Pse nuk duhet fajsuar Januzaj që ndihet belg?

Opinione

Pse nuk duhet fajsuar Januzaj që ndihet belg?

Faton Abdullahu Nga Faton Abdullahu Më 20 qershor 2018 Në ora: 12:33
Adnan Januzaj

‘Jam belg dhe ndihem belg’. Kjo është deklarata e futbollistit të ri në të cilën nuk ka asgjë të keqe. Pse ai nuk ka deklaruar ndryshe, ta zëmë “ Unë ndihem shqiptarë dhe krenar që kam rrënjë nga Kosova” është diçka tjetër, sigurishtë diçka që besoj do t’i pëlqente më shumë shumicës jo vetëm në Kosovë. Ma merr mendja se shumë më brengosëse për të gjithë ne është kur ta zëmë një vajzë 15 vjeçare, me prejardhje shqiptare akuzohet me dyshimin për terrorizëm në Austri.

E raste të tilla, bile edhe më të rënda, ka pasur gjithandej në Evropën Perëndimore. Fundja ajo si ndihet një i ri dhe çfarë identiteti e bindje merr, prindët e të cilëve kanë ikur nga lufta e fundit në Kosovë e që të till në Evropë ka me qindramijëra, ka të bëjë edhe me edukatën familjare, edhe me rrethanat ku është rritur dhe si është arsimuar, edhe me lidhjet që i mbanë me Kosovën dhe sa e si i mban ato, e të tjera të kësaj natyre. Por kjo ka të bëjë edhe me diçka tjetër shumë të rëndësishme, për të cilën ne në Kosovë pak e hiç jemi të vetëdishëm, ka të bëjë me atë çfarë bëjnë institucionet e Kosovës për gjeneratën e dytë të lindur në Evropën perëndimore dhe gjetiu. Çfarë bëjnë këto institucione që këtë rini ta mbajnë të lidhur me Kosovën, me gjuhën shqipe, me kulturën, artin, me bukuritë e atdheut, me traditën e saj, me mënyrën shqipare të të jetuarit, me tolerancën fetare, me fetë tradicionale të shqiptarëve, e të tjera të ngjashme.

Thjeshtë çfarë bëjnë këto institucione që kjo rini, shumica me të dy prind shqiptarë nga Kosova, të ndihen, përveç tjerash edhe shqiptarë dhe tek ata të mbëltohet dashuria dhe krenaria për vendin dhe prejardhjen e tyre. T’i lihet kjo vetëm prindërve, pra familjes në gyrbet, praktika po e dëshmon se kjo nuk është e mjaftueshme. Në shtetet ku janë shqiptarët, nuk ka asnjë lloj diskriminimi etnik, fetar apo tjetër por, identiteti i tyre nga vendi prej të cilit janë, nuk është prioritet për tu mbajtur gjallë e kultivuar, edhe pse ka disa përpjekje institucionale në vendet ku janë vendosur, që ky identitet të mos davaritet krejtë. Për shkak se është kështu Kosova duhet të ketë strategji afatgjate shtetërore, të përpunuar mirë e të përditësuar pandalshëm, sidomos për këtë kategori. Kjo do edhe mund edhe përkushtim e sidomos mjete financiare. Kështu që ekzistimi i Ministrisë së Diasporës për Kosovën do të jetë edhe për shumë kohë e domosdoshme natyrishtë me larg më shumë mjete e staf në dispozicion.

Ka përvoja shumë të mira si e bëjnë këtë shtetet që kanë numër të madhe mërgimtarësh të cilat ne mund ti shfrytëzojmë. Në këtë drejtim duhet dëgjuar edhe fjala e vetë mërgimtarëve tanë të cilët në këtë drejtim mund ët vijnë me ide e iniciativa të mira e të dobishme. Fundja ky investim, pra ai tek gjenerata e dytë shqiptare në Evropë dhe gjetiu, që ka lindur jashtë Kosovës, është profitabil për Kosovën dhe ai investim gjithmonë do të na kthehet shumëfish. Mbajtja gjallë e atdhedashurisë dhe e krenarisë të të qenit shqiptarë, mbajtja aktive e lidhjes së tyre me Kosovën, dërgimi i një ‘pjese të Kosovës’ në forma nga më të ndryshme në vendet ku ata jetojnë, do t’i bëjë ata jo vetëm të deklarohen se ndihem edhe shqiptar, por në fusha nga më të ndryshme në muzikë, futboll, arsim, shencë e të tjera, ata do të kontribojnë në mënyra nga më të ndryshme, si ta zëmë të investojnë në Kosovë, t’i sjellin përvojat e tyre këtu, t’i përkrahin talentët e ri tek ne e shumë gjëra të tjera.

Për më shumë, atyre të rinjëve të lindur jashtë Kosovës, kjo lidhje do tua mundësoj të kenë orientime përmbajtësore properëndimore të tilla çfarë i ka dhe i aspiron Kosova parimisht, e rrjedhimisht edhe të jenë qytetarë të mirë e të dobishëm të vendeve ku jetojnë e punojnë. Përndryshe nëse ne nuk do të kemi strategji të tillë për diasporën tonë, nëse nuk investojmë më shumë në këtë drejtim, jo vetëm që nuk do t’i kemi beneficionet që ata mund të na i ofrojnë, jo vetëm që tek ata do të shuhet identiteti i prejardhjes, por nesër edhe do tua shohim sherrin edhe ne, edhe familjet e tyre, edhe vendi ku jetojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat