statuset dhe favoret e luftës, kjo më vonë degradoi edhe në prodhimin industrial të veteranëve, në numrin e stërmadh të të cilëve, tanimë figurojnë edhe 26-30 vjeçarët e sotëm, që atëbotë ishin fëmijë.

Madje kur u pa se ata që vendosnin për statusin e veteranëve, hanin paratë, pritjet në radhë për blerjen e dëshmive në këmbim të pagesave deri në 1 mijë euro, për të siguruar statusin dhe pensionin e veteranit të UÇK-s, u shtuan dhe arritën deri në afro 40 mijë sosh.

Se ç‘moral luftëtari kanë matrapazët që shisnin dëshmi të rrejshme, flet më së miri edhe aktakuza e prokurorisë kundër një “veterani” me nam, për detyrimin e mbesës së vet në prostitucion dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë, me disa “shokë” e të njohur të tij, për të përfituar vet nga kushtet e rënda ekonomike të saj. 

Ndërsa sipas informatave të fundit, numri i përfituesve të pensionit të veteranëve tashmë ka arritur në 37 mijë e 44 veteranë, pasi që vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, listës i janë shtuar edhe 2515 emra të rinj. 

Ky numër, krahasuar me të dhënat e organizatës IOM  e cila që nga vitit 1999,ështe involvuar në de-militarizimin e UÇK-së, tanimë është dyfishuar dhe rritur 100%.

Por përkundër të gjithave sa kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin edhe nëse vije deri te zvogëlimi i numrit të veteranëve nga organet e drejtësisë së korruptuar vendore, nuk përjashtohet mundësia që të pësojnë- jo ata që do të duhej, por ata që nuk kanë përkrahje dhe u mungojnë paratë.

Ndaj, në shënjestër të hetimeve nuk do duhej të ishin më, vetëm përfituesit e keqpërdorimeve, por i gjithë establishmenti politik, i cili e ka krijuar dhe mbështetur hapur një sistem të tillë të titullarëve të dyshimtë, si dhe klasa aktuale e inkriminuar politike e cila ka degraduar dhe kriminalizuar çdo segment te shtetit dhe jetës në Kosovë, përfshirë edhe luftën e shenjtë dhe imazhin e pastër të UÇK-së. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat