Kali i Trojës në mesin e shqiptarëve! - Bota Sot
Kali i Trojës në mesin e shqiptarëve!

Opinione

E enjte, 20 shtator 2018

Kali i Trojës në mesin e shqiptarëve!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 21 gusht 2018 Në ora: 08:30
Gani Mehmetaj

"Me serbët na ndan vetëm një cipë e hollë e qepës”, kanë predikuar shumica e hoxhallarëve në Kosovë e në Maqedoni, në fëmijërinë time, “me shqiptarët katolikë na ndan një bjeshkë”, vazhdonin propagandën e tyre antishqiptare hoxhallarët. Këtë moto po e ndjekin edhe sot e kësaj dite.

Fryma që ta thanë shpirtin nga Sahara, ua ka mpirë mendjen një lukunie renegatësh, të cilët luftojnë si në dëlir  kundër shqiptarëve. Në vend të flasin për bukurinë e jetës, ata flasin për bukurinë e vdekjes. Të bukures i thonë e shëmtuar dhe të shëmtuarës, e bukur! Ka dëgjuar kush ndonjë hoxhë, apo vëllazërinë islamike shqipfolëse, por jo shqiptare, të flas për tmerret e policisë e të ushtrisë serbe? Ka dëgjuar kush që shefqetkrasniqet, mullazimkrasniqet, gogiqet, e mjeranët e tjerë mercenarë, që shkarravisin nëpër revista islame ta shajnë Milosheviqin? Asnjëherë, asnjë fjalë nuk e thanë kundër krimeve serbe e kundër kriminelëve serb, asnjëherë nuk e vunë në pah se rreziku më i madh edhe më tutje vjen nga Serbia. E ka dëgjuar kush ndonjë hoxhë t’u flas besimtarëve për Amerikën, Britaninë e Madhe apo Evropën Perëndimore që na shpëtoi nga shfarosja, derisa shtetet islamike bënin sehir, apo bënin tregti me Serbinë? Nuk kam takuar hoxhë që ka fjalë miradije për shpëtimtarët tonë, përkundrazi kam takuar dhjetëra që vjellin vrer kundër atyre që ua shpëtuan edhe këtyre mjeranëve kokën.

Përjargën si të çartur shumica e hoxhallarët e ideologëve të errësirës kundër personaliteteve shqiptare e përpjekjeve tona që t’i ngjitemi Evropës Perëndimore. E dini pse? Sepse e thotë më se miri lideri i shqiptarëve të Maqedonisë: qendra e islamikëve për Ballkan është Beogradi. Prej atje i marrin urdhrat, nga atje frymëzohen, prandaj as në të ardhmen hoxhallarët e islamikët e tjerë renegatë nuk do të predikojnë nëpër xhami, nëpër gazeta, apo para “xhematit” të debilizuar kundër armikut tonë më të madh- Serbisë e institucioneve të saja, por do të shajnë shqiptarët dhe personalitete tona, sepse ashtu kanë urdhër.
Erdogani i Anadollit ka shpërndarë lukuni për luftë speciale të grrmrr-it. Në emër të kinse ndihmave vëllazërore përmes shoqatave vrastare islamike po krijon formacione goditëse kundër shqiptarëve dhe po mobilizon shqiptarë për xhihad.  Pushtetarët dhe opozitarët në Kosovë e në Shqipëri sillën si pulat para gjelit me kryeministrin turk, i cili tashmë i ka zhytur duart më gjakun e popullit të vet.
Kështu, atë që nuk arriti ta bëjë kurrë Serbia -përçarjen në baza fetare, po e bën tash  përmes renegatëve hoxhallarë e ish-oficerëve të vet që i përgatiti për luftë speciale. Natyrisht po e ndihmon me bujari edhe Turqia.

Shqiptarët mish për top

Dikur ishin aq të mobilizuar kundër Serbisë dhe kundër korbave islamikë, ndërsa sot të dyja palët janë futur brenda dhe po na përtypin. Mjerë ata që u shkojnë prapa. Si nuk u ngritë asnjë besimtar nëpër xhami t’i pyes këta hoxhallarë: e kemi armik Serbinë apo Evropën? Na shpëtoi nga shfarosja SHBA-ja e Evropa Perëndimore, apo Serbia?
“Me serbët na ndanë vetëm një cipë e hollë e qepës”, kanë predikuar shumica e hoxhallarëve në Kosovë e në Maqedoni, në fëmijërinë time, “me shqiptarët katolik na ndanë një bjeshkë”, vazhdonin propagandën e tyre antishqiptare hoxhallarët. Këtë moto e ndjekin edhe sot e kësaj dite. Ata kishin merita të mëdha për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, sepse u thoshin besimtarëve atje është vendi i myslimanit. Kështu i urdhëronin nga Beogradi.
Po i dëgjove predikimet e tyre të çartura, krijohet përshtypja se problemi fondamental i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e në Shqipëri është lufta fetare të islamikëve kundër “kaurëve”, “hyrijat e xhenetit” të cilat i presin “xhihadistët”, ndërsa armiq janë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nëna Terezë, Pjetër Budi e  Pjetër Bogdani, Ibrahim Rugova e Ismail Kadare. Hoxhallarët u bien të gjitha trumbetave për luftë vëllavrasëse (paçka se shqiptarët kurrë nuk do t’i dëgjojnë ulërimat e tyre), por fatkeqësisht rrimë duarkryq dhe i shikojmë këta korba. Predikimet e tyre kanë detyrë ta mjegullojnë krimin e organizuar në Kosovë, vrasjet e pasqaruara të personaliteteve tona, krimet serbe që ende nuk u ndëshkuan, gjendjen e rëndë sociale të shumicës së popullatës, të rinjtë e frustruar e pa asnjë ideal, të cilët po i mbështeten djallit e të birin që të dalin nga kjo gjendej në të cilën i ka futur shoqëria jonë. Prandaj, hoxhallarët e shfrytëzojnë fatkeqësinë e të rinjve që t’i thërrasin për luftë në Siri, ndërsa kurrë nuk i kanë ftuar më herët të luftonin për çlirimin e Kosovës. Presheva, Medvegja e Bujanovci janë të okupuara. Ku janë këta mercenarë që s’bëzajnë? Cili prej këtyre hoxhëve do të jep nesër llogari për gjakun e derdhur të atyre që ranë në Siri? Pse duhej që shqiptarët të bëheshin mish për top në një vend prapa diellit?
Janë paguar këta predikues ta vënë në gjumë popullatën, t’i shkëpusin nga treni i Evropës. Predikojnë t’i bashkëngjitemi vendeve kaotike islamike, ku për çdo ditë vriten në mes veti qindra fatkeq. Dhe vazhdimisht na e vënë model botën islamike e cila vetëm model jetese e qytetërimi nuk mund të merret. Nuk na e preferojnë as njerëzit e tyre të mençur.

Kur mjekërzinjtë përdhosin qytetin e ilirëve

Në Maqedoni islamikët me hoxhallarët e paguar nga dreqi, pra në marrëveshje më  shërbimet sekrete sllave e turke, përpiqen t’ua fashitin shqiptarëve vendës ndjenjën e pakënaqësisë kundër diktaturës pushtetore. Asnjë fjalë hoxhallarët nuk e thanë kundër pushtetarëve që e kanë lënë në mjerim popullatën shqiptare, asnjë fjalë hoxhallarët e shitur nuk e thanë kundër përmendores së Car Dushanit, vrasësit të shqiptarëve, por gati u tërbuan kur u ngrit shtatorja e Skënderbeut në Shkup. Po këta klerikë nuk i lejojnë partitë politike shqiptare t’i ngrehin përmendoren Pjetër Bogdanit.
Gjendja është pak më ndryshe në Shqipëri, por aspak e lakmueshme. Ka degradim të ndjeshëm kulturor e shpirtëror. Dhjetëra të rinj kanë ikur në Siri për të lënë kokat. Për qetësinë sociale, po edhe sepse i korruptuan në shkallë të gjerë shoqatat islamike e shërbimet e fshehta të orientit,  pushtetarët e opozitarët lejuan mjekërzinjtë e shoqatat e tjera islamike të nxisin përçarje, duke krijuar pasqyrë të shëmtuar për realitetin shqiptar. Qyteti i vjetër i Durrësit, pjesa më e frekuentuar turistike, në mbrëmje të frikëson me grupet e mjekrave të zeza që enden kot fare poshtë e lartë si të ishin në zemër të Arabisë, e jo në qytetin e ilirëve, apo rezidencën e perandorëve romakë. Në këtë qytet u ndërtua xhamia mbi rrënojat iliro-romake, ndërsa Amfiteatri antik, ndër më të mëdhenj në Mesdhe ende nuk është pastruar e rinovuar si duhet.
Nuk kam pa diçka më të shëmtuar se sa falja në qendër të Tiranës ditën e Bajramit që ta krijon përshtypjen si të ishe në shkretëtirat arabe.  Vetëm devetë e pak rërë shkretëtire   mungon në këto rituale që e frikësojnë botën nën qiellin e hapur. Ka edhe shembuj të tjerë të shëmtuar.
Qeveritë e dy shteteve shqiptare kanë flirtuar dhe po flirtojnë frikshëm me islamizmin e skajshëm, me fundamentalizmin islamik të Erdoganit, ndërsa në fakt po na e sjellin fatkeqësinë të dera, sepse derisa të ne investuesit islamik ndërtuan vetëm xhami, në Serbi, Kroaci, Rumani e Bullgari investuan nëpër fabrika e kantiere anijesh disa miliardë dollarë. “Kaurëve’ u dhanë fabrika, kantiere e hekurudha, neve probleme me mjekër palarët e me hoxhallarë që po e rrënojnë shtetin. Për një xhami që ua lejuan të ndërtohet në Rijekë të  Kroacisë, beduinët vjet blenë anije kroate në vlerë prej 800 milion dollarësh. Ky është realiteti, të cilin ne nuk e shohim në sy mu si makushi kur e fsheh kokën në rërë. Ky është realiteti i dhimbshëm: i zymtë, i pa perspektivë, i frikshëm, që të rrëqeth.
“Feja e shqiptarit është shqiptaria” duhet të shndërrohet sërish në kushtrim, në himn dhe në mobilizim që t’i ngjitemi trenit të qytetërimit evropian, duke dëbuar mercenarët e Kalin e Trojës jashtë territoreve shqiptare sa nuk është bërë vonë. Kështu, si jemi Kosova e Shqipëria nuk do të cilësohen shqiptare, por myslimane.

Shkombëtarizimi në Maqedoni

Gjendja nuk paraqitet më e mirë as të shqiptarët ortodoks në Maqedoni e Greqi. Mbase nuk e ka shkallën e tillë të primitivizmit oriental, sikurse myslimanizmi, por shkallën e frikshme të shkombëtarizimit e ka më shumë intensitet. Në Greqi pothuajse janë shkombëtarizuar shqiptarët ortodoks nga presioni agresivë i kishës, por sidomos nga presioni i dhunshëm i shtetit grekë. Të njëjtën gjë e kanë pësuar pjesa e madhe e shqiptarëve në territoret etnike në Maqedoni. “Ndarja në turq e kaur që na e bënin priftërinjtë dhe hoxhallarët ishte shumë e keqe”, e thotë në emisionin televiziv shqiptari ortodoks nga Reka e Keqe, i cili e rifreskoi çështjen e shkombëtarizimit të shqiptarëve në emër të fesë. Sa herë e shikoj këtë emision, edhe mua me qahet, ashtu sikurse i qahet protagonistit të emisionit shqip të një televizioni në Shkup, kur e kujton të kaluarën dhe presionin e shkombëtarizimit nga priftërinjtë sllavë. Ai rrëfente gjëra të dhimbshme: një krahinë e tërë kishte kaluar nëpër Kalvar nga presioni që të harronte gjuhë e komb. Sërish e dëgjova nga goja e tij thirrjen e rilindësve: feja e shqiptarit është shqiptaria. Sërish kjo thirrje është shumë aktuale, sepse ka gjasa të mobilizoj shqiptarët kudo.
Shqiptarët si asnjë komb tjetër në Evropë kanë tri fe.  Ndarja në fe, nuk është pasuri, por fatkeqësi, pavarësisht që rilindësit e ideologët kombëtar janë përpjekur këtë tragjedi ta zbusin. Fatkeqësia më e madhe në historinë e shqiptarëve ishte pushtimi osman, sepse zgjati shumë, prodhoi një varg fatkeqësish prej të cilave nuk u këndellem, sepse reflekse antikombëtare të kësaj fryme manifestohen edhe tash. Asnjë perandori nuk ishte aq mizore (mund ti konkurroj vetëm mizoria sllave e mesjetës dhe e shekullit të XX), asnjë perandori nuk u solli aq të këqija shqiptarëve se sa turqit, asnjë perandori nuk ndikoi që pastaj tokat shqiptare të pushtuara të ndahen sërish në mes të fqinjëve grabitqarë. Pushtuesi bëri tregti të vazhdueshme me Serbinë, Greqinë e Bullgarinë më tokat shqiptare. Me mizorinë e pashembullt ua imponoi fenë myslimane me hekur e me zjarr, pos atyre shqiptarëve që u tërhoqën nëpër male, apo atyre që kaluan në Gadishullin Apenin. Kronistët turq shkruajnë me mburrje për hakmarrjet e tmerrshme të ushtrisë turke kundër shqiptarëve: pirgje kufomash të grave, fëmijëve e të burrave, lumenj gjaku e kolona të gjata të shqiptarëve të lidhur me vargonj. Ata që mbetën gjallë morën fenë islame. (Kronisti Evlia Qelebiu). 

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test