Kryengritja e Ilindenit ishte ishte kundër interesit kombëtar shqiptar - Bota Sot
Kryengritja e Ilindenit ishte ishte kundër interesit kombëtar shqiptar

Opinione

E hënë, 20 gusht 2018

Kryengritja e Ilindenit ishte ishte kundër interesit kombëtar shqiptar

Nga: Prof. Dr. Vebi Xhemaili Më: 24 maj 2018 Në ora: 23:35
Prof. Dr. Vebi Xhemaili

Në këtë kohë, Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte një stadium më lartë dhe shumë më e organizuar se lëvizja sllavo-maqedonase. Prandaj shqiptarët dhe krerët e saj nuk kishin nevojë  të rendnin pas kësaj lëvizje, e cila kryekëput dëmtonte lëvizjen politike të shqiptarëve dhe i vente ata në pozitë të qiraxhiut në shtëpitë e tyre autoktone. Në këto anë të Shqipërisë,  krijohej një sundues ri, shumë më i egër se sa ai turk. Prandaj shqiptarët nuk kishin asnjë arsye që të  përkrahën këtë kryengritje sllave që ishte kundër çështjes kombëtare shqiptare.

Kryengritja e Ilindenit nuk u përkrah nga krerët e Lëvijes kombëtare shqiptare

Më 2 gusht 1903 shpërtheu Kryengritja e Ilindenit, e cila u shtyp ashtu si e kishin parashikuar bejlerët dhe agallarët shqiptarë. Shumë shpejt dhe në mënyrë të ashpër. Ashtu si kishte deklaruar paria shqiptare në takimin e tyre me përfaqësuesit austro -hungarez. Me këtë rast, Fuqitë e Mëdha, intensifikuan trysninë e tyre pas vrasjes së dy konsujve të tyre. Rusia dërgoi disa anije luftarake, kurse, pak më vonë, austriakët dhe italianët do të bënin një demonstrim detar përballë Selanikut.

Edhe sot e kësaj dite shtrohet pyetja pse shqiptarët myslimanë dhe krerët e saj nuk morën pjesë në Kryengritjen e Ilindenit. Kjo sepse krerët shqiptarë ishin të bindur se kryengritje i rrezikonte interesat kombëtare. Prandaj, krerët shqiptarë, jo vetëm që e injoruan këtë kryengritje sllave, por e luftuan me të gjitha mjetet që kishin. Krerët shqiptarë e dinin se pas kryengritjes në trevat lindore shqiptare qëndronte politika  ruso – bullgare, e cila vepronte në dëm të shqiptarëve  dhe kundër luftës së saj për autonomi. (V.Xh)

Sot historiografia sllavo – maqedonase manipulon me një “manifest”, që fare nuk ka ekzistuar gjatë kryengritjes, por ka në dorë një ”Manifest” tjetër që mban datën e 6 gushtit, ku trumbetohet “Autonomia e Maqedonisë”. Prandaj ky “manifest”, është i trilluar nga politika ditore bullgaro-sllave, për të mashtruar fuqitë e mëdha, se në këtë kryengritje morën pjesë edhe shqiptarët. Siç dihet edhe flamuri i Kryengritjes është sjellë në Krushevë, nga Bullgaria. Po ashtu, në këtë kohë, Krusheva ishte e banuar me shumicë popullatë vllehe, e jo sllavo-maqedonase. Sot e kësaj dite shtrohet pyetja: kush është ky “Këshill” i qytetit të Krushevës prej 60 anëtarëve, që mban datën e  4 gushtit, pasi kishte përfunduar kryengritja e cila zgjati vetëm një gjysmë dite të 2 gushtit  (nga mëngjesi deri në ora 12-h)? Tani shtrohet pyetja: kur janë propozuar: 20 shqiptarë, 20 vlleh dhe 20 sllavo – maqedonas? Ky “Këshill” asnjëherë nuk u verifikua, pasi nuk ka procesverbal, por ngeli i shënuar vetëm në letër. Ata pjesëmarrës shqiptarë, që u trilluan në këtë dokument apo letër, nga politika ditore sllavo-bullgare, me siguri sot e kësaj dite nuk dihet se kush janë. Këta përfaqësues nuk mund të merren për shqiptarë, pasi askush nuk i ka zgjedhur nga popullata shqiptare. Në ato lista nuk figuron asnjë udhëheqës nga krerët e njohur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që vepronin në këto anë të Manastirit.  Këta dy udhëheqës shqiptarë, të apostrofuar  në listë, nuk mund të merren si përfaqësues të shqiptarëve, pasi nuk ishin dërguar nga krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nuk përfaqësonin interesin e shqiptarëve. Prandaj me plot të drejtë morale - shkencore mund të konstatojmë “se  shumica nga ata kanë qenë pa ndjenja nacionale”. (V.Xh).

Si mund të emërohet një “Këshill” i tillë kur dihet se asnjëherë në atë kohë nuk janë mbajtur  zgjedhje në Krushevë me rrethinë. Siç dihet, të gjithë fshatrat përreth Krushevës ishin çuar në këmbë kundër kësaj kryengritje të ashtuquajtur bullgare dhe, me armë në duar, i mbrojtën fshatrat e tyre. Të apostrofuarit shqiptarë në këtë “Këshill”, si: Vangjell Dino dhe Nikolla Balu, për nga origjina mund të jenë shqiptarë, por pa ndjenja kombëtare, siç ishte edhe Pjetër Gurri (Pitu Guli). Këtu shtrohet pyetja: pse këta vepruan jashtë kornizave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila, në këtë kohë, kishte marrë hov me përmasa të mëdha në Manastir. Këta shqiptarë të apostrofuar më lartë i sollën shumë pasoja të rënda Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Diplomacia bullgare, në emër të këtyre shqiptarëve pa ndjenja nacionale, e shfrytëzoi momentin që të bënte presion kundrejt diplomacive evropiane që sa më parë të fillonin reformat në këto pjesë të Shqipërisë lindore, më Konkretisht në Qarkun e Manastirit dhe të Shkupit. Krerët shqiptarë e luftonin këtë propagandë bullgare me tërë forcat e tyre. Kjo kryengritje sllavo-maqedonase, de fakto, çonte ujë në mulli të Shën Stefanit dhe në krijimin e Bullgarisë së Madhe në trevat lindore shqiptare.(V.Xh).

Sot shtrohet pyetja e dytë: këta shqiptarë të apostrofuar më lartë përse ishin kaq shumë të interesuar që Manastiri, si qendra më e rëndësishme shqiptare, t’i shkëputej Shqipërisë dhe t’i bashkëngjitej Bullgarisë? A e dinin këta shqiptarë, nëse kanë qenë të tillë, se të gjithë shqiptarët në vitin 1878 u çuan në këmbë kundër vendimeve që u morën më 3 mars në paqen e Shën Stefanit? Me këtë rast, mbi 30 mijë shqiptarë nga Tetova dhe Gostivari protestuan dhe i dërguan një memorandum fuqive të mëdha në Stamboll, kundër këtyre vendimeve të Shën Stefanit, që ishin vendime kryekëput në dëm të trevave lindore shqiptare, ku sipas   këtij vendimi ishte parapa që Kaçaniku, Tetova, Gostivar deri në Dibër e Strugë të hynë nën influencën bullgare. Prandaj qëndrimi i tyre antikombëtar nuk do koment. Ose, thënë më saktë, kjo ide e tyre hapte plagë të reja për Shqipërinë dhe shqiptarët pas vendimeve të Shën  Stefanit. De fakto, këta përfaqësues të ashtuquajtur “shqiptarë”, “çonin ujë në mulli të Bullgarisë së Madhe dhe ringjalljen e ëndrrave të saja mbi territorin e Shqipërisë Lindore”.(V.Xh).

Po ashtu, në këtë kohë, është me rëndësi të potencohet edhe mendimi i një veprimtari të madh të kësaj ane, Shahin Kolonjës, në lidhje me çështjen e bashkëpunimit me sllavo-maqedonasit. Ai deklaron: “Ky bashkëpunim mund të ishte nga ana tjetër edhe një faktor përçarës”. Për një kërkesë të disa shqipfolësve, në vitin 1903, pati edhe prishje midis Toma Avramit dhe Shahin Kolonjës, me të cilin bashkëpunonte për botimin e gazetës, “Drita”. Toma Avrami, i cili filloi të botonte organin e tij me emër “Vetëtima”, kishte dashur të afrohej me Mihajllovskin dhe me “Komitetin Maqedonas”.

 Shahin Kolonja, ishte i mendimit “se nuk qe i mundur bashkëpunimi me armiq që donin ta gllabëronin gjysmën e Shqipërisë dhe t’ia bashkonin një Bullgarie të ardhshme të Madhe”. Mendimi i Shahin Kolonjës mund të plotësohet edhe nga qëndrimi i fuqive të mëdha, ku pas këtyre reformave, që duheshin aplikuar vetëm në provincën e Maqedonisë, fshihej diçka tjetër më e madhe.

Një atdhetar tjetër i devotshëm i çështjes kombëtare, nga vilajeti i Manastirit, pra Kristo Dako, pas trazirave të Ilindenit, thotë: “Krushova hoqi të zitë e ullirit gjatë kryengritjes bullgare më 1903”.

Më së miri për Kryengritjen e Ilindenit e përshkruan Misha Gleni, i cili shprehet: “Viti 1903 qe nopran (i mbrapshtë) për Shqipërinë, sepse plasi kryengritja e bullgarëve të Maqedonisë  dhe ata që u dëmtuan  më tepër qenë shqiptarët”.

 Për sjelljen barbare të kësaj kryengritje flasin faktet se: “vetëm në qytetin e Krushevës nga komitët bullgaro-maqedonas u vranë 25 vetë nga të cilët dy gra dhe dy fëmijë”. Në natën 2 gusht 1903, komitët dhe kryengritësit bullgarë e pushtuan Krushevën, më ç’rast i vranë dhe i masakruan njëzetepesë (25) myslimanë, ndër ta (2)  dy gra dhe (2) dy fëmijë. Nga të gjithë qytetarët e konfesionit myslimanë në Krushevë, vetëm se dy veta ia dolën t’i shpëtonin kësaj masakre. Nga 25 myslimanët, 10 veta u vranë në mënyrë barbare duke ua prerë kokën. Kryengritësit vranë 8 nëpunës, 2 gra, 2 policë, kurse  masakruan kajmekamin me gjithë familjen dhe inspektorin e korrespodencës me familje (me përjashtim të një vajze) dhe inspektorin e telegrafit me gruan dhe vajzën 12 vjeçare.

Ideologu i Shqipërisë Etnike, Mit’hat Frashëri, e ndante mendimin e krerëve shqiptarë kur deklaronte: ”Një autonomi sllavo-maqedonase do ta rrezikonte bashkimin kombëtar shqiptar, mbasi do të përmblidhte nën autonominë  e saj toka shqiptare”. Pasi në këtë kohë Bullgaria haptazi kërkonte zgjerimin e saj territorial mbi tokat shqiptare në emër të Maqedonisë së Madhe, e cila shkonte në drejtim të Manastirit, Shkupit dhe disa pjesë të Kosovës.

Po ashtu edhe Ismail Qemali, në kujtimet e veta, shprehet: “Faza e fundit e ngjarjeve të Maqedonisë dhe vendimi i marrë prej Evropës për reformat e këtij vendi, i bëri shqiptarët të kujtojnë se mund të komprometonin bashkimin e tyre nacional”. Prandaj filluan të ndjejnë një farë shqetësimi të fortë duke u habitur për fatin që e priste vendin e tyre. Që në këtë kohë kritike u kërkua ndihmë nga xhonturqit për zbatimin e programit të tyre politik, i cili, në shikimin e parë, dukej konform me aspiratat kombëtare shqiptare për bashkimin e gjithë elementëve etnikë nën të njëjtin flamur të drejtësisë e të barazisë dhe në këtë mënyrë t’u bënin ballë lakmive të huaja”.

Sot nëse i bëjmë një retrospektivë historiografisë shqiptare del se më kot është munduar politika e Tiranës t’i bëjë qejfin politikës komuniste jugosllave të Beogradit dhe të pranojë, pa fakte, pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë kryengritje sllave të Ilindenit; pra për t’i bërë qejfin politikës që kishin me Titon. Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, shumë studiues shqiptarë trumbetojnë se kryengritja sllave e Ilindenit ishte një kryengritje të përbashkët, pra sipas ideologëve të Titos dhe për interesa të veta. (V.Xh).

Ishin shumë të prerë kundër kësaj lëvizje të ashtuquajtur “maqedonase” dy veprimtarët e palodhshëm nga Ohri dhe Struga: Ibrahim Temo dhe Dervish Hima. Ata, gjatë viteve 1902-1904, disa herë e alarmuan Evropën, në veçanti Austro-Hungarinë, nëpërmes konsullit të saj në Manastir, lidhur me aksionin e reformave në krahinën e Maqedonisë, duke ia përkujtuar që mos t’i harrojnë edhe interesat e popullit shqiptar. Ata shkruajnë: “Kjo çështje maqedonase, që do të kallë atdheun tonë, mund të jetë vetë Evropa, e cila mbjell aq shumë urrejtje ndërmjet popujve dhe, e cila, jo vetëm që duhej ta shkurtojë dorën tiranike të qeverisë osmane, por duhet, njëkohësisht, t’i presë edhe gishtërinjtë e pansllavizmit. Në qoftë se ndërpritet njëri, mbetet tjetri, i cili bëhet më i fortë se i pari dhe nuk mbeti kështu, një çast qetësie në Evropë.”

Ata reagojnë edhe në dinjitetin i Evropës, mbi të gjitha është shtypi francez, i cili e ka për borxh të merret me të vërtetën, do me thënë me çështjen e Turqisë evropiane dhe jo me “çështjen maqedonase” (të imagjinuar - sipas rezultateve të fjalimit të Zt. Pressense). “Maqedonia nuk ekziston, nuk është e vërtetë fakti se revolucionarët bullgarë gjenden në terr e tirani”, përkundrazi, nëse qenësorja është t’i shërbej njerëzores nuk duhet dëgjuar francezët që punojnë për zbutjen e një “Maqedonie”, të ashtuquajtur “Maqedoni”, duke i lënë shqiptarët të banojnë në njërën nga pjesët më të bukura të Evropës dhe fishkëllejnë ç’prej moti rrugën e turqve mbi një urë pushtuese të Evropës, nga ana e Italisë.

Ibrahim Temo dhe Dervish Hima dëshmojnë edhe një herë se edhe në momentet më të vështira të jetës së tyre e mbronin, me argumente, çështjen shqiptare dhe gjithmonë ushqenin ndjenja atdhedashurie dhe patriotizmi ndaj popullit të vet dhe ndaj trojeve në të cilët jetonin shqiptarët e që, në këtë kohë, ishin bërë mjet pazarllëqesh midis fuqive të mëdha dhe shteteve ballkanike.[16] Prandaj, këta dy veprimtarë, fuqishëm e kundërshtuan të ashtuquajturën “çështje maqedonase”. (V.Xh).

Vlerësimi i situatës politike, nga disa krerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte i drejtë dhe tejet vizionar. Pasi, në këtë pjesë të Shqipërisë, ishte shumë aktive politika dhe roli i bullgarëve, misioneve ruse dhe i klerit ortodoks grek etj. Në këtë pjesë të territorit të Shqipërisë, prej vitit 1903, do të vendosej tërësisht ose pjesërisht xhandarmëria ndërkombëtare dhe inspektoratet e përgjithshme. Me këtë iniciativë, rrjedhimisht, popullsitë e krishtera sllavofone dukeshin sikur luanin rolin e “kolonës së pestë”, domethënë të bashkëpunëtorëve realë ose potencialë të shteteve fqinje dhe të fuqive të mëdha, që dëmtonin fortë bashkimin e kombit shqiptar. Prandaj, kundër këtyre reformave, më vonë, u shprehën edhe përfaqësuesit e Kuvendit të Ferizajt, ku morën pjesë burrat e zgjedhur të Shkupit, Tetovës, Preshevës, Bujanocit, Gjilanit, Kaçanikut dhe tërë vilajetit të Kosovës. Ata u thanë “jo” reformave sllavo - ruse në trevat lindore shqiptare, që në mbledhjen e parë të tyre, më 14 korrik 1908. (V. Xh).

Pas luftës edhe politika komuniste shqiptare u gjunjëzua para këtij projekti bullgaromadh, kur dihet se kjo lëvizje, në emër të VMRO-s, është inskenuar nga propaganda bullgaro-sllave. Ndërsa pas luftës së Dytë Botërore, kjo lëvizje për krijimin e shtetit sllavo-maqedonas, u mbështet edhe nga politika komuniste jugosllave dhe ajo shqiptare, ndonëse nuk ka mbështetje shkencore që të quhet kryengritja maqedonase. Kjo lëvizje e anëtarëve të VMRO-s ishte kryekëput e inskenuar nga politika bullgaro – ruse për interesa të tyre dhe kundër bashkimit të katër vilajeteve shqiptare. “Manifesti” ishte i trilluar nga një këngë e tyre ku thuhej: Fqinj të dashur si ju turqit, shqiptarët myslimanë, të luftoni për “nënën Maqedoni”.

 Kjo flet qartë çfarë propagande zhvillohej në këtë pjesë të Shqipërisë lindore, kur dihet se shqiptarët dhe krerët e tyre kishin trasuar rrugën dhe mesazhin e kishin të qartë. Krerët e dinin qëllimin e tyre se për çka luftonin dhe fare nuk kishin nevojë të  merrnin pjesë në këtë lojë bullgaro-sllave, të organizuar nga VMRO, as të luftonin,  as të vriteshin e t’i shkatërronin e digjnin shtëpitë e veta në Krushevë dhe më gjerë. Në këtë kohë shqiptarët, në aspektin dominues, kishin më shumë të drejta se sa sllavët që jetonin në këto troje etnike shqiptare, të cilët shërbenin si shërbëtor te feudalët shqiptarë. Shqiptarët, në këtë kohë, ishin shumë afër Autonomisë së tyre të shpallur në gazetën “Albania”, para Kryengritjes së Ilindenit, më 17  shkurt 1903.

Pesë muaj para Kryengritjes së Ilindenit, shqiptarët dhe krerët e tyre, kishin shpallur platformën e tyre për autonomi. Ata nuk mund të luftonin kundër interesave të tyre programore, pasi Krusheva dhe territori i saj, në këtë kohë, i takonin vilajetit të Manastirit, ku shqiptarët e konsideronin si tokë të tyre. Në Programin Kombëtar, edhe ky Vilajet, bënte pjesë në bashkimin e katër vilajeteve për ta bërë Shqipërinë e plotë. Të pohosh se shqiptarët kanë marrë pjesë në Kryengritjen e Ilindenit dhe të minimizohet  Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe krerët e saj në këto anë, të cilët vepronin ditë e natë për ta shpallë autonominë e Shqipërisë, kjo është e paqëndrueshme. Siç u tha më lart, krerët e kombit e kishin bërë publike memorandumin e tyre në gazetën “Albania”, ku kërkohej bashkimi i katër vilajeteve në një shtet të përbashkët shqiptar. Me këtë memorandum u njoftuan edhe Fuqitë e Mëdha. Prandaj të pranosh sot këtë propagandë komuniste sllave se shqiptarët morën pjesë dhe luftuan në Kryengritjen e Ilindenit, do të thotë “të jesh në lojë me ta”, që nënkupton qëndrim pa ndjena nacionale të shqiptarit, pasi kjo tezë çon kundër bashkimit kombëtar dhe Shqipërisë Etnike. Siç dihet jo vetëm Manastiri, por edhe Krusheva me rrethinë, nga periudha ilire e deri më sot, kanë qenë vetëm tokë shqiptare. (V. Xh).   

Siç thamë edhe më lartë, Dervish Hima ka mbajtur qëndrim të prerë kundër propagandës bullgare. Ky, në qershor të vitit 1904, mori ftesë nga Faik Konica dhe Princi Albert Gjika që të merrte pjesë në Kongresin “armeno-maqedonas” në Londër (që ishte organizuar nga ana e Komitetit Ballkanik të Londrës), me shpresë se aty do të mundej t’i përfaqësonte interesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por, në realitet, u mashtrua, sepse aty kishte të bënte me një organizatë revolucionare bullgare, që e dëshpëroi pa masë Dervish Himën. Prandaj ky e lëshoi mbledhjen dhe përsëri u kthye në Paris, ku e kishte edhe redaksinë e përkohshme të revistës “Albania”.

 Në këtë kohë, Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte një stadium më lartë dhe shumë më e organizuar se lëvizja sllavo-maqedonase. Prandaj shqiptarët dhe krerët e saj nuk kishin nevojë  të rendnin pas kësaj lëvizje, e cila kryekëput dëmtonte lëvizjen politike të shqiptarëve dhe i vente ata në pozitë të qiraxhiut në shtëpitë e tyre autoktone. Në këto anë të Shqipërisë,  krijohej një sundues ri, shumë më i egër se sa ai turk. Prandaj shqiptarët nuk kishin asnjë arsye që të  përkrahën këtë kryengritje sllave që ishte kundër çështjes kombëtare shqiptare.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test