Boritë e Apokalipsit

Opinione

Boritë e Apokalipsit

Nga: Gani Mehmetaj Më: 24 prill 2018 Në ora: 09:07
Gani Mehmetaj

Plaçkitjet, thyerjet e depove e të shtëpive ishin gjëja më e zakonshme që bëheshin ato ditë. Nëpër shtëpi futeshin edhe qentë që kërkonin ushqim, apo për t'u strehuar nga shiu e shqota. Askush nuk i pengonte. Vidhnin e plaçkitnin policët, vidhnin rezervistët, mbartnin rroba e televizorë ditë më diell, në njërën dorë e mbanin pushkën, në dorën tjetër plaçkën nga shtëpitë e dyqanet e braktisura.

Përballë tarracës sime ishte depoja e mbyllur me dyer të hekurta e grila në dritare. Paramilitarët e armatosur erdhën, e thyen derën e hekurt, morën çka kishte mbetur pa u marrë dhe ikën. Pasdite ia behën të tjerët, e salduan derën e hekurt dhe e mbërthyen më mirë në mentesha. Në të ngrysur, ende pa filluar bombardimet nisën të sillnin mallra të ndryshme me një makinë “Zastava” të vjetër. Nga makina nxirrnin televizorë, lavatriçe e mallra teknike. Me habiste sa shumë zinte një makinë e vogël e tipit “Zastava”. Iknin ata më vrap si në ethe, sepse pak çaste më vonë do të fillonin bombardimet. Grupi i vogël vinte çdo ditë, zbrazte mallra në depo e zhdukeshin. Pas disa ditësh po ai grup nxirrte mallrat, i ngarkonin në kamionçina e vazhdonin tutje drejt veriut.

Për depon në anën tjetër në rrugës nuk më bëhej vonë, më brengosnin rezervat në furrikun tim. Ushqim kisha gjithnjë e më pak, dikur më mbeti vetëm një lloj reçeli që m’i nxiu dhëmbët si të haja zift. Turshitë në kavanoza m’u bënë si mijtë e ngordhur që më kalonin shpesh nëpër këmbë. Miellin e misrit nuk mund ta zieja, s’dija të bëja asgjë me të. Përballë më grishte shitorja, që më tundonte tërë kohën. Por, para shitores rrinin policët rezervistë, herë paramilitarët që nuk ndryshonin nga njëri-tjetri.

Dy rrugë më tutje zgjateshin rreshtat para shitores së bukës. Sot m’u bë se rreshti zgjatej edhe më. Lëviznin më shumë njerëz. Në udhëkryqe kalonin pa i ndalur askush. Të jenë kthyer një pjesë e refugjatëve nga malet? Të kenë marrë guximin e të dilnin nga bodrumet? Mbase policët e morën ndonjë urdhër të mos i ngacmonin? Kjo ma përkëdhelte veshin si puhiza e lehtë. Doja të ishte ashtu. Athua ku qëndronte fshehtësia?  Rreshtat nuk pakësoheshin. Prapë sytë më shkonin në shitoren e bukës dy rrugë më tutje. Derisa torturohesha nga mëdyshjet të kaloja nëpër rrugicat që i dija përmendësh, duke e anashkaluar udhëkryqin, apo të shtihesha se jam i tyre e të ecja pa shikuar djathtas a majtas, befas më kapën sytë një skenë të shëmtuar. Polici godiste njërin prej burrave që ishte në radhë për bukë. Sigurisht, hamendësova aty për aty, dikush e pikasi që nuk ishte i tyre, sepse një grua i foli diçka. Apo e zbuloi vogëlushi i tij me ndonjë fjalë a pyetje, drejtuar babait në gjuhën shqipe. Polici vazhdonte ta godiste në fytyrë e në kokë. Fatkeqi nuk mbrohej, as nuk bënte përpjekje t’u shmangej goditjeve. Disa herë u përpoq të hapte gojën, por polici e godiste edhe në gojë. Buzët iu çanë, nga hunda i rridhte gjak. Vogëlushi që i bënte shoqëri babait, u lemeris. Më bëhej se zëri i tmerruar i kalamanit më vinte deri këtu.

Dikur polici e nxori nga radha burrin me vogëlushin. Më mbërtheu zemërimi, që më erdhi së bashku me vrerin deri në fyt, më kaploi dobësimi i gjymtyrëve, gati më plasi shakull në tokë.  Kështu, më iku çdo dëshirë  t’i afrohesha atij rreshti të gjatë të pritjes. S'kisha as uri. Çmimi i bukës ishte i lartë. Burri më vogëlushin për dore ikën pa marrë asnjë bukë. Të tjerëve nuk u bëri përshtypje dhuna e policit, shihnin me shpërfillje e prisnin në radhë.  

Të nesërmen radhët u krijuan para shitores së gjërave ushqimore. Ajo rrinte gjithë ditën e hapur. Tollovitë bëheshin vetëm kohë pas kohe, kur vinte kamioni që e furnizonte. Shtyheshin në radhë njerëzit, burra e gra, i ktheheshin njëri-tjetrit, i hakërroheshin, ndonjëherë ia matnin grushtet. Befas në atë tollovi njëri prej atyre që prisnin shkrepi me pistoletë. Mbeta gojëhapur se si ra i riu në trotuar para shitores. Trupi iu këput në shkrepjen e parë, nuk pati shkrepje të dytë. Në fillim m’u duk lojë fëmijësh. Kapsallita sytë, sepse nuk u besoja: ditë më drekë, një burrë i moshës mesatare shkrepi me një revole para turmës, e palosi në trotuar djaloshin dhe askush nuk reagoi. Më kapi tmerri. Shikoja një grumbull njerëzish, burra e gra, shtyheshin, e kthenin kokën herë nga ai prapa tyre, herë para që të mos ua zinte kush radhën, por askush nuk u mor me djaloshin, trupi i të cilit u këput në trotuar. Ata vazhdonin të shtyheshin, sigurisht e shanin njëri-tjetrin.

E ktheva filmin e vrojtimit prapa në çastin kur ai shkrepi. Një herë nxori revolen, ia afroi të koka. Djaloshi u tërhoq nga frika prapa, por qytetari ia drejtoi revolen në trup. Nuk e di ku e goditi, duket nuk e panë as të tjerët. Krisma erdhi e thatë dhe e dobët. Një herë më shkoi nëpër mend se talleshin, por fatkeqi nuk u ngrit më. Turma u largua nga i vdekuri, e bëri një oazë duke e anashkaluar. Më kalonte nëpër tru se si djaloshi i shkretë, u përpëlit disa herë dhe u shtang. Vrasësi nuk u mor më me të, nuk u mor askush që ta largonte nga trotuari, as bëri kush përpjekje t'i jepte ndonjë ndihmë, vazhdonin të shtyheshin drejt derës së shitores, ku shpërndaheshin gjëra ushqimore. U futa brenda furrikut tim, shtrëngoja nga sikleti kokën, pastaj sërish hodha shikimin në turmën që po pakësohej. Dikur nuk mbeti askush para shitores, gjërat ushqimore u pakësuan apo turma mori atë që e kërkonte. E ndoqa deri vonë pamjen para shitores së zbrazët me kufomën që dergjej në trotuar.

Kapaku i rëndë i hekurit e mbylli vitrinën, shitësi e vërtetoi edhe një herë drynin, dhe iku, kurse mbi trotuar dhe mbi kufomën, nisi të rigonte shi i imët që binte edhe mbi çatinë e furrikut tim. Buçilla e zezë e gjakut që e rrethonte trupin e të vrarit nisi të shpërndahej e të humbte ngjyrën.

Të nesërmen trupi i të riut nuk qe aty. Gjatë natës a në mëngjes e kishin hequr. I kërkova të gjitha radiostacionet që të merrja vesh më shumë për fatkeqin që e vranë me një plumb. Dikur një stacion radioje pasi dha një mori lajmesh të zymta për vrasje në masë, për çnjerëzime grash e lëvizje të popullatës nëpër male, tha se në qendër të kryeqytetit, civili serb vrau të riun shqiptar, sepse në tollovi e sipër ndërruan disa fjalë.  Burri dyzetvjeçar e paska akuzuar të riun, duke i thënë  në vend t'ia mbathte përtej bjeshkëve, shtyhej në radhë t'ua merrte kafshatën e gojës atyre. Emri i të riut nuk u mor vesh, por supozohej se ishte i asaj lagjeje, që nuk dihej se si mbeti në qytet dhe si mori guximin të futej në radhë për gjëra ushqimore e për bukë me njerëzit e kombit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat