“Naivët” dhe “të rrezikshmit” e kufijve!

Opinione

“Naivët” dhe “të rrezikshmit” e kufijve!

Nga: Melihate Tërmkolli, Politikane Më: 13 gusht 2018 Në ora: 18:03
Melihate Tërmkolli, Politikane

Qasja e Presidentit të Kosovës, si institucion, bart rreziqet, më të mëdhatë, në çdo aspekt, në  çështjen e hapur kohëve të fundit për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë. Deklaratat e tij “për kompromise të dhimbshme”, për “korrigjim të kufijve”, për “bashkim të Luginës” me Kosovën, për “planin B”, përbëjnë burim të panikut dhe terrorizimit të qytetarëve dhe jo vetëm.

Nuk ka naivitet më të madh dhe më të rrezikshëm se sa të mendohet që Serbia është bërë miqësore ndaj Kosovës dhe ajo tani do të pranojë t’ia kthejë Kosovës, Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin, e të mos kërkojë asgjë.

Nuk ka naivitet më të madh e më të rrezikshëm se të hysh në pazare kufijsh (për territore) me Serbinë, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën në kufijtë që na ka njohur gjithë bota.

Nuk ka naivitet më të madh se të besosh, që edhe po të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë, edhe me garanca ndërkombëtare, që Serbia do të jetë tepër miqësore dhe e zbaton pikë për pikë ( u provua në këto shtatë vite, si e sa i zbaton marrëveshjet të cilat u bënë krejtësisht sipas dëshirës së saj dhe me garanca ndërkombëtare poashtu).

Nuk ka naivitet më të madh e të rrezikshëm se të besosh që me protagonistët e bisedimeve shtatë vjeçare me Serbinë, të cilët demoluan Kosovën së brendshmi, ata do të dinë të bëjnë diçka të mirë për Kosovën, pa i demoluar edhe kufijtë e jashtëm në emër të “korrigjimit të kufijve”.

Është një logjikë e thjeshtë. Derisa nga bisedimet shtatë vjeçare me Serbinë, lejuan dhe pranuan ndërhyrjen e Serbisë në sovranitetin e Kosovës dhe ndarjen me të, rrjedhimisht, tani duan ta ndajnë edhe territorin, përmes “korrigjimit të kufijve” , duke vënë në lojë ndjenjat më sublime të shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën dhe pastaj të gjithë së bashku, bashkim me Shqipërinë.

Është tepër e qartë se i vetmi synim dhe interes i Serbisë në këto dekadat e fundit është zhbërja e Kosovës, edhe si shtet, edhe si territor, edhe si popullësi.

Janë të vetmit, Presidenti i Serbisë, Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë, të cilëve po iu ngutet të hyjnë në bisedime me Serbinë për një “marrëveshje historike”, për “korrigjim të kufijve”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kaherë e ka bërë të qartë dëshirën për “zhbërje “ të Kosovës, sepse Kosova e pavarur, po paraqitet pengesë për marrdhënje “vëllazërore” me serbët e Serbinë. Madje ai nuk ka hezituar edhe të vendosë në emër të Kosovës! (Marrëveshja për autostradën Nish- Durrës, me gjasë kalon, jo përmes tokës, jo nëpër Kosovë ).

Përndryshe, Kosova, nuk ka asnjë arësye për ngutje në këtë proces. Është Kuvendi i Kosovës ai që e përcakton së paku platformën e bisedimeve. 

Rendi i gjërave e do që Serbia ta njohë Kosovën e Pavarur, të ndalojë agresionin kundër Kosovës, me të cilën do të tregonte një minimum besueshmërie për të biseduar me të për çështje tjera, edhe për “korrigjim të kufijve”.

Rendi e do që të arrihet marrëveshje për status të barabartë si për serbët e Kosovës ashtu për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.

Rendi e do që Serbia të detyrohet të pranojë gjenocidin kundër shqiptarëve e Kosovës, të ushtruar në mënyrë sistematike për më shumë se një shekull, dhe të detyrohet t’i kthejë  pronat e tokat e okupuara, të uzurpuara e të aneksuara përmes gjenocidit (deri në Nish).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat