Kur shikuesi apo audienca shqiptare, si nga Kosova ashtu edhe ai nga Shqipëria, ulet përpara televizorit për të përcjellë apo për të ndjekë një seancë parlamentare, apo një debat televiziv, domosdo duhet që më përpara të ketë marrë masa të rrepta që fëmijëve t‘ ua bëjë të pamundur prezencën e tyre apo t‘ i ketë mashtruar në një mënyrë tjetër vetëm e vetëm që të mos jenë të pranishëm. Përse mund të thuhet kështu? Janë shumë arsye që e tregojnë dhe e dëshmojnë këtë se diçka në parlamentet tona të të dy minishteteve tona xhuxhe, apo të debateve tona nëpër portalet televizive nuk po ecën diçka.
Dhe sërish duhet të bëjmë pyetjen përse mund të thuhet kështu? Është diçka e habitshme, por edhe krejt e natyrshme përse duhet të bëjmë një pyetje të tillë. Në këto kuvende të këtyre dy shteteve xhuxhe dhe të këtyre debateve portaleske televizive për fatin tonë të keq, e këtë askush nga ne nuk ka mundur ta shmangë apo ta mënjanojë me dëshirën e vet, janë njerëzit, të cilët, ajme o zot, populli kinse i ka zgjedhur, apo është detyruar apo edhe është manipuluar që t‘ i zgjedhë, duke i rënë kështu kokës me dorën e vetë. Këta të quajtur të zgjedhur dhe këta të quajtur apo më shumë të vetëquajtur analistë, „të zgjedhur“ dhe „përfaqësues“ të dijes, kulturës e politikës, që janë kinse edhe zëri i popullit, nuk lënë kurrë seancë apo debat televiziv, pa e prishur higjienën e komunikimit kulturor parlamentar, pa e ndotur, duke u zënë njëri me tjetrin, duke bërë zhurmë dhe duke devijuar moralisht dhe intelektualisht.
Cilëndo seancë parlamentare apo edhe cilindo debat televiziv që ta shikosh, apo denjon ta përcjellësh apo ta ndjekësh, siç thuhet në Shqipëri, është vërtetë tepër e vështirë të thuash se i ngjanë një kuvendi burrash apo edhe burrëreshash, që tradita shqiptare i ka pasur të mirëkoduara, që dinë të mendojnë, që dinë të flasin me kompetencë, me dinjitet dhe me respekt për njëri- tjetrin dhe për popullin , përpara të cilit flasin. Në të tilla diskutime, trajtesa, biseda ,debate, analiza, fjala e bukur kuvend që në brendinë e vet ngërthen mushtin më të fortë dhe më të shëndoshë të mendjes, me të cilën kësaj fjale i është dhënë kuptimi semantik.
Por njeriu shqiptar, ky njeri hallexhi me plot skamje, dilema dhe pasiguri të mëdha në këtë jetë moderne por edhe të çmendur, ulet duke menduar se do të dëgjojë diçka të mençur, diçka të mirë, diçka që çon në zgjidhjen e problemeve sociale, kulturore, politike dhe ekonomike shqiptare, të cilat shoqëritë tona i kanë me bollëk dhe gati janë ngulfatur me dekada tashmë, pothuajse menjëherë, ky njeri hallexhi i bie pishman, se e kapin ethet e zhgënjimit, të zemërimit dhe të mashtrimit, se nuk paska pasur për kë të sakrifikojë kohën e artë, tepër të shtrenjtë e cila edhe ashtu na ikën shumëherë pa e ditur as vetë se si na ikën, duke mos i dhënë kuptim e merituar asaj. Nuk ke se si të ndjehesh mirë, kur ata hyjnë në sallat e kuvendeve apo të studiove televizive me shumë fodullllëk me ca kravata të lidhura në fyt, dhe madje edhe me shumë arrogancë, për të zënë vend në ato ulëse aspak të merituara dhe aspak të denja për ta, sepse shumica e tyre jo vetëm që s‘ bëjnë detyrën dhe porosinë e elektoratit, por për më tepër sikur për inat bëjnë të kundërtën, duke shkaktuar më tepër rrëmujë dhe hallakamë.
Ndaj ty o njeri i mirë, që je ulur për të dëgjuar diçka të bukur, të shtohet më shumë neveria, të ngritet tensioni, të shtohet kokëdhembja, të humb oreksi, të çohen të vjellat, të ushtojnë veshët dhe të tremben sytë, kur nëpër këto ulëse sheh pothuajse të njejtat fytyra apo të njejtit surretër, të cilët janë të katandisur në afera të mëdha e të mykura korruptive, degjeneruese, amorale, antikombëtare dhe për pasojë edhe antidemokratike, duke e katandisur kështu, mjerisht edhe vendin dhe shoqërinë së cilës i përkasin. Se jo vetëm që nuk bëjnë punën përse edhe paguhen dhe paguhen rëndë siç do të thoshte Noli në Boston, por edhe ato punë që kanë bërë, i kanë bërë aq keq dhe vazhdojnë t‘ i bëjnë edhe më keq, sa më shumë i kanë bërë lesh arapi, duke mos ditur se ç‘ kanë zgjidhur apo edhe se ç‘ kanë lidhur më shumë.
Por diçka që të nevrikos vërtetë gjithnjë e më tepër është atëherë kur ata gjithë punën e tyre kinse përpiqen ta bëjnë, e bëjnë me një gjuhë sa të ulët aq edhe denigruese e të padenjë për t‘ u përdorur e për t‘ u dëgjuar. Në qoftë se hulumtuesit, specialistët apo institutet hulumtuese për zhargone popullore të sharjeve, fyerjeve , përçmimeve, ofendimeve, denigrimeve dhe shprehjeve frazeologjike më të pista foljore, do t‘ i duhej të studionte në një fushë të tillë, atëherë vendi më i mirë dhe kopshti më i mirë ku lulëzojnë të gjitha këto, do t’i gjente pikërisht nëpër kuvendet tona dhe nëpër studiot e debatet e portaleve tona televizive.
Mjafton që vetëm t‘ i dëgjojmë këto seanca dhe këto debate televizive dhe do të mbushnim disa kosha plehrash të sharash dhe të palarash, të folura dhe të shprehura me emocion dhe guxim, madje duke përplasur edhe grushta dhe rrapëllima inventarësh, që i kanë përrreth kudo ata gjenden. Në fjalorin e tyre të përdorur nëpër seanca parlamentare apo edhe nëpër debate televizive, njeriu mund të gjej dhe mund të dëgjojë fjalë, që vështirë se përdoren edhe brenda katër mureve nëpër ndeja intime dhe tepër private, ku nuk ka kamera të instaluara televizive. Është fare e lehtë dhe aspak e vështirë që për të tillët, që do të duhej të ishin model komunikimi dhe edukimi i shoqërisë prej nga vijnë, ndodh krejtësisht e kundërta, teksa ngriten në këmbë dhe bëjnë me gisht, bëjnë me duar dhe turren e kërcënojnë, denigrojnë e fyejnë, përjargen e përqyrren duke përdorur fjalët më të rënda, më fyese, më injoruese si: injorant, sharlatan,teveqel, torrollak, i trashë, gomar,hajn,maskara, leshko, tradhtar, kalkulant, pederast, profiter, drogaxhi, kumorxhi, dallaveraxhi, delenxhi, faqezi, kurvar, qelbësirë, dredharak, rrugaq, rrenc, rrenacak, mashtrues e deri te sharjet më të ulta e më të pista si: mos më shurdho, ….hamamin, mos më lodh, mos përziej, mos rrej, mos më çaj b.thën, mos më lodh b.thën, mos më çaj trapin,mos ha m.t, shko në rr.të të samës, pirdhu, e margaritarë të tjerë nga kjo serë e njerëzve tanë, që ndër vite kanë lulëzuar nëpër shtëpitë dhe kopshtet tona, nëpër shkollat dhe universitetet tona dhe që kanë guximin edhe të quhen intelektualë që shesin dije.
Atëherë kur përpara ke të tillë „oratorë“apo „gojtarë“, siç do të parapëlqente të thoshte fjala e bukur shqipe, çfarë mbetet për të bërë atëherë? Asgjë, pothuajse asgjë, përveç që njeriu duhet të jetë i mençur vetë dhe duhet të shkojë menjëherë në bibliotekën e tij , të tillë siç e ka, të varfër apo të pasur dhe të ndalet përpara rreshtit të atyre librave , të cilat ta heqin zjarminë dhe të joshin por edhe të japin një këshillë të mirë: kur na ke neve, atëherë ç‘ ke që merresh me ata?