Legjenda për zhvarrimin

Opinione

Legjenda për zhvarrimin

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 23:32
Gani Mehmetaj

"Herën e dytë kur e hapën varrin, në të kthyer, në Qafë të Thanës, ekspeditës së zhvarrimit i doli prita. Mbeti gjallë sa për të dëshmuar lemeri një ushtar turk. Kur sosi në Stamboll, nisi të fliste përçart, gjithnjë duke e përsëritur frazën për varrin e madh të zbrazët që ua hante kokat njerëzve”.

Toger Hansi ma përmendte shpesh këtë rrëfim, sikur të ndiente ndonjë paralajmërim kobzi.

Në letrën tjetër e shtronte mëdyshjen: "Po Kruja? Pse askush nuk e përmend këtë qytet për varrin e Gjergj Kastriotit? Aty ia bëri rezistencën më të madhe Perandorisë Turke. Aty bëri famë, ishte kryeqyteti i tij dhe i tërë mbretërisë shqiptare. Pse të mos e kenë varrosur, pikërisht aty, në fshehtësi të plotë bashkëluftëtarët dhe princërit e Arbërisë? Apo nuk e ka një ambient të tmerrshëm të shkrepave e gurëve që mund të fshehin çdo gjë, madje edhe një emër kaq të madh, sikurse ky i heroit tuaj. Lezha ishte tepër e rrafshët e në aspektin strategjik e pambrojtur që ta varrosnin mbretin më të madh që e patët ndonjëherë”.

Por, pavarësisht hamendësimit të ri të arkeologut vjenez, kronikat e thoshin pikërisht faktin kokëfortë: mbretin e shqiptarëve e varrosën në Lezhë. Turq e arbërorë shkruanin në të njëjtën mënyrë. Vetëm në këtë rast pajtoheshin në mes vete në pesëqind vjetët e luftës së pafund në mes vete.

Ndërkaq, me hamendësimin që ma tha ai donte t’u kundërvihej nga shtrati fushor kronistëve të kohës: pse të mos e provojmë të kundërtën e asaj që shkruani ju: ta kërkojmë varrin e mbretit të Arbërisë, në kështjellën më të pamposhtur të Gadishullit Ilirik? Varri i tij në Krujë? Atje ku nuk e thoshte asnjë kronikë e kohës!

Pa përgjigje isha unë, pa përgjigje do të mbeste edhe toger Hansi, sepse asnjëherë nuk lexova, apo nuk dëgjova ta kenë varrosur në kështjellën të cilën e mbrojti me aq sukses.

Papritmas më doli pyetje: “Pse nuk e varrosën aty ku pritej, por aty ku nuk pritej?”

Kur i kthehesha së sotmes, u kthehesha etheve të kërkimeve. Si nuk pushuan asnjëherë? Athua patën aq shumë interesim për varrin e tij? Ata nuk kërkuan vetëm t'ia gjenin varrin, ata donin ta zhvarrosnin, ta fshinin kujtimin për të. Qindra vjet ia kërkuan varrin, qindra vjet nuk gjetën asgjë, as në shekujt e ardhshëm asgjë nuk do të gjejnë, por kurrë s’do të reshtin së kërkuari. Ata e dinë se legjenda për zhvarrosjen e heroit ka marrë dheun, e dinë se qarkullon edhe legjenda tjetër më tronditëse sesa e para, për trupin që kurrë nuk u gjet në varrin e kërkuar e të supozuar, por duan pikërisht që me një trup a kafkë të godasin në dy legjendat për varrimin e zhvarrimin, për varrin e mistershëm në fund të shkrepave, në katakombet e katedrales, për varrin e fshehtë që u lirua nga trupi qysh në natën e dytë.

Dhe të tretët, kërkues të varrit më të famshëm e më të mistershëm, duan ta shpallin një varr të paqenë. U mjaftojnë një grumbull armësh - trofe gjetjesh arkeologjike, eshtrat nuk i duan. Natyrisht duan ta përkëdhelin sedrën e tyre se s'ka gjë që e duan e që s'mund ta kenë, ashtu sikurse s'ka margaritar që s’mund ta ketë në kurorë perandori i tyre.

Athua ishte i tillë arkeologu ushtarak, Hansi? Ndryshonte nga të gjithë ata që erdhën në Shqipëri në kërkim të varrit e të aventurave, por edhe ai është eksplorues.

“Janë dy kategori hulumtuesish, të cilët nuk i zë gjumi natë e ditë”, më thoshte togeri, i cili duket ishte marrë shumë me aventurierët e zbulimeve arkeologjike. “Të parët i provokonte fakti se është fshehtësia më e madhe në pesëqind vjetët e fundit. Për adrenalinë sfidë më të madhe nuk ka në kontinentin e vjetër. Të dytët, rrinin pa gjumë, sepse çdo gjë e mbuloi koraca e pazbërthyeshme: pati a s’pati varr? U shpërnda trupi i tij në tërë kontinentin, duke u zgjeruar në disa kontinente pluhuri i eshtrave të kryeheroit të Arbërisë, për t’u shndërruar në grimca kozmike. Atë e ndjek miti i hapësirës së pakufishme. Ishte aq i madh, saqë nuk i mjaftoi një varr!

Ka disa hamendje e asnjë fakt real. Imagjinata pastaj në këtë pështjellim është e paskajshme, të rrëmben e të lë pa gjumë: njërën palë e bën të rrijë zgjuar, duke shikuar yjet, thuajse ajo do t’ua kthejë përgjigjen, do t’ua zbërthejë fshehtësinë. Palën tjetër e nxit të bëjnë hamendësime nga më fantastiket, gjithnjë në kufijtë e së pabesueshmes, sepse s’kanë si e shpjegojnë ndryshe. Ata e kërkojnë varrin, por shumë herë nuk duan ta gjejnë, ata dridhen kur e mendojnë se mund të hasin në eshtra, por prapë për asnjë çmim nuk do të donin të ballafaqoheshin me një grumbull eshtrash, sepse imagjinata e tyre do të bëhej copë e grimë, do të thyhej si pasqyra shkëlqyese në dritën e hënës. Kërkojnë nishane të mbretit tonë: shpatë, përkrenare, veshje metali, parzmore, ndonjë mburojë me iniciale e stemë, heshtën e gjatë me majë të mprehtë. Ata duan të eksplorojnë diçka që nuk e kanë të tjerët, të shpallin se e gjetën shpatën legjendare të Skënderbeut, jo atë që është në Muzeun e Vjenës, por një tjetër shpatë kalorësiake, të përdorur e të konsumuar, të ndryshkur, me njolla të gjakut të mpiksur, shpatën e rëndë e të gjatë, që nuk arriti askush ta vërë në përdorim pos Atij.

-Shpata e mbretit tuaj, sipas eksploruesve të mesjetës, duhet të jetë e ngjashme me shpatën e mbretit Artur, prijësit të legjendave britanike, për të cilin nuk ka fakte që ekzistoi, por ka legjenda që luftoi. Britanikët e ndërtuan kombin mbi këtë mit. Gjatë historisë besoj se shumë prijës tuaj që luftuan kundër turkut e gjakuan shpatën e tij, e imagjinuan ta bënin simbol kryesor të rezistencës, - më shpjegonte ai arsyen e preokupimit të të gjithë eksploruesve dhe arkeologëve profesionistë.

Shpatën legjendare të mbretit Artur nga ishulli britanik, që e krahasonte me shpatën reale të mbretit të arbërorëve, sikur e përziente. Ndonjëherë më dukej togeri e kërkonte shpatën imagjinare, atë të legjendave të malësorëve, shpatën magjike.

Togeri vjenez, duke e kërkuar varrin e mbretit tonë, nuk pretendonte as nuk dëshironte t’i gjente eshtrat, megjithëse një gjë e tillë do të qe sensacion për Vjenën aristokratike, por më shumë donte të bëhej zbulues i ndonjë nishani me shenjat mbretërore. Me emociononte kjo gjë, por kurrë nuk do të doja që ai të zbulonte gjërat e shenjta, të cilat na takonin neve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat