Nano, Zhapo, Vreto, Noli, (kuazi) grekomania, serbofilia dhe resentimenti anti-Kosovë - Bota Sot
Nano, Zhapo, Vreto, Noli, (kuazi) grekomania, serbofilia dhe resentimenti anti-Kosovë

Opinione

E martë, 21 gusht 2018

Nano, Zhapo, Vreto, Noli, (kuazi) grekomania, serbofilia dhe resentimenti anti-Kosovë

Nga: Gurakuç Kuçi Më: 18 korrik 2018 Në ora: 11:19
Gurakuç Kuçi

“Shqiptarët e Shqipërisë, të cilët përfytyrohen nga lumi Drin e të poshtë, duhet të nxiten e të vihen kundër Kosovës, ose së paku të qëndrojnë neutral”, kjo është një pjesë nga memorandumi i Vaso Çubrillinovicit.

Vangjel Zhapo, Anastas Byku, etj., që nga rilindja kanë zhvilluar idenë që shqiptarët nuk janë një komb në vete dhe janë grekë, ashtu siç e thotë edhe teoria grekomane se shqiptarët janë degë helene, por që kanë dështuar të tregohen si identitet i suksesshëm dhe duhet të kthehen tek rrënjët.

Jani Vreto, Fan Noli dhe të tjerë, kanë qenë më të butë në këtë drejtim duke konsideruar që identiteti shqiptar dhe ai helen janë nga një trung.

Këto qasje i kanë ndihmuar shumë memorandumit të Çubrillinoviçit që të zhvillojë “resentimentin anti-kosovar” në Shqipëri që nga 1912 e që vazhdon edhe sot.

Ky resentiment vihet në veprim më së shumti kur ka momente historike që ndikojnë tek shqiptarët për të ngjallur teorinë “përçaj dhe sundo”.

Kur jemi para një afrimi shqiptar nëpërmjet figurave që vijnë nga Kosova në futboll dhe muzikë por që bëjnë simbolin shqiptar, kur jemi para ngjarjeve që mund të shënojnë historinë për Ballkanin Perëndimor si dialogu i Kosovës me Serbinë dhe i Greqisë me Shqipërinë, vihen në pah resentimentet përçarëse shqiptare me pykën e vet shqiptarëve, për të shtyrë dështimin shqiptar.

I një vije të tillë në këtë resentiment anti-kosovar është edhe Mustafa Nano.

Historia nuk mbaron e as nuk fillon me këtë, madje secili nga ne e unë vetë kemi hasur mjaft serbo-filë në Kosovë të cilët po zhvillojnë teorinë se pasi “shqiptarët e Kosovës po bashkëpunojnë më shumë në biznes me Serbinë dhe kanë respekt më shumë për ta, dhe gjenetikisht ‘gjaku e tërheq gjakun’, atëherë shqiptarët e Kosovës janë më të afërt me serbët e Serbisë se sa me shqiptarët e Shqipërisë”.

Kjo teori po zhvillohet mbi historinë e projekteve pan-ballkanike. Shqetësues është fakti i ndërhyrjeve dhe zbatimit të projekteve ballkanike “Ballkani i ballkanasve”, që bazohet mbi sllavizmin, ortodoksizmin dhe armikun e përbashkët, projekte të pa harruara, që sllavët asnjëherë as sot nuk janë tërhequr nga to, mbetet tendenca e përçarjes dhe asimilimit të elementit shqiptar në Ballkan. Madje këtë sot e shohim edhe me dokumentarë ku tradhtarët na i bëjnë patriot, shtrijnë ndikim tek njerëzit që të përhapin përkrahjen ndaj identitetit të të fortit që kinse elementi serb është i qëndrueshëm dhe dinë të ndërtojnë shtet.

Këto po shfrytëzohen mbi bazën e çrregullimit politik, social, ekonomik, kulturor dhe civilizues të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.

Këto çështje janë duke marrë hapësirë shqetësuese dhe duhet të ketë një reagim intelektual, shtetëror dhe kombëtar për gjëra të tilla.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test