Futja e trupave austro-hungareze në Shkodër

Opinione

Futja e trupave austro-hungareze në Shkodër

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 26 korrik 2018 Në ora: 08:00
Trupat austro-hungareze në Shkodër

Kontinenti i moçëm ziente. Tym e flakë nga të gjitha anët. Britmat e viktimave ta shponin timpanin e veshëve. Nuk e bënte lufta të rrëmujshme botën e vjetër, luftërat ndizeshin e shuheshin prej se u ngjiz njeriu, por luftë e tillë me shtrirje në disa kontinente, nuk u regjistrua në asnjë kronikë nga Straboni e këndej. Aleancat ngjanin të çoroditura: të krishterët çapëlenin të krishterët, me emrin e Krishtit në buzë jepnin shpirt; myslimanët hidheshin me tërbim kundër myslimanëve,  “allahu- ekber” u shuhej në gurmaz, përderisa vdisnin pa e kuptuar nga plumbat e kujt ranë. Sigurisht as budistët nuk shkëlqenin nga lumturia. Lajmet nga ku bren miza hekur vinin të turbullta. Çmenduria njerëzore ishte e pashembullt. Dhe s’kishte mekanizëm që mund ta frenonte këtë rrokopujë.

Shqipëria, pjesë e shkëputur e Evropës për kohë të gjatë, megjithëse ende e përgjumur, nuk u kursye nga çmenduria njerëzore. Xanxat e mbërthyen shumë para se të shpërthente Lufta e Madhe. Dhimbjet e rilindjes ishin të mprehta e të përgjakshme. Lufta e çapëlente gjithë kohën. Një herë u gjakos duke e luftuar turkun, që s’i shqitej, herën tjetër u la në gjak kundër armikut të vjetër: serbit e malazezit. Pastaj se nga ia behte ushtria e bullgarit kokëmadh, lakmitar e të vrazhdë, ndërsa skilja e vjetër greke rrinte në pusi, duke pritur orën e ligë të shqiptarëve.

Asnjëherë nuk qëlluan më të çorientuar shqiptarët. Nipat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nuk arrinin të bënin aleancë me askënd, mu si mbreti i tyre, para katërqind e pesëdhjetë vjetësh. Të vetëm kundër të gjithëve. Ndonjëherë shkonin kundër rrjedhës së lumit, por jo rrallë lumi i rrëmbente me shkumëzim.

Kështu vepruan gjithmonë. Gjasat dëshmonin se kështu do të vepronin edhe në të ardhmen. Në luftë shkonin e nga luftërat vinin, por nuk e merrnin vesh: i dhanë fund së keqes, apo nisnin luftëra të reja! Pas çdo rrëmuje mbanin në mend turbullt flakën e betejës kur bërtisnin sa u hante gurmazi: “urraaa!”, a “mule, mule!”

Me t’u këndellur nga zjarrmia e luftës, e shihnin veten dikush me një shkop thane në dorë, në vend të patericës, tjetri me pushkën e gjatë a pa të, duke ecur zvarrë nëpër shkretëtirat arabe, djerrinat turke e gërxhet shqiptare. Shumë prej tyre nuk ngriheshin kurrë nga fushëbeteja. Shpesh nuk e dinin kundër kujt luftonin, as pse e bënin këtë luftë! 

Shqipërisë po ia operonin trupin, mu si gjigantit të fjetur. Pastaj, vendet e gjymtyrëve të shkëputura ia qepnin trash. Kështu, plagët i kullonin qelb, pa u mbyllur asnjëherë. Shqipëria nga një gjigant i fjetur po shndërrohej në një xhuxh të gjymtuar që do të hante veten.

Kur u fashit Lufta Ballkanike, që nisi e përfundoi për të zhvatur territoret e shtetit të dobët shqiptar (që nuk e mbronte as kryeqytetin të cilin e ndërroi disa herë), plasi Lufta e Parë a Lufta e Madhe, sikurse e quanin. Kishte përmasa të frikshme kjo katrahurë. Ushtria e mundur serbe tërhiqej zvarrë nëpër territorin shqiptar me strajca mbi supe dhe me opinga të shqyera. Ushtarët e çartur vrisnin vendës e ua digjnin shtëpitë, thuajse ata ua kishin fajin pse ia mbathën nga shteti i tyre, të cilin ua lanë në dorë austriakëve.

Ushtria austro-hungareze në ndjekje të ushtrisë së parë futej triumfalisht në Shqipëri pa shkrepur asnjë plumb. Të gjithë prisnin zhvillimin e ngjarjeve. Parashikimet ishin  të zymta, secili mprehte veshët për të dëgjuar i pari krismat.

Shkodra, qyteti më i madh shqiptar, ziente nga intrigat e legatave të huaja. Politika e madhe për tërë botën bëhej këtu. Intrigat përhapeshin në formë të rrathëve koncentrikë nëpër Gadishullin Ilirik, kalonin Adriatikun, vazhdonin tutje në Itali e në Evropën kontinentale, për t'u kthyer sërish nëpër ngushticën e Jonit, në Greqi, deri në Turqi.

Shkodra qe cak i përplasjeve të interesave të perandorive të mëdha e shteteve të vockla ballkanike, të cilat me vogëlsinë e tyre tregoheshin mizore e të pangopshme ndaj më të dobëtit. 

Më dukej vetja i përhumbur në këtë gjithnajë të rrëmujshme. Isha sa një pikë uji në detin tonë që e zhubravisnin të gjithë, pa pyetur askënd dhe pa marrë leje nga askush. Mendoja fatkeqësitë që na pllakosën, vështroja përtej frëngjive të Kuvendit Françeskan, me mendimet e çaprashitura, të cilat nuk zinin vend mu si fluturat kur sillen të shqetësuara rreth dritës e kërcisnin si kokrra kripe.

-Me dhimbsen njerëzit që lindnin e vdisnin pa e kuptuar misionin e vet dhe pa e shijuar jetën, - i thashë më zë të ulët atë Rrokut, si t’i flisja vetes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat