Shkaqet sociale të vetëvrasjeve në Kosovë

Opinione

Shkaqet sociale të vetëvrasjeve në Kosovë

Nga: Mr. Sci. Milaim Nishori Më: 25 prill 2018 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Shpjegimi më i saktë i shkaqeve të vetëvrasjeve do të ishte ai i  tipit multifaktoral, i cili nuk absolutizon këtë ose atë faktor, por që synon një qasje nga të gjitha prizmat e mundshme. Shkaqet e vetëvrasjeve janë të shumta,   dhe këto paraqitën si një ndërlidhje  komplekse e faktorëve social, ekonomik, psikologjik, gjenetik.  Kjo nuk do të thotë se të gjitha shkaqet janë të një rëndësie të njëjtë dhe për këtë duhet selektuar shkaqet bazike të vetëvrasjeve, e jo siç është rasti me disa suicidolog të cilët kanë shkuar aq lart sa që harruan rrethanat e afërta, reale provokuese të vetëvrasjeve, duke u hedhur në hulumtimin e  faktorëve  krejtësisht periferik. Mendoj se nuk mund të kuptohet esenca e dukurisë së vetëvrasjeve pa e njohur fillimisht natyrën e  marrëdhënieve  sociale. Vet marrëdhëniet njerëzore janë burim i mirëqenies, sigurisë njerëzore, lumturisë, kur këto janë të shëndosha dhe humane. Kur  këto janë të një karakteri të kundërt, atëherë refleksionet negative në profilin psikosocial të qytetareve,  janë të pashmangshme. Ne në vazhdim do ti paraqesim kryesisht shkaqet e dimensionit social,  duke mos pretenduar absolutizmin e tyre.

 Shkaqet sociale

Shkaqet sociale  ndërlidhën  me faktin se vetëvrasja si akt  është individual, kurse si dukuri është produkt i rrethanave të caktuara shoqërore. Ne si sociolog themi kështu, por kundërshtarët e këtij qëndrimi vazhdimisht insistojnë në atë se nëse vërtetë vetëvrasja është produkt i rrethanave sociale, ekonomike atëherë përse në kushte të njëjta, individët e ndryshëm nuk reagojnë me akt vetëvrasje. Sidomos një mendim të tillë mospajtues e mbështesin  psikologët.

Në kontekstin sociologjik  të studiuarit e vetëvrasjeve është i orientuar në heuritizimin, gjetjen e shkaqeve të përbashkëta të të gjitha vetëvrasjeve e jo në specifitetet e këtij ose atij rasti individual. Faktori kryesor,  model sociologjik në shpjegimin e vetëvrasjeve në kontekstin universal është dezintegrimi social. Vetë praktika jetësore e cila është eksperimenti më i mirë dukurive sociologjike ka treguar se situatat sociale me dezintegrime sociale vazhdimisht kanë provokuar akte suicidale (vetëvrasëse). Në kontekstin e kundërt, kur është i potencuar integrimi në dimensionin familjar, social, shtetërorë, numri i vetëvrasjeve gjithsesi është më i vogël. Ja, rasti Kosovës mund të vërtetoj qartë hipotezën e mësipërme. Gjersa në Kosovë më parë kishte familje më kohezive, me raporte më të afërta emocionale me rrethin social, kishim shumë më pak vetëvrasje, kurse sot me egoizmin, individualizimin e raporteve të tilla numri i vetëvrasjeve është në rritje progresive. Rastet tjera konfirmuese të konstatimit se dezintegrimi social stimulon vetëvrasjet kurse integrim parandalon, janë luftërat, revolucionet. Në prag luftërash, konfliktesh dhe gjatë tyre numri vetëvrasjeve vazhdimisht bien për faktin se integrimi ndërmjet njerëzve është më i theksuar. Në rastin e luftës së Kosovës nuk raportohet për ndonjë ngritje të numrit të vetëvrasjeve. Natyrisht dikush mund të pyes: pse kaq shumë vetëvrasje pas luftës?  Vetëvrasjet në Kosovë nuk janë rritur ekluzivisht vetëm  për shkak të luftës por për arsyen e thjesht se shumë nga qytetarët tonë nuk mund ta realizojnë dhe projektojnë jetën çfarë realisht e kanë menduar. Ne kemi përplot popuj që dekada me radhë nuk kanë përjetuar luftë por që kanë shkallë shumë më të lartë të vetëvrasjeve se sa ne. Cili faktor sociologjik shpien drejt integrimit social shtrohet pyetja? Integrimi social ndër tjerash varët nga kualiteti i statutit social. Individët me statut të lartë social kanë më tepër frekuenca integrimi se sa ata që nuk e kanë një epitet të tillë.  Natyrisht do të ishte mendjelehtësi të nxjerrësh  përfundim se individët me statut të lartë social nuk  mund të bëhen vetëvrasës ose vetëm  të varfërit provokohen nga një dukuri e tillë, por një gjë është e sigurt: individi i varfër, me raporte të çrregulluara familjare, sociale, me shpresa të thyera, i parealizuar, pa projeksion për të ardhmen, me probleme shëndetësore, është shumë e pritshme të ketë asociacione në vetëvrasje.

Mendoj se shkaqet sociale të vetëvrasjeve janë të një natyre të veçantë sepse janë si një taban rekrutues i  të tjerave. Të shkaqet sociale esencial është raporti njeri-shoqëri. Nëse vërtetë  njeriu është produkt i rrethanave në të cilat jeton dhe vepron, atëherë nga kjo premisë fare qartë rezulton se ky është i tillë çfarë është shoqëria. Shoqëria me shëndet social e demokratizuar, humanitare, në funksion të qytetarëve të vet, shoqëria që preokupohet me fatin e individit, me mundësitë e realizimit të tij si qenie, ka probabilitet shumë më të lartë të ketë numër më të vogël vetëvrasjesh, ngase jeta e shëndoshë institucionale determinon në masë të konsiderueshme atë individuale.   Nga kjo derivon akcioma sociologjike: çdo ballafaqim i shoqërisë me ndonjë dukuri racionale apo patologjike, në esencë është një ndeshje me shëmbëlltyrën e vet. Njeriu ka një plasticitet të theksuar emocional: urren –dashuron, krijon- shkatërron, është kulturativ apo akulturatv dhe cila prej këtyre alternativave do të aktivizohet, varët nga rrethanat sociale.  Në këtë kontekst, mendoj se në një numër të konsiderueshëm rastesh, vetëvrasësi nuk është akter i vetëm në aktin e tijë, ngase në të partcipojnë respektivisht kanë ndikim rrethanat e pavolitshme familjare, sociale përgjithësisht.

Ndryshimi i ekzistencës komunitare nxiti vetëvrasjet

Në një situatë të tillë të ndryshimeve të jashtëzakonshme sociale politike në Kosovë, qytetari  shqiptar që dikur kishte një protektorat ekzistencial familjar, fqinjësorë, fisnorë, tashmë ka ngelur tërësisht i vetëm në përballje me jetën, i vetëm në gëzimet e pakta, i vetëm në dhimbje. Askush nuk intereresohet për fatin e tjetrit: “Në je i zoti jeto, ndryshe vdis”. Problemi është se çka realisht kjo shoqëri kupton me nocionin zotësi.

Ky ndryshim i formës komunitare të jetës me atë individuale, egoiste, krijon vështirsi të shumta të shtresa  e njerëzve me probleme adaptive në rrethana të reja sociale. Në situata të tilla ka njerëz, sidomos nga të moshuarit, të cilët kanë përjetuar përthyerjet sociale, e që ndihen tmerrësisht të dëshpëruar, të humbur, të pa shpresë, pa identitet ekzistencial, të depresionuar, të injoruara nga shoqëria, të  pa realizuar si qenje. Paramendoni se si ndihet i moshuari, i lodhur, i sëmurë, i braktisur, me disa kacidhe pensioni në muaj: si ndihet një i ri që me sakrifica të mëdha familjare e personale ka mbaruar shkollimin dhe në fund sorollatet rrugëve duke  venitur vrullin rinor. Situata të tilla patjetër shpien njeriun në situata depresive të cilat mëpastaj të ata që kanë një imunitet, energji të dobësuar psikologjike, provokojnë edhe vetëvrasje. Në rrethana  të tilla sociale,  ekonomike, nuk është fare çudi rritja enorme e dukurisë së vetëvrasjeve.

 Ndryshimi i strukturës së familjes

Ndryshimi i strukturës së familjes ka refleksione në dukurinë e vetëvrasjeve.  Familja nuk është një kualitet që mund të zhvillohet jashtë dhe pavarësisht nga konteksti,  totaliteti i rrethanave të përgjithshme sociale. Për këtë arsye historikisht kanë ekzistuar tipe të ndryshme të familjes.  Në këtë kontekst familja shqiptare ka evoluime të theksuara në strukturën kompozicionale, funksionale, morale, duke u larguar gradualisht nga atributet tradicionale siç ishte uniteti i brendshëm, autoriteti paternalist. Kemi ndarje të re të  punës, roleve, distribuim të autoritetit. Ndryshimet në familjen shqiptare kanë ndodhur nën trysninë e fuqishme të rrethanave të reja sociale ekonomike të cilat  janë duke e promovuar individualizmin si kredo themelore jetës. Sot e ashtuquajtura familja njëbërthamore ka filluar të hedhë rrënjë edhe të ne më tepër se kurrë. Familja e tipit të tillë me numër të vogël anëtaresh krijon mundësi për situata me vetmi fizike e morale, të cilat provokojnë më pas depresione dhe akte vetëvrasëse. Hulumtimet në këtë kontekst kanë treguar se vetëvrasje ka më pak në familjet shumëanëtarshe, se sa në ato që nuk e kanë këtë komponent, për arsye se mundësitë për vetmi janë më të vogla. Kjo epidemi e individualizmit ka goditur të gjitha strukturat me natyrë sociale, me lidhje primare. Një indikacion tjetër i ndryshimit në familjen shqiptare përveç strukturës të reduktuar kompozicionale, është rëna e unitetit, mirëkuptimit familjar e cila mëpastaj ka rezultuar me një numër të madh shkurorëzimeve. Rritja enorme e shkurorëzimeve sidomos pas periudhës së luftës është favorizues i  akteve vetëvrasëse për faktin se krijon gjendje reperkusive emocionale të bashkëshortët e sidomos të pasardhësit e tyre. Situatat e tilla shkaktojnë depresione e këto mëpastaj provokojnë vetëvrasjen.  Hulumtimet në shkallë  botërore kanë dëshmuar se ndër të shkurorëzuar ka më tepër vetëvrasje. Vetëm në vitin 2008, në Kosovë, janë shkurorëzuar 1026 qifte bashkëshortore. 91% e të shkurorëzuarve janë me përkatësi etnike shqiptare. Në vitet 1980-‘81-‘82, Kosova kishte vetëm 0,9 shkurorëzime në 1000 familje. Ky faktor ka pasur ndikim në parandalimin e sjelljeve sucidale. Shkurorëzimet kanë ndikim në rritjen e numrit të vetëvrasjes për faktin se atakojnë qelizën e integrimit shoqëror, socializimit, oazën e  ngrohtësisë emocionale, përkatësisht familjen. Mëpastaj nuk duhet harruar faktin se shkurorëzimi përcillet me emocione, reaksione të rënda psikologjike të cilat kanë refleksione direkte negative në shëndetin emocional, social të partnerëve e sidomos të pasardhësit nëse i kanë. Një fëmijë i një familje të shkurorëzuar ka probabilitet të ketë profil suicidal më të theksuar se sa tjetri që është rritur me të dy prindërit dhe në një atmosferë të mirë familjare. Shkurorëzimet në Kosovë shpesh përcillen edhe me dukurinë e vrasjeve-vetëvrasje. Kjo ndodhë sidomos në momentet kur shkurorëzimi nuk është dëshirë e dyanshme. Iniciator të një dukurie të tillë janë zakonisht partnerët meshkuj. Se vërtetë numri i vogël i shkurorëzimeve përcillet edhe me numër poashtu të vogël të vetëvrasjeve tregon qartë rasti i Kosovës. Kosova në periudhat kur ka pasur shkallën të ulët të shkurorëzimeve, njëkohësisht ka pasur edhe shkallë të ulët të vetëvrasjeve. Mëpastaj në favor të këtijë konstatimi flasin edhe përvojat e vendeve tjera siç është rasti me vendet e Lindjes së afërme. Thjesht njeriu nuk mund të jetë emocionalisht stabil njeriu, kur i shkatërrohet çerdhja familjare.

Pasojat traumatike të luftës

Populli ynë ka përjetuar gjatë luftës situata tmerrësisht tragjike. Shumë familje kanë humbur  anëtarët e tyre,  kanë parë me sytë e tyre masakrimin e të afërmeve, përdhunimet publike, torturat nga më të ndryshme. Të gjitha këto, mëpastaj  ankthi i vazhdueshëm i të jetuarit me gjasën se në çdo moment mund të jesh i vrarë, ka traumatizuar në masë të ndjeshëm një numër të madh njerëzish. Në këtë kontekst një pjesë e njerëzve tonë, pas luftës ballafaqohet me imunitet të dobësuar, që nuk mund të jetë rezistent për të sfiduar asociacionet e vazhdueshme nga skenat e tmerrshme të luftës, tragjedive familjare. Fatkeqësisht  përjetimet e tilla do të jenë pjesë endogjene psikologjike e përjetshme e njerëzve të tillë fatkeq. Njeriu nuk mund të marrë me mend se çfarë dhimbje të mëdha shpirtërore kanë prindërit e lodhur të sëmurë, të varfër që kanë humbur pasardhësit në lulen e rinisë. Një nënë fatkeqe nga Drenica, me të kuptuar se eshtrat e fëmijëve të saj janë gjetur në një varrezë masive, bëri vetëvrasje në mënyrën më të rëndë të mundshme duke u vetëdjegur. Shumë njerëz të goditur nga lufta bëjnë kalkulime të dhembshme psikologjike rreth asaj se mos kanë pasur alternativa në të vepruar për ti shpëtuar të afërmit nga më e keqja. Ndonjëherë shpërthejnë në fajësimin e vetvetes, mallkojnë pse edhe vetë nuk janë në mesin e të vdekurve. Përveç humbjes fizike të njerëzve, shumë stresante janë damkosjet morale të femrave të përdhunuara të cilat bartin në vete barrën e rëndë të traumatizmit i cili çdo moment mund të provokoj sjellje suicidale. Pikërisht në momentet e krizave të mëdha emocionale, materiale, kur njerëzve u duhej solidariteti, afërsia, ndodhi një migracion i përmasave histerike nga fshati në qytet.   Kjo ishte edhe një goditje e rëndë në sfondin emocional ngase zbehen ose humben në masë të theksuar lidhjet primare të cilat janë të një rëndësie të lartë terapeutike emocionale  dhe preventive  suicidale.

 Varfëria dhe rezignacioni ekzistencial  

Qytetarët përveç, presionit të rëndë të situatave traumatike nga lufta, përballen me mizoritë që di të sjellë, varfëria, injorimi social,  dhe  si të tillë sikur kanë humbur shpresën për një jetë më të mire. Sidomos shumë  goditëse është dukuria e varfërisë e cila rrënon mirëqenien  sociale, psikologjike të njeriut; shkakton destabilitetet emocional, pesimizëm, rezignacion, humbje të identitetit, vetëbesimit, etj. Varfëria është thjeshtë një gjenerues i fuqishëm i shumë të këqijave të dimensioneve të ndryshme. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, në Kosovë 37% e popullsisë kualifikohen si të varfër që jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë, kurse 15 % jetojnë në varfëri ekstreme me vetëm 0.93 cent. Humbja e shpresës, zhgënjimi, janë faktor të fuqishëm që shpijnë drejt aktit të vetëvrasjeve. Kjo përballje e vazhdueshme me papunësinë, varfërinë domosdoshëm rrënon shëndetin mental e fizik duke provokuar depresione të thella, dhe sjellje suicidale.

Në kontekstin e ndërlidhshmërisë së vetëvrasjeve me statutin ekonomik të qytetarit assesi nuk duhet monopolizuar varfërinë si shkak direkt të vetëvrasjeve, për më tepër  roli i shkaqeve ekonomike ndonjëherë paraqitet  shumë kontrovers.  Ta zëmë faktin, se vetëvrasjet janë të pranishme në përmasa të mëdha pikërisht në vendet me standard shumë të lartë jetësor. Madje, Suedia që njihet si shtet-parajsë në kuptimin e standardit jetësor, deri vonë ishte kampion i vetëvrasjeve. Mëpastaj shqiptarët kanë qenë shumë më të varfër se sa sot, por numri i vetëvrasjeve ka qenë  shumë i vogël. Nuk mund të injorohet faktorit ekonomik, por reflektimet e tijë në aktet e vetëvrasjes nuk janë të drejtpërdrejta. Baza  e ulët ekonomike, stimulon vetëvrasjet vetëm kur modifikohet  në faktorë të ndryshëm psikologjik, neuropsikiatrik.

Dobësimi i besimit religjioz

Në  rritjen e numrit të vetëvrasjeve qoftë në Kosovë, qoftë në vendet ka ndikuar dobësimi i besimit religjioz. Nëse një individ  ka ndjenja të sinqerta, të vërteta religjioze, atëherë me vete ka një mekanizëm të fuqishëm  shpirtëror,  imunitetin e duhur në përballje me situatat shumë të pakëndshme që mund të ofroj jeta. Historikisht besimet religjioze kanë qenë faktor të fuqishëm në parandalimin e vetëvrasjeve. Apelet e tyre se jeta e njeriut është produkt i zotit, se vetëm ky jep dhe merr jetë, kanë qenë një profilaksi e mirë kundër vetëvrasjeve. Në veçanti për qëndrime shumë të prera antivetëvrasëse shquhet feja islame e cila të bërit katil i vetvetes e cilëson si vepër të rëndë, të dënueshme nga perëndia.  Sipas pikëpamjeve islame, profeti Muhamed Mustafaja, në një rast kishte thënë: “Kush mbytë vetën do të dënohet rëndë diten e kiametit”. Sipas fesë islame me vetëvrasje, pretenduesi i saj, lëre që nuk do të zgjidhë kurrfarë problemi por realisht ka hyrë në fazën e problemeve të amshueshme në botën e matanshme, për shkak të aktit të tij. Njeriu, sipas fesë islame duhet të pajtohet me fatin e tij qoftë ai edhe i padëshirueshëm. Kjo fe prejudikon se nëse ka ndodhur diçka në të kaluarën, ne nuk mund ta ndryshojmë atë dhe kot dëshpërohemi. Duhet punuar për të ardhmen duke mos bërë gabimet nga e kaluara, qoftë nga përvoja personale apo edhe e të tjerëve. Ndikimet e fesë islame të pjesëtarët e saj në parandalimin e dukurisë së vetëvrasjes është evident për faktin se numri i  tyre është shumë  më i vogël se sa të konfesionet tjera. Konfesioni i cili nuk ka qëndrime të qarta akuzative ndaj suicidit, ndikon në rritjen e numrit të vetëvrasjeve siç është rasti me budizmin. Në këtë kontekst poashtu rënia e besimit religjioz është një nga shkaktarët e shumët të vetëvrasjeve, por assesi i vetmi siç pretendojnë disa hulumtues të kësaj dukurie.

Kriza e identitetit jetësor

Kur është çështja të raporti në mes dukurisë së vetëvrasjeve  dhe shoqërive të sotshme, të ashtuquajtura: liberale- demokratike, është e domosdoshme paraqitja e një profili të përgjithshëm social-psikologjik të tyre. Së pari konsideroj se është e gabueshme të mendohet se civilizim i sotshëm shënon fundin e ideologjisë. Fuqimisht kam bindjen se  edhe shoqëritë e sotshme liberale demokratike janë  ideologjike, sikur të mëparshmet. Ideologjia e vërtetë e saj mund të emërtohet  si filomaterialitet dhe individualizëm patologjik. Kjo shoqëri të cilën Fukujama e quan pa të drejtë, si të fundit dhe më të përsosurën, të pa alternativë,  i  ktheu individualitetin njeriut, e bëri  padron të fatit të tij duke e liruar nga ndenjët e përkatësive dhe shëndrruar këtë në një “ujk”të vetmuar, përballë “armiqve” tij të përhershëm si: tregut, konkurrencës, është e ngulfatur nga kontradiktat e shumta të brendshme. Një shoqëri e tillë e përballjeve të tmerrshme me konkurrencën e vazhdueshme, e bënë jashtëzakonisht stresante ekzistencën njerëzore, të pasigurt të frikshme nga mundësia e përhershme  falimentuese. Kjo konkurrencë   patologjike zvetënoi lidhjet primare duke i bërë edhe këto rivalizuese. Kësisoj individi, familja, farefisi, shikohen  jo më si të afërm por konkurrent.  Kur të gjitha këtyre t’i shtohen edhe format e ndryshme të dhunës, sidomos në periudhën e fëmijërisë atëherë faktorët suicidal avancohen edhe më tutje. Një orientim i tillë e mbylli thellë individin në lëvozhgën e individualitetit,  pafuqishmërisë, pasigurisë, të rrezikshmërisë nga të gjitha anët.  Në situata të tilla njeriu nuk ka se si të mos bëjë një çik filozofi me vetën:  Kush jam? Cili është kuptimi i njëmendët i ekzistencës? Këto janë sinjale të qarta të krizës së identitetit ekzistencial të cilin e ka  gallbëruar ideologjia e filomaterialitetit, hipërprofitit. Shoqëria liberale, demokratike, duke totemizuar komponentin materiale të jetës dhe margjinalizuar atë shpirtërore ka bastarduar skajshmërisht esencën e të qenunit njeri. Njeriu  gradualisht e ka  kuptuar se nuk ka ardhur në këtë jetë vetëm për të ngrënë, pirë, nuk ka ardhur vetëm për të vrapuar pas letrave të quajtura: para, ngase misioni i tij është shumë më suptil. Fundja të ngrënët, pirët e synojnë edhe të gjitha qenjët tjera. Ky debalancim kaq i madh në mes vlerave materiale në njërën anë dhe shpirtërore në tjetrën,  ka kultivuar monotoni ekzistenciale, pakuptimësi, deshprim, e këto emocione pastaj shpien gradualisht deri të vetëvrasje. Tërë ky orientim i shoqërisë bashkëkohore drejt pseudovlerave, pangopësisë materiale, është një premisë sociale që rekruton  profile njerëzore të gatshëm për vetëvrasje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat