Për vedi a për Skodrën shkruan Simon Rrota? - Bota Sot
Për vedi a për Skodrën shkruan Simon Rrota?

Opinione

E mërkurë, 19 shtator 2018

Për vedi a për Skodrën shkruan Simon Rrota?

Nga: Frano Kulli Më: 12 shtator 2018 Në ora: 19:35
Frano Kulli

Simon Rrota (1887-1961), piktori që në zanafillen e rrugës së artit pamor, në kapërcyellin e funshekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të pati jo vetëm për mësues vizatimi, por edhe si udhërrëfyes Kolë Idromenon ishte megjithatë, i pari piktor i shkolluar në një Akademi  artesh, deri atëherë. Shkon në Romë së pari, me këmbënguljen dhe rekomandimin e drejtorit të shkollës italiane në Shkoder, prof. Polarollit, ku sprovon të gjejë punë e të mund të studiojë pranë skulptorit të famshëm Angello Zanelli, me dëshiren e palakueshme të shkollimit vetëm për arte pamore, por pa sukses.

I zhgënjyer aty prej pritjes së ftohtë, largohet për në Milano, në kërkim të një tjetër mundësie.Dhe atje, fati i buzëqesh sapo takon bashkëqytetarin e vet Pjerin Simoni. Me ndihmën e mbështetjen e tij krejt vëllaznore, në vitin 1910 fillon studimet në Akademinë e Arteve të bukura "Brera" në qytetin e madh e të zhurmshëm dhe aty laurohet në vitin 1915. Në Milano qe njohur edhe me Carla Carminati, e cila do të bëhej më pas bashkëshortja e tij e jetës. …U martuan me 28 tetor të vitit 1920 dhe fill dy ditë më pas kthehen në Shqipëri dhe së bashku do të pëcjellin ngjarjet e trazuara të  kohës.

Më heret, përpara se të nisej për studime, përposë Idromenos, Simoni u pati gjendë i rrethuar gjithashtu prej një përkrahjeje të përndritëshme të At Gjergj Fishtës, të cilën ai e çmon shumë. Poeti e françeskani aq fort i përgjindshëm në Shkoder ç'prej asokohe, mbasi dallon të dhënat për pikturë dhe zellin e dëshirën e pandalshme, e merr herë mbas here për punë të kësisojshme djaloshin e talentuar, për të ndërtuar së bashku dekorin e shfaqjeve të pjesëve teatrore që Fishta vetë i kishte shkruar a përshtatë për teatrin e sapo krijuar në Kuvendin e fretënve. Ka qenë ajo kohë, kur përreth Kuvendit, asaj qendre rrezëlluese kulturore të qytetit, në teatrin që përtërihej shpejt po zinte fill për së pari drama shqipe.Ndërsa  gjuha shqipe ishte vendosë si gjuhë mësimi edhe në shkollat e tyre; në Liceun “Illyricum” dhe në shkollen e motrave Stigmatine, ende në rrethana ndaluese prej perandorisë otomane në kalbëzim.

Po Simoni i sapokthyer nga studimet, i ndodhur në rrethanat kur iu desh të bënte, përposë mësuesit edhe përkthyesin nga italishtja e gjermanishtja pati njëherësh kontakte e njohje edhe me personazhet më aktivë të lëvizjes kombëtare në Shkoder; me Luigj Gurakuqin, Ernest Koliqin, Zef Harapin, Mikel Koliqin, Hilë Mosin, Mati Logorecin, Isa Boletinin, Kel Marubin etj. Kurse në Fier, ku gjendet rreth viteve ’20, bashkë me të vëllanë Kolën, shkolluar edhe ai për mësuesi në Vjenë, themelojnë atje fotografinë, zeje artistike e paparë deri atëherë në atë qytet. Këtë e pohon Kozma Dashi, që hulumton në këtë fushë. Por e pohon, gjithashtu zëplotë edhe Qerim Vrioni, njëri prej studiuesve  të dorës së parë të historisë së fotografisë në vendin tonë…

Po shkruej për vedi!

Kështu i kishte pasë titulluar kujtimet e veta Simon Rrota, mbajtur për një kohë të gjatë në kujtesë, në një kujtesë për t'u lakmuar dhe pastaj, kur kishte arritur në moshën e përshtatëshme për t'ju rikthyer atyre, kishte filluar e i kishte shkruar. Me një kaligrafi të bukur, pa rend kronologjik ngjarjesh, vçse ashtu si i kishin ardhë i kishte dikuar (zbrazë) në letër, si një rrëfim a bashkëbisedë me vedin. Dhe ia paska dalë...Kujtimet e shkruara, masandej kur Simoni ndërron jetë (27 janar 1961) me përkujdesje atërore ishin ruajtë prej familjarëve, prej së bijës, më të voglës së fëmijve, Norës dhe ashtu gjendeshin të ruajtura edhe mbas më shumë se një gjysë shekulli...

Dhe…kujtimet e piktorit, të ruajtura me perkujdesje te adhurueshme, ndër rrethana të atij rregjimit të biografive kur ato mund të ktheheshin edhe në problem për familjarët, kuruar në një libër nga Pjeter Logoreci, vijnë e publikohen  këto ditë, si botim i “Botimeve Fishta”...

Pjeter Logoreci e tregon gati si anektodik rastin se si ka  ndeshë në këto kujtime.” Në të vërtetë, rrëfen Pjetri, unë po interesohesha në Arkivin e Vjenës, se mos gjej ndonjë material për Kolë Rroten, vëllain e piktorit, mbasi ashtu si rastësisht më lidhej me punët e mija hulumtuese, por diçka edhe më përtej. Kur u pata interesuar për sjelljen e eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit, nënkryetarit të qeverisë së Ismail Qemalit, e para pas shpalljes së pavarësisë, mësova se ai varr që Kaçorri kishte në varrezat e Vjenës, pas vdekjes natyrale atje, qe e mundur të ishte aty në saje të Kolë Rrotës. I ndodhur në Vjenë aso kohe, Kola ishte përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë. Po me paratë e veta e paguan tokën për varrin e Kaçorrit.(Një gjest ekselent njerzor e patriotik).Dhe duke u interesuar që të mësoja më shumë për Kolën, trokita në derën e familjarëve të vet, tashmë të shpërndarë në Europë. Dhe prej tyre, prej Eduardit, nipit të vet mësova se Simon Rrota kishte lënë të shkruar edhe një ditar në formën e kujtimeve.”

Nën titullin: Shkruej për vedi... Një titull, mjaftueshëm për t’u marrë me mend se mbajtësi i tyre, i kishte mbyllë sytë pa menduar se ato do të publikoheshin ndonjëherë. Por vetëm se qenë shkruar ashtu kujdesëshëm, për t’i pasë si dëshmi kurreshtare trashëgimtarët e tij.

Shënohen në këto kujtime episode të detajuara ndodhish e ngjarjesh me mjeshtrin Idromeno e me Fishten, për skenografinë e shfaqjeve teatrore në Kuvendin franceskan në Gjuhadol, por edhe për popullaritetin e madh që ato mbërritën të kishin në qytet. Sikundërse kishte provue ma heret me ja shkye vizatimin e me i dalë belá me malsorin puntuer që i kishte bërë portretin, bash aty në oborrin e Kishës së Madhe. Ngjarje si kjo e ngjashme kishte provue shpesh, se njerzia asokohe ende nuk pajtohej me “i dalë ftyra n’leter”. Por përcillen në to gjithashtu edhe ngjarje e ndodhi nga jeta e perditëshme qytetëse e kohës, nga pazari i madh, në hyrje të qytetit, poshtë kalasë, në të cilin atij iu pati dashtë me sprovue qysh heret në adoleshencën e vet përsjelljen nëpër punën e mundimshme të shegertit, me ju ba ndihmë familjes, prej së cilës dy prej vëllazënve të mëdhenj ishin përcjellë për studime.

Aty, në pazarin e madh dyndej përgjatë dites thuajse krejt qyteti deri në mbramje, kur krejt “urdia” e tregtarëve, shegertave e blerësave, kush me karroca e kush n’kambë, simbas hierarkisë që kishin atje kthehej në qytet. Masandej në lagjet e nëpër rrugët e rrugicat e në qendren e tij gëlonte jeta e polisi-t, me dritëhijet e veta e me nuancat gjithnurësh...Me shtëpitë e rrethuara me avllitë me gurë zalli, naltësia e te cilave ishte e qortueshme për hartistin [artistin] e ardhshëm që reflektonte mënyrën ende orientale të jetesës, vetë shtëpitë , të ndërtuara në fund të oborrit, që “i kthejshin shpinen” rrugëve. Me dyert e mëdha të oborreve sa me hy edhe qerret që do të shkarkonin drutë e dimrit a rrushin e sjellë prej vreshtave përreth, me të cilin bëhej vera. Prej druri e të punuara bukur.

N’anë tjetër konsullatat e huaja, që i kishin selitë në Shkoder asokohe, pamja e të cilave dhe e njerëzve përmbrenda ashtu si edhe veshja e sjellja e tyre nëpër qytet ishte një ndjellje a joshje drejt oksidentit e mënyrës së re të jetesës atje…

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test