50-vjetori i “Pranverës së Pragës”: “Ata mund të shtypin lulet, por nuk e ndalojnë dot pranverën”

Opinione

50-vjetori i “Pranverës së Pragës”: “Ata mund të shtypin lulet, por nuk e ndalojnë dot pranverën”

Nga: Frank Shkreli Më: 16 gusht 2018 Në ora: 21:49
Frank Shkreli

Ky vit shënon 50-vjetorin e pushtimit brutal të Çekosllovakisë nga ish-Bashkimi Sopvjetik. E ashtuquajtuara “Pranverë e Pragës” filloi me 5 Janar dhe zgjati deri me 21 gusht, 1968, me qëllim për të vendosur një “socializëm me fëtyre njerzore”, kur kjo lëvizje u shtyp brutalisht me pushtimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik dhe nga antarët e tjerë të Paktit të Varshavës, (Bashkimi Sovjetik, Hungaria, Polonia, Bullgaria dhe Gjermania Lindore), duke ndaluar kështu të gjitha reformat që kishin filluar në Çekosllovaki, nën udhëheqjen e politikanit reformist komunist, Aleksandër Dubçek, i cili sa po ishte zgjedhur Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Shqipëria, (e cila teknikisht ishte ende anëtare e Paktit të Varshavës) dhe Rumania nuk morën pjesë në okupimin e Çekosllovakisë të udhëhequr nga Moska.

Autoritetet komuniste sovjetike kishin frikë nga kjo lëvizje liberalizimi të kryesuar nga Dubçeku në njërin prej vendeve të saj satelite të Evropës Qendrore sespse kjo lëvizje sipas tyre do të kërcënonte seriozisht regjimet komuniste në Evropën lindore, por mbi të gjitha do të kërcënonte kontrollin e Moskës mbi këto vende satelite të saj. Pas disa bisedimeve me autoritetet çekosllovake për tu larguar nga rfeormat e ndërmarra, bisedime këto të cilat më në fund dështuan, Bashkimi Sovjetik vendosi të shtypte “Pranverën e Pragës”, duke dërguar në Çekosllovaki mbi një gjysëm milion ushtarë të Paktit të Varshavës, me mjetet ushtarake më moderne të kohës, për të pushtuar vendin. Ndonëse sovjetikët kishin paraparë se do t’a shtypnin Pranverën e Pragës për 4-5 ditë, rezistenca çekosllovake kundër pushtuesve sovjetikë dhe forcave të Paktit të Varshavës, zgjati në të vërtetë, për pothuaj 8-muaj, duke e shtypur atë përfundimisht me 21 gusht, 1968. Shtypja e “Pranverës së Pragës” mori fund me arrestimin e Aleksandër Dubçekut, i cili më vonë u lirua, por vizioni i tij për një “Sociaslizëm me fëtyrë njerzore” në Çekosllovaki mori fund, megjithse siç është shprehur më vonë, ai mendon se, moralisht dhe politikisht, kishte dalë fitues.

Roli i intelektualëve dhe i medias: Aleksandër Dubçeku gjatë kësaj periudhe politike, të cilësuar si “Pranvera e Pragës”, u përpoq të bënte reforma themelore të sistemit komunist, duke lejuar pikë së pari vendosjen e shumë të drejtave për qytetarët e Çekosllovakisë nëpërmjet decentralizimit të ekonomisë dhe demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi. Në prill të vitit 1968, në mbledhjen e Presidiumit të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, Aleksandër Dubçeku njoftoi programin e tij politikë të, quajtur “socializëm me fëtyrë njerzore”. Ndër liritë thelbësore që u miratuan gjatë asaj periudhe eskperimentale qeverisjeje, kryesore ishin liria e shtypit, liria e fjalës dhe liria për të udhëtuar jashtë vendit, ndër të tjera. Ishin këto ide të cilat u promovuan nga shtresa intelektuale e shoqërisë çekosllovake: nga shkrimtarët, artistët dhe gazetarët, ide këto të cilat jo vetëm që nuk u kundërshtuan por u promovuan nga Aleksandër Dubçek, ndërsa toleroi përhapjen e tyre dhe si rrjedhim, për idetë e tija liberale, ai siguroi mbështetje të madhe në radhët e medias, në qeveri dhe në mbarë shoqërinë. Ishte pikërisht Lidhja e Shkrimtarëve të Çekosllovakisë ajo që vuri në sprovë se sa serioz ishte Dubceku, në lidhje me liberalizimin që predikonte, duke botuar për herë të parë në shkurt të vitit 1968, pa cenzurën e Partisë Komuniste, organin e saj letrar, Literarni Listy, i cili deri atëherë kontrollohej nga elementë konservatorë të Partisë komuniste. Deri në gusht të atij viti, ky organ i Lidhjes së Shkrimtarëve çekosllovakë kishte arritur qarkullimin më të lartë në Evropë -- prej 300, 000 kopjesh. Ishin pra përpjekjet për sigurimin e lirisë së shtypit, e promovuar nga intelektualët, si hapi më i rëndësishëm drejtë bërjes së reformave, orvatje këto që çuan më në fund në heqjen e plotë të censurës në Çekosllovaki, më 4 mars, 1968. Ishte kjo hera e parë në historinë çekosllovake që në atë vend nuk kishte cenzurë dhe liria e shtypit, konsiderohet si e vetmja reformë e “Pranverës së Pragës” që me të vërtetë u zbatua, ndonëse ishte jetë-shkurtër.

Reformat që kishte ndërmarrë Aleksandër Dubçeku gjatë lëvizjes së “Pranverës së Pragës” garantonin për herë të parë lirinë e shtypit, përfshirë botimet e komenteve politike dhe kritikat ndaj Partisë Komuniste dhe autoriteteve shtetërore. Liria e shtypit bëri të mundur gjithashtu që, për herë të parë, ç’prej vesojes së regjimit komunist, t’i hidhej një sy të kaluarës historike komuniste të vendit, sidomos gjatë periudhës së Jozef Stalinit në Rusi, përfshirë spastrimet, ekszektuimet dhe burgosjet e ish-udhëheqsve komunistë dhe anti-komunistë, të cilët ishin zhdukur nga historia e vendit. Lidhja e Shkrimtarëve formoi gjatë kësaj periudhe liberalizimi një komision me qëllim për të hetuar persekutimin e shkrimtarëve nga regjimi komunist dhe për të riabilituar figurat e njohura letrare të vendit. Ishte kjo periudha gjithashtu kur diskutohej lirisht mbi komunizmin dhe të metat e tij, por edhe për idetë abstrakte për kohën, siç ishin liritë bazë në përgjithsi dhe të drejtat e njeriut në veçanti. Shpejt morën jetë botime të ndryshme të pavarura, ndërkohë që Lidhja e Gazetarëve Çekosllovakë siguroi të drejtën për tu abonuar në gazeta dhe revista nga bota perëndimore duke bërë të mundur kështu edhe zhvillimin e një dialogu ndërkombëtar, mbi situatën politike në botë dhe në vend. Ente të ndryshme të shtypit organizonin diskutime dhe takime me shkrimtarë e gazetarë të njohur por edhe me intelektualë të tjerë, përfshirë viktimat që e kishin pësuar keq nga komunizmi. Televizioni transmetonte takime midis udhëheqsve komunistë dhe ish-të burgosurve politikë drejtë për drejtë nga zyrat e policisë sekrete ose nga burgjet ku mbaheshin të arrestuar.

Roli i shtypit në promovimin e lirive të reja në Çekosllovaki gjatë kësaj periudhe kontriboi dukshëm që dialogu politik, përveç sferës intelektuale ku zhvillohej lirisht tanimë, të përhapej edhe në radhët e shoqërisë në përgjithësi. Më kujtohet intervista e korrespondentit të Zërit të Amerikës, Xhojlin Naegele me Aleksandër Dubçekun në vitin 1988 në të cilën ai foli gjërë e gjatë për ngjarjet e vitit 1968 dhe mbi rolin e shtypit në atë lëvizje, përfshirë rolin e medias ndërkombëtare, ndërsa pranoi se gjatë gjithë kohës kishte qenë dëgjues i rregullt i Zërit të Amerikës në gjuhën çeke e sllovake. Duke iu referuar zhvillimeve të vitit 1968, megjithë dështimin e tyre, në atë intervistë, Aleksandër Dubçeku është shprehur për Zërin e Amerikës se, duke shikuar pas në histori, “Sot e dijmë se mund të fitonim vetëm politikisht dhe moralisht.” Megjithse “Pranvera e Pragës” u shtyp brutalisht, udhëheqsi i kësaj lëvizjeje ka deklaruar për Zërin e Amerikës, se, prap se prap, “Unë mendoj se ishte një fitore”, ka thënë ai. Në intervistën me VOA-n në vitin 1988 -- në prak të shembjes së Murit të Berlinit -- Dubçeku citohet nga gazeta Nju Jork Tajms të jetë shprehur se, “Ajo që po ndodh në Bashkimin Sovjetik është mirë për demokracitë perëndimore dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi do të ndihmojë që Bashkimi Sovjetik të largohet dal nga dalë nga militarizmi stalinist dhe nga dogmatizmi dhe sektarizmi i Brezhnjevit.”

Siç dihet, Çekosllovakia vazhdoi të mbetej nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik deri në Revolucionin paqësor të vitit 1989, ashtu si edhe vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore, kur me shembjen e Murit të Berlinit, në vitin 1989, mori fund pushtimi sovjetik mbi Evropën Qendrore dhe Lindore.

Pranvera e Pragës nuk ishte një lëvizje anti-komuniste. Në të vërtetë vet Aleksandër Dubceku dhe familja e tij kishin lidhje komuniste. Ndonëse ai siguroi respektin e botës dhe ndërsa bota priste që idetë e kësaj lëvizjeje të përhapeshin anë e mbanë botës, një gjë e tillë nuk ndodhi me atë rast. Megjithse Aleksandër Dubçek konsiderohet si njëri prej udhëheqsve më frymëzues të shekullit 20, ekspertët e këtyre ngjarjeve kanë thënë gjatë viteve se megjith qëllimet e mira të tija, ai ishte i gabuar të mendonte se mund të promovonte liritë bazë dhe të drejtat e njeriut mbrenda një sistemi komunist. Ai vazhdoi të përdorte komunizmin dhe idetë majtiste të kësaj ideologjie, si një agjent të reformave. Por, ashtu siç i ka thënë edhe Zërit të Amerikës, megjithë dështimin e lëvizjes, ai konsideron se ka dalur fitues, “moralisht dhe politikisht”.

Lëvizja “Pranvera e Pragës” ishte një përpjekje madhështore për liri e demokraci, por që ishte destinuar të dështone prej fillimit, megjith qëllimet e mira të Aleksandër Dubçekut. Ndryshe nga lëvizja Solidarnost në Poloni gjatë 80-ave, e cila kishte marrë qëndrime absolutisht pa kompromis kundër komunizmit, Aleksandër Dubçek u përpoq, siç është shprehur një historian, t’i jepte komunizmit një fëtyrë njerëzore, një mision ky i pa-arritshëm.

Por, ishte revolucioni paqësor anti-komunist i vitit 1989, i udhëhqur nga Vaclav Havel, lëvizja që më në fund realizoi ëndërrrat e Aleksandër Dubcekut dhe të bashkatdhetarëve të tij për liri e demokraci të vërtetë dhe për një çkëputje njëherë e mirë të popujve çek e sllovak nga zgjedha ruso-sovjetike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat