31 vjetorit të rënies së Aziz Kelmendit!

Opinione

31 vjetorit të rënies së Aziz Kelmendit!

Nga: Ragip Guraziu Më: 23 prill 2018 Në ora: 15:12
Ragip Guraziu

Është e dhembshme përse shqiptarët nuk ngritin padi kundër një shteti i cili ka bërë terror sistematik ndaj një populli të pa armatosur?!. Kam bindjen se qeveritë e Jugosllavisë dhe të Serbisë, nëse paditen nga të afërmit e këtyre viktimave, të cilat janë në numër të madh, do të përgjigjen për krime kundër njerëzimit, sepse i kanë shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke e përfshirë edhe Kartën për të drejtat e njeriut të OKB së, të vitit 1948!

Vetëvrasjet e ushtarëve shqiptarë në Armatën jugosllave ishin fenomen i gjenocidit shtetëror jugosllavo serb ! Ndryshe, kjo u dëshmua edhe me vrasjet,që u  cilsuan si vetëvrasje, nga rregjimi i Sllobodan Millosheviqit,1987, rasti i Aziz Kelmendit,për të vazhduar,me vitet e 93-ta ,ku shumica e asaj kohe,djemt tanë që ishin ushtarë,u këthyen në arkivole...

Ne, e kemi përjetuar dhunën dhe krimin e shtetit gjenocidal serb, i cili e donte atdheun tonë pa ne, sepse kështu ishte i formuar ky “shtet”, për të na i bërë 1001 të zeza vetëm për të na e fyer dhe përdhosur identitetin kombëtar, për të na e mohuar edhe të drejtën tonë më elementare - JETËN. Kur ua merrnin jetën të rinjve shqiptarë, në emër të shtetit të Mbretërisë së Jugosllavisë, thoshin: “ka bërë vetëvrasje”! Me këtë  “epitet”, pastaj e paketonin në arkë të vdekurish e vulosnin me vulë plumbi dhe e nënshkruanin: “rreptësishtë është e ndaluar të shikohet”, sepse është sekret shtetëror! Ngjashëm veprohej edhe në periudhën e Titos dhe pas tij, kur i vrisnin ushtarët shqiptarë në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Refreni përsëritej! Po kështu ndodhi edhe në periudhën e Millosheviqit gjer në vitin 1993, ppër të dalur më vonë sheshazi me sloganin: “ju shqiptarët nuk keni të drejtë të jetoni të lirë; ose pranoni Serbinë si shpëtimtaren tuaj, ose shporruni nga Kosova për në Shqipëri apo ku të doni...”. Kështu flisnin veprimet e okupuesit serb...

Duhet të themelohet një “Institut Historik” (me ekspertë shkencorë) i cli do të merret me ndriçimin e historisë kombëtare, sepse në shumë fusha kanë me vagonë fakte historike për padrejtësitë e regjimeve serbe që u kanë shkaktuar shqiptarëve, e sidomos pas pushtimit të Kosovës dhe ndarjes nga trungu kombëtar, më 1912.

Do të ndalem me një segment të veçantë, i cili ka të bëjë me padrejtësitë që i janë bërë rinisë shqiptare në ushtritë serbo-jugosllave, sidomos pas themelimit të Mbretërisë së Jugosllavisë (SKS), më 1918 e gjer më 1993. Për këtë temë ndoshta kanë shkruar autorë të ndryshëm, historianë apo profesionistë të tjerë, por shpeshherë, unë mendoj,  është paraqitur jo në mënyrë të drejtë zhvillimi i ngjarjeve historike të kësaj natyre, ose nuk është gjurmuar sa duhet kjo fushë, sepse në ato procese ka pasur ndikim të madh politika ditore. Kërkoj mirëkuptim, nëse gjatë këtij shkrimi mund të bëjë lëshime apo gabime në sistemimin e ngjarjeve, në radhitjen e tyre si dhe në shtjellimin profesional të tyre.

Në gjeneratën tonë, rol jo të drejtë kanë luajtur bërësit e politikës dhe politika ditore duke vepruar  e menduar gabimisht, ngase, nëse e shkruajmë një ngjarje të saktë, e cila ka ndodhur në shekullin e XIX apo në shekullin e XX, jemi munduar ta paraqesim si të mjerë, duke menduar se nëse qahemi e vajtojmë para evropianëve, apo superfuqive, atyre u dhimbsemi, kështu ata do të na ndihmojnë apo edhe rastësisht do të na ndihmojnë, për shkakun që kemi mbetur jetim, pasi që Shqipërinë nuk e donim si “Atdhe” tonin.

Periudha në ushtrinë e Mbretërisë së Jugosllavisë 1918 – 1941

“Bota mëshirëplotë dhe pitoreske e të verbërve të mirë ka marrë fund, tani është mbretëria e egër, mizore dhe e pamëshirshme e të verbërve. Sikur të shihje atë që shoh unë, do të dëshiroje të ishe i verbër. Të besoj!” “Verbëri” ( Hoze Saramago)

Pas Luftës së Parë Botërore, në Konferencën e Versajës, Serbisë, përkatësisht Mbretërisë së Jugosllavisë iu njoh e drejta e pushtimit të Kosovës dhe viseve të saja shqiptare. Pas themelimit të shtetit jugosllav – Serbi - Kroaci - Slloveni (SKS), më 01. 12. 1918, një prej veprimeve politike me hapa të shpejtë që e bëri politika e Serbisë, ishte fillimi i  “rekrutimit“ të rinisë shqiptare në ushtrinë e Mbretërisë së Jugosllavisë. Shqiptarët ishin të dërrmuar edhe nga luftërat, të cilat ishin të shpeshta në trojet e tyre. Ata prej gjithë pushtuesve pësonin, jo vetëm në rrafshin politiko - juridik, por edhe në atë ekonomiko-social. Kjo për faktin, që të gjithë pushtuesit, pa përjashtim, ishin kriminelë sepse e dëshironin Kosovën me viset e saja pa popullatë shqiptare Serbia ua digjte pasurinë e paluajtshme dhe ua plaçkiste atë të luajtshmen. Populli shqiptar ndërronte edhe vendbanimet e veta, në përpjekje për të shpëtuar së paku anëtarët e familjeve, sepse pushtuesi serb i ndiqte nga vatrat e tyre, duke i drejtuar të ikin për Turqi, për arsye të besimit fetar ose, së paku, duhet të dalin e të jetojnë në viset kodrinore malore, për shkak se në viset e rrafshëta duhet të vendoset populli të cilin e kishte krijuar “zoti” për të jetuar në tokat pjellore: në Rrafshin e Kosovës, të Dukagjinit, përgjatë Luginës së Vardarit dhe të Moravës. Populli shqiptar nuk kishte mbrojtje, por kishte mbetur në mëshirën e kolonëve serbë, të cilët i sillte Krali i Serbisë. Deshe apo nuk deshe duhej pajtuar gjer në kohë më të mira.

Populli shqiptar, sidomos ata që jetonin nëpër fshatra ishin pak të arsimuar, sepse shkalla e lartë e analfabetizmit ishte si pasojë e politikës antishqiptare të osmanlinjve, rrugën e të cilëve e ndoqi edhe politika serbe. Në këso rrethanash politike dhe të varfërisë së skajshme shqiptarët, pa dëshirën e tyre, mbetën nën sundimin e Mbretërisë së SKS-së.

Dërgimi i rekrutëve shqiptarë në ushtrinë e mbretit ishte i detyrueshëm, por për prindërit shqiptarë ishte edhe i dhimbshëm, sepse (familja) e rriste djalin me shumë mundime, në skamje e në varfëri, e Serbia ia merrte ushtar! Kurrë nuk dihej nëse do të kthehej i gjallë në shtëpinë e tij...!

Shumë prindër i martonin djemtë në moshë të re, për arsye se, po t’i ndodhte diçka djalit, dëshironin ta ketë një trashëgimtar dhe të shtohet familja, sepse përmes kësaj ëndërronin që një ditë edhe ne do ta gëzojmë lirinë si popull, apo  të formohemi si komb?!. Edhe familjes së Hasan Isufit nga Panorci, fshat i rrethit të Prizrenit i lindin 4 djem: Shabani, Hajdari, Miftari dhe Shabani (Shabani i fundit emër i ripërtërirë i djalit të madh, të cilin ia vret ushtria serbe në vitin 1915).

Miftar (Hasan ) Hasani i lindur në vitin 1900, në moshën 19-vjeçare ,Miftarin e morën ushtar pa vullnetin e tij. Babai i tij – Hasani kishte dezertuar pas 12 vitesh nga ushtria e osmanlinjve dhe kishte ardhur në shtëpi! Vëllain e madh Shabanin ia kishte vrarë ushtria serbe në vitin 1915. Ky nuk mund të pajtohej me këtë vrasje; sipas kanunit duhej ndërmarrë diçka. Pra, hakun e vëllait duhet me e marrë me çdo kusht. Miftari në ushtri shkoi edhe me këta shokë: Sali Caka i Panorcit, Metë Xhemajli i Turjakës etj. Në fillim i  dërguan në Suboticë në shërbim ushtarak, e pas disa muajsh i transferojnë në Petrovaradin, ku do të përjetojnë tortura të rënda, të karakterit fizik dhe psikologjik. Shqiptarët, në ushtrinë e mbretit, siç e quante populli, pësonin maltretime të ndryshme, ngarkoheshin me punët më të rënda, i dërgonin në vendrojat më të rrezikshme; ka qenë vështirë për t’i përballuar. Për këtë arsye kur shkonte ndonjë djalë i ri në ushtri, në atë familje e përcillnin të afërmit, familja e gjerë, por edhe dajallarët e i tërë katundi, sepse nuk dihej se a do të kthehej i gjallë...!

...Miftari vendosi që të ikë nga ushtria e Serbisë së vjetër (kështu i thoshte populli) pas 16 muaj shërbim i informoi shokët e tij shqiptarë, edhe pse këta e këshillonin që të durojë edhe 2 muaj se e shumta shkoi. I  thoshin, për ta ngushëlluar!

Miftari  kaloi kufirin dhe doli në Hungari, në Budapest ku gjeti punë me një ëmbëltore, dhe filloi të punojë te Izet Agaj, familje shqiptare nga Gostivari. Aty, Miftari i kaloi 3 vjet. Brenda kësaj kohe i kishte shkruar familjes se ku ishte. Familja e Miftarit, nuk e kanë ditur sherrin e përgjuesve dhe të xhandarmërisë sekrete të shtetit te Serbisë, letrat i kanë lexuar pa mbërri në familje. Gjithashtu, këta i dërgonin te një i “njohur” për t’i lexuar, i cili ishte ”mik i shtëpisë“ së babait të Miftarit!...Mjerisht ky “miku i shtëpisë” së Hasanit ishte edhe në shërbim të pushtetit.

 Prej dëshirës se u gjet djali, Hasani-babai i Miftarit, u këshillue me atë “mikun e shtëpisë” Xhemë Ramën, kryetar i Komunës së Dollcit. Ai  i premtoi  të vijë në shtëpi Miftari, se nuk ka për ta prekur askush nga ana e pushtetit! Hasani i rregulloi letrat e udhëtimit dhe sipas udhëzimeve të “mikut”, u nis me tren dhe shkoi në Budapest. Një gëzim dhe çmallje të me dridhje në shpirt e përjetoi në ato momente të takimit me Miftarin, sepse në vete ende e kishte një mosbesim ndaj pushtetit serb, por vullneti për ta pasur djalin në shtëpi si dhe “besa e mikut” ia mbushën mendjen për këtë veprim. Edhe familja e Isuf Agajt u gëzua kur e panë babain e Miftarit, por edhe u mërzitën kur e kuptuan qëllimin e ardhjes së tij, për ta marrë Miftarin...

...Më në fund vendosën që të nisen për në Kosovë e Panorc, për të cilin ishte përmalluar Miftari por, edhe për familjen, se i kishin kaluar 4 vjet e gjysmë që kur  nuk i kishte parë më të dashurit e tij...

...Hasani me të birin Miftarin u nisën me tren nga Budapesti në drejtim të Suboticës. Kur mbërritën në kufi, xhandarët e Serbisë i legjitimuan dhe Miftarin e zbritën nga treni. Prej aty e dërguan në burg, ndërkaq babai i tij, Hasani e mori rrugën për në Kosovë pa djalin e vet, i dëshpëruar se si ia fali besimin “mikut të shtëpisë”, i cili e preu në besë!?. Miftarin e nxorën para gjyqit dhe e dënuan me 3 muaj burg për dezertim nga ushtria. Pastaj, pasi e vuajti dënimin, e dërguan në shërbim ushtarak në Petrovaradin, për ta mbaruar pjesën e mbetur të shërbimit ushtarak, pra për t’i mbaruar edhe ata dy muaj sa i kishin mbetur.

Miftari iu nënshtrua këtij “urdhri” me shpresë se do të kalojnë këta dy muaj shpejt; se nuk e dënuan shumë e, së shpejti do të kthehet në familjen e vet, në Panorc, të cilën e deshi më shumë se herëve tjera, sepse e kuptoi se sa jemi ne, prapa të tjerëve dhe, në çfarë rrethanash jetojmë në Kosovë... Eprorët ushtarakë ia vunë zullumin përsëri Miftarit, e sidomos një jevg nga Peja, me gradë ushtarake kapter...

...Një natë Miftarin e dërgojnë në roje. Jevgu i shkon tinëzisht për ta kontrolluar. Miftarin e kishte marrë gjumi, ndërsa jevgu përfiton nga rasti dhe ia vjedh shulin e pushkës. Më pas kthehet në kazermë i informon eprorët tjerë, të cilët marrin qëndrim për të shkuar te Miftari dhe për ta ndëshkuar sipas rregullave ushtarake. Mirëpo, ndërkohë Miftarit i del gjumi, e kupton dredhinë që i ishte bërë dhe shkon te një roje tjetër ku ruante po ashtu një shqiptar, i tregon se çka i kishte ndodhur. Bashkëkombësit të vet ia kërkon shulin e pushkës, me kusht që t’i pret eprorët në gjendje të rregullt, sepse ishte i bindur që do t’i bëjnë “kontroll”. Kështu edhe ndodhi. Pas pak arritën së bashku: kapteri, një kapiten dhe një major, në “vendrojën e vdekjes” ku ruante Miftar Hasani! Miftari iu bërtet: Ndal (stoj, serbisht)! Ata nuk ndalen, të bindur se jevgu e kishte shulin e pushkës. Miftari, duke vërejtur se janë më shumë persona, u drejtohet edhe një herë me: Ndaluni! Ata edhe më tutje ecin në drejtim të tij, dhe meqë edhe pas thirrjes së tretë që të ndalen, ata nuk ndalen, Miftari shtie me pushkë në drejtim të tyre dhe i vret që të tretë! Ia merr shulin e pushkës së vet kapterit-jevg, i kontrollon dhe bindet se ishin oficerët kujdestarë të kazermës ushtarake. Shpejt ia dorëzon shulin e pushkës shokut të tij shqiptar, të cilin e falënderon për shërbimin. Ndonëse pa dëshirën e tij, Miftari tashmë ishte i vetëdijshëm se tash e tutje filloi një jetë edhe më e rrezikshme. Këtu pa u hamendur shumë, i drejtohet kufirit të Hungarisë, sepse tashmë i dinte shtigjet e largimit. Me të shpejtë alarmohet ushtria e Serbisë dhe xhandarët e përforcojnë kufirin. Pas disa ditësh Miftarin e merr uria, etja, pagjumësia, dhe vendosë t’i kërkojë pak bukë një plake. Fatkeqësisht, në vend që t’i ofrojë ndihmë ajo i lajmëron ushtarët, të cilët e rrethojnë Miftarin. Në luftë me ta arrin t’i vret disa, besa plagoset edhe vetë. Nga plagët që kishte marrë nuk kishte mundur të luftonte më, kështu që ushtarët e zënë të gjallë.

Miftari kishte ende municion, së paku për ta vrarë veten, por nuk e bëri këtë, sepse nuk ishte në traditën e shqiptarit që të vetëvritet. Ai  thoshte me vete se e kishte marrë hakun e vëllait dhe të shumë vëllezërve shqiptarë, dhe se “rasti im të jetë një shembull për ushtrinë e Serbisë së Vjetër që të mos luajnë me karakterin e shqiptarëve, se nuk durohet dhuna dhe maltretimi i oficerëve ushtarakë të Serbisë”! Këtu, pra nuk ka vetëvrasje. Shqiptari di të vret e jo të vetëvritet!

Miftarin, ashtu të plagosur, e dërgojnë për “shërim” në një spital. Pas një muaj e disa ditë e nxjerrin para Gjyqit Ushtarak në Beograd me aktakuzën për vrasjen e dhjetëra ushtarëve e oficerëve.

Gjyqi ushtarak në Beograd, Miftar Hasanin e dënoi me vdekje. Para se ta ekzekutonin ia lejuan një vizitë nga familja. Kishin ardhur për ta vizituar vëllai i tij, Hajdari dhe një kushëri nga Panorci, Sylë Rexhepi. Hasani, babai i Miftarit, tradhtinë që ia kishte bërë “miku i shtëpisë” e përjetoi rëndë, por edhe për shkak të moshës së shtyrë nuk mundi të shkojë e ta shohë djalin para se ta ekzekutonin armiqtë e popullit shqiptar. Gjer në vdekje e ka vrarë ndërgjegjja pse i besoi “pushtetarit të pabesë”.

Miftar Hasanin e ekzekutuan në Beograd me një vendim të Gjyqit Ushtarak, në vitin 1926, dhe trupin e pajetë nuk ia dërguan familjes së tij. Ata që e njohën e prisnin dhe nuk mund ta besonin “vdekjen” e tij. Në kujtimin e të njohurve të Miftarit mbetet në moshë të njomë figura dhe personaliteti i tij! Nëse nuk kishte mundësi të shkruante populli për atë, vepra e tij heroike, se paku, kujtohej nëpërmjet këngëve folklorike...

Për këtë periudhë ia vlen të merret si shembull Nuhi ( Sadik ) Tafaj, nga fshati Grajkoc, Komuna e Suharekës, i lindur më 1949. Në APJ e mobilizojnë në vitin 1968 në Karllovc të Kroacisë .

Procedura e hetimit të ushtarëve për përkatësinë familjare?

Shërbimi sekret ushtarak e ka pasur të rregulluar kontrollin për çdo ushtar veç e veç, sepse ka funksionuar sistemi shtetëror për t’i likuiduar armiqtë e shtetit jugosllav! Duke u bazuar në këtë fakt, kryesisht janë luftuar shqiptarët dhe kroatët, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Të njëjtin sistem e kanë pasur edhe pas themelimit të Mbretërisë së Jugosllavisë (pas 01.12.1918); në këtë kohë i kanë ndjekur vetëm shqiptarët, sepse të tjerët nuk kanë konsideruar armiq brenda Jugosllavisë...

...Shteti jugosllav i ka pasur nëpër çdo komunë të instaluara zyrat e ashtuquajtura (OZN-a – Odeljenje za za?titu naroda – Zyra për mbrojtjen e popullit, Narodna odbrana - Mbrojtja popullore). Në këtë zyrë ka funksionuar sistemi i grumbullimit të informatave dhe përpunimi i tyre për secilin “rekrut” që do të shkonte në shërbim ushtarak, në APJ. Këto të dhëna i merrnin nga UDB-a, e cila shkruante për “gjeneralit e familjes së rekrutit” (dosjet) gjer te katragjyshi, për të ditur se cilit tabor i ka takuar që nga Lufta Ballkanike (1912) e këndej. Qëndrimi politik i shtetit ishte që, nëse nuk ia kanë arritur që atë familje ta “kenë në mbikëqyrje” ose ta bëjnë bashkëpunëtore të “shtetit serb-jugosllav”, atij duhej  t’i vihet zullumi. Kësaj procedure iu nënshtrua edhe  Familja e Nuhiut. Pas 8 shkurtit të vitit 1945 kur  politika e Titos e shpalli administrimin ushtarak në Kosovë (ose kur u bë pushtimi klasik Kosovës nga Serbia), e mobilizoi rininë shqiptare me dhunë dhe, e nisën në drejtim të Tivarit, gjoja për t’i dërguar në drejtim të veriut, për ta dëbuar nazizmin gjerman. Rekrutët shqiptarë, me paramendim  ndalen në Tivar, ku ishte edhe babai I autorit të këti shkrimi,por I mbijetuari I gjallë, dhe në fillim të prillit bëjnë një masakër të pa imagjinuar për mendjen e njeriut normal. Historiografia shqiptare ende nuk ka arritur ta zbulojë numrin e të masakruarve në Tivar!?. Kësaj masakre i është nënshtruar edhe babai i Nuhiut, Sadiku. Për t’i humbur gjurmët e këtij krimi, politika jugosllave i ka “porositur” të gjithë ata shqiptarë, të cilët kanë shpëtuar: “nëse tregoni se çka keni parë edhe ju do t’jua bëjmë edhe më keq “... Nëpërmes kësaj dhune fizike për likuidimin e rreth 4000 shqiptarëve e përdorën dhunën psikologjike ndaj të përjetuarve të kësaj masakre si dhe, duke i kërcënuar se do t’i burgosnin dhe do t’ua bënin edhe më keq nëse tregojnë për tragjedinë e përjetuar në Tivar. Rreptësishtë e kanë pasur të ndaluar që të japin çfarëdo informate, në të kundërtën pasonin ndëshkimet për ata që jepinin çfarëdo informacioni. Kjo ishte politika titiste! Të kanë vrarë dhe nuk ke pasur të drejtë të ankohesh ose ta bisedosh, apo ta publikosh ngjarjen. Pikërisht, tmerri dhe frika kanë qenë të asaj natyre sa që edhe historianët, të cilët janë shkolluar në atë sistem politik, nuk kanë guxuar ta ndriçojnë këtë histori të krimit, sepse po të merrej historiani shqiptar me ndriçimin e jetës së shqiptarëve do ta pësonte sikurse shumë intelektualë të kalibrit të Rexhep Bunjakut, Marije Shllakut, Gjon Sereçit, Metush Krasniqit, Adem Demaçit me shokë, Ukshin Hotit etj... Pra, masakrën e Tivarit e përjetoi Sadiku, babai i Nuhiut, i cili nuk e ka fshehur këtë krim të rinisë së tij që e pësuan shokët e tij në Tivar. Ai  u ka treguar të afërmve të tij, e kanë dëgjuar edhe fëmijët e tij. Kështu, edhe Nuhiu i ka kuptuar krimet serbe, se si pushtetarët serbo-jugosllavë janë të pabesë dhe mund të të vrasin në pabesi! Këtë formë të edukimit familjar, Nuhiu nuk e ka mësuar as në shkollë, nuk e ka lexuar as në librat e Historisë Shqiptare, por ka mësuar keq e më keq për shqiptarët se këta janë armiq të politikës së Jugosllavisë etj... Familja e Nuhiut, edhe aksionin e armëve (1956) e kishte kaluar keq, sikur shumë familje anekënd Kosovës, ku për një pushkë i rrihnin dhe i keqtrajtonin shqiptarët në emër të çarmatimit. Në rrethin e Suharekës më së shumti e pësonin, sidomos, ata të cilët e kishin përjetuar masakrën e Tivarit. Në këso rrethana e pësoi edhe bashkëfshatari i Sadikut, Misin Liman Beqiraj (65-vjeçar), të cilin e likuiduan...!

...Pikërisht në vitin 1968, në Kosovë, u organizuan demonstratat e studentëve shqiptarë, në të cilat kërkohej barazia e popullit tonë me popujt tjerë në RSFJ.... Megjithatë, shqiptarët i fituan disa të drejta sa për t’u mashtruar, siç ishte përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, universiteti etj. Politika zyrtare serbe u tërbua, kërkonin që populli shqiptar të trajtohej edhe më tej si skllav, dhe të shfrytëzohej si fuqi punëtore për ta zhvilluar Serbinë, sepse për ta “Kosova ishte e shenjtë! Ishte tokë serbe” etj...

Pikërisht në këso rrethana politike e angazhojnë në shërbim ushtarak edhe  Nuhi ( Sadik ) Tafajn. Nga oficerët ushtarakë serbë trajtohej sikur rob lufte e jo sikur çdo ushtar tjetër. Atë shpeshherë e kërcënonte, e keqtrajtonte, e fyente, e njollosur dhe nëpërkëmbte karakterin e dinjitetin e tij, sidomos një oficer i njësisë së tij, jo vetëm para ushtarëve të njësisë së tij, por edhe para të tjerëve, gjoja për t’u treguar se në ç’shkallë të ulët janë ushtarët shqiptarë. Kështu e filloi edhe një ditë të dhjetorit të vitit ’69. Së pari filloi ta qortojë Nuhiun, duke iu kërcënuar se do ta vret. Oficeri i zi e nxjerr revolverin dhe ia drejton Nuhit, por falë shkathtësive të tij dhe karakterit, së bashku me të drejtën e natyrshme, sepse kjo ishte në anën e Nuhiut, ia grabitë revolverin dhe me të e vret në vetëmbrojtje atë oficier (kapiten ) të APJ-së. Për këtë vepër penale Gjyqi Ushtarak në Zagreb e dënoi Nuhiun me 12 vjet burg, të cilin e vuan në Goli Otok të Kroacisë. Gjer më 28. 02. 1971 dihej se ishte në vuajtje të dënimit, por nga kjo datë i humbën gjurmët, së bashku me një të burgosur tjetër me emrin Salih, i cili ishte nga Prapaçani, ( si duket i kanë hedhur në Detin Adriatik. Goli Otoku (në gjuhën shqipe d. m. th. ujdhesë e zhveshur) është shndërruar në kamp përqendrimi pas vitit 1948, kur i kanë dërguar të burgosurit e parë shqiptarë (por, edhe komunistët jugosllavë duke i akuzuar si informbyroistë)! Kjo ujdhesë shkëmbore, që atëherë, ka filluar të përdoret si burg për të burgosur. Aty përdorej dhuna fizike dhe kërcënimi psikologjik sistematik, gjer në vdekje. Në këtë kamp-burg, gardianët e burgut i kanë detyruar të burgosurit ta rrahin shoqi-shoqin gjer në vdekje! Nëse i burgosuri nuk e ka rrahur shokun e vet, atëherë ka pasuar dhuna e gardianëve dhe, në fund, trupin e pajetë të të burgosurit, e kanë hedhur në detin Adriatik. Ky shembull i fashistëve dhe shovinistëve jugosllavo-serbë si duket është ndjekur edhe nga udhëheqja e burgut të Alkatrazit (ujdhesë e vogël në gjirin e qytetit San Francisko të Kalifornisë)! Kështu, pra, mizorisht janë likuiduar edhe Nuhi Tafaj dhe Salihu i Prapaçanit[3].

Kurrë nuk e informuan familjen për zhdukjen e djalit të tyre, edhe pse interesoheshin për fatin e tij që, së paku, eshtrat e tij të pushonin në varret e të parëve të tyre... Gjithmonë pushtetarët i janë përgjigjur familjes së Nuhiut me: “ne nuk dimë asgjë”, duke mos mundur  të sajojnë “vetëvrasjen” si arsyetim të zhdukjes së djalit të tyre. E vërteta ishte se këta shovinistë nuk mund të ngopeshin me padrejtësitë dhe plagët që ua shkaktonin popullit shqiptar, duke kurdisur skena nga më të ndryshmet për vrasjet e ushtarëve shqiptarë. Shembulli i Nuhiut dhe shumë sikur ky janë të ngjashëm me jetën e ushtarëve shqiptarë që përjetuan edhe në kohën e Mbretit (1918 –1941). Shumë atdhetarë nuk kanë thënë rastësisht, se “shqiptarët nën sundimin e Serbisë janë sikur në kohën e Nediçit po ashtu edhe në kohën e Pashiqit...”  Serbia, krimet ndaj shqiptarëve i bënte në emër të Bashkim – Vëllazërimit; në emër të kombeve dhe kombësive të RSFJ-së, në emër të ustashit të çetnikëzuar dhe satrapit Tito.

Nuhiu ishte shembull se si mbrohet dinjiteti individual dhe kombëtar në duart e armiqve serbo-jugosllav. Temperamentin e Nuhiut dhe karakterin e tij nuk do ta harrojnë ata të cilët e njohën, sepse artin luftarak dhe guximin e tij individual iu desh t’i vë në shërbim të sakrificës kombëtare dhe për të mos u nënshtruar para armikut. Pra, në rast nevoje duhet të sakrifikohet me fytyrë të çelë, siç thotë populli!.

Lavdi jetës dhe qëndresës së Nuhi (Sadik) Tafajt!

 Periudha prej 1981 – 1989, e cila njihet si periudha e pas Titos

“...Do të luftoj për çlirimin e popullit shqiptar dhe të viseve shqiptare deri në pikën e fundit të gjakut tim, nuk do ta kursej pasurinë dhe as qenien time fizike...” (Metush Krasniqi)

Format e ndryshme të presioneve ndaj shqiptarëve në shtetin jugosllav i organizonte vet aparati shtetëror. Në shërbim të politikës shtetërore u inkuadruan me të madhe edhe vetë pjesëtarët e popullit shqiptar, i cili jetonte i pushtuar në Jugosllavi. Sidomos pas vitit 1974, kur Kosovës iu njoh një “autonomi” me të cilën (legjitimoheshin) të njëjtat struktura politike dhe shoqërore, të cilat ishin në funksione të larta shtetërore që nga Lufta e Dytë Botërore! Kjo kozmetikë (politike) ishte mashtruese, për syrin e qytetarit, mjaft joshëse sidomos në aspektin politik dhe juridik- në sytë e politikës ndërkombëtare. Kosova avancohej si “njësi konstituive” e RSFJ-së, e cila realisht u bë krahinë autonome me kushtetutë. Kjo autonomi kontrollohej me nenin 300 dhe 301 nga Kushtetuta e Serbisë e sidomos, (!) Serbia i kontrollonte dikasteret kryesore të shtetit. Megjithatë, pas vitit ’74 filloi një zhvillim dinamik në Kosovë, jo vetëm në sferën ekonomike, të arsimit, të kulturës etj... Rinia shqiptare në jugosllavi, në këtë kohë, filloi të zgjohej nga gjumi; u zgjeruan shumë degë të reja të fakulteteve në Universitetin e Kosovës. Kontaktet me universitetet e republikave tjera në RSFJ, si dhe “liberalizimi” i bashkëpunimit në sferën e arsimit dhe të kulturës me shtetin amë - Shqipërinë, i prekën ndjenjat e dy padrejtësive te rinia shqiptare në RSFJ.

Ngacmimi i ndjenjave kombëtare  dhe shpërfaqja e padrejtësive , fillimisht ishin:

1. dallimet në mes të drejtave studentore të kombeve tjera në universitetet e republikave në RSFJ dhe,2. përkufizimi i lëvizjes së lirë të studentëve dhe të popullit shqiptar në Shqipëri dhe anasjelltas!

Nëse i  krahasojmë kushtet e jetës së studentëve të Kosovës me jetën e studentëve të republikave tjera në RSFJ, kishin dallime tepër të mëdha. Konviktet e studentëve në Kosovë ishin tepër të vjetruar, sidomos jeta në barakat e studentëve, me salla joadekuate dhe me ushqim të cilësisë së dobët ishte e papërballueshme. Ndjenja kombëtare te rinia shqiptare ngulfatej prej pushtetarëve, të cilët nuk zgjidhnin mjete për të mbetur në pushtet. Komiteti Qendror i LKJ-së në Beograd i “stërviste” komunistët në Kosovë. Thënë realisht, ata jetonin mirë, sepse edhe ata gëzonin “lirinë kombëtare”. “Privilegjet”, të cilat ua njihte politika serbe kurrë nuk do t’i gëzonin, po të ishte Kosova e lirë!

Zhvillimi ekonomik i Kosovës me republikat tjera në RSFJ, ishte në proporcion ndoshta edhe 1: 9, edhe pse bëhej propagandë e zhurmshme prej pushtetarëve se po zhvillohet Kosova. P.sh. në Trepçë nxirreshin me qindra-mijëra tonë plumb e zink, qindra tonë argjend e besa edhe ar, të cilat përpunoheshin në fabrikën e Mitrovicës dhe dërgoheshin si lëndë finale në republikat tjera, sidomos në fabrikat, të cilat i kontrollonte APJ-ja, nëpër të cilat nuk punonte asnjë punëtorë shqiptarë. Ndërkaq, në miniera të Kosovës minatorët kanë qenë kryesisht shqiptarë, kurse udhëheqja ishte kryesisht serbe! Në këso rrethana politike dhe ekonomike ishte Kosova në fund të viteve të “70 -ta dhe në fillim të viteve të ’80-ta, kur edhe shpërthyen demonstratat e mars-prillit të vitit 1981, në të cilat kërkesë themelore ishte  që populli shqiptar të barazohej me popujt tjerë në RSFJ, dhe Kosova ta gëzojë statusin e Republikës! Jo vetëm që nuk u plotësua kërkesa - Kosova Republikë, e cila kërkohej gjithandej nga ana e demonstruesve të Kosovës, por filloi një fushatë e egër ndaj shqiptarëve kudo që ishin. Në demonstrata i vranë dhjetëra të rinj dhe me qindra sosh i plagosën; filloi edhe fushata e ndjekjeve, arrestimeve dhe dënimeve të rinisë shqiptare. Gjykonin shqiptarë nëpër gjyqe “civile e ushtarake” duke i akuzuar si armiq, si irredentistë, si kundërrevolucionarë të RSFJ-së, kundër vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të saj! Kështu kërkonte Beogradi, dhe ua dhanë këtë të drejtë politikës antishqiptare në Jugosllavi që sa më tepër të dënohen e të gjykohen “armiqtë e shtetit”, në radhët e shqiptarëve - thuhej nga politikanët shtetërorë në Kosovë! Po kështu, edhe ndodhi që në ditët e para të muajit prill. I mbyllën shkollat, universitetin dhe filluan t’i gjykojnë “grupet armiqësore” në radhët e shqiptarëve, të cilat po ua prishin vëllazërim-bashkimin e kombeve dhe kombësive në RSFJ. Kjo ishte gjuha e politikanëve kudo në Jugosllavi, por më e rënda ishte ajo që dilte nga “goja e politikanëve shqiptarë”!...

... Pas demonstratave në Kosovë, nga politika zyrtare e Beogradit u ndërprenë të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit të Universitetit të Kosovës me Universitetin e Shqipërisë, në sferën e kulturës dhe lëvizjeve të studentëve. Filloi një propagandë e egër, jo vetëm kundër politikës së Shqipërisë, por edhe kundër historisë, gjeografisë, letërsisë dhe gjuhës. Me fjalë tjera, kundër kulturës shqiptare në Kosovë dhe viset ku jetonin shqiptarët. Popullit shqiptar në RSFJ iu imponua kultura dhe arsimi i Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë!  A durohej kjo metodë e re e përpjekjeve për asimilimin e shqiptarëve nga ana e pushtetarëve serbë, malazezë e maqedonë?...

...Pos arrestimeve dhe dënimeve që iu shqiptoheshin rinisë shqiptare nëpër gjyqe të Kosovës, të Maqedonisë shqiptare dhe të Serbisë e Malit të Zi (ku jetonin shqiptarët), filluan t’i arrestojnë dhe t’i gjykojnë edhe ushtarët shqiptarë (të cilët ishin në shërbim ushtarak) nëpër burgjet hetuese e gjykata ushtarake të APJ-së!

Gjatë hetimeve, mbi të rinjtë shqiptarë bëheshin tortura të rënda me qëllim të përdorimit si akuzues për bashkëkombësit e tyre e në favor të politikës ditore dhe Prokurorisë Ushtarake. Shqiptarët akuzoheshin si irredentistë, kundërrevolucionarë, si armiq të vëllazërim – bashkimit të kombeve dhe kombësive të RSFJ-së, si dhe për cenimin e sovranitetit dhe integritetit, por edhe të vetëqeverisjes të kriminelit Tito që ishte rregulluar me kushtetutë.

Këtu filloi edhe një diagnozë vrastare e sindromit të “VETËVRASJES” në radhët e ushtarëve shqiptarë në APJ, gjë që më herët nuk ishte në traditën e shqiptarëve! Shqiptarët, në ushtri (qoftë të Kralit apo të Titos) ka ndodhur ta vrasin ndonjë oficer, por jo edhe të vetëvriten, sepse vetëvrasja ishte në kundërshtim me kodin moral të popullit shqiptar! Prej prillit të vitit 1981 e gjer më 31.12.1989, nga ushtria jugosllave, në Kosovë janë kthyer në arkivole 41 ushtarë shqiptarë!

Prej prillit të vitit 1981 e gjer në prill të vitit 1986 vetëm në Gjyqin Ushtarak të Lubjanës janë arrestuar 200 ushtarë shqiptarë dhe më tepër se 1000 janë keqpërdorur nga KOS-i (shërbim sekret i sigurimit të APJ-së) si dëshmitarë të detyruar për t’i akuzuar bashkëkombësit e vet!.

Në përpjekje për të paraqitur sa më realisht marifetllëqet e pista të regjimit titist kundruall shqiptarëve, qoftë edhe në APJ, ku trumbetohej për drejtësinë e përkryer  në shkallë shteti, unë kam zgjedhur për ta trajtuar rastin e  Aziz (Sadik) Kelmendit.

Babai i  Azizit, Sadik ( Hajriz) Kelmendi, sikur shumë bashkëkombës të tij, e mori rrugën e kurbetit, plagë e kahershme e shqiptarëve, Ai filloi të punojë në Gjermaninë Perëndimore, sikur shumë bashkëkombës të tij. Gruan dhe fëmijët i kishte në Kosovë. Ishte i martuar me Salë (Rrahman) Krapin nga Nekoci i Gllogocit, me të cilën i kishte 7 fëmijë (5 djem dhe 2 vajza): Hajrizin, Havën, Idrizin, Isakun, AZIZIN, Melihaten dhe Besimin. Në këso rrethana jetonte familja e Sadikut, i cili fitimin që e kursente nga puna e sillte në shtëpi për mbajtje të familjes. Në Gjermani e kuptoi se duhet të shkollohen fëmijët, dhe gëzohej shumë kur vinte në shtëpi dhe kuptonte se fëmijët e tij korrnin suksese në mësime. Azizi ishte fëmija i pestë i babë Sadikut dhe nanë Salës.

Sadiku, nga fshati i lindjes Karaçicë shpërngulet në fshatin Medvec afër Lipjanit në vitin 1970. Dhjetë vjet më vonë, më 1980, familja e Sadikut, përsëri shpërngulet në Prizren, në lagjen Arbanë (ish-Dushanovë), ku jetojnë në kushte më të mira për jetë...

...Aziz Kelmendi u lind më 15. 01. 1967 në fshatin Krenajë (ish-Karaçicë) të Lypjanit. 6 klasë të shkollës fillore i mbaroi në fshatin e lindjes dhe në Magure, kurse klasën e shtatë dhe të tetën i mbaroi në Arbanë të Prizrenit. Azizi ishte nxënës i shkëlqyeshëm, kishte edukatë të mirë familjare, por edhe lexonte shumë romane. Afërsia me vëllezërit më të vjetër e bënte t’i kishte edhe shokë e jo vetëm vëllezër; kishin harmoni në familje, saqë ishin shembull edhe në lagjen ku jetonin! Azizi e regjistroi shkollën e mesme - gjimnazin në Prizren. Mësonte tepër mirë. Si gjimnazist shoqërohej, jo vetëm me shokët e klasës, por kishte edhe shokë të tjerë. Jetonte me një lagje të cilës emrin ia kishin vënë pushtuesit serbë “Dushanovo”, emër të cilin nuk mund ta duronin shqiptarët, e sidomos pas demonstratave të vitit 1981. Tabela në të cilën shkruhej ky emër shpeshherë hiqej nga të rinjtë e kësaj lagjeje! Pasi doli në vitin e tretë të gjimnazit edhe Aziz Kelmendi merrte pjesë në “aksionin” për ndërrimin e kësaj tabele me emrin “Dushanovo” dhe kërkonin që t’i vihet emri Arbanë; merrte pjesë në shënimin e çdo përvjetori të demonstratave të vitit ’81. Pushtetarët i arrestonin të rinjtë herë pas here, por nuk prishte punë, sepse, siç do të tregojë më vonë vetë Azizi, “... kështu me punë të vogla, si të rinj që ishim, kaliteshim për të ardhmen për të bërë ndonjë punë më të madhe”. Në vitin e tretë të gjimnazit e arrestojnë për herë të parë Aziz Kelmendin, në fshatin Vermicë dhe e akuzojnë se “...ka tentuar të kalojë kufirin për në Shqipëri“. Po ashtu, e akuzojnë se merret me veprimtari armiqësore! Kjo akuzë e milicisë pasoi edhe me përjashtim nga shkolla e mesme e gjimnazit, si dhe me dënim për kundërvajtje në kohëzgjatje prej 15 ditësh burg! Megjithatë, në këtë kohë burgoseshin shumë të rinj. Sa për shkollim të mëtutjeshëm kishte edhe alternativa tjera, një prej të cilave e shfrytëzoi Azizi. Ai shkoi në Lypjan dhe e vazhdoi shkollën e mesme në gjimnaz. U prit si më së miri nga shokët e klasës, por edhe nga personeli arsimor. Bile, disa prej tyre e njihnin! Pasi e mbaroi shkollën e mesme të gjimnazit, me sukses të shkëlqyeshëm, në vitin kalendarik 1985/86 Aziz Kelmendi u regjistrua në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës. Azizi, tashmë ishte i pjekur, i kuptonte proceset politike, kishte drojën se do ta dërgojnë ushtar, sepse, kryesisht kështu vepronin me të mbaruar shkollën e mesme.

Megjithatë, pikërisht më 15.09.1986 ia çojnë ftesën për të shkuar ushtar në APJ, në garnizonin ushtarak të Leskocit, në Serbi. Që ditën e parë filloi të ballafaqohej me një regjim të pakëndshëm, në kazermën ushtarake... Pasi që e dha betimin, ushtarët e “vjetër” filluan ta angazhojnë tepër si ushtarë të ri që ishte, në dhënien e kujdestarisë në çdo të dy orë, e detyronin të pastrojë banjot, korridoret etj. Shpeshherë, këto detyrime jepeshin, sidomos, për shqiptarët  në shenjë “dënimi” për “mos disciplinë”!...

Pas 10 ditësh, nga dita e “betimit”, Aziz Kelmendin e merr në “pyetje” oficeri i KOS-it. Karakteristikat ia kishte dërguar “Narodna odbrana” (Mbrojtja popullore) e Prizrenit, në kazermën ushtarake të Leskocit, me të cilat shërbehej oficeri i KOS-it, i cili të bënte përshtypjen se po i ditka të gjitha për gjithë shqiptarët. Për Azizin këto ishin broçkulla të njohura, i kishte parasysh se prej nga i kishin shkuar, sepse ky ishte inteligjent dhe i përgatitur për grackat e mundshme, besa edhe  kombëtarisht ishte i përgatitur! Azizi i deklaron “zotërisë”- oficerit të “sigurimit” (e quanin eprorin e  KOS-it): “mbi të gjitha, unë jam ushtar këtu, kam ardhur në shërbim ushtarak; më kanë akuzuar se e kam hequr tabelën e lagjes sonë, por nuk kanë fakte, sepse nuk më ka parë askush (!); më kanë akuzuar se kam tentuar të ik për në Shqipëri, por nuk ka qenë e vërtetë, se po të ishte e vërtetë, do të kisha ikur kur të kisha dashtë dhe nuk do të isha këtu në mesin tuaj. Ndaj, kam ardhur në shërbim ushtarak, për ta përfunduar si “obligim” që e kam dhe nuk merrem me ato informata të cilat “ju i paskeni”. Qëllimi im është që të kthehem në familje pasi ta mbaroj shërbimin ushtarak dhe t’i vazhdoj studimet në Fakultetin Juridik” ... Eprori i KOS-it në mes tjerash i tha: “Dëgjo Kelmendi, ne i kemi “informatat” për të cilat nuk të kanë akuzuar dhe s’të kanë dënuar në Prizren, ne e dimë për të gjithë ju se çka “mendoni dhe si veproni”, je nën përcjelljen tonë. Na informojnë ushtarët për të gjithë nacionalistët dhe armiqtë e Jugosllavisë. Këtu te ne, asnjë gjilpërë nuk mund të mungojë e të mos e dimë” ...Besa, ky epror, me një ton fyes, foli për demonstratat e vitit 1981 dhe për përvjetorët e tjerë të këtyre demonstratave që organizoheshin nga rinia shqiptare në Kosovë. Mburrej me arrestimet e rinisë sonë dhe dënimet që ua shqiptonin gjykatat nëpër gjyqe të Kosovës, si dhe në fund shtoi: ”Të gjithë armiqtë kemi për t’i çrrënjosur nga Kosova. Ata të cilët e duan Shqipërinë le të shkojnë në Shqipëri. Krejt në fund filloi ta fyejë kombin shqiptar dhe Shqipërinë...! Këtë bisedë Azizi ua tregoi shokëve të ngushtë që i kishte. Një ballafaqim jo i këndshëm për kërcënimet që ia bëri ky çetnik nën petkun e një oficeri të APJ-së, do të konstatojë më vonë Azizi në bisedë me shokët e tij. Ky epror ishte sa shovinist, po aq edhe racist. I jepte vetes të drejtë t’i fyejë rininë shqiptare me të gjitha akuzat e politikës ditore që i bëheshin popullit shqiptar nga propaganda e shovinizmit serb në mjetet e informimit, si në Radio Televizion, po ashtu edhe në gazeta ditore e javore. Gjithnjë shërbehej me qëndrimin politik të KQ të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë...

Shpeshherë, Azizi me shokë e shtronin bisedën, pse e lejuam veten për të ardhur në shërbim të një ushtrie të huaj, e cila nuk po i trajtonte sikur të tjerët? Kjo dilemë do ta përcjellë Azizin gjer në çastet e fundit të jetës së tij...

Në këtë garnizon ushtarak e mbajnë 6 muaj të plotë, pastaj e transferojnë në kazermën ushtarake të Paraqinit. Azizit i kishte pëlqyer ky transferim pas të cilit kishte deklaruar: “pasi më larguan nga ai çetnik i Leskocit, këtu, ndoshta, nuk do të kem keqtrajtime dhe si ushtar i vjetër; ndoshta do t’ia dal disi  për ta mbaruar shërbimin dhe për t’iu kthyer familjes dhe shoqërisë sime në Fakultetin Juridik e, me kalimin e kohës, do të organizohemi politikisht më mirë dhe do të çlirohemi nga kthetrat e këtyre çetnikëve të Serbisë...” Këso biseda zhvillonte me shokë, kuptohet me disa shokë të ngushtë, sepse me të gjithë nuk shoqërohej. Ishte tepër i matur, dhe ,kur fliste, sa për disa ushtarë shqiptarë, lirisht mund të thuhej se ishte profesor i historisë shqiptare, sepse shumica ishin ushtarë të rinj, kryesisht sapo e kishin mbaruar shkollën e mesme dhe nuk ishin të organizuar me veprimtari atdhetare siç ishte ai. Azizi ishte trim, i matur, nuk e fyente askënd, ishte pak i tërhequr, të linte përshtypjen se nuk shoqërohej me askënd, por ishte i dashur, këshillues për shokët e rinj, të cilët vinin në shërbim ushtarak; kishte karakter të fortë, kishte dinjitet kombëtar. Azizi, ishte njohës i mirë i historisë kombëtare, i letërsisë shqiptare dhe artit muzikor, sidomos rapsodët popullorë i njihte të gjithë; e donte këngën folklorike; jetonte me kërkesën për Republikën e Kosovës dhe e shihte si të pashmangshme realizimin e saj! I rritur me veprimtarinë atdhetare të rilindësve dhe programin politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe krerëve të saj, e donte Shqipërinë me bindjen se pa të nuk do të ekzistonte as Kosova me viset e saj!...Aziz Kelmendi i përcillte vlimet e rinisë shqiptare, mësonte nga vëllezërit e vet për shumë dëshmorë që kishin rënë për jetësimin e Republikës së Kosovës, i përcillte me vëmendje bartësit dhe organizatorët e demonstratave të Kosovës, pas vitit 1981, dhe mburrej me punën e tyre. Azizi gëzonte respekt edhe tek ushtarët e kombeve të tjera në kazermë. Kishte qëndrim të veçantë në krahasim me ushtarët tjerë. Sot, pas kësaj distance kohore, mund të konstatohet se ishte pjekur para kohe, siç thotë populli! “Kështu e kalonim jetën në shërbim ushtarak, duke biseduar në mes veti ushtarët shqiptarë, natyrisht duke i kryer edhe obligimet ushtarake, për të cilat kishim përgjegjësi individuale” (kujtime nga Rizah Xhakli).

Edhe në kazermën ushtarake të Paraqinit filluan ta trajtojnë njësoj sikur në kazermën e Leskocit, mirëpo, si ushtar i “vjetër” (kështu u thoshin ushtarëve, të cilët i kanë mbaruar ushtrimet ushtarake, pas 3 ose 6 muaj), besonte se do ta ndryshojnë sjelljen ndaj tij. Mirëpo, siç thotë një dijetar: “uji por, armiku nuk fle”! Eprori i njësisë së tij i ruhej Azizit, jo që i frikësohej, por taktikën e kanë pasur të tillë, të cilët ishin nën përcjellje të vazhdueshme të KOS-it. Eprori i KOS-it, ia lëshoi përcjelljen që nga dita e parë kur erdhi në Paraqin, duke e vëzhguar me kënd shoqërohej, çka bisedonte, pse shoqërohej me ushtarë shqiptarë, pse me ushtarë të tjerë, kur nuk shoqërohej me ushtarë shqiptar i shtronin pyetjen pse nuk po shoqërohej me ushtarë shqiptarë!?. Azizi e kalonte kohën si çdo ushtar tjetër në kazermë. Tashmë i kishte ardhur koha e pushimit dhe për habi atje kah 25. 06. 1987 e liruan për të shkuar në pushim të rregullt në shtëpi, në Prizren. Pikërisht më 15. 07. 1987 e mbaroi pushimin e rregullt dhe u kthye në kazermën ushtarake. Deri në kazermë e kishin shoqëruar babai dhe nëna e tij, të cilët pastaj kishin udhëtuar për në Gjermani. Pushimin e kishte kaluar tepër mirë. Ishte kënaqur me familjen e tij, me prindër, me vëllezër e motra, me farefis e me shokë. Kthimi për në shërbim nga pushimi ishte i mërzitshëm për të, por, megjithatë mbahej, nuk jepej, se, realisht, rëndë e përjetonte shërbimin ushtarak. Dëshira për liri, vullneti për jetë më të mirë dhe shpresa se edhe Kosova do të bëhet Republikë e mbanin krenar. Gjithashtu kishte besim në vete dhe në brezin e rinisë shqiptare, edhe pse shumica prej tyre kudo që ishin në RSFJ, e përjetonin robërinë. Për këtë arsye, ata të cilët e duan atdheun e duan edhe vetveten, por e duan edhe ardhmëninë e popullit tonë, i cili duhet të bëhet KOMB me çdo çmim të jetës, thoshte Azizi! Lirisht mund të thuhet se atdhetarët i çmojnë edhe vlerat dhe liritë e kombeve të tjera.

Ditët kalonin. Koha për mbarimin e shërbimit ushtarak për Aziz Kelmendin po afrohej. Përkundër të gjitha pakënaqësive që i përjetonte, ai ishte i kënaqur, sepse, falë mirësjelljes së tij, me shokë dhe me gjithë ushtarët e njësitit të tij kalonte mirë. Edhe Azizi i përcillte veprimet e shërbimit të KOS-it, por duhet ta kuptojmë drejt se, një ushtar i thjeshtë s’ka mundësi të ndërmerr asnjë hap, për arsye se ishte i mbikëqyrur në çdo lëvizje, pra nën kontrollin e tyre!  Azizin e detyronin  të jepte kujdestari, zakonisht në njësinë e tij. Në ushtri, zakonisht,  kujdestari bëjnë dy ushtarë, dhe ata janë të pa armatosur, por në kujdestari nuk i angazhojnë ushtarët e vjetër. Ushtarët e vjetër kryesisht mund të jenë kujdestar 24 orë në përbërje: një dhjetar (kryesor) dhe një ushtar i vjetër (i cili i ka mbaruar ushtrimet ushtarake) si zëvendës i tij, gjë që, në këtë rast ka mund të ketë qenë Azizi. Nëse u referohemi deklaratave publike të ish shokëve  (të dënuar më vonë nga gjykata ushtarake) të Aziz Kelmendit, vijmë në përfundim se, Azizi paska dhënë kujdestari në njësinë e tij, me kusht që ditën tjetër ta ketë pasur të lirë!...

VERZIONI ZYRTAR I SEKRETARIATIT FEDERATIV TË MBROJTJES POPULLORE TË JUGOSLLAVISË

Krimineli nga P.U.7518

Në agun e ditës së enjte të shtatorit 1987 Jugosllavia ka vajtur. Atë ditë nga Paraqini ka arritur lajmi se në natën e parmbrëmshme zëvendës kujdestari në njësi, Aziz Kelmendi nga kazerma “Branko Krsmanoviq” i ka vrarë, në dhomën e fjetjes, 4 ushtarë dhe i ka plagosur 5 të tjerë.

Njoftimi në lidhje me këtë ngjarje, që e ka dhënë Sekretariati Federativ i Mbrojtjes Popullore, ka qenë i shkurtër dhe i pikëlluar:

“Sonte, më 03. 09. 1987, në orën 03:05, ushtari Aziz ( Sadik ) Kelmendi, me shërbim në Garnizonin e Paraqinit, në kohën duke dhënë kujdestari në cilësinë e ndihmësit të kujdestarit në njësi, pa asnjë shkas, i ka vrarë, duke fjetur, 4 ushtarë. Këta janë: Simiq Srgjan nga Beogradi, Gjananoviq Hazim nga Koçiqa, komuna e Vitezit, Safet Dudakoviq nga Orahova, KK Bosanska Gradishka dhe Goran Begiq nga Zagrebi, kurse të plagosur janë këta ushtarë: Ante Jazhiq, Petar Gjekiq, Andreja Preshern, Husa Kovaçeviq dhe Negjid Mehmedoviq. Në rrethana të krijuara është lënduar edhe ushtari Nazif Adzhoviq. Të plagosurve menjëherë u është dhënë ndihma mjekësore, dhe jeta e tyre nuk është në rrezik! Pas krimit ushtari Aziz Kelmendi ka bërë vetëvrasje!...

...Kelmendi ka qenë në mbarim të shërbimit ushtarak. Organet kompetente po i zhvillojnë hetimet, për rezultatet e tyre do të informohet opinioni.”

Pyetja e cila i ka prekur njerëzit ka qenë logjike: çka me të vërtetë ndodhi?

Të nesërmen SFMP ka dhënë detaje më të gjera: Duke bërë kujdestari si ndihmës kujdestar në PU 7518 në Paraqin, ushtari Aziz Kelmendi e ka thyer ormanin zyrtar, i ka gjetur dhe i ka marrë 10 plumba 7,62 mm, me të cilët e ka mbushur pushkën automatike me përgjegjësi personale, pastaj nga objekti i kazermës është nisur në drejtim të vendrojës së kazermës. Atje, duke iu kërcënuar se do ta mbyste komandantin e rojës, dhjetarin Riza Alibashiqin, ia ka marrë dy karikatorë me municion për pushkë automatike dhe, duke iu kërcënuar me armë në shpinë, e ka urdhëruar që të shkojë në drejtim të kazermës së njësisë së tij. Nga komandanti i rojës ka kërkuar t’i tregojë se ku fle ushtari Safet Dudakoviq, gjë që ky e ka refuzuar ta bëjë këtë. Pasi ka ardhur në ndërtesë ka urdhëruar që dhjetari Alibashiq të largohet, kurse ai ka hyrë në dhomën e parë të fjetjes. Duke e gjetur ushtarin Dudakoviq në dhomë të fjetjes ka hapur zjarr dhe e ka vrarë, pastaj me rafal ka gjuajtur në ushtarët tjerë, duke i vrarë ushtarët: Simiqin, Begiqin, duke i plagosur edhe dy ushtarë të tjerë. Menjëherë, pastaj ka hyrë në dhomën tjetër dhe me tytë për tavani ka gjuajtur me rafal e ka vrarë ushtarin Hazim Gjananoviqin dhe i ka plagosur edhe dy ushtarë ...”

Nacionalisti i përgjakshëm, në kaos dhe nga tollovia që u krijua ka arritur të tërhiqet nga kazerma dhe ka ikur në afërsi të kodrës së Karagjorgjes, duke dashur që ta kalojë autoudhën. Duke e parë se është rrethuar, e ka shkrepur një fishek në kokën e vet, gjë që është vërtetuar me certifikatën mjekësore, duke i demantuar mjetet e informimit se Aziz Kelmendin e ka vrarë milicia. Njerëzit nuk kanë mundur ta besojnë se diçka e tillë ka ndodhur!...(mbarim i citatit zyrtar).

Sipas fjalisë së fundit të deklarimit zyrtar, konstatojmë se: Aziz Kelmendi ka ikur jashtë kazermës në drejtim të kodrës së “Karagjorgjes” si dhe e kaloi autoudhën! Pasi iku aq larg, pse atëherë u kthye në  drejtim të kazermës? Certifikata e mjekut i demantoi mjetet e informimit se Azizin e ka vrarë milicia përtej autoudhës (autostradës), në kodrën e Karagjorgjes! Si guxojnë mjetet e informimit të japin çfarëdo deklarate pa marrë leje nga Sekretariati Federativ i Mbrojtjes Popullore?!...

Nëse i referohemi deklarimit publik të propagandës serbe (pas datës 04.09.1987), Azizi  ka qenë në rojë më 03.09.1987, mirëpo mjaft i dyshimtë është edhe ky fakt: qysh të angazhohet në rojë ushtari të cilit i kanë mbetur edhe 5 ditë pa e mbaruar shërbimin ushtarak? Edhe këtu mjaft i dyshimtë është deklarimi publik i propagandës serbe, pse u caktua orari i rojës në orën 22:00 e jo në orën 15:oo ose në orën 8:00 të mëngjesit? Megjithëse, në rojë caktohet orari javor. Ky orar ndryshon nëse mungon ndonjëri nga ushtarët e këtij grupi dhe pasojnë zëvendësimet me të tjerë. Një fakt tjetër qëndron – ushtarët të cilët japin rojë janë të armatosur dhe vendosen në objekt të veçantë, afër portës kryesore e cila quhet “vendrojë” (“strazharnica”), këta ushtarë nuk kanë qasje fare me njësinë e vet gjatë tërë javës. Ushtarët në rojë brenda kazermës ushtarake nuk posedojnë më tepër se 5 fishekë të pushkës, për arsye se nëse i ndodhë diçka duhet të shkrepë vetëm sa për të alarmuar se ka rrezik, dhe është sulmuar nga dikush etj...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat