Kur nuk lamë këmbë turku nga Shkupi deri në Ohër

Opinione

Kur nuk lamë këmbë turku nga Shkupi deri në Ohër

Nga: Gani Mehmetaj Më: 21 gusht 2018 Në ora: 16:08
Gani Mehmetaj

Sëmundja erdhi e shkoi, por me sëmundje shkoi edhe koka e prijësve të Arbërisë. Prapa la mjerim e shkretëtirë.

As gjeneralin austriak, me disa ushtarakë të tjerë të lartë të Perandorisë Austriake, as ipeshkvin tonë, Bogdanin, nuk e vranë turqit, as tartarët mizorë, por ashtu siç ju thashë, e mbyti mortaja, e cila bëri kërdinë mbi ushtrinë tonë dhe mbi popullatën.

Prapë nuk më hiqet nga mendja: e futën këtë sëmundje vrastare turqit me tradhti, apo fara e keqe që mbjellë më herët. Pati hamendësime se murtajën e sollën në strajca serbët, armiq të vjetër të arbërorëve. 

Hamendësimet nuk na ndihmuan asgjë, që ta ndryshojmë fatin e Arbërisë. Ndërkaq, mbetëm pa një prijës të madh ushtarak e shpirtëror. Vetëm mbreti ynë, Skënderbeu para imzot Bogdanit, i ndriçoi si yll shkëlqimtar tokat e Arbërisë dhe gjithë Gadishullin e Ilirisë.

Pak javë para se të shuhej jeta e imzot Bogdanit, komanda e Arbërisë e dërgoi udhëheqësin në Prishtinë, te mjekët gjermanë që ta shëronin, por ata nuk e ndihmuan dot. Ai po mbaronte në vuajtje të tmerrshme, megjithëse asnjëherë nuk iu dëgjua zëri, më thanë ata që i qëndruan pranë.

“Sikur të vinte pak ditë më herët, mbase do të kishte më shumë shpresa”, na e la pikë në zemër, mjeku perandorak, që iu kushtua me gjithë zemër. Por ata që ishin në eskortën përcjellëse të imzot Pjetër Bogdanit, tregojnë se ai qe tepër i zënë me organizim e luftime që t’i kushtonte vëmendje trupit, i cili po e tradhtonte.

Kështu, një ditë të zymtë, ndër më të zymtat në historinë e Arbërisë, në vitin 1689, pas Krishtit, udhëheqësi ynë vdiq në Prishtinë. Ai e la një hon të madh, sepse mungesa e tij nuk do të plotësohet kohë të gjatë.

Komandantët e Arbërisë u përpoqën të rezistonin, mirëpo ushtria u përgjysmua nga vdekja që e priste si kosë e ferrit shtatin e ushtarëve, ndërsa shpesh vdisnin në këmbë pa pranuar të preheshin në shtratin e vdekjes. Ushtarët i përgjysmoi uria e etja, sepse mjekët nuk i lejonin të pinin ujin e infektuar, as ushqimin që po ashtu druhej se është me mikrobin e murtajës.

Si s’na u ça zemra nga pikëllimi, kur shihnim ushtarë të vdisnin në vuajtje të tmerrshme; si s’tregoi Zoti pak mëshirë për këta fatkeq, që patën mision të shenjtë: të mbronin dheun e të parëve, të mbronin gratë e fëmijët; si s’na ndihen shenjtorët, ndërsa na e dhanë rastin ta çlironim Arbërinë një herë e përgjithmonë; si s’ na buzëqeshi fati në aktin përfundimtar, kur nuk lamë këmbë turku nga Shkupi deri në Ohër.

Sa e çuditshme e sa mizore: fatin e luftës e ndryshoi një mikrob tinëzar, i frikshëm e vdekjeprurës, ndërsa nuk mund të shihej, as të luftohej. Një mikrob më pak i frikshëm, para qindra vjetësh e shtriu përtokë mbretin tonë, Gjergj Kastriotin.

Dhe si mallkim një mikrob i padukshëm e mbyti prijësin tonë të madh, Pjetër Bogdanin.

Më duhet t’ju rrëfej se mbi kufomat që i hidhnim nëpër gropa të thella, hidhnim gëlqere të pashuar. Koha nuk priste, koha mund të na ndëshkonte. Ende shpresonim se do ta këpusnim sëmundjen. Por fati na dha kahe tjetër. Mjerë Arbëria sesi u pllakos për herë të dytë.

Katunde të tëra u braktisën, vendbanime tjera mbetën me pak banorë, të tmerruar e të dëshpëruar nga e panjohura. Të shikonin si shpëtimtar, kur u tregoje kush ishe. Besonin se me hirin e Zotit, do të shpëtonin. Ndonjëherë të shikonin të tmerruar, kur druanin se do t’jua sillje mikrobin e frikshëm, prandaj pa një pa dy të dëbonin, ose të kërcënonin, që të mos ua shkelje kufirin e katundit, ku bënin rojë.

Derisa udhëtoja në Dardani, pashë me sytë e mi se si nëpër disa katunde banorët e humbën  arsyen. Me të vërejtur njerëz të dyshimtë, i kapnin dhe i digjnin në turr të druve, apo i varnin. Ua bënin gjyqin aty për aty, sepse dikush e përhapi frikën se e gjithë Arbëria e pësoi nga njerëz të dyshimtë, që futeshin nëpër katunde, hidhnin minj a mace të infektuara dhe iknin nga sytë këmbët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat