Ideja, individi krijues dhe liria

Opinione

Ideja, individi krijues dhe liria

Nga: Remzi Limani Më: 18 korrik 2018 Në ora: 11:19
Remzi Limani

Kur themi se ideja është çelës për ta ndryshuar botën, atëherë duhet kuptuar dhe duhet krijuar kushte për vënien në skenë të individëve krijues, ngase, idetë kreative jetësohen vetëm atëherë kur mendja e krijuesit hyn në funksion të plotë. Në këtë kuptim, vetëm të diturve u zë vend fjala dhe puna. Për këtë, ata kërkojnë kohë për të menduar arsyeshëm. Ata nuk dalin me ngut e vrap kali. Të diturit, me kompetencë i bëjnë llogaritjet e të sotmes dhe të qëndrueshmërisë së të nesërmes sonë. Pra, për të arritur në kohë dhe hapësirë, asnjëherë nuk duhet të shpejtojmë por, gjithmonë duhet të nisemi më kohë. Kush merr vendime të shpejta, merr vendime të gabuara. Kush han shpejt e prish lukthin. Prandaj, jo rastësisht, në të gjitha luftërat e deritashme, kokat e dijetarëve ishin shënjestrat e para të cilat rrënoheshin nga kundërshtarët e tyre. Dhe tani, dijetarëve krijues, duhet t`ua rezervojmë vendet meritore për t`ua mundësuar shprehjet dhe zbrazjet e tyre intelektuale në të mirën e lirisë dhe njerëzimit. Në këtë kontekst, injorimi i njeriut krijues është i barabartë me vetëvrasje të identitetit kombëtar dhe të lirisë. Dhe, jo kot, të shkruash për njerëzit e veçuar të botës krijuese të të gjitha sferave është përgjegjësi morale dhe intelektuale. Vetëm atëherë kur ndihemi të arsyeshëm ndaj tyre dhe të njerëzishëm pranë të madhërishmes, mund të flasim dhe të shkruajmë për njerëzit me vlera të stampuara që shkëlqejnë në gjerdanin e një shoqërie të merituar.

Së këndejmi, se sa vërtetë jemi shoqëri e merituar, këtë do ta kuptojmë vetëm atëherë kur të merituarit tanë vijëzohen në pentagramin e strukturave shoqërore, sepse, karriera e individit e fituar me punë, qëndrim vertikal dhe edukatë të duhur, pa dyshim, shoqërisë sonë do t`ia mundësoj ngjitjen nëpër shkallët e sigurta. Kurse, karriera e fituar me shpinë, pra në pozitën horizontale do të jetë e dëmshme jo vetëm për individin por edhe për vetë shoqërinë e cila e trajnoi dhe e pranoi si të tillë në shërbim të vetvetes... Nga ky këndvështrim: nëse me kohë i largojmë të këqijat, të mirat vijnë vetvetiu dhe, çdo gjë që vjen në kohën e duhur është e pranueshme, ngase, liria e vonuar pas çlirimit vjen dy herë e përlotur...  Dhe, prapë nga ky këndvështrim për individin: të keqin mos e numëroni as në mesin e të vdekurve dhe ruani lotët për njeriun, ngase, kur të vdes i miri mbesin shumë jetimë...

Pra, për ta veçuar individin krijues, atë duhet krahasuar me çdo hero, të cilët u sakrifikuan për liri dhe nuk e gëzuan - siç thotë, Platoni: “Vetëm të vdekurit e kanë përjetuar fundin e  luftës”. Në këtë kuptim, krijuesit e të gjitha sferave janë heronj permanentë të paqes, sepse ata bëhen kreatorë të së nesërmes sonë në rindërtimin e shtetit dhe të paqes. Nëse e kuptojmë kështu, atëherë duhet pasur kujdes me vlerat dhe sakrificat tona, ngase, liria e shndërruar në anarki, zbeh figurat e luftës dhe të paqes, zërin dhe shpirtin tonë.

Aty ku individi i caktuar, në vend se të vuaj dënimin e merituar, pa vështirësi e gjen mënyrën për blerjen e lirisë – drejtësia dhe çlirimi nga e keqja është larg nesh, sepse, ngjanë të ketë më shumë të verbër nëpër institucionet e drejtësisë s`e sa në shoqatat e të verbërve! Pra, duhet pasur kujdes! - se vetëm drejtësia e vërtetë e krijon shtetin ligjor, mbron të pafajshmin, dënon të keqin dhe sanksionon të ligat e shoqërisë. Në kuptim të kësaj, lirisht mund të themi se: sa ka drejtësi – pa aq ka edhe liri. Pra, liria është frymëmarrje e domosdoshme për të gjitha gjallesat, të cilat, natyra i krijoi për të qenë të lirë dhe për të frymuar lirshëm. Shoqëritë e avancuara, për ta arritur frymën e duhur demokratike në kërkim të vetvetes dhe lirisë së individit. Pra, duhet bërë hulumtimin e dështimeve, në gjetje të reja drejt avancimeve dhe sukseseve, ngase, vetëm arritja e sukseseve i mbron dështimet paraprake, të cilat me të drejtë mbesin si pjesë e  hulumtime të justifikueshme, ngase çdo sukses është rezultat i dështimeve paraprake. Për këtë duhet të pajtohemi se rruga e drejtë është e vështirë por e sigurt, sepse, për t`u bërë të suksesshëm duhet kapërcyer nëpër rrugët e skllavit...

Fatkeqësitë e mundshme që na vijnë nga faktori njeri nuk na godasin në gjumë, ato qëndrojnë larg njerëzve të kujdesshëm dhe na godasin vetëm atëherë kur ne gabojmë. Dhe, kundruall fatkeqësisë, duhet ta përmendim edhe fatin dhe të themi se asnjëherë fati nuk bien në dorën e lypsarit, ai zakonisht vjen pas një pune të madhe dhe të frytshme dhe, pa asnjë dyshim, gjithmonë bien dhe shtrihej në dorën e punëtorit dhe të krijuesit me vlerave të pranueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat