Reflekto të lutem e dashur familje Jashari

Opinione

Reflekto të lutem e dashur familje Jashari

Lirim Gashi Nga Lirim Gashi Më 12 qershor 2018 Në ora: 19:32
Rifat Jashari

Njerëzit e mirë nuk e kanë lehtë në këtë kohë të pa kohë, sepse nuk po ndëgjohet kushtrimi i tyre i arsyeshëm nga zhurma e injorances.

Por, një gjë është e qartë së paku për mua:

Vullneti dhe perceptimi i tyre është i kundërt me situatën e gjithmbarshme në Kosovë.

Të tillët edhe kur janë pjesë e politikes zyrtare nuk po mund të ndikojnë në ndryshimin e kursit politik të subjekteve ku po veprojnë, sepse nuk po hasin në përkrahjen e duhur të shumicës së manipuluar dhe vërbuar nga kauzat djallëzore të pronarëve të subjekteve parapolitike të vetë-quajtura Parti.

Prandaj, edhe ata pak njerëz të mirë e me synime progresive që janë futur pa vullnetin e tyre në dhëmbëzorin e tmerrshëm të djallit, s'po mund ta gjejnë rrugëdaljen nga ky labirint i pafund.

Sikur shoqëria ta pranonte "pendimin e sinqertë" si një vlerë në vete e jo linçimin , besoj që shumica e njerëzve të ndershëm që e kanë humbur rrugën dhe orientimin në politikë, do të reflektonin shumë më shpejtë dhe shumë më lehtë dhe do ta merrnin guximin për tu distancuar prerazi nga bossat e tyre, por fatkeqësisht edhe për këtë hap evolutiv ky popull nuk është i pjekur sa duhet.

Unë besoj që të vetmit njerëz në Kosovë që e kanë ende autoritetin e pakontestueshëm moral, shoqëror dhe politik për ti mobilizuar masat e gjëra janë anëtarët e familjes Jashari, dhe sikur ata ta ftonin popullin për një protestë  paqësore gjithëpërfshirëse dhe gjithëkombtare si rrugëdaljen e vetme nga rrethi i djallit, jam i sigurt që ftesës së saj do ti përgjigjej i gjithë populli si një.

Prandaj kësaj familjeje të ndritur që ka ditur në momentin kyç historik të sakrifikohet për kombin si asnjë tjetër para dhe pas saj, i bëjë apel që të vihet në ballë të një proteste paqësore gjithëpërfshirëse dhe gjithëkombtare, sidomos tani kur nuk po duket më asnjë shkëndijë e vetme mbi horizont.

Jam shumë i vetëdijshëm që duke e bërë këtë apel, mbi supet e mia të plogështia po e vendosi një barrë të rëndë prej mëkati, duke qenë i vetëdijshëm se kjo familje e ndritur e ka dhënë kontributin e saj si asnjë tjetër në mbarë botën e civilizuar, si në aspektin kombëtar dhe human ashtu edhe në atë njerëzor e politik.

Mirëpo këtë apel po e bëj nga bindja e thellë që ky popull askujt tjetër nuk i beson më shumë dhe nuk i shkon mbrapa, për shkak të rezignmit kolektiv me dështimet e njëpasnjëshme të politikes zyrtare.

Me keqardhje të madhe më duhet të konstatoj që edhe kjo familje është e rrethuar njësoj si populli nga politikanët e pa njerëzishëm që s'kanë vullnet, guxim dhe dije për ti sfiduar problemet komplekse që na presin, në mënyrën siç pretendonin Ukshini, Shabani, Hamza, Ademi e shumë heronjë të tjerë dhe që ishte dhe mbetet e vetmja mënyrë që ka kuptim.

Edhe pse kjo familje e shenjtë tërë kohën po i ingnoron këta politikaj të pa njerëzishëm, e kam përshtypjen që për shkak të edukates së saj që bazohet në maksimen " asnjëherë s'guxojnë të ndërsehen shqiptarët kundër njëri tjetrit " po heziton që t'ua bën atyre prerazi të qartë se janë fundrrinat e kombit dhe se duhet të tërhiqen nga politika aktive qysh sot dhe jo nesër si dhe që duhet të japin përgjegjësi e llogari për të gjitha të këqijat që ia kanë shkaktuar Kosovës dhe popullit të saj.

Këta analfabetë politik që kanë hyrë në politikë pa synime dhe ideale kombëtare e humane dhe vetëm me synime personale e përfituese e që e kanë uzurpuar dhe privatizuar shtetin, fillimisht përmes vrasjeve politike dhe mjegullës mediatike e më vonë përmes uzurpimit institucional, plaçkitjes së prones publike dhe abuzimeve me buxhetin, tenderet dhe privatizimin i karakterizon mungesa e skajshme e kulturës dhe edukates njerëzore e politike si dhe mungesa e skajshme e kulturës shtet-ndërtuese, protestuese dhe llogaridhënëse.

Këta politikanë të pa njerëzishëm gjithashtu i karakterizon edukata kaqake, gllabëruese dhe plaçkitëse si dhe vetëdijësimi i mangët njerëzor dhe kombëtar. 

Për të përfituar si duhet së paku prej atyre pak njerëzve të njerëzishëm në politikë, që kanë synime të qarta dhe  progresive duhet t'iu sigurohet përkrahja dhe hapsira e duhur përbrenda subjekteve ku veprojnë dhe kjo mjerisht s'po ndodh.

Politikës së mirë i duhen njerëzit e arsyeshëm të ditur dhe me synime të mira që do ta merrnin në vizir profesionalizimin e shkallës më të lartë dhe një komunikim të urtë, racional dhe argumentativ me njëri tjetrin dhe publikun, për ta kthyer në këtë mënyrë  besimin e tij në synimet e saj fisnike.

Gjithashtu i duhet një përsosje e metodologjisë së punës dhe lobimit internacional për agjenden e saj, edhe pse unë punën e lobiizmit e shoh me sy kritik në aspektin human, ngaqë për shkak të pjesëmarrjes së lejuar për të gjitha grupet e interesit pa dallim, shpesh rezulton me efekte negative për njerëzimin. 

Mirëpo, meqenëse këto rregulla të lojës të pranuara dhe etabluara ndërkombëtarisht nuk mund ti ndryshojmë ne si një popull dhe shtet i vogël, atëherë duhet ti shfrytëzojmë së paku për ta avancuar agjenden tonë gjithëkombtare.

Në vend të aleancës me djallin politikes së mirë i duhet një aleancë gjithëkombtare kundër djallit dhe kjo është e mundur vetëm përmes distancimit të qartë nga politika PRONTO si në aspektin verbal ashtu edhe në aspektin praktik.

Rezultatet e politikes sonë zyrtare fatkeqësisht po e konstatojnë një diagnozë fatale dhe një terapi inekzistente.

Gadishmëria e popullit për tu angazhuar për ndryshime ka rënë dukshëm falë zhgënjimeve të njëpasnjëshme me politiken mafioze në pushtet dhe besimit të thyer. 

Premtimet e parealizuara të politikës  i kanë detyruar njerëzit që shpëtimin nga gjendja e pashpresë sociale dhe ekonomike ta kërkojnë në mërgim dhe pikërisht kjo mënyrë  e zgjidhjes së problemeve ekzistenciale e ka zbrazur Kosovën nga njerëzit që i duhen asaj më së shumti për ta  revitalizuar atë në aspektin ekonomik, social, kulturor, arsimor, edukativ dhe politik.

Shi për këtë mendoj që ka ardhur përfundimisht koha për ndarjen e shapit nga sheqeri, sot dhe menjëherë, sepse nesër mund të bëhet vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat