Një qasje më serioze për ndërtimin e shtetit funksional të Kosovës

Opinione

Një qasje më serioze për ndërtimin e shtetit funksional të Kosovës

Nga: Sadik Elshani Më: 20 maj 2018 Në ora: 07:07
Sadik Elshani

Në këto dhjetë vite si shtet i pavarur Kosova është duke u ballafaquar me një mori sfidash për ndërtimin e një shteti funksional e demokratik. Kjo nuk është Kosova që e kemi ëndërruar, kjo nuk është Kosova e synimeve, përpjekjeve, luftërave tona shekullore për liri e pavarësi. Armiqtë tanë u munduan të na shkulnin rrënjët tona nga toka jonë, na mohuan qenjen tonë, na rrëmbyen pronat, na burgosen e na vranë, na bënë njëqind të zeza, por nuk arritën të na thyejnë shpirtin, të na mbysin shpresën. Edhe në ditët më të errëta të historisë sonë, populli kishte shpresë se do të vijë edhe dita jonë, do të vijë liria e demokracia. Pas përpjekjeve mbinjerëzore, luftërave të pandërprera, erdhi edhe ajo ditë – Kosova u shpall shtet i pavarur. Por siç ndodh shpesh në jetë, pas një pritje të gjatë, pas një dehje shpirtërore, duken edhe shenjat e zhgënjimit. Ndoshta nga pritshmëria e madhe, por edhe nga shumë faktorë të tjerë: jo serioziteti ynë, papërkushtimi dhe joshjet vetjake (personale), krimi i lartë, korrupcioni në të gjitha nivelet, pasurimi i paligjshëm i drejtuesve të shtetit, nepotizmi, etj. Të jemi të qartë, Kosova dhe populli i saj janë në një pozitë më të lakmueshme se ndonjëherë më parë në historinë e tyre – e kanë hequr zgjedhën e rendë të skllavërisë serbe. Por çështja qëndron këtu, se ende nuk jemi në pozitën ku duhet të ishim në këtë dhjetëvjeçar të shtetit të pavarur të Kosovës. Shenjat, parashikimet janë të vrëra, rruga është e mjegulluar.

Veprimet e politikanëve tanë të të gjitha ngjyrave dhe drejtimeve politike, qeveri – opozitë, me veprimet e tyre te papërgjegjshme, sjelljet e tyre të papjekura të nivelit të kalamajve, janë duke e mbytur këtë shtet foshnje. Veprimet e tyre të pamatshme e të rrezikshme janë vete shkatërrimi, vetëvrasja e këtij shteti të ri. Atë që nuk arritën të na bëjnë të tjerët, armiqtë tanë, ne po ia bëjmë vetes sonë, po ia vjedhim, po ia mbysim shpresën vendit tonë, popullit tonë. Është zbehur shpresa, po humb besimi në shtetin e Kosovës dhe një pjesë e mirë e qytetarëve të saj jane duke e kërkuar fatin e tyre, shpëtimin e tyre jashtë Kosovës. Pavarësia e një vendi është kurorëzimi i të gjitha përpjekjeve për liri e pavarësi, por duhet të kemi parasysh se ajo është vetëm hapi i parë në rrugëtimin e gjatë e të pambarim për të ndërtuar një shtet të lirë, demokratik, funkcional e të qëndrueshëm. Paaftësia jonë për të ndërtuar institucionet funkcionale demokratike shtetërore, duket se po dëshmon se ne jemi duke vuajtur nga “Sindromi i Stokholmit”, sepse jemi mësuar keq që pushtuesit tanë të na ndërtojnë institucionet, të na ndërtojnë administratën. Kuptohet, sipas interesave të tyre e në dëmin tonë.

Klasa e sotme politike kosovare, partitë politike pa një program, platformë të qartë, pa një orientim kombëtar, nuk janë të afta, të përgatitura në nivel të duhur për t’u ballafaquar me sfidat e shumta që është duke përjetuar Kosova sot. Udhëheqësit tanë nuk i rrezatojnë, nuk i përfaqësojnë, nuk i paraqesin vlerat kombëtare e njerëzore të popullit tonë. Ata nuk janë duke punuar për interesat e popullit, por vetëm për interesat e tyre vetjake (personale) dhe të klaneve të tyre. Udhëheqësit e kompromituar, e të korruptuar, të një mendesie provincial, pa nje kulture politike e të një niveli të ulët intelektual, askush nuk i merr seriozisht, askush nuk i respekton. Rrjedhimisht edhe shtetin që ata e drejtojnë askush nuk e merr seriozisht. Me sjelljet e tyre për çdo kritikë, ata sikur janë duke e mohuar edhe shtetësinë e Kosovës. Kuvendi që duhet të jetë një Tempull i Shenjtë i Demokracisë, është shndërruar në një fushëbetejë, arenë gladiatorësh ku hidhet gaz lotësjellës, ku deputetët shahen e rrihen me njëri – tjetrin. Njerëz të tillë nuk janë përfaqësues të popullit të shumëvuajtur të Kosovës, por të llumit të shoqërisë kosovare. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje e problemeve të Kosovës. Me të njejtit aktorë të dobët nuk mund të bëhet një shfaqje e mirë dhe me të njejtit politikanë të korruptuar nuk mund te ndertohet një shtet i fortë e i qëndrushëm. Prandaj, nevojitet angazhimi i të gjithëve. Edhe populli nuk është i pafajshëm, sepse dikush është duke i votuar këta udhëheqës, nuk janë duke na pikur nga qielli. Hapi i parë, zgjohu e voto, ndërgjegjësohu, sepse zgjedhjet kanë rrjedhoja që ndikojnë në të gjitha sferat, lëmitë e jetës publike e private. Të rinjtë, një pjesë e tyre të përgatitur në universitetet përendimore, duhet të angazhohen në jetën publike e politike dhe të sjellin pervojën e tyre përendimore, të sjellin një frymë të re, një qasje të re, një stil të ri drejtues që bazohet në vlerat e vërteta dhe jo në lidhjet farefisnore e klanore.  Të rinj mbi kurrizin e të cilëve nuk rëndojnë akuza të rënda për krime e korrupcion. Këtu kam ndërmend ata të rinj të kategorisë së Lumir Abdixhikut e shumë të tjerëve. Problemet e shumta të Kosovës të grumbulluara me dhjetëvjeçarë (dekada) të tërë, nuk ka kush që i zgjidh për një kohë të shkurtër, por udhëheqësit me punën, veprën e tyre duhet të tregojnë se janë duke bërë përpjekje, se janë duke punuar me ndershmëri për zgjidhjen e këtyre problemeve, duke patur gjithnjë në qendër të vëmendjes interesat e qytetarit.

Është një thënie afrikane që thotë: “Për të rritur një fëmijë duhet një fshat i tërë” (“It takes a village to raise a child”). Po për të ndërtuar një shtet? Duhet angazhimi, përfshirja e të gjithëve. Në këtë drejtim është mirë që të përfshihen, angazhohen edhe intelektualët, shkencëtarët, institutet shkencore, shoqëria qyterare dhe organizatat joqeveritare. Më shumë sy shohin më shumë, më shumë mendje sjellin gjykime më të thella, më të gjithanshme, më gjithëpërfshirëse. Duhet të krijohet sa më shpejtë Këshilli Kombëtar, një Këshill serioz, roli i të cilit do të ishte kryesisht këshillëdhënës, i përbërë nga intelektualët, ekspertët tanë të të gjitha lëmive, sepse cështjet janë të ndërlikuara dhe të natyrave të ndryshme. Në këtë këshill mund të përfshihen edhe miqtë tanë të huaj që gjërat i shohin pak më ndryshe dhe nuk janë të ndikuar nga politika e ditës dhe qarqet e caktuara politike. Sidomos në bisedimet me Serbinë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse veprimet e përngutshme e të pamatura do të kenë pasoja katastrofike afatgjate për Kosovën dhe popullin e saj. Politikanët tanë të pranishëm tani në skenën politike të Kosovës janë të papërgatitur, te papërkushtuar për t’i ballafaquar me sukses këto sfida. Në këto çështje duhet të përfshihet edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, jo për t’u marrur me politikën e ditës, por me çështjet madhore, kyçe të Kosovës – rol këshillëdhënës shkencor e profesional. Prandaj, formimi i këtij Keshilli Kombetar është një nevojë e domosdoshme dhe e përngutshme që do të luante një rol këshillëdhënës të rëndësishëm strategjik, ndërsa vendimet përfundimtare do t’i marrin organet përkatëse të përcaktuara me kushtetutën e vendit.

Angazhimi më serioz i të gjithëve dhe krijimi i këtij Këshilli Kombëtar do t’u dërgonte një porosi të qartë miqve dhe armiqve tanë, popullit tonë se, ne jemi serioz për të ndërtuar një shtet funkcional, të fortë e të qëndrushëm dhe do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet për ta mbrojtur atë.

Philadelphia, 19 maj 2018                      

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat