Vuçiqi (s) është si Millosheviqi, kurse Thaçi?!

Opinione

Vuçiqi (s) është si Millosheviqi, kurse Thaçi?!

Nga: Nehat Hyseni Më: 9 shtator 2018 Në ora: 21:50
Nehat Hyseni

Vizita dy ditore e Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 8 e 9 shtator 2018, në Republikën e Kosovës paraqet një pandan apo sfidim të hapur ndaj tubimit masiv të Sllobodan Millosheviqit 29 vjet më parë, më 28 qershor 1989, në Gazimestan, me rastin e kremtimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, dmth disfatës katastrofale të forcave ballkanike, nën komandën e “car” Llazarit - serb nga fshati Përlepnicë i komunës së Gjilanit.

Meqë asokohe, ushtria osmane e sulltan Muratit, sipas historianëve eminent, i asgjësoi keq në fushëbetejë, madje për vetëm pak orë, duke i masakruar deri në shfarosje.

Ky debakëll ushtarak në këtë fushëbetejë, u shndërrua në mit për serbët, të cilët vajtuan që nga ajo ditë dhe mbi këtë mit ushqyen ëndrrën e tyre të madhe për “kthim dhe hakmarrje” në Kosovë, duke pretenduar se ata ishin “mburojë” e krishterizmit dhe civilizimit europian, kundër depërtimit të civilizimit osman dhe Islamit në Ballkan dhe në Europë.

Natyrisht se serbët “harrojnë” se në Betejën e Kosovës ishin edhe ushtritë shqiptare me tre princa si komandantë, si dhe ushtritë tjera ballkanike: hungarezët, boshnjakët, kroatët, etj.

Gjithashtu, serbët qëllimisht harrojnë faktin se pas kësaj Beteje, ata u nënshtruan turpshëm dhe u shndërruan në vasalë besnikë të Perandorisë Otomane, madje duke tradhëtuar kauzën fetare e kombëtare të krishterizmit, duke u vënë në shërbim të plotë të Sulltanit, si servilë besnikë dhe të përbuzur të tij.

Këtë realitet kontraverz deri në absurd të historisë 610 vjeçare serbe, pra, Sllobodan Millosheviqi 29 vjet më parë e shfrytëzoi që nga foltorja e vendndodhjes së përmendores së Gazimestanit, t’i shpallë luftë shqiptarve, sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, etj. Pra, realisht i shpalli luftë të gjitha kombeve dhe të paralajmëroj rrënimin e Jugosllavisë së Titos me luftrat e përgjakëshme e gjenocidale që pasuan gjatë viteve të nëntëmbëdhjeta të fundshekullit XX, që përfunduan pikërisht aty ku filluan, dmth në Kosovë.

Sllobodan Millosheviqi asokohe pësoi disfatë, mbase disfatën më të madhe serbe, që nga Beteja e Kosovës në vidovdanin e vitit 1389, sepse u ngrit kundër të gjithëve.
Prandaj, Millosheviqi u mund nga të gjithë kombet e Jugosllavisë dhe, sidomos në Bosne dhe në Kosovë, edhe me bombardimet e aleancës më të madhe ushtarake të botës demokratike, NATO-s.

Pra, Millosheviqi gaboi rënd në vitin 1989 kur mendoi se do ta ketë botën demokratike si aleat të vetin në marshimin e tij fashist kundër shqiptarve dhe boshnjakëve e të tjerëve me avazin vetmashtrues se “Serbia në Kosovë po i mbronë vlerat e civilizimit europian”. 

Natyrisht se Sllobodan Millosheviqi e pësoi keq, duke e humbur Jugosllavinë, të cilën me anë të Armatës Jugosllave pretendonte që ta impononte si Serbosllavi.
Këtë dështim të Sllobodan Millosheviqit dhe këtë pësim të politikbërjes hegjemoniste serbe, Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të tij 50 minutësh, pikërisht në mesditën e 9 shtatorit 2018 (e diel), në Mitrovicë të Veriut, u përpoq me përkushtim maksimal ta paraqes si “mësim”.

Pra, Aleksandar Vuçiqi u përpoq që dërgoj një mesazh të fuqishëm tek serbët e Kosovës se është hiç më pak nacionalist e antishqiptar se Millosheviqi dhe se do i mbrojë ata “poqese është e nevojshme edhe me luftë”.

Përkundrazi, Aleksandar Vuçiqi paralajmëron se këtë do e bëjë me “bashkëpunim të ngushtë” me botën, e jo siç veproi Millosheviqi duke luftuar kundër botës demokratike.

Pra, mund të konkludojmë se Aleksandar Vuçiqi pretendon që ta bindë botën se, jo vetëm që politikbërja e tij është e ndryshme nga ajo e Millosheviqit, por se pretendon se është plotësisht e ndryshme nga ajo e Sllobodan Millosheviqit, duke dërguar mesazhin se don “bashkëpunim e jo luftë me botën”, në misionin e tij për ruajtjen e pranisë serbe në Kosovë, duke e deklaruar Kosovën si tokë serbe, por që duhet ndarë me shqiptarët.

Pra, dallimi i vetëm midis Millosheviqit dhe Vuçiqit, sipas deklarimit të këtij të fundit, është jo lufta kundër botës, siç veproi (dhe dështoi) Millosheviqi, por bashkëpunimi me botën dhe dialogu e marrëveshja me shqiptarët. Kuptohet, duke mos pranuar Pavarësinë dhe Sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës!

Përndryshe, e tërë simbolika e vizitës së Vuçiqit kishte të bënte me porosinë për ndarjen e veriut të Kosovës: Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, dhe për “garantimin” e sigurisë për serbët në jug të lumit Ibër: Graçanicës, Parteshit, Kllokotit, Ranillugut, etj., për të cilët do të themelohej i ashtuquajturi Asociacion i Komunave me shumicë serbe.

Ky është propozimi i Serbisë për “përkufizimin etnik” midis shqiptarve dhe serbëve në Kosovë!

Pas kësaj vizite të Vuçiqit në Kosovë, analistët serbë vlerësojnë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka hyrë në një “fazë të re”, që pretendon të dëgjoj “propzime të reja” nga pala shqiptare.

Sipas të gjitha gjasave, këto “propozime të reja” nga pala kosovare konsistojnë në propozimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçiit, për “bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovës. 

Këtë “ propozim” Thaçi nuk arriti që ta paraqes zyrtarisht më 7 shtator 2018, në Bruksel, meqë homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq nuk pranoi të takohet me te.

Natyrisht se, “propozimi” i palës kosovare për marrëveshjen finale midis Serbisë dhe Kosovës pritet që të bëhet me anë të vizitës (së parë), të paralajmëruar, por akoma të pakonfirmuar, të Presidentit Thaçi gjatë javës së ardhëshme në Luginë të Preshevës, së bashku me përfaqësuesin e Unionit Europian, Johanes Han.

Gjykuar sipas logjikës së ngjarjeve të fundit, kjo vizitë e e paralajmëruar dy ditore e Thaçit në Luginë të Preshevës, për Aleksandar Vuçiqin do ishte e nevojëshme dhe e mirëseardhur për te poaq, mbase edhe më tepër seç ishte vizita e fundit e Vuçiqit në Kosovë, meqë ka të bëjë me “paktin” për shkëmbim e territoreve midis Veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, që sa duket, gjithënjë e më tepër po na serviret si “akt i kryer” që ka zanafillen nga “babai” i kombit serb, Dobrica Qosiq, Ivica Daçiqi dhe së fundi nga Aleksandar Vuçiqi, të cilin po e mbështesin, madje edhe po e rekomandojnë gjithënjë e më tepër fuqitë botërore të vendosjes, madje edhe shumë miq tanë ndërkombëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat