Shqiptarët në Maqedoni duhet t’i kthehen kërkesës për shtetin dy kombësh - Bota Sot
Shqiptarët në Maqedoni duhet t’i kthehen kërkesës për shtetin dy kombësh

Opinione

E enjte, 19 korrik 2018

Shqiptarët në Maqedoni duhet t’i kthehen kërkesës për shtetin dy kombësh

Nga: Jusuf Buxhovi Më: 17 qershor 2018 Në ora: 18:14
Jusuf Buxhovi

Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonas për emërtimin e shtetit “Maqedonia e Veriut” nga shqiptarët duhet të kushtëzohet me kërkesën për definimin e Maqedonisë shtet dy kombesh, pra të shqiptarëve dhe të maqedonasve. Pajtimi pa reagim do t|i ngarkonte me një qendrim antihistorik

Marrëveshja e midis Greqisë dhe Maqedonisë për emërtimin e ri të shtetit nga ai i deritanishmi në “Maqedonia e Veriut”, ndonëse hoqi “frikën” e përligjjes së karakterit sllavo-maqedonas të shtetit që do ta kishte me atributin Maqedonia e Ilindenit, megjithatë, edhe me këtë marrëveshje, me gjuhën zyrtare maqedone, simbolet dhe të tjerat, shteti ruan karakterin sllavo-maqedonas, ndërsa shqiptarët përfundimisht degradohen në pozitën e pakicës, paçka se me kozmetikën e Marrëveshjeve të Ohrit rreth gjuhës shqipe në përdorim zyrtar në vend të gjuhës zyrtare si dhe përfaqësimit në institucione, do të përpiqen që këtë ta shpjegojnë si gjendje “të barazisë”.

Pa hyrë në ato që kanë ndodhur gjatë dhjetë viteve të fundit si dhe mashtrimet që klasa politike shqiptare në pushtet është munduar që opinionit t’ia shesë për “suksese”, pa përjashtuar këtu as luftën në vitin 2001, që nuk solli tjetër pos ndërrimin e një garniture në pushtet me tjetrën, megjithatë, gjendja e re kërkon që shqiptarët inferioritetin dhe vasalitetin e deritanishëm politik në raport me maqedonasit ta kthejnë në një deponim politik, në mënyrë që të dëshmojnë subjektivitetin e tyre si etni historike dhe politike që duhet ta thotë fjalën kryesore për shtetin e tyre, në vend se të heshtet, ose edhe të nëpërkëmbën.

Meqë, me marrëveshjen e tanishme midis Athinës dhe Shkupit, është paraparë që ndryshimet të kalojnë nëpër parlament dhe në referendum, shqiptarët duhet këtë ta shfrytëzojnë që emërtimi i Maqedonisë të kushtëzohet me kërkesën për definimin e Maqedonisë shtet i dy kombeve të barabarta: shqiptarëve dhe maqedonasve, gjegjësisht maqedonasve dhe shqiptarëve. Tek e fundit, ky qëndrim është në përputhje me atë të UÇK-së të shkurtit të vitit 2001, ndonëse prej tij do të hiqet dorë me kumtesën 6 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kur do të kërkohet Maqedoni “demokratike e qytetarëve të barabartë”!

Rikthimi i kësaj kërkese, pra i karakterit të shtetit të Maqedonisë mbi parimin e dy kombeve të barabarta: shqiptar -maqedonas, gjegjësisht maqedonas-shqiptar, duhet të ndjek një rrugë legjitime, që do të thotë se nënkupton mbajtjen e një Kuvendi të Përgjithshëm Kombëtar, që do të thirrej nga një Këshill Nismëtar, ku do të merrnin pjesë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në strukturat parlamentare dhe ato shtetërore, pastaj do të merrnin pjesë përfaqësuesit e institucioneve arsimore (universiteteve), ato shkencore (të instituteve) si dhe përfaqësuesit e besimeve (religjionit).

Kuvendi Kombëtar do të duhej të aprovonte vendimin për ridefinimin e Maqedonisë shtet të të dy kombeve të barabarta (shqiptar-maqedonas, gjegjësisht maqedonas–shqiptar) në përputhje me aprovimin e një Platforme Politike, në të cilën parashihet një Marrëveshje e re e të dy popujve për shtetin e përbashkët (Maqedoninë), e cila duhet të përcillet edhe me ndryshimet e duhura kushtetuese (preambula) dhe aktet tjera, ku parashihet edhe organizimi i strukturave të pushtetit mbi këto parime në të gjitha nivelet.
Këto qëndrime duhet t’i paraqiten faktorit ndërkombëtar, të arsyetuara nga aspekti historik, ai etnik, e mbi të gjitha nga ai shoqëror dhe politik, me ç’rast duhet të theksohet se ky është një kompromis i domosdoshëm që garanton shtetin e përbashkët me përkatësi perëndimore dhe frymë evropiane. Ndërsa, nga Shqipëria dhe Kosova, duhet të kërkohet mbështetje e plotë, në mënyrë që të mos shfaqen shpërputhjet si deri më tani, kur Tirana zyrtare vazhdimisht ka përkrahur qëndrimet e Shkupit (maqedonasve), ndërsa Prishtina ia ka mbajtur ison.

Platforma që do të aprovohej nga Kuvendi Kombëtar duhet t’i paraqitet Kuvendit të Maqedonisë dhe të mbrohet nga spektri i gjithëmbarshëm politik shqiptar në Kuvend dhe qeveri. Nëse do të refuzohej, atëherë, mbet që shqiptarët, të mos pajtohen të japin pëlqimin për këtë ndryshim dhe njëherësh t’u kthehen formave të tjera, kryesisht demokratike në përputhje me rrethanat, me të cilat Maqedonia do të vihej para sprovës ekzistenciale nga shkaku i injorimit të të drejtës së gjysmës popullatës që shteti i përbashkët të pasqyrojë edhe identitetin e tyre historik dhe etnik me rrënjët e thella nga antikiteti e deri te koha jonë.

Deponimi i faktorit politik shqiptar për ridefinimin e Maqedonisë në përputhje me të drejtën e tyre historike dhe jetësore në rrethanat e tanishme, kur është më se e qartë se Serbia, Bullgaria dhe Rusia, me demonstratat sllavo-maqedonase kundër këtij emërtimi, do të krijojnë rrethana për dështimin e tij, po edhe për kthimin e një gjendje krize në vend në mënyrë që të destabilizohet rajoni në përputhje me interesat e tyre, ka rëndësi të madhe, ngaqë çarqeve të jashtme antishqiptare po edhe miqve perëndimore (SHBA-ve dhe NATO-s të interesuara që me anën e kompromisit të emrit Maqedonia të përfshihet në NATO), u jepet një atu e fortë që atë ta mbajnë në jetë vetëm me vullnetin e shqiptarëve.

Ndonëse rikthimi i kërkesës për redifinimin e Maqedonisë shtet dy-kombesh, mund të mos pranohet nga klasa e tanishme politike shqiptare në pushtet, e cila u ka shërbyer interesave të politikës maqedonase, me arsyetimet se “nuk dëshirohet destabilizimi i Maqedonisë” nga shqiptarët, ngaqë kjo “u shkon për shtati interesave ruse në Ballkan” e të ngjashme, megjithatë, Këshilli Kombëtar nuk duhet të heq dorë prej saj. Duhet të gjenden format, që si nismë qytetare ose ndryshe t’i paraqitet Kuvendit të Maqedonisë dhe faktorit ndërkombëtarë. Kjo do të kishte rëndësi të madhe, ngaqë, pavarësisht sjelljes së papërgjegjshme të faktorit politik shqiptar shumanshëm të shantazhaur, shqiptarët nuk do të nënshkruanin kapitullimin para një çështje jetike për ardhmërinë e tyre.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test