Mediat mercenare dhe manipulatore helmojnë dhe përçajnë opinionin

Opinione

Mediat mercenare dhe manipulatore helmojnë dhe përçajnë opinionin

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 11 qershor 2018 Në ora: 13:14
Skënder S.Kapiti

Natyra e shumicës së mediave shqiptare si ato vizive dhe të shkruara janë  ashtu si politika dhe si korrupsioni në Shqipëri, janë palë me to dhe në funksion të interesit të ngushtë materialist mediatik.

Morali mediatik në Shqipëri ka mbi te gjitha interesin dhe paranë ashtu si politika, si drejtësia dhe tërë sistemi aktual në Shqipëri , dhe si të tilla, këto media ashtu si politika dhe drejtësia, edhe ato përçajnë , manipulojnë  dhe helmojnë opinionin.

Në emër të informimit mediat shqiptare janë aktorët kryesorë të propagandës mediatike negative, ku ato të cilat këto media i japin si lajme pompoze  janë ekspozimi në publik i lajmeve eksituese dhe banale,krimeve ordinere, brënda familjes, krime  të turpshme seksuale, pornografinë dhe shthurjen morale.  Mediat vizive  në Shqipëri madje krimet i paraqesin edhe në formë seriale si telenovela, pasi në vazhdimësi u kthehen dhe u rikthehen lajmeve me ngjarje kriminale, të cilat më shumë jipen si qëllim edhe për të përhapur kulturën e krimit dhe  te amoraliteteve te tjera  si diçka normale për shoqërinë.

Mediat shqiptare nuk kanë aspak profesionalizëm dhe janë media të cilat japin informacionet dhe opinionet siç dëshiron, përzgjedh dhe urdhëron pronari i gazetës  dhe sidomos televizioni.   

Televizionet nuk duhet të lexojnë dhe të reklamojnë që nga mëngjesi e pothuajse gjatë tërë ditës  lajme mediatike negative  dhe   sidomos  disa gazeta të neveritshme të disa farë pronarësh , të cilat nuk shiten e nuk lexohen nga askush. Janë disa media me demek të pavarura por që realisht janë jo të varura, por media servile e mercenare që i shërbejnë vetëm pronarit dhe patjeter ndonjë klani politik dhe biznesi jo të pastër dhe parasë pa marrë parasysh kanaleve të nëntokës  se nga vijnë ato.

Nuk është e vështirë për të konstatuar që  media e shkruar dhe sidomos videopushteti mediatik, televizioni, shkon në atë kahje të pushtetit  që merr  qeverisjen.

Janë media tërësisht politike dhe thellësisht  servile ,mercenare dhe materialiste.

Edhe pozitivitetin, edhe te drejten ,edhe të vërtetën ato i manipulojnë dhe  i keqpërdorin hapur, por ato të cilat duken  dhe vetëreklamohen si media realiste, opozitare, “të mëdha”,  kombëtare dhe të paanashme e kanë shumë të zhvilluar shqisën e finesës së manipulimit me intriga dhe me hipokrizi të ngjarjeve , informacioneve dhe lajmeve  që “ngrenë peshë” dhe të bujshme.  Televizionet shqiptare japin vogëlsira informative ,të mirëllogaritura për në favor të politikës dhe të përfitimeve mediatike, te cilat më shumë përçajnë , gënjejnë e mashtrojnë publikuan me qëllim për ta fabrikuar një njeri të ri që  të kënaqet e të mjaftohet me ato se çfarë i jep media e fabrikuar së cilës i intereson tërheqja  sa më shumë shikues.

Kështu pra, shumica e mediave   janë politike , si politikë e përdalë, e cila nuk e ka problem që të ndërrojë dhe t’i shërbejnë padronit i cili i paguan më shumë, dhe t’u shërbejë atyre të cilët kanë pushtet ekonomik e politik. Pothuajse edhe të gjith televizionet : emisionet e lajmeve, ato të dëfrimit, të kulturës, humorit; emisionet investigative, politike , ekonomike, historike e akademike  dhe ato diplomatike para se media t’i paraqesë, ato  fillimisht kalojnë imtësisht në filtrin e paracaktimit, të seleksionimit dhe të parapëlqimit nga ana e pronarit dhe e stafit mediatik, të politikës e të pushtetit, madje shumë gjëra mbahen dhe përdoren si mjete presioni, manipulimi e kërcënimi për përfitime në këmbim të mos paraqitjes dhe mosbërjes publike të tyre. 

Kështu veprojnë edhe ato emisione të cilat mbahen për emisione investigative  të cilat bëjnë zhurma të mëdha për gjëra të vogla por manipulojnë me skandalet e mëdha të njerëzve VIP-a të cilët për t’i mbuluar ato nuk e kanë asgjë që t’i paguajnë dhe t’i blejnë  mediat.

 Shumica e mediave vizive në Shqipëri kanë vite , që me krijimin e tyre të cilat janë  arrogante dhe ia kane mbyllur ekranin njerëzve  dhe intelektualeve të vërtete.Pronësia private mediatike në Shqipëri është  pothuajse tërësisht proinstitucioneve shtetërore dhe politike të ideologjizuara politikisht ku prej tyre përjashtohen grupet e dobëta dhe të paorganizuara  si dhe individët potencialë intelektualisht.

Ata: mediatikët, politikanët , pushtetarët, injorantët VIP-a , ata të parasë  etj.,  kooperojnë dhe shetisin nga njëra studio te tjetra veten e tyre , injorantët e tjerë  dhe shokët , miqtë  e të afërmit  e tyre, dhe pra kështu u bëjnë embargo mediatike pozitivizmit, intelektualizmit , moralizmit dhe patriotizmit real të cilëve ua kanë ndaluar të drejtën e botimit dhe daljen në ekran. Pavarësisht se mediat  duken dhe vetëquhen si media të lira dhe të pavarura, por në fakt  janë të prangosura nga interesi, materializmi, korrupsioni,  mediokriteti e injoranca   dhe nga servilizmi e mercenarizmi ndaj pushtetit dhe politikës. Mediat, shumica e tyre, kanë marrëdhënie simbiotike kooperimi  me qeverisjen dhe me parane .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat