Për të medituar me rastin e festës së Kurban – Bajramit

Opinione

Për të medituar me rastin e festës së Kurban – Bajramit

Nga: Dedë Palokaj Më: 21 gusht 2018 Në ora: 17:36
Dedë Palokaj

Ju vëllezër shqiptarë që sot festoni Kurban Bajramin, kaloni më shumë kohë me të dashurit tuaj, sepse ata do të jenë çdoherë me ju. Thuani fëmijëve fjalë të mira nga thellësia e shpirtit, mësoni dhe edukoni fëmijet që ta duan njëri – tjetrin, atdheun dhe lirinë, sepse ata tani janë të vegjël, por së shpejti do të rriten dhe mund të ju lënë. Thuani se jeta nuk matet me vite, por matet me dashuri. Thuani se neve si popull, feja duhet të na bashkoj, të na ofroj, të na fisnikëroj dhe të na bëjë më të mirë dhe më të dashur për njëri – tjetrin. Mos harroni të jepni përqafime të ngrohta,  sepse është i vetmi thesarë që mund ta jepni me zemër dhe nuk ju kushton asgjë. Mos harroni t’i thoni “të dua” partnerit tuaj, familjes dhe të dashurve tuaj. Kjo është e rëndësishme se mbi të gjitha ti mendon kështu. Një përqafim mund të shërojë një plagë në qoftë se kjo vije na thellësia e zemrës.

Mos harroni t’ivlerësoni momentet kur jeni së bashku, sepse një ditë ai person nuk do të jetë më me ty. Gjeni kohë për të dashur, për të folur, për t’i ndarë mendimet tuaja të vlefshme me të tjerët. Qeshuni më shpesh më gjatë dhe me sinqeritet. Qeshni deri sa të ‘mbeteni’ pa frymë. Lotët nuk hargjohen. Tregojuni njerëzve që ju i doni ata në çdo moment, sepse jeta nuk matet me sasinë e ajrit që thithim, por nga momentet që i krijojmë. Brenda qenies sonë e kemi virtytin, që më pas të kemi mundësinë të realizojmë miqësinë e vërtetë. Miqësia është konsideruar dhe konsiderohet eksperienca më e rëndësishme njerëzore, një pasuri e shenjtë. Aristoteli për miqësinë thotë: “Askush nuk do të dëshiron të jetonte pa miqë edhe sikur të kishte të gjitha të mirat e botës”. Sipas Aristotelit, njeriu mund të ketë gjithçka por nëse nuk ka miqësinë gjithçka është e kotë. Miqtë shumë herë mund t’i zëvendësojnë dhe personat e familjes, shumë prej nesh kanë nevojë që përvojat jetësore t’i ndajnë me të tjerët e ata të tjerë janë miqtë tanë. Miqësia nuk ka nevojë për fjalë, sepse ajo flet vet me veprime miqësore e me sy miqësorë, nuk ka sy kurreshtar, dinak, hulumtues, por ka sy që përçojnë tek tjetri dashurinë, besueshmërinë, mbështetjen dhe respektin. Miqësia është si një kështjellë rëre, e vështirë ta ndërtosh e thjeshtë ta shkatërrosh shumë e bukur ta rindërtosh. Miku besnik është një mbrojtje e forte. Kush e gjen një mik, gjen një visar. Miku besnik s’mund të çmohet, as s’mund të peshohet vlera e tij.

Miku besnik është ilaç shërues i jetës. Unë besoj në njeriun që zgjedh për të evoluar – për të ndryshuar shkallë – shkallë sepse ai gjen, falë shpërthimit të forcave të tij njerëzore, gjen një unitet dhe rrugë të re. Orientimet, të cilat mund të paraqiten veçmas apo bashkë, janë një terren I favorshëm për shpërthimin e tyre siç janë: dashuria, humaniteti, pavarësia dhe liria. Unë besoj tek dashuria, sepse ajo është kyçi i rritjes njerëzore. Dashuuria, bashkimi me një qenie apo një gjë jashtë vetes, vendos një lidhje me tjetrin, lejon ndaj një qenie për tu ndjerë një me të tjerët, por nuk i heq asgjë ndjenjës së tij të integritetit dhe pavarësisë. Dashuria është një orientim produktiv që ka për natyrë disa kërkesa që duhet të jenë të plotësuara njëkohësisht. Ajo kërkon që ta zgjojmë të interesimin për njëri – tjetrin që të ndjehemi përgjegjës, që ta respektojmë dhe ta njohim tjetrin.

Unë besoj tek përvoja e dashurisë. Asnjë kënaqësi nuk është më njerëzore sesa ajo e dashurisë, nuk është më e aftë për të humanizuar njeriun. Por dashuria si dhe arsyeja, nuk njeh gjysma. Ne nuk duam përgjysëm. Unë besoj tek nevojshmëria për të qenë “të lire” nga lidhje të brendshme dhe ose të jashtme, me qëllim për të fituar “lirinë” e krijimit, të ndërtimit, të hyrjes tek dija etj., me qëllim për tu kthyer në një individ të zgjuar dhe të përgjegjshëm. Unë besoj tek liria e përkufizuar si aftësi për të ndjekur zërin e arsyes dhe të njohjes, dhe për tu rezistuar zërave të pasioneve iracionale; unë besoj tek çlirimi, i cili e kthen njeriun të lirë dhe të aftë për të përdorur mundësitë e tij racionale, për të kuptuar objektivisht botën dhe pjesën që ai ka në këtë botë. Unë besoj tek lufta për liri që nuk është gjë tjetër përveqëse lufta kundër së keqës së përbashkët, të një autoriteti të imponuar që kërkon për të thyer vullnetin e njeriut. Sot, lufta për liri është më tepër çlirimi individual dhe kolektiv, një çlirim nga forca të brendshme për të mos u nënshtruar të keqes, sepse jeta është liri e liria është jetë. Unë besoj tek liria, jo aq si cilësi e pandryshuar që ne “e kemi” apo “nuk e kemi”, por si akt çlirimi nga vetja jonë, nga i cili ne përdorim lirinë tonë për të bërë zgjedhje.

Çdo etapë e jetës që ngre shkallën e pjekurisë së njeriut, ngre gjithashtu dhe aftësinë e tij për të zgjedhur zgjidhjen që e çliron atë. Unë besoj tek “liria e zgjedhjes”, ndonëse ajo të mos jetë gjithmonë e njëjtë për të gjithë njerëzit në çdo moment. Një njeri me orientim ekskluzivisht nekrofil – që ka dashuri patologjike për vdekjen, nuk mundet për të bërë gjë tjetër përveqëse zgjedhjen e regresionit, të kthimit prapa, në kundërshtim me përparimin. Njeriu i lirë, i lirë nga lidhjet iracionale, nuk bën zgjedhje regresive. Unë besoj tek dashuria për fqisi të mirë, për tolerancën fetare, nëse ajo është e sinqertë dhe pa sentimentalitet dhe iluzione, nëse ajo është një formë ndihme, duke e ndihmuar tjetrin për të gjetur udhën e vet. Sepse asnjë nuk mundet për ta “ndihmuar” fqiun e tij duke vendosur për të. Të vetëdijësohemi mbi zgjidhje çliruese për të zgjuar energji të fshehura që na nxisin për të zgjedhur më parë jetën sesa vdekjen. Unë besoj tek barazia ndërmjet njerëzve, që çdo njeri është në gjendje për të ndjerë nëse ai mëson për të njohur vetveten, nëse ai njeh që është i barabartë me të tjerët dhe të identifikohet me to. Çdo individ mbart humanitetin në vete; “kushti njerëzor” është unik dhe i njëllojtë për të gjithë njerëzit megjithë dallimet e pashmangshme në zgjuarsi, talent, madhështi, ngjyrë, etj. Unë besoj tek nevojshmëria për të përmendur gjithmonë barazinë ndërmjet njerëzve me qëllim për të penguar që ato të instrumentalizohen reciprokisht. Unë besoj tek vëllazërimi nëse ai është dashuri për fqiun tonë.

Por ai mbetet gjë e zbrazur nga kuptimi sa kohë që nuk janë zhdukur të gjitha ngatërresat dhe lidhjet e përlyera që frenojnë aftësinë e një qenie për të gjykuar objektivisht “villain” e vet. Unë besoj tek humaniteti në njeriun dhe tek aftësia e qenies njerëzore për t’iu afruar atij nëse ai kapërcen shoqërinë e vet. Sado i lidhur që të jetë ai me shoqërinë ku ai lind, ai duhet të mësojë për të parë nëse ajo nxit apo pengon lulëzimin e potencialit njerëzor. Ai nuk mundet për të patur njohje të natyrës njerëzore nëse tabutë, kufizimet t’i duken atij të “natyrshme”. Unë besoj tek funksioni i dyfishtë – nxitës dhe paralizues – i shoqërisë, dhe pra tek konflikti i përhershëm ndërmjet shoqërisë dhe humanitet. Unë besoj tek një shoqëri e shëndoshë në të cilën të mundesh për të shpresuar, tek një shoqëri e cila nxit aftësinë e njeriut për të dashur të afërmin e tij, për të punuar dhe krijuar, për të zhvilluar arsyen e vet dhe një vështrim objektiv të vetvetes, të bazuar mbi përvojën e energjisë së tij krijuese.

Unë besoj tek ringjallja kolektive e shëndetit mendor, burim shprese, tek mendja e shëndoshë e njeriut, për të zhvilluar objektivitetin dhe arsyen e tij. Unë besoj tek bashkimi i forcave të një numri në rritje individësh të ethshëm për të punuar me atë që ka të njëjtat dëshira, përballë një bote që është duke u kthyer si e çmendur dhe ç’njerëzore. Unë besoj tek njerëzit me synime të qarta ku përpjekjet e të cilëve nuk kufizohen për të ofruar një përshkrim njerëzor të botës, por që nisen si gjurmues mbi udhën e humanizimit dhe punojnë për transformime të mundshme. Një interpretim i botës pa dëshirën e ndryshimit të vetvetes mbetet i kotë: një ndryshim pa interpretim paraprak është një ndërmarrje e verbër. Unë besoj tek realizimi i një bote ku njeriu është më shumë njeri, ndonëse duke patur pak, ku ekzistenca e tij nuk është e sunduar nga dëshira për të konsumuar dhe imponuar, ku Zoti dhe njeriu janë qëllime të para dhe të fundit, ku njeriu gjen rrugën e vërtetë për t’i dhënë qëllim jetës së tij dhe forcënpër të jetuar i lirë dhe pa iluzione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat