Tokat e Arbërisë ishin qendra e rezistencës

Opinione

Tokat e Arbërisë ishin qendra e rezistencës

Nga: Gani Mehmetaj Më: 14 gusht 2018 Në ora: 15:26
Gani Mehmetaj

“Varrin nisëm ta kërkonin sivëllezërit e mi qysh pas rënies së Krujës. Një herë ishim të zënë me luftëra të përgjakshme. Me t’u pushtuar Kështjella e Shkodrës, qyteti i fundit i madh i Arbërisë, që i bëri ballë turkut, sikur u bindëm: vështirë ta luftonim armikun pa ndihmën e Skënderbeut.

”Hija e tij duhej të na ndihte, emri duhej të bëhej burim frymëzimi”, na tha komandanti i çetës që qëndroi i fundit në mbrojtje. Ndryshe arbrit do të mbaronin. Hijen e tij duhej ta ndillnim, në mënyrë që të na rrinte mbi kokë si engjëll mbrojtës. Nuk e di kujt i shkoi në mendje të parit, por dikush propozoi të kërkonim varrin e prijësit tonë. Arma e tij ishte çudibërëse, tha një tjetër. Nga çeta e panë me dyshim: tallej a e kishte me gjithë mend.

Prifti i famullisë hodhi dyshimin: çfarë të bëjmë po të mos jetë varri, atje ku thuhet se është varrosur, më mirë aty ku është zhvarrosur. Të gjithë e panë me habi. Por prifti, i cili e mbështeti propozimin i pari, nuk tallej asnjëherë. Disa shprehën dyshimin se varrimi është bërë gjetiu, varri në Lezhë qe vetëm mashtrim, tullumbace për armikun e hafijet.

Sepse, shumë spiunë u mblodhën ato ditë në Lezhë e në Krujë, madje në të gjithë Arbërinë. Lezha u bë qendra e spiunazhit nga Lindja e nga Perëndimi. Secili donte të mësonte për zhvillimet në Arbëri. Tokat e Arbërisë ishin qendra e rezistencës.

Dikur u pajtuam heshtazi se nuk bëhej fjalë për kërkim varri, as të eshtrave, duhej të viheshim në kërkim të një vendi pelegrinazhi. Secili dha propozimin e vet. Dikush ngulte këmbë se më mirë sesa Kruja askush tjetër s’mund ta kryente vendin e pelegrinazhit. Tjetri propozoi Shkodrën, qytetin e fundit të madh që i bëri ballë pushtuesit. Por së fundi askush nuk i bëri ballë propozimit se Lezha ishte qyteti ku vdiq mbreti, ku iu bë varrimi madhështor. Lezha ishte qyteti i Kuvendit të Arbrit, prandaj nuk mund të zëvendësohej me një tjetër.

Por gjërat shkuan ndryshe nga vullneti ynë. Përtej detit nuk mendonin si ne. Në letrën që më erdhi nga Roma, më urdhëronin të mos vazhdoja kërkimin e varrit. Nuk është punë për ty as e grupit të priftërinjve të Arbërisë, më thanë në mënyrë të prerë. Më mbërtheu dëshpërimi. Në letër më tutje më shkruanin: të mos flisja, të mos ndihmoja në përhapjen e thashethemnajës sikur trupi i heroit të arbërve nuk u gjet në varrin, ku e futën me ceremoni madhështore e pikëllim të thellë, sepse u kishin thënë sikur unë dyshoja që ai nuk ka varrë fare.

“Po ku është pra?”, më shpëtoi nga goja pyetja e vetvetishme, sikur t’i drejtohesha letërshkruesit. Këtë pyetje priste letërshkruesi, pyetje që do të shtrohet, besoj, edhe qindra vjet më vonë. Letra nga Selia e Shenjtë vazhdonte:

” Dihet se varrin e dhunuan, eshtrat i morën, i shpërndanë përmes ushtarëve e hajmalive të tyre në Evropë, në Azi dhe në shkretëtirat arabe. Këtë e thonë të gjithë, s’ke pse dyshon në vërtetësinë e dëshmive. Këtë e ka besuar edhe Ati i Shenjtë, prandaj mos e vër në dyshim besimin e tij dhe, mos e vër në dyshim besimin në Krishtin, sepse vetëm i biri i Zotit nuk ka varr, vetëm i biri i Zotit u ngrit në qiell. Tjetër nuk pati dhe nuk do të ketë përjetë e mot. Amen!”

Amen! e përsërita vetvetiu. Por kjo letër e lutja e përsëritur nuk më pengonte të nisja pyetjet e mëdyshjet e mia. Asnjë letër nuk ma hiqte dyshimin. Ai e pati një varr, por nuk e kishte më, ai udhëhoqi një mbretëri që u shua, familja e tij e gjeneralët kaptuan detin, princat njëri pas tjetrit ranë në beteja apo kaluan në Itali, Spanjë e Francë. Disa u tërhoqën prapa bjeshkëve të mjegullta. Aty e ndienin veten më të sigurt sesa në kështjellat që binin njëra pas tjetrës.

Prapë i kthehesha letrës autoritare. Pyetjet më vinin vetvetiu: Ç’ishte ky varr që shkaktonte aq shumë tronditje? Hutimi e mbështillte mendjen njerëzore: të ithtarëve e të kundërshtarëve.

“Me vënien në pikëpyetje të varrit, do të thoshte të bëje edhe një legjendë tjetër të ringjalljes”, m’u kujtuan fjalët e ipeshkvit kohë më parë. Dhe bota s’do të lejonte një ringjallje të dytë, një i mjaftoi. Kjo të ngjethë shtatin, ta bën trupin kokrriza-kokrriza. Ende më silleshin nëpër kokë fjalët që ndërruam me superiorin tim.

Mbaja në mend se ballafaqimi me ipeshkvin ishte i rëndë, rrezatonte tension e mosbesim. E nisa me armët e Skënderbeut, sepse armët u bënë objekt thashethemnaje. Secili i imagjinonte. Armët: shpata, përkrenarja, parzmorja, u bënë hyrje në një temë që dridhesha kur e mendoja, ndërsa doja t’ia hapja ipeshkvit. Druaja se fjalët e mia mund ta çmerisnin. Nuk e di as vetë sesi i rashë në fund, duke e frenuar veten që të mos kaloja në delir.

“Imzot! E di që Vatikani nuk do të pranojë kurrë dyzimin”, - vazhdova i shqetësuar. “Por të gjithë e thonë se trupi i tij nuk u gjet as nga turqit dhe as nga arbrit. Të dyja palët e kërkuan, secili për llogarinë e vet.

“Me varr a pa varr, hija e tij do t’i mbrojë të vetët!”, më kujtoheshin fjalët e kapedanit të Mirditës.

Ipeshkvi qe luhatur disa herë. Edhe më parë më thoshte fjalë me dy kuptime, ku përvijoheshin shenjat e blasfemisë. Ta thoshte se prijësi nuk ka varr, blasfemonte; ta shpallte varrin e tij, atje ku kishte qenë, ai tashmë ishte i zbrazët; të shpallte një vend pelegrinazhi, nuk qe në përgjegjësinë ipeshkvore. Shenjtorët caktoheshin gjetiu.

Ipeshkvi u ngrit në këmbë nga karrigia e tij e lartë në kancelarinë e Ipeshkvisë së Shkupit. Prita të më qortonte rëndë, mund të më shpallte heretik, por ma ktheu shpinën, eci ngadalë nëpër hapësirën e qetë të kishës, për një çast ktheu kokën me një rrotullim harkor dhe më pyeti: Pse duhet të gjendet trupi i tij? E ka kërkuar kush varrin e Krishtit që ta dëshmojë vërtetësinë e besimit të krishterë pas dhjetë, njëzet apo një mijë vjetësh?

Ai vazhdoi tutje, hapat i kumbonin në qetësinë e hapësirës së katedrales. Me gumëzhinte diçka në kokë. Para sysh me dilnin shajnitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat