Bogdani me ushtarët arbërorë e çliroi Prizrenin, Prishtinën e Pejën

Opinione

Bogdani me ushtarët arbërorë e çliroi Prizrenin, Prishtinën e Pejën

Nga: Gani Mehmetaj Më: 20 gusht 2018 Në ora: 16:39
Gani Mehmetaj

Raporti që e kisha në dorë më drithëroi. Shkrimi ishte ndryshe, dora kishte rrëshqitur nga ndonjë shqetësim, sepse shkronjat herë zgjateshin, herë ngushtoheshin. Në raportin e  fratit të paemër, shkruante: “Shkëlqesi, Ipeshkvi ynë, Pjetër Bogdani, vdiq. Me pikëllim të pakufishëm e varrosëm pranë Katedrales së qytetit të Prishtinës. Ia bëmë nderimet që rrallë kujt i bëhen, e vajtuam. Ai i udhëhoqi në luftë arbërorët kundër turqve. Por para se të të informoj për periudhën pas vdekjes së tij, ndiej obligim t’jua them disa fjalë për gjendjen në Arbëri, kur ishte gjallë imzot Bogdani. 

Ende pa arritur ushtria e gjeneralit Pikolomini, Bogdani me ushtarët arbërorë e çliroi Prizrenin, Prishtinën, e Pejën. Kushtrimit të tij iu përgjigjën të gjithë, i madh e i vogël, jehona  mbërriti deri në Ohër. E vlente të jetoje ato ditë.

Më duhet ta pranoj se që nga vdekja e Gjergj Kastriotit, nuk pati organizim të tillë, mobilizim të përgjithshëm e padurim që të luftohej turku. Mizoritë e tartarëve ua sollën shpirtin në majë të hundës.

Ngjarjet rrodhën kështu. Në Kaçanik ushtarët e gjakut tonë e mbajtën kufirin pa e lejuar të futej as të dilte gjallë asnjë ushtar turk.  Shkupin e çliruan trupat vendës që u ndihmuan nga prijësit e Tetovës e të Karadakut. Ata hynë triumfalisht në qytetin e Bogdanit.

“Kënaqu me këtë mrekulli e vdis!”, thoshin ato ditë arbërorët. Ishte parakalim madhështor, ishte kënaqësi t’i shihje sesi valëviteshin një det qeleshesh të bardha në formacion ushtarak.

Kambanat e Katedrales së Shkupit nuk pushuan gjithë ditën. Nga qytetet tjera të Lekës së Madh, arbërorët çliruan Gostivarin, Uskanën, Strugën, Ohrin e Manastirin.

Prijësi ynë, imzot Bogdani, gjithë kohën ishte në organizim e në dijeni të sukseseve të arbërorëve. Në Prishtinë forcat vendëse e dëbuan ushtrinë tartare për herë të dytë. Lufta e vendësve ishte në ethe, për jetë a vdekje, sepse e dinin çfarë i priste po u futën tartarët e turqit në qytet.

Herën e parë kur tartarët e rimorën qytetin, masakruan bura e gra, vranë pleq e dogjën gjysmën e qytetit. Kështu,kësaj here, kjo farë e keqe u dëbua përtej Grykës së Llapit.

Kur ushtria austriake hyri në Prishtinë, s’pati nevojë të shkrepte asnjë shishane. Në qytetin më të madh të Rrafshit të Dardanisë, u vendos komanda me logjistikën e vet. Për sigurinë e qytetit e të katundeve kujdeseshin ushtarët e Arbërisë.   

Por koha e lavdisë kaloi shpejt, si shkreptimë reje. Nuk ishte turku ai që e ktheu fatin e luftës në duart e veta, nuk ishte as dobësia e arbërorëve që i bëri të zbytheshin para armiqve, përkundrazi më duhet të them me mburrje se ishim më të fuqishëm se kurrë më parë, ishim një, si në kohën e Skënderbeut. Flamuri i Arbrit valëvitej gjithë kohën në pikat strategjike të qytetit.

Kur mendonim se çdo gjë po shkonte si në vaj, një sëmundje tinëzare i shkretoi tokat e Arbërisë. Mbyti mijëra banorë. Një herë ia nisi nga fëmijët, pastaj nisën të lëngonin gratë.  Ishte e tmerrshme kur i shihje burrat, luftëtarë të çartur sesi vuanin e zvarriteshin me dhimbje të tmerrshme nëpër llucë. Ata që shpëtuan nga sëmundja ia mbathën në Malësinë e Gollakut apo edhe më larg në Malësinë e Karadakut, sikurse e quajnë turqit një pjesë të malësisë në periferi të Arbërisë. 

Në këtë pështjellim të paparë, të shkaktuar nga kjo sëmundje ferri, kur çdo gjë po e merrte rrokullimën, trupat austriake nisën të zbytheshin, të tërhiqeshin apo ta izolonin ushtrinë e vet nga vendësit, sepse thoshin sikur donin t’i ruanin të pacenuar trupat perandorake. Nga priftërinjtë tanë që ishin në shtabin e tyre, mësuam se austriakët e mbanin të fshehtë, por murtaja bëri kërdinë në ushtrinë e tyre. Nga murtaja u shua edhe Pikolomini.

Duket murtaja erdhi nga ndeshja e parë me ushtrinë turke në Nish, qytetin më të skajshëm të Dardanisë. Në betejën e Nishit, ku mori goditje të pariparueshme ushtria e sulltanit, luftuan në anën austriake skizmatikët e gjakut tonë. Serbët, sikurse në kohën e Skënderbeut, morën anën e turkut. Na tradhtuan për herë të dytë.

Ka informacione se murtaja e preku edhe qytetin e Konstantinit të madh, megjithëse thonë jo në përmasat që e goditi qendrën e Dardanisë së sotme.

Më duhet t’ju them se asnjëherë nuk u kuptua vërtet e sollën trupat austriake sëmundjen e ferrit, apo e hodhën trupat turke në të tërhequr. Ka gjasa që ata u futën në mesin e ushtarëve tanë dhe i infektuan një herë puset, pastaj të korrat që ishin aq të bollshme. Por pati edhe hamendësime tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat