Çifetlia e Rita Orës

Opinione

Çifetlia e Rita Orës

Ndue Dedaj Nga Ndue Dedaj Më 10 qershor 2018 Në ora: 12:19
Rita Ora

Çiftelia nuk është mplakur, me gjithë shekujt që mban mbi tela. Ajo nuk i përket vetëm koleksionit të veglave muzikore të traditës, por është një objekt i përzgjedhur për dhurim artistëve të shquar e më tej një atraksion turistik i kërkuar. Nga çasti kur kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ia dhuroi këngëtares së famshme Rita Ora, me rastin e koncertit të saj të tre qershorit në Tiranë, me siguri ky instrument ka zgjuar interesin e qindra turistëve që do të mbërrijnë këtë verë në Shqipëri, kështu që çiftelipunuesit e markës së njohur “Përshqefa” e të tjerë duhet të luajnë duart që tregu artizanal të mos gjendet pa to.

Rita Ora (Sahatçiu), bukuroshja 28-vjeçarja nga Prishtina, që jeton në Britaninë e Madhe, jo vetëm kërceu në sheshin “Skënderbej” vallën e Tropojës, nën tingujt melodioz të dyzenit, por i këndoi e kërceu çiftelisë dhe në aeroportin e Veronës, ku po shkonte për koncertin e radhës. Ishte hera e dytë që ky instrument muzikor kaq i thjeshtë në dukje, një dru mani me dy tela, merr vëmendjen e botës. Në vitin 1970 kur në Dizhon të Francës i binte “Paganini shqiptar” Ndue Shyti dhe Shqipëria me atë rast nderohej më “Gjerdanin e Artë” të festivalit foklorik botëror dhe këtë radhë, në duart delikate të këngëtares me orgjinë shqiptare të njohur botërisht.

Nuk është i rastit ky kulmim i çiftelisë përsëri, porse ajo vazhdon të peshojë rëndë në vendin e vet, në të gjithë arealin verior shqiptar. Lezha dikur ka pasur ansamblin e saj “Çiftelia”, ashtu siç ky instrument ishte kryesor dhe në ansamblet e folkut të Mirditës, Pukës, Shkodrës, Kurbinit, Matit, Hasit, Gjakovës, Lumës etj. Pikërisht në këto treva, në formacione të ndryshme orkestrale, çiftelia gjallon dhe sot e kësaj dite për bukuri. Kjo vegël është e dashur dhe për të rinjtë e shkollave, ashtu si dhe veshjat e vallet e traditës. Vetëm tre ditë pas dhurimit të çiftelisë Orës nga kryebashkiaku i kryeqytetit, ansambli “Mirdita” ishte për të dhënë shfaqje mes banorëve të Gjegjanit e Gojanit, vendlindja e gjeniut të çiftelisë, Shyti, ku pjesë e koncerit u bënë dhe nxënësit e shkollave të zonës, përfshi dhe më të vegjlit, që sapo kishin mbyllur festën e Abetares, veshur me kostumet e krahinës. Aty u shpreh dëshira që në nderim të Artistit të Popullit të ftohej për një shfaqje në ato bjeshkë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, që dikur Nduen e kishte pjesë të tij në turnetë brenda dhe jashtë vendit.

Mjaft shqiptarë i marrin me vete atje ku janë veglat e tyre muzikore të zemrës. Instrumentisti i ri kuksian Olti Vata, përpos se në skenat shqiptare, shtegton ngado rrugëve të Parisit më çiftelinë e vendlindjes në duar, pa e hequr nga dora dhe në avion, tren etj., ku, siç shprehet me shaka një i njohur i tij, po ia mëson dhe nuses amerikane, ish-vullnetare e Korpusit të Paqes në Shqipëri. Kurse një emigrant në Kanada i përshëndet miqtë e tij për ditëlindje me një këngë me çifteli të kënduar nga ai vetë. Çiftelia ka bërë vend dhe në Londër, ku një grup shqiptarësh të dhënë pas muzikës popullore nuk e ndajnë atë nga dora në ceremonitë familjare e kombëtare.

Nuk është herë e parë që veglat muzikore të trashëgimisë sonë bëhen pjesë e protokolleve zyrtare apo shtegtojnë në metropole europiane etj. pa iu ardhur “turp” nga shkëlqimi i orkestrave moderne. Në shenjtërimin e Nënë Terezës kishte shkuar në Vatikan si shumë të tjerë dhe Sherif Kurtaj nga Rugova, por e veçanta e tij ishte se ai i ra lahutës në Bazilikën e Shën Palit. Çiftelia, sharkia, lahuta, fyelli, bilbili, zumarja e të tjerë kanë dalë nga atelietë e folkut dhe kanë hyrë në resortet turistike. Ashtu si veshjet tona tradicionale, që, në një mënyrë a në një tjetër, bëjnë herë pas herë “xhiron” e botës. Andi, djali i shkrimtarit, politikanit dhe diplomatit të njohur Besnik Mustafaj, kohë më parë, gjatë mbrojtjes së diplomës në Paris ishte i veshur me kostum kombëtar, në respekt të traditës së vendlindjes, edhe pse nuk po diplomohej për folklor. E nuk janë vetëm shqiptarët që duan të kenë fotografinë e tyre me rekuizitën e traditës shqiptare, por dhe të huajtë, duke filluar me Bajronin, i pari i huaj që u vesh “shqip” në viset e Jugut e deri te ambasadorët dhe turistët e sotëm.

Çiftelia e Rita Orës me siguri që do të mbahet mend gjatë, si një kumt se në shoqërinë globale nuk mund të përfshihemi pa trashëgiminë tonë kombëtare autentike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat